Vullnet Mato: LEXO PAK NGA RINIA IME!
- 5 hours ago
- 4 min read

Po ta lexonte John Keats[1] këtë poezi të Vullnet Mato, ai ndoshta do të ndalej menjëherë tek përplasja midis kohës biologjike dhe kohës shpirtërore. Keats, poeti që e shihte jetën si një lule të bukur, por të përkohshme, do të ndiente tek kjo poezi jo aq revoltën sociale, sesa trishtimin e njeriut që kërkon të mos harrohet nga brezi që vjen. Në shumë vargje ai do të dallonte një “ode” moderne për kujtesën dhe sakrificën.
Keats do të thoshte se poezia nuk jeton vetëm nga ideja, por nga muzika e brendshme e ndjenjës. Në këtë aspekt, ai ndoshta do ta vlerësonte sinqeritetin emocional të vargjeve:
“kokrrën e fasules kërkoja,
që misërniken të thërmoja…”
sepse aty poeti nuk flet si tribun, por si njeri që e ka jetuar urinë, djersën dhe kufizimin fizik të rinisë së vet. Për Keats-in, pikërisht këto çaste konkrete e bëjnë poezinë të prekshme dhe njerëzore.
Por ai gjithashtu mund të vinte re se poezia largohet shpesh nga lirizmi i pastër dhe hyn në territorin e deklarimit shoqëror e moralizues. Keats besonte se poezia duhet të sugjerojë më shumë sesa të shpjegojë. Kështu, vargje si:
“Duhet të dish, se dhe celularin…
brezi i rinisë sime e ka krijuar…”
mund t’i dukeshin më tepër retorike sesa poetike. Ai ndoshta do të thoshte se ideja është e fortë, por se poezia fiton më shumë kur metafora e zëvendëson shpjegimin e drejtpërdrejtë.
Megjithatë, Keats do të admirojë kontrastin dramatik midis dy epokave: rinia e sakrificës kolektive dhe rinia e lirisë individuale. Kjo përplasje në poezi krijon një tension të gjallë njerëzor. Sidomos te këto vargje:
“ku vajzës mund t’i kapja,
vetëm katër gishta dore;”
përballë:
“Teksa te ‘BIGU’ apo ‘FERMA’
ti i rrëshqet asaj mes kofshëve…”
Ai do të shihte këtu jo thjesht ndryshim morali, por evolucionin e mënyrës se si koha e lejon trupin dhe dashurinë të ekzistojnë. Për një romantik si Keats, kjo do të ishte një tragjedi e ëmbël: brezi që sakrifikoi lirinë për të ndërtuar botën, dhe brezi që e gëzon atë liri pa e njohur çmimin.
Në fund, Keats ndoshta do ta përmblidhte kështu: kjo poezi nuk është një poezi e bukurisë absolute, në kuptimin klasik romantik, por është një poezi e kujtesës morale. Ajo nuk kërkon të mahnisë me estetikë të përsosur, por të zgjojë ndërgjegjen. Dhe pikërisht aty qëndron forca e saj njerëzore. (F. Terziu)
[1] John Keats ishte një poet anglez i gjeneratës së dytë të poetëve romantikë, së bashku me Lord Byron dhe Percy Bysshe Shelley. Poezitë e tij kishin qenë në botim për më pak se katër vjet kur ai vdiq nga tuberkulozi në moshën 25 vjeç.
Vullnet Mato: LEXO PAK NGA RINIA IME!
Ti i ri dhe e re,
që shtrembër më shikon,
ndoshta si njeri jashtë kohës sate,
më konsideron,
dhe as vendin në urban,
të ma lëshosh nuk denjon;
Duhet të dish, se dhe celularin,
që nga vetja jote nuk e ndan,
sikur aty, ke nënën e babanë,
brezi i rinisë sime e ka krijuar,
Stiv Xhobsi me shpikësit e tjerë,
si mrekulli me shumë vlerë,
trashëgim për njerëzimin e ri,
përvetësuar tashmë nga ti...
Këtij vargut tim,
po t’i hedhesh pak sytë,
do të kuptosh, se në sytë e tu,
disa kilovat dritë në vit,
merr nga vargu im,
kudo ku për sytë, ka ndriçim;
në shtëpi ose në rrugën ku kalon,
apo me të dashurën, kur shëtit,
nën llambat me neon...
Unë t’i jap kilovatët e dritës,
nga hidrocentrali i Ulzës,
ku britmat ‘’Urra!’’ gjatë ditës,
më shpërthenin furishëm prej buzës.
si aksionist ‘’vullnetar’’.
Kur pas kazmës e lopatës pa orar,
në kohën e drekimit,
në pjatën e aluminit,
kokrrën e fasules kërkoja,
që misërniken të thërmoja...
Më pas, për të shuar urinë,
mbetur nga lëngu i kazanit,
shkoja te radha e gjatë,
të blija petullat e dyqanit,
si kamardare futbolli të shfryrë,
se pastaj do të lidhja duart,
në vargun e entuziazmit me pahir,
të valles së kënduar popullore,
ku vajzës mund t’i kapja,
vetëm katër gishta dore;
Teksa te ‘’BIGU’’ apo ‘’FERMA’’
ti i rrëshqet asaj mes kofshëve,
duke u shkrirë me pasion,
mes rënkimeve dhe ofsheve...
Ose bashkëjeton me të,
moshën pa arritur mirë,
se dashurinë e ke të lirë.
Më pas drekon,
me të gjitha llojet ushqimore,
që të ka krijuar,
djersa ime e dikurshme rinore.
Nëpër ato qindra kilometra rrugë,
ku ti rend me turravrap makine,
ke edhe ndonjë kilometër,
të punës vullnetare,
nga rinia ime,
ku duhet të kesh më shumë durim,
të mos rrezikohesh në atë vrapim,
por të ecësh trafikut avash, avash,
për t’u thekur te rëra në plazh...
Së fundi, dëshiroj me përkushtim,
të të ftoj nëpër libra për lexim,
të fitosh më tepër dije e aftësi shprehëse,
t’i shpëtosh celularit,
nga varësia e rrezatimeve dehëse.
Të kuptosh më me qartësi,
se brezi yt, është vazhdimësi
i brezit të rinisë sime ndër mote.
Jo të jeshë mospërfillës kot së koti,
sikur të gjitha kushtet,
që gëzon mosha jote,
t’i ka krijuar Zoti...








Comments