top of page

Vërtet i përjetuar, … e përjetuam


Piqeras

Vërtet i përjetuar, … e përjetuam


Fatmir Terziu


Një grusht dhe nga fshati i braktisur” thotë autori është një tregim i jetuar. I tillë m’u duk edhe mua si lexues, që nuk e njoh atë zonë. E besova dhe fshiva sytë, por edhe atëherë më dukej i tillë. E dini pse? Më mjaftoi kaq: “Fshati Piqeras është i vendosur në një pllajë që ngrihet nga ana e detit në një lartësi mbrojtëse nga pirateria, si vapor gjigant që zgjatet afërsisht një kilometer.” E kush tjetër nëse nuk e përjeton e di të fshehtën e një fshati? Ja pra shkrimtari, Kostandin Vogli, na ka bindur me një të shkruar tipike, origjinale, të thjeshtë e mjaft domethënëse. Që të mbetet e tillë vazhdojmë paksa: “Pjerrësia i kullon ujërat e tepërta, por i rrit pemët të larta. Prandaj këtu ka patur gjithmonë një bukuri natyrore, që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Nga ana lindore, në të gjithë gjatësinë shtrihet lugina e Bunecit me gjirin e saj të mahnitshëm.” Edhe kjo cilësi e dhuruar nga Zoti, nga natyra dhe qasja e vendndodhjes e plotëson tërë formën e një tregimi të tillë. Se nëse do të ishte ndryshe, kur e kuptojmë, se ajo që po tregohet është thjesht një histori, na bënë të mbetemi me të thjeshtën e kësaj historie, me ndjenjën e atij tregimi.

Ndjejmë se nuk po ndodh më, ajo që duhej treguar. Kur e kuptojmë historinë që po thuhet, ato janë vetëm fjalë, kur thjesht mund të shkërmoqen dhe hidhen për të nxjerrë me narativin e diskursin e tij atë që mban peng të kaluarën te mbluar me pluhura e në plehra, dhe atëherë kuptojmë se kush do të jetë ajo që kishte ikur diku në këto ikje të pafundme, nga braktisjet, se atëherë folja ndërron kohë: “Si nuk u doli në rrugë asnjë plak të paktën sa të çmallej dhe të ndërronin dy fjalë. Këtë dëshirë u shprehu , por ja dhe shtëpia e lindjes, e cila ja ndërpreu të gjitha mendimet dhe dëshirat e çastit. Një brengë ndjeu, një shtërngim në grykë, sikur do të mbytej dhe pa e kuptuar lëshoi një varg lotësh. Nuk i lëshoi ajo. Lotët i erdhën vet. Ishin lotë malli, lotë nostalgjik, lotë që u derdhën për të njomur shkretëtirën që përvëlonte jo vetë oborrin e shtëpisë së saj, por të gjithë fshatin.” Pra dikur ishte ndryshe? Dhe këtë e rrëfen vetëm diskursi i përjetimit, diskursi i një kohe të jetuar, që ka zbritur në platformën e shkrimit për të treguar.

Dhe me këtë të treguar mëson se edhe atje është e pandashmja e trungut shqiptar jug-veri, edhe atje është “mali i Lavanit që quhet Maja e Hasit” se edhe ndodhet “një shtëpi, (tani e braktisur)”. Po zbrazet trungu?

Ndoshta është një plagë, që kërkon të thajë lotët e mallit se aty “Një ditë të bukur të muajit gusht, në qëndër të fshatit ndaloi një veturë. Prej andej zbritën tri gra, ku ndërmjet tyre një e moshuar 90 vjeçare.” Dhe kjo ardhje zbulon “Kalldrëmin që gjarpëronte deri tek shtëpia e saj”, në sytë e saj dhe në një ëndërr që zbulohet nga narrativi tek “Tatiana që tani jeton familjarisht në Itali dhe kushërira e saj Antigoni me të birin Julianin shofer”. Në këtë diskurs fjalitë e spikatura bëjnë të tërën e duhur: “Thatësia për njerëz e hutoi, por nuk tha asgjë.”; “Si nuk u doli në rrugë asnjë plak të paktën sa të çmallej dhe të ndërronin dy fjalë.”; “Një brengë ndjeu, një shtërngim në grykë, sikur do të mbytej dhe pa e kuptuar lëshoi një varg lotësh. Nuk i lëshoi ajo. Lotët i erdhën vet. Ishin lotë malli, lotë nostalgjik, lotë që u derdhën për të njomur shkretëtirën që përvëlonte jo vetë oborrin e shtëpisë së saj, por të gjithë fshatin.” Etj. e më pas syri bën krahasimin duke paqtuar mendjen: “Zor se mund të gjesh të paktën në pellgun e Mesdheut fshat me një pamje më mahnitëse, pamje më piktoreske nuk më kanë zënë sytë as në Greqi, e cila ka me mijëra panorama të rralla. As në Itali ku kam shëtitur në vënde mjaftë të bukura. Po, si Piqerasi im, nuk ka!” e si mund të mos kishte këtë marëveshje prania mentale që zhbirron diskursi e së kaluarës, kur “Po i vinte si një fishkëllimë nga errësira e së shkuarës, prodhimi nga kodrat e konjakut, apo nga baçet e ullinjve dhe agrumeve.”

Mjeshtërisht autori na bën të kuptojmë se ende vazhdojmë të përjetojmë tregimin, duke na prurë qartë dhe pastër: “Nga ajo errësirë nuk e humbi shikimin si nata, por po kthjellohej si në prag të agimit. Ajo tokë edhe e mbuluar nga bari i krisjes nga braktisja e saj, përsëri ka ushqyer zogjtë e shumëllojshëm dhe e mbushi shpirtin me shpresë. Ja një hardhucë e verdhme po mbijeton dhe ajo së bashku me zoqtë e qiellit. Përsëri oborri i saj kishte ushqimpër gjallesat. Aty gjenin fara për ushqim dhe pinin vesën e mëngjesit.”

Mbyllja është një preambulë e thirrjes së shpirtit, është si një britmë që të rrëmben dhe ndaj unë preferoj të mos ia prish bukurinë e saj: “Dheu i vëndlindjes. Baltë nga mitra e saj. Nga toka ku kam lindur unë e jam rritur e ku për herë të parë kemi qarë. Ai kënd toke, me ato rrënjë hardhie e ullinjë, ka kërkuar mëshirë për përkujdesje, duke kujtuar se mbi kurmin e saj ka ndier shkelje të renda, me djegje nga luftërat, rjepur nga cingërimat e tufanet dhe nga mungesa e njerëzve të saj, mall. E la me mallëngjim shtëpinë e saj, të cilën mendoi se e pa për herë të fundit dhe zbritën në qëndër të fshatit. Qentë po flinin të pa shqetësuar nën hijen e ullirit, ndërsa nga klubi i vogël po vinin zhurma të shqetësuara. Me siguri ndonjëri prej tyre kishte bërë ndonjë hile në letra ose domino. I vetmi banor që u foli ishte prifti, i cili sa i pa, vrapoi në portë të kishës dhe u bëri ftesë të hynin brënda. E pranuan ftesën dhe hynë në sallën e ndriçuar me qirinjë, si ditë e Diel që ishte të ndiznin edhe ato disa qirinjë për shpirtrat e të vdekurve. Aty e parafytyroi si më parë sallën e kishës plotë me njerëz dhe u shpreh me zë. “Ndofta ndonjë ditë do të rikthehen shumë prej tyre. Është për të ardhur keq që ky fshat PERLË të braktiset”. “AMIN” shprehu kënaqësinë prifti. Dhe si plakë e moshuar që është bëri kryqin para kishës, duke përsëritur disa herë me zë. “Kthei o Zot të gjallërohet përsëri fshati!”

Nëse do të duhet ta rilexojmë, do na duhen pako me copëza të buta letre për … Dihet roli i syve në këtë rast. Bukur!

30 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page