Vullnet Mato: ECJE E PANDALSHME

Me frymëzim përfytyrues, eci kurdoherë,
pa ditur, ku ndodhet finishi i rrugës sime;
mbase në fundin e një oqeani të thellë,
ndoshta prapa Hënës, ku s’ka fare agime.
Eci, sepse qëkur linda, kam brenda trurit,
pergamenë gjaku, me mision të shkruar,
ku një fuqi madhore, më ka lënë urdhrin,
me itinerarin jetësor, në gen të programuar;
Kam në buzë, një trëndafil me patale fjalësh,
në dorë, një degë ulliri me gjethe paqësore.
Njerëzve që takoj, u dhuroj puthje vargjesh,
dhe buzëqeshje shprese, me ngjyra ylberore.
Eci bashkë me gjurmët e padukshme të erës,
shkel kudo, me kërcinjtë e ujshëm të shiut,
fluturoj larg, me flatrat e avullta të reve,
nga Ekuatori, në Polin e Jugut e të Veriut.
Kam afro një shekull, në këtë ecje revan,
paralelisht me dritën, krah rrezeve diellore,
përshkoj çdo paralel, kapërcej çdo meridian,
akrepat e orës, kanë vërtitjet e mia kohore.
S’jam endacak pa strehë, e pa vatër familjare,
kam dhe në Antarktidë, një shtëpi prej akulli,
në Madagaskar, një jaht ka fjetjen time detare,
më pret kudo në glob, shtrati bosh i një orakulli;
Në këtë ecje, duhet të mos ndal kurrë tempin,
njësoj, sikur të jem shpend shtegtar i foleve,
derisa rrezet diellore, të më gdhendin emrin,
në kujtesën e pavdekshme të erërave dhe reve.
Vetëm kur të plotësoj misionin e kësaj jete,
do të më ndalen, truri, zemra dhe fryma,
të fle në qetësinë e prehjes së përjetshme,
duke lënë pas vargje, të shkruar me vetëtima...








Comments