Fatmir Terziu: Kush e kupton sot shkrimtarin shqiptar?
- May 18
- 3 min read

Ka një pyetje që endet prej vitesh nëpër kafene letrare, korridore institucionesh, panaire librash dhe rrjete sociale, por askush nuk ndalet ta dëgjojë deri në fund: kush e kupton sot shkrimtarin shqiptar? Endet, sepse letërsia shqiptare, në shumë raste, duket sikur ka mbetur ende me opingat e Rilindjes në këmbë dhe me gumëzhimën e salloneve të Realizmit Socialist në vesh. Ende përmenden me zell të njëjtët emra që dikur i përktheu Partia e Punës, që i promovoi me fondet e shtetit dhe që u dha mundësinë të shijonin famën me paratë e vetë shqiptarëve. Nuk mohohet vlera e askujt, por pyetja mbetet therëse. Pse vazhdon të funksionojë vetëm memoria e selektuar politike dhe jo kujtesa e drejtë letrare? Pse harrohen ata që duhen kujtuar?
Në Shqipëri shpesh letërsia nuk ecën me forcën e veprës, por me hijen e lidhjeve. Pozon me laureatë të vetëshpallur, kërkon dekorata, tituj, çmime që burojnë nga qarqe të mbyllura, nga ndikime, nga favore të heshtura. Zhbiron në faktorë për t’u dukur. Botohet, ekspozohet dhe reklamohet nga autorë që kanë në dorë një pushtet, një bashki, një mik biznesmen, një forcë politike apo një allishverish të padukshëm që qarkullon në tavolina dhe korridore. Ndërkohë, shkrimtari i vërtetë shpesh mbetet jashtë kësaj skeme.
Sot ka qindra botues, shtëpi e “shtëpiza” botuese, por mungon një ligj i mirëfilltë për librin, mungon një mekanizëm që të mbrojë autorin, të filtrojë cilësinë dhe të krijojë standard. Ka vetëm rendje për para, për promovime të shpejta, për tirazhe që ngrihen mbi reklamë dhe jo mbi lexuesin. Dhe megjithatë, askush nuk pyet për shkrimtarin shqiptar. Ai nuk është vetëm aty pranë dollapit të shefave. Nuk është vetëm ai që shfaqet në fotografi ceremonish, në festivale të sponsorizuara apo në tavolina institucionesh. Shkrimtari shqiptar sot mund të jetë emigrant në Londër, në Athinë, në Milano, apo në Berlin. Mund të punojë në ndërtim, në restorant, në magazinë apo në turne nate. Mund të bëjë punë të rëndomta për të mbajtur familjen, por në mbrëmje shkruan poezi në një gjuhë që nuk e ka harruar. Ai mbetet shkrimtar. Mbetet poet. Flet disa gjuhë të huaja, përkthen, lexon botën dhe e sjell atë në shqip, por shpesh nuk gjen vend as në një festival lokal libri në vendin e vet.
Në vendet fqinje tabloja është ndryshe. Në Itali, shkrimtari, edhe kur nuk është bestseller, mbështetet nga fondacione, biblioteka, bashki dhe politika kulturore serioze. Në Greqi ekziston ende respekti për figurën publike të poetit dhe intelektualit. Në Serbi, apo Kroaci autorët përkthehen me programe shtetërore dhe promovohen jashtë kufijve si pasuri kombëtare. Në Maqedoninë e Veriut, apo në Kosovë, pavarësisht problemeve, janë krijuar më shumë ura komunikimi me diasporën letrare. Ndërsa në Shqipëri shpesh ndodh e kundërta. Autori harrohet sapo nuk hyn më në rrethin e interesit. Kjo është drama më e madhe e letrave shqipe. Jo mungesa e talentit, por mungesa e drejtësisë kulturore. Sepse talenti shqiptar nuk ka munguar kurrë. Kanë munguar sytë për ta parë pa paragjykim dhe duart për ta ngritur pa interes.
Shkrimtari shqiptar sot jeton mes dy botëve. Jeton mes krenarisë së fjalës dhe varfërisë së sistemit që nuk di ta mbrojë. Ai shkruan pa subvencione, pa kritikë të mirëfilltë, pa treg libri të ndershëm dhe shpesh pa lexues të edukuar nga shkolla për të dashur librin. E megjithatë vazhdon të shkruajë. Shkruan, sepse letërsia nuk lind nga privilegji. Ajo lind nga nevoja për të mos heshtur. Dhe ndoshta një ditë, kur të bien dekoratat e rreme, kur të zbehen reklamat dhe të shuhet zhurma e emrave të fryrë artificialisht, do të mbeten vetëm librat që kanë shpirt. Atëherë, ndoshta, do ta kuptojmë më mirë edhe shkrimtarin shqiptar.








Dr. Fatmir Terziu!
Me shqetësimin KUSH E KUPTON SOT SHKRIMTARIN SHQIPTAR, prekët një problem që e vuaj qysh nga adoleshenca ime, (se kam nisur të shkruaj qysh në moshëm 15 vjeç.) Profesionin tim si shofer e mbartë mbi supe, si dikur ata që kishin biografinë
me të kuqe nga të kuqët. Veç jush askush nuk më ka ndihmuar! Botoj me lek në dorë, jo më shumë se 100 kopje. Dhe ato i shpërndaj me shumë kujdes, që të mos bien në duar që do t’ i flakin tej. Sot krijimtaria është në shërbim të emrave dhe jo emrat në shërbim të krijimtarisë.
Sapër fondet, kini shumë të drejtë! Ato u jepen atyre që u janë dhënë përherë. Kanë shkuar në…
,,Në Shqipëri shpesh letërsia nuk ecën me forcën e veprës, por me hijen e lidhjeve" Dhe jo vetem në Shqipri.. Qarqe të ngushta letrare, kryesisht pa legjimitet të duhur as profesioinal as të zgjedhjes, promovojnë duke ngritur në qiell vepra me vlera neveritëse, kurse, tek-tuk ndonjë që është e kundërta e tyre, bie në heshtje e autori në anonimitet. Dhe vetë kam një numër librash të shtypura të cilat nuk kam pranuar të promovohen me përgjigje se aty, nuk jipet analiza-eseu por lavdia e autorit. Mu faktet e shtruara në këte analizë përfekte kanë shkaktuar disidencen time në shkriume. Ata dallojnë qoftë nga mënyra e të shkruarit, qoftë ngas temat e trajtuara, qoftë nga aktualiteti apo ndonjë motiv tjetër. Koha…
Sa fjali thelbësore tuajat z.Fatmir Terziu të këtij shkrimi , janë për t'u shkruar në koment, por hoqa dorë.
Uroj që shqetësimet tuaja të gjejnë përgjigje dhe të ketë zgjidhje të problemeve me këmbë në tokë.
Te vertetat per letersine si akt krijues individual, ne raste shoqerish qe nuk dalin dot nga gjendjet tranzitive midis lirise se munguar dhe hapjes se deshiruar qytetare, jane me te rendesishme se vet krijimtaria. Aq me shume per realitete si keto te rrefyera me pergjegjesi e saktesi fjale si te Fatmir Terziu ne kete promemorie elite. Mund te citohej cdo paragraf si i vecante dhe emergjent, mund te falenderohet autori pa fund, teksa ajo qe deshirohet druaj se nuk ka per te ndodhur. Edhe debate te tilla rrezikohen te mbyllen si vetvrasje fjale te pathena dot, ne momentin kur do guxohet te permenden emra dhe te adresohet thelbi i thelbit te problemit etik, estetik dhe qe se pari e se…
...edhe kur nisemi per te perballuar tema te medha, si kjo, nuk arrijme dot te shkojme deri ne fund, Fatmir Terziu. Ju vet ia keni dal ta ndjeni, ta artikuloni dhe ta percillni me klas trishtimin tuaj dhe te shembellakeve tuaj per fatin e letrave shqipe, me sakte te lirise se ketyre letrave, se per te shkruarat behet fjale jo per bartesit e tyre. Megjithate ju nuk jeni gati te pranoni se 'n'Selanik e tatepjete, kshu ka qene e do te jete'! (Natyrisht pergezime te plota, natyrshem besoj se do ta intimesojme kete shfaqje te mezi-pritur te kritikes qytetare, packa se panairi vazhdon!)