top of page

Vullnet MatoNJËQIND ZEJET E TIM ETI



 

Shumë herë kam gërmuar në thellësinë e viteve, për të gjetur fillesën e themeleve të kujtesës sime. Dhe kujtimi figurativ më i hershëm, më ka dalë gjithmonë ajo pamje e fiksuar, kur kam qenë i lidhur në djep përballë dy dritareve të dhomës së zjarrit. Pikërisht, në kohën kur babai shtypte qeramidhe në një havan të madh prej tunxhi. Pastaj pluhurin e kuq, që nxirrte nga gjëmimi shurdhues i havanit, e përziente me një pluhur tjetër të bardhë dhe duke e lagur me ujë, shtronte me të pezulet e dritareve. Sipas llogaritjes së viteve, më del se atëherë sapo ishte ndërtuar shtëpia jonë e re dhe unë duhet të kem qenë jo më tepër se një vjeç. Vite më vonë, kur u ngrita në këmbë, kuptova dhe vura re, se shtresat e dritareve kishin ngjyrë të kuqe, krejt ndryshe nga shtresat prej çimentoje të shtëpive të tjera.

Ç’farë nuk i pillte mendja dhe ç’farë nuk i sajonin duart atij njeriu të habitshëm. Kam mendimin e vrojtuar me kujdes në jetë dhe të ngulitur thellë qenies sime, se babai im Remzi Mato, i biri i Xhaferrit dhe i Adiles nga Fterra, ishte ekzemplari më interesant i këtij fshati të vogël rrëzë maleve të Kurveleshit. Me trurin e tij aq kërkues dhe aq gërmues, në ustallëqet dhe të fshehta të kësaj bote, ai bënte përpjekje njerëzore tejet të mëdha për të mbijetuar familjarisht me mundësitë vetjake. Duke përdorur për këtë qëllim, disa objekte rrethanore dhe sende krejt të rëndomta, për të krijuar prej tyre me mjeshtëri, mjete origjinale, me të cilat  mund të plotësosheshin nevojat e shumta të jetesës. Në kushtet kur pajisjet jo vetëm mungonin në treg, por edhe mund të kurseheshin të hollat për investime pasurore më të mëdha.  

Sapo kthehej me biçikletë nga orët e punës si mësues në shkollat e ndryshme ku jepte mësim, babait i hanin duart për punë dhe i lëvrinin gishtat në aq shumë zeje të imta, sa është zor të numërohen të gjitha. Ai qendiste dhe bënte dantella, më të bukura se ato të grave duarshkathta e të ngeshme për këso punësh. Me shtizat që sajonte prej telave të çadrave të vjetra, bënte çorape dhe triko të leshta për të gjithë pjesëtarët e familjes. Bënte karrige, tavolina dhe mobilje të tjera me dërrasat e thata të nxjerra nga trungjet e arrave. Bënte enë të çdo lloji dhe poçe prej argjili të pjekura në furrën e bukës. Bënte tespije, çibuqe e lodra të ndryshme prej bërthamave të frutave, të cilave u jepte formë e i lëmonte deri në shkëlqimin e tyre të plotë. Bënte krëhra të çdo forme nga brirët e bagëtive e nga pllakat prej alumini të aeroplaneve të rrëzuar gjatë luftës. Duke ua krijuar dhëmbëzat e tyre të shumtë me sharra të imta të sajuara me limë nga zemerekët e orëve të vjetra të tavolinës. Rregullonte orët e të gjithë nevojtarëve të ardhur nga larg, që nga ato të dorës, deri te sahatët e mëdhenj të murit, duke ua zëvendsuar edhe rondelet e konsumura me disa pajisje tepër të imta. Bënte fotografi të mahnitshme, me forma të shumta dekoracionesh dhe efekte dritëhijesh plot kontraste. Duke e zëvendësuar mungesën e energjisë elektrike të asaj kohe, me hënëzën diellore të mesditës që binte nga oxhaku në vatrën e shtëpisë së errësuar me perde. Një laborator fare i thjeshtë ky, ku realizonte vendosjen e filmit mbi letrën fotografike për tu stampuar dhe zhvilluar brenda atyre pak minutave që mundësonte koha e zhvendosjes së diellit. Për të bërë jo vetëm fotografi cilësore në fshatrat e kandilit, por edhe për të fiksuar kujtime të pavdekshme për shumë njerëz.

Remzi Mato

Ai ndreqte këpucë të çdo moshe, duke i qepur shollët me spango e duke i mbërthyer me thumba në trekëndshin e sajuar të një kallëpi metalik. Bënte galloshe të vogla me kopertonat e vjetër të biçikletës, për të ruajtur këpucët e reja të fëmijëve të tij nga gërryerja e çakëllit të rrugëve. Mbathte vetë kalin e ngarkesës me potkonj e thumba hekuri, të bërë me çekiçin e tij në një farkë zjarri të thjeshtë. Thurte kosha të mëdhenj me thupra shelgu, për depozitimin e misrit të vjelur në arat tona. Bënte koshere dhe mbarështronte bletët, duke përdorur një tymuese në formë borije sëprapthi e një mbrojtëse prej rrjete teli. Sajonte zile e këmborë për bagëtitë e shtëpisë, duke sharruar gëzhojat e mëdha të gjyleve të mbetura nga lufta. Bënte punë të shumta bujqësore, hapte taraca me krahë dhe ngrinte muret mbajtës, duke punuar edhe në piskun e vapës, kur dielli i digjte supet sa i bëheshin plagë. Mbillte, krasiste dhe vadiste me kova pemët frutore në kodrën e bleruar rreth shtëpisë. Duke shfrytëzuar përvojën Miçuriniane, shartonte e krijonte varietete të reja frutash sipas fantazisë tij. Bënte gjithçka mund të bëjë dora e njeriut në kushtet specifike të mjedisit ku jeton. Por një nga bëmat më të mëdha, të shartesës njerëzore me gruan e vet, për të cilën ka meritë të veçantë, është fakti se ai bëri dhjetë fëmijë, nëntë prej të cilëve vegjetuan në jetë me shkathtësi të spikatur, falë trashëgimisë së tij gjenetike.  

Për të gjetur kohën e nevojshme që kërkonin zejet e tij të shumta, ai punonte pothuajse njëzet orë në ditë dhe flinte pak. Punonte me ngulm dhe pas lodhjes, ulej në karrigen e tij të butë, ku i binte mandolinës dhe përkedhelte ndonjë nga  fëmijët e vegjël që i donte marrëzisht.

Në punën si mësues i dalë prej Normales së Elbasanit, ai ishte tepër serioz dhe përdorte një takt pedagogjik të vetin. Me të cilin impononte të mësuarit e vetëdijshëm të nxënësve, duke i vënë ata në sedër edhe nëpërmjet raporteve miqësore me familjet e tyre. Deklamonte tekstet shkollore plot pathos, deri në atë shkallë, sa i bënte nxënësit ta jetonin përmbajtjen emocionalisht. Vizatonte bukur, bënte një bukurshkrim, për ta pasur zili dhe thurte mendime të zgjedhura plot fantazi në të gjitha letrat që u dërgonte të afërmëve dhe miqve të shumtë në largësi. Bënte tabelat e shkollave dhe mjetet mësimore të klasave, me sajime figurash kuptimplota, për të ngulitur nxënien e qëndrueshme te fëmijët e të gjitha niveleve. Ish nxënësit e tij, kudo ku ai ka punuar, nga Kallarati i Labërisë, deri në Markat pranë Çamërisë, tregojnë se u kishte mësuar të sajonin punë dore të shumëllojshme. Të bënin punime prej letre, të qendisnin e të thurnin triko të leshta, të bënin bilbila dhe xumare, fyej dhe cula dyjare, t’i binin mandolinës e të këndonin bukur për atdheun dhe flamurin. Disa nga këto dhunti të tij, të ushtruara me nxënësit, i kemi gjetur edhe në raportet e inspektorëve të arsimit, nga rrethi deri në ministri, të cilët kanë kontrolluar klasat ku jepte mësim dhe e kanë cilësuar si një mësues “Tepër i talentuar e shumë pasionant.”

Me pak fjalë, ky ishte punëtori i palodhur, mjeshtri duarartë dhe intelektuali mendjendritur me zemër të madhe, siç e kanë quajtuar ata që e kanë njohur. Ky ishte i paharruri, Remzi Mato, për të cilin, ish nxënësit e tij edhe sot e kësaj dite shkruajnë e botojnë vjersha për të. Ky ishte i nëpërkëmburi i diktaturës së kaluar, që u burgos për agjitacion e propagandë, se gjoja donte të arratisej në Greqi, për të lënë në vetmi pjellën e tij të shumtë, për të cilën marrosej nga dashuria. Ishte ai që i tha trupit gjykues: “Edhe sikur të më kishin rrëmbyer grekët për hakmarrje, sepse babai im vrau gjashtë kapedanë pushtues të tyre, do të arratisesha andej për të ardhur te nëntë vogëlushët e mi të shtrenjtë që ushqehen vetëm prej duarve të mia.”

 Sikur të mos kishin qenë vitet e burgut, dhe sidomos shkatërrimi policor i objekteve të pronës së vet, sot ne bijtë e tij do të kishim një muze atëror nga më interesantët. Me krijimet e rralla që bënin mendja plot fantazi dhe duart e talentuara të një njeriu me shpirt të paepur dhe me vullnet të papërkulur.

Pra, ky ishte babai im Remzi Mato, i nëpërkëmbur nga sistemi i kaluar, për t’i rrëmbyer pronat dhe i mohuar nga zyrtarët trumykur, vetëm sepse ishte tepër i zoti përballë të paaftëve dhe  injorantëve të pushtetshëm të kohës së vet. Sepse koha e sotme, e ka shpallur “Qytetar Nderi” pas vdekjes.

Ky shkrim për të, është vetëm një grusht dheu me farëza lulesh brenda, që unë po hedh sot mbi varrin e tij. Sepse për të treguar bëmat dhe historitë mahnitëse e mbresëlënëse të Remzi Matos, duhen libra të tërë me faqe të shumta.    

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page