top of page

Vullnet Mato:  ELBASANI I BUKUR, I FATMIR TERZIUT

  • May 12
  • 3 min read

ELBASANI I BUKUR, I FATMIR TERZIUT

 

Nga Vullnet Mato


Lexova në Facebook poezinë e poetit Fatmir Terziu, dhe ndjeva emocione të pazakonta, si për ndjesitë e këndshme që më ngjall një qytet, të cilin e njoh prej kohësh, pasi kam pasur motrën të martuar aty, me të paharruarin Xhevit Lika. Di gjithashtu se atij qyteti i janë kënduar shumë këngë e i janë thurur poezi pa fund, që nga shekulli i dytë, kur ai vendbanim i lashtë quhej Skampa.

Por ajo që më pëlqeu pa masë në atë poezi ishte se ky poet i talentuar, bir i denjë i Elbasanit, nuk u këndon përciptazi objekteve ndërtimore, si ndonjë poet pararendës me këndvështrim deklarativ politik të rëndomtë, që e quante Elbasanin: “Kala e kuqe, që prodhon hekur për dyfekë e plugje”.

Por i madhi Fatmir Terziu zbulon në atë poezi esencën kuptimore të bukurisë së vërtetë tradicionale dhe bashkëkohore të Elbasanit, si “qytet i luleve, që pluskon mbi gurë të lashtë, / ku ëndrrat çelin trëndafila dhe mendimet mbushen me gonxhe të purpurta. / Në Kopshtin e Trëndafilave para Pallatit të Sportit, çdo lule flet një gjuhë që askush nuk e ka shkruar, por të gjithë e njohin… / ku vajzat kalojnë si melodi maji, djemtë qeshin me kohën e pritjes, / dhe koha, si një violinë e lodhur, mbështetet mbi stolat e pasdites…”

Në të gjithë këta vargje ka aq shumë poezi, sa të mbushet gjoksi me aroma lulesh nga ky qytet i lulëzuar. Por gjithashtu të mbushet edhe shpirti me dashurinë pa kufi të këtij poeti të madh, që i këndon me përmallim qytetit të vet nga largësitë e Londrës, me të gjithë fuqinë e tij shpirtërore.

Bij të tillë, të lindur nga sqepari dhe sharra e ustait ndërtimor, që arrijnë lartësi të mëdha dijesh, të bëhen gazetarë kombëtarë në shtete të mëdha, të bëhen studiues të shquar, eseistë me famë, të organizojnë konferenca dhe simpoziume, të realizojnë shumë filma dokumentarë e metrazh të shkurtër, të bëjnë me dhjetëra botime librash e të marrin famë kontinentale në Mbretërinë e Bashkuar, duke fituar gradën Doktor i Shkencave në Filozofi, Master për Media, Kulturë dhe Politikë pranë Roehampton University në Angli, si edhe Certifikatën për Kërkime Shkencore nga LSBU, të shoqëruara me vlerësime ndërkombëtare të panumërta… Pra, bij të tillë madhorë, të dalë nëpër hapësira botërore nga vatra e thjeshtë shqiptare, ia shtojnë shumë vlerën dhe madhështinë qytetit fushor të mrekullueshëm të Elbasanit. (Vullnet Mato, shkrimtar.)


POEZIA E FATMIR TERZIUT:


Elbasan, në cilin trëndafil jemi tashmë

Nga Fatmir Terziu

 

Elbasani

ky qytet që pluskon mbi gurë të lashtë

mbi kujtime të ndezura,

 

hap dritaret e majit

ajri mbushet me petale.

 

Edhe ëndrrat çelin trëndafila.

I kam parë natën

tek mbinin ngadalë

në errësirën e syve tanë,

si fëmijë që mësojnë të thonë urti.

 

Mbushen me gonxhe mendimet,

me heshtje të purpurta,

me aromë shiu

që vlag poret mbi nimfat e qytetit.

 

Në Kopshtin e Trëndafilave

para Pallatit të Sportit,

çdo lule flet

një gjuhë që askush nuk e ka shkruar,

por të gjithë e njohin.

 

Vajzat kalojnë si melodi maji,

djemtë qeshin me kohën e pritjes,

dhe koha

si një violinë e lodhur

mbështetet mbi stolat e pasdites.

 

Ne kemi humbur diku

pas gonxheve.

 

Ndoshta aty ku një puthje

u bë stinë.

Ndoshta aty ku duart tona papritur

prekën të njëjtin trëndafil

pa e ditur.

 

Shihemi.

Pluskojmë.

 

Mbi rrjedhën e viteve

që na rritën ngadalë,

mbi netët që na deshën

pa kushte,

mbi fletë të bardha zambaku

ku shkruanim emrat tanë

varg pas vargu.

 

Dhe tani pyesim me zë të ulët,

(me gjasmë)

sikur të kishim frikë nga përgjigjja:

 

në cilin trëndafil jemi tashmë?

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page