top of page

Fatmir Terziu: Kur befason „Ardhmëria“

18 minutes ago
10 min read

Fatmir Terziu: Kur befason „Ardhmëria“

 

„Për ty Atdhe“, kënga-preambulë e kënduar ndër vite nga emra të mëdhenj të skenës shqiptare, u dëgjua në Londër nga një grup i talentuar mësuesesh të Shoqatës „Ardhmëria“. Ndërsa më parë intonimi i Himnit të Flamurit, i kënduar nga vetë nxënësit e shkollave të arsimit plotësues, detyroi qindra të pranishëm të ngriheshin në këmbë, ajo që pasoi ishte vërtet një festë e jashtëzakonshme. Nuk ishte thjesht një program artistik, as një takim i zakonshëm përkujtimor në kalendarin e diasporës. Ishte një skenë ku gjuha, kujtesa, kënga dhe përkatësia kombëtare u bënë një trup i vetëm, ku fëmijët, mësuesit, prindërit dhe të ftuarit e shumtë dëshmuan se atdheu mund të jetë larg në hartë, por mbetet shumë pranë në zë, në fjalë dhe në zemër. E veçanta ishte se këtë herë „Ardhmëria“ nuk na befasoi vetëm me atë që kishte përgatitur, por edhe me atë që arriti të zgjonte te të pranishmit. Festa e organizuar nga Shoqata Shqiptare „Ardhmëria“ në Londër, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, i përkiste pikërisht kësaj kategorie. Në një sallë të mbushur me shqiptarë të brezave të ndryshëm, 22-vjetori i veprimtarisë së kësaj shoqate u shndërrua në një dëshmi të gjallë se puna për gjuhën amtare nuk është një veprimtari që matet vetëm me numrin e nxënësve, klasave apo orëve mësimore. Ajo matet me aftësinë për të krijuar vazhdimësi, për të mbajtur të hapur një lidhje shpirtërore me vendin e origjinës dhe për t'i dhënë brezit të ri mundësinë të mos ndihet i huaj përballë gjuhës së prindërve dhe gjyshërve. Në këtë kuptim, 22 Nëntori nuk është thjesht një datë që përsëritet çdo vit në kalendar. Është kujtesa e një vendimi historik, e një përpjekjeje të gjatë për të bashkuar shqiptarët përmes një alfabeti të përbashkët. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 nuk ishte vetëm një mbledhje intelektualësh dhe atdhetarësh që vendosën mbi shkronjat. Ishte një akt vetëdijeje kombëtare, një hap që i dha gjuhës shqipe një nga instrumentet më të rëndësishme të bashkimit kulturor. Në 36 shkronjat e alfabetit jeton një histori e tërë, por edhe një amanet: të mos lejojmë që ajo që u fitua me mundin e brezave të humbasë nga pakujdesia jonë.

Për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të atdheut, ky amanet merr një domethënie edhe më të veçantë. Fëmijët lindin, rriten, shkollohen dhe ndërtojnë të ardhmen në një mjedis ku gjuha e përditshme është shpesh një tjetër gjuhë. Ata bëhen pjesë e një shoqërie të re, fitojnë njohuri, përvetësojnë kultura dhe krijojnë horizonte të gjera. Kjo është një pasuri dhe një mundësi që nuk duhet parë si kundërshti ndaj identitetit të tyre shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në këtë hapësirë shumëkulturore lind nevoja për ta ruajtur gjuhën e nënës, jo si pengesë ndaj integrimit, por si një rrënjë që e bën pemën e identitetit më të qëndrueshme. Një fëmijë mund të flasë anglisht në shkollë, të mendojë në disa gjuhë dhe të jetojë natyrshëm në shoqërinë britanike, por shqipja i jep një tjetër dimension kujtesës së tij: mundësinë të kuptojë historinë familjare, të komunikojë me gjyshërit dhe të njohë vendin prej nga vijnë rrënjët e veta. Pikërisht këtë mision ka përmbushur prej 22 vitesh Shoqata „Ardhmëria“, duke u shndërruar në një nga vatrat e rëndësishme të arsimit dhe kulturës shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar. Në rrugëtimin e saj nuk ka vetëm përkushtim pedagogjik, por edhe një punë të vazhdueshme organizative e komunitare, e cila ka bërë të mundur zgjerimin e shkollave shqipe, përfshirjen e më shumë nxënësve dhe krijimin e një mjedisi ku fëmijët e diasporës e përjetojnë shqipen jo si një detyrim të imponuar, por si një gjuhë që këndohet, lexohet, interpretohet dhe jetohet.

Fjala e hapjes, e mbajtur nga Lutfi Vata, drejtor i Shoqatës „Ardhmëria“ dhe kryetar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, vendosi në qendër të veprimtarisë pikërisht këtë përgjegjësi të përbashkët. Theksi i tij mbi ruajtjen e gjuhës shqipe, veçanërisht për brezat që lindin dhe rriten larg trojeve shqiptare, nuk ishte vetëm një mesazh ceremonial. Ai përmblidhte një përvojë 22-vjeçare, gjatë së cilës mësuesit, prindërit dhe komuniteti kanë ndërtuar një strukturë që kërkon vazhdimësi dhe mbështetje. Gjuha nuk mund të ruhet vetëm nga shkolla, nëse mungon familja; as vetëm nga familja, nëse mungon organizimi arsimor. Ajo ka nevojë për një bashkëpunim të përditshëm, për një marrëdhënie ku secili e kupton se po mbron një pjesë të vetes dhe të trashëgimisë që do t'u lërë fëmijëve. Vata përcolli gjithashtu urimet për Festën e Pavarësisë, duke sjellë në kujtesë edhe përkimet simbolike të 28 Nëntorit me ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, një emër që lidhet me qëndresën dhe sakrificën për lirinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, festimi nuk mbeti i kufizuar vetëm në kujtesën e alfabetit apo në historinë e shtetit shqiptar, por u shtri në një hapësirë më të gjerë të kujtesës kombëtare, ku liria, gjuha dhe identiteti janë pjesë e së njëjtës histori.

Aktiviteti u nderua me praninë dhe përshëndetjet e Kryetares së Bashkisë së Barnetit, znj. Zahra Beg, të z. Enian Lamçe, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe të z. Vlorat Gashi, përfaqësues diplomatik dhe këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Prania e tyre i dha veprimtarisë një dimension institucional, por ajo që e bëri të veçantë ishte mënyra se si kjo prani u ndërthur me gjallërinë e komunitetit. Kryetarja e Bashkisë së Barnetit u shpreh e impresionuar nga pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve, organizimi dhe programi artistik i fëmijëve. Kjo përshtypje nuk ishte e rastësishme. Një komunitet që di të organizojë një veprimtari të tillë, që paraqet kulturën e vet me dinjitet dhe përfshin brezat e rinj në një program të përbashkët, tregon se identiteti nuk është një kujtim i mbyllur në të kaluarën, por një realitet që vazhdon të prodhojë vlera në shoqërinë ku jeton. Në përshëndetjet e tyre, rëndësinë e gjuhës, arsimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar e vlerësuan edhe kryetari i Bordit, z. Lavdrim Krashi, ish deputet dhe intelektual i respektuar, mjeku i njohur Dr. Milaim Nela dhe shkrimtari, Prof Dr Fatmir Terziu, "Mjeshtër i Madh", drejtues dhe botues i revistës „Albanian Post“ dhe medias online Fjala e Lirë në Britani të Madhe. Secili prej këtyre mesazheve, nga këndvështrimi i vet, plotësoi një ide të përbashkët: shkolla shqipe në diasporë nuk është thjesht një hapësirë ku mësohen shkronjat, por një institucion i kujtesës dhe i vazhdimësisë. Ajo ndihmon fëmijët të ndërtojnë një marrëdhënie më të plotë me prejardhjen e tyre, ndërsa njëkohësisht i përgatit të jenë qytetarë të hapur, të arsimuar dhe të sigurt në identitetin e tyre.

Por, nëse fjalët vendosën kuadrin e festës, nxënësit i dhanë asaj frymën. Programi i shkollave shqipe „Ardhmëria“ ishte një mozaik këngësh, poezish, recitimesh dhe vallesh tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare. Në skenë nuk u paraqit vetëm një repertor i përgatitur me kujdes, por një hartë e gjallë e kulturës sonë, e interpretuar nga fëmijë që e përjetojnë Shqipërinë dhe Kosovën përmes familjeve, mësimeve, këngëve dhe historive që u përcillen. Çdo recitim ishte një përpjekje për ta shqiptuar bukur gjuhën, çdo valle një kujtim i lëvizshëm i krahinave dhe traditave, çdo këngë një lidhje me një vend që për shumë prej tyre është njëkohësisht vendlindje e prindërve dhe hapësirë e imagjinatës së tyre. Një emocion të veçantë solli edhe përfaqësimi i Çamërisë përmes poetes Alma Mehmeti, e cila përcolli përshëndetjen dhe poezinë e saj. Kjo prani e zgjeroi më tej hartën shpirtërore të aktivitetit, duke kujtuar se kultura shqiptare mbart brenda vetes jo vetëm festa dhe këngë, por edhe kujtesa, përvoja dhe histori që kërkojnë të ruhen e të përcillen.

Jashtë lidhjeve të natyrshme familjare ishte dhe biznesmeni dhe aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptar zoti Aqif Neli, bashkë me familjen. Ishin të pranishëm aktivistë të komunitetit, poetë, gazetarë, publicistë, intelektualë, poetë, si Xhavit Gasa, Selman Lokaj, Sami Islami, Abedin Bajraktari, e mjaft e mjaft artistë e emra të respektuar si Maliq Vllasalliu, e biznesmenë me emër. Ishte dhe doktoresha Zamira Ruspi Përfundi një zonjë e nderuar komunitare që ka dretuar ndër vite shoqatën e saj. Ishte dhe zoti Gëzim Ethemi, një nga figurat më të heshtura por të respektuara të komunitetit shqiptar.

Megjithatë, kulmi emocional i veprimtarisë erdhi nga një surprizë që duket se as vetë publiku nuk e kishte parashikuar në atë përmasë. Kori „Dituria“, i përbërë nga mësueset e „Ardhmërisë“, sikurse e citova që në krye, u ngjit për herë të parë në skenë dhe interpretoi këngën „Për ty Atdhe“. Të veshura me uniformat kuqezi, mësueset krijuan një pamje që e kapërceu menjëherë kufirin e një interpretimi muzikor. Zërat e tyre u bashkuan në një emocion që mbante brenda mallin e largësisë, krenarinë e prejardhjes dhe përkushtimin ndaj brezave që mësojnë shqip në klasat e tyre. Ishte një moment kur roli i mësuesit doli përtej dërrasës së zezë, tekstit shkollor dhe orës mësimore. Mësueset, që zakonisht qëndrojnë përballë nxënësve për t'u mësuar fjalët, këtë herë i kënduan vetë ato fjalë, duke dëshmuar se dashuria për gjuhën nuk mësohet vetëm me shpjegime, por edhe me shembull. Këtu qëndron edhe një prej veçorive më të bukura të kësaj feste. „Ardhmëria“ nuk i vendosi mësueset vetëm në rolin e organizatoreve apo përcjellëseve të dijes. Ajo i bëri pjesë të drejtpërdrejtë të skenës, të emocionit dhe të krijimit artistik. Kori „Dituria“ u bë një zë i përbashkët i atyre që prej vitesh punojnë për të ruajtur një gjuhë, por që këtë herë e shprehën misionin e tyre në një formë tjetër. „Për ty Atdhe“ nuk ishte thjesht këngë për vendin e origjinës. Ishte një mesazh për fëmijët që rriten në Londër, për prindërit që përpiqen të ruajnë shqipen në shtëpi, për gjyshërit që presin të dëgjojnë nipërit e mbesat t'u flasin në gjuhën e tyre dhe për vetë mësueset që e kanë kthyer këtë përkushtim në pjesë të jetës së tyre.

Në atë çast, kënga krijoi një lidhje të veçantë mes dy skenave: asaj të historisë shqiptare, ku atdheu është kënduar nga zëra të mëdhenj, dhe asaj të diasporës, ku mësueset e një shoqate arsimore e rikthyen këngën në një përjetim të ri. Ndoshta kjo ishte surpriza më domethënëse e mbrëmjes: jo vetëm që „Ardhmëria“ kishte përgatitur fëmijët të këndonin për atdheun, por edhe vetë mësueset treguan se ishin pjesë e së njëjtës ndjenjë. Në këtë mënyrë, skena u bë një klasë e madhe, ndërsa publiku një komunitet që mësonte përmes emocionit. Pas këtij organizimi qëndron një punë e ndarë mes shumë duarsh dhe mendjesh. Drejtuesja e aktiviteteve kulturore-artistike, znj. Anila Kadija, supervizoret znj. Linda Bazina dhe znj. Esmeralda Dogjani, koordinatorja e shoqatës Lira Muçaj, koreografet Eralda Sinanaj dhe Alisa Aliaj, së bashku me të gjithë stafin pedagogjik dhe organizativ, kanë qenë pjesë e përgatitjes që e bëri të mundur këtë paraqitje. Prezantimi i Fresida Koritarit dhe Anisa Musajt, pjesë e stafit pedagogjik, i dha programit elegancë dhe gjallëri, ndërsa DJ Kastrati dhe rapsodi i mirënjohur Hamit Kastrati e pasuruan atmosferën me muzikë dhe tinguj që e mbajnë gjallë kujtesën shqiptare. Këto emra nuk janë thjesht një listë falënderimesh. Ata përfaqësojnë një punë që shpesh nuk duket në skenë, por pa të cilën asnjë skenë nuk do të mund të shkëlqente. Një emocion tjetër solli prania e themeluesve të Shoqatës „Ardhmëria“ dhe e mësueseve të para të shkollave shqipe. Ata që 22 vite më parë hodhën themelet e këtij misioni u gjendën përballë një brezi të ri, i cili sot vazhdon rrugëtimin e nisur prej tyre. Ishte një takim simbolik mes fillimit dhe vazhdimësisë, mes atyre që patën guximin të krijonin një vatër të arsimit shqip në diasporë dhe atyre që sot e mbajnë atë vatër të ndezur. Një shoqatë nuk matet vetëm me jetëgjatësinë e saj, por edhe me aftësinë për të mos humbur arsyen për të cilën u krijua. Në këtë rast, 22 vitet nuk janë thjesht një përvjetor. Janë një dëshmi se përkushtimi mund të kthehet në traditë dhe tradita mund të bëhet institucion komunitar.

Në këtë pikë, titulli „Kur befason Ardhmëria“ merr kuptimin e vet të plotë. Befasia nuk qëndron vetëm te kori i mësueseve, as te programi i pasur artistik apo te pjesëmarrja e gjerë. Ajo që befason është aftësia për të bashkuar në një hapësirë të vetme kaq shumë elemente: arsimin, kulturën, diplomacinë, historinë, muzikën, familjen dhe kujtesën kombëtare. Befason fakti se një shoqatë që ka në emër fjalën „Ardhmëria“ nuk e përdor të ardhmen si një premtim të zbrazët, por e ndërton atë përmes punës me fëmijët. Sepse e ardhmja e një gjuhe nuk përcaktohet nga fjalimet për të, por nga numri i fëmijëve që e flasin, e lexojnë, e shkruajnë dhe e ndiejnë si të tyren. Kjo festë përcolli edhe një mesazh që duhet të dalë nga salla e aktivitetit e të hyjë në çdo familje shqiptare në diasporë. Gjuha shqipe nuk mund të mbetet vetëm në programet festive, në recitimet e 28 Nëntorit apo në këngët e interpretuara gjatë përvjetorëve. Ajo duhet të jetojë në bisedat e përditshme, në pyetjet që prindërit u bëjnë fëmijëve, në përrallat që u tregojnë para gjumit, në librat që u vendosin në duar dhe në kujtimet që u përcjellin për vendin e të parëve. Shkolla shqipe mund të hapë derën, por familja duhet ta mbajë atë të hapur.

Nuk duhet harruar se fëmijët e diasporës nuk kanë pse të zgjedhin midis gjuhës së vendit ku jetojnë dhe gjuhës së prindërve. Ata mund t'i përkasin të dyja hapësirave, të ndërtojnë të ardhmen në Britani dhe të ruajnë njëkohësisht lidhjen me Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trevat shqiptare. Identiteti nuk është një kufi që mbyll, por një rrënjë që ushqen. Sa më mirë ta njohin gjuhën e tyre, aq më të aftë do të jenë të kuptojnë edhe pasurinë e kulturave të tjera. Prandaj, mesazhi më i madh i kësaj veprimtarie nuk ishte vetëm „Mos e harroni gjuhën shqipe!“. Ishte diçka më e thellë: mos e lini fëmijën të rritet pa njohur një pjesë të historisë së vet. Mos ia privoni mundësinë të flasë me gjyshërit në gjuhën e tyre, të lexojë një poezi të Naimit, të kuptojë një këngë popullore, të njohë alfabetin që u bë simbol i bashkimit kombëtar. Sepse gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Është mënyra se si një brez i flet tjetrit, si një familje ruan kujtesën dhe si një komb e përcjell veten në kohë. Në fund, kur tingujt e „Për ty Atdhe“ u përhapën në sallë dhe duartrokitjet u bashkuan me emocionin e publikut, mbeti një përshtypje që nuk mund të përmblidhet në fotografi apo në një raport aktiviteti. Mbeti ideja se atdheu nuk është gjithmonë një vend ku mund të kthehesh fizikisht, por edhe një gjuhë ku mund të kthehesh sa herë që flet, këndon, lexon dhe kujton. Në Londër, „Ardhmëria“ e bëri këtë kthim të mundur përmes fëmijëve dhe mësueseve të saj.

Njëzet e dy vite më parë, dikush besoi se gjuha shqipe kishte nevojë për një vatër më shumë në diasporë. Sot, ajo vatër ka nxënës, mësues, prindër, themelues, artistë dhe një komunitet që e njeh vlerën e saj. Kjo është arritja që meriton të vlerësohet, por edhe përgjegjësia që duhet të vazhdojë. Sepse një shkollë shqipe nuk është thjesht një institucion që mëson fëmijët të shkruajnë emrin e tyre në gjuhën e prindërve. Është një vend ku ata mësojnë se emri i tyre ka një histori, se fjala e tyre ka rrënjë dhe se e ardhmja mund të ndërtohet pa mohuar të shkuarën.

Kështu, „Ardhmëria“ na befasoi me një të vërtetë të thjeshtë, por të madhe: atdheu mund të jetë larg, por nuk largohet nga ata që dinë ta mbajnë gjallë. Dhe kur një grup mësuesesh ngjitet në skenë për të kënduar „Për ty Atdhe“, ndërsa qindra njerëz ngrihen në këmbë, atëherë nuk kemi më vetëm një festë shqiptare në Londër. Kemi një dëshmi se gjuha jonë vazhdon të jetojë, se kujtesa nuk është dorëzuar dhe se brezat që vijnë kanë ende një arsye të fortë për ta shqiptuar fjalën më të bukur: Atdhe, sepse aty ku fëmijët mësojnë shqip, ku mësuesit këndojnë për atdheun dhe ku prindërit e kthejnë gjuhën në pjesë të jetës së përditshme, „Ardhmëria“ nuk është më vetëm emri i një shoqate. Është vetë premtimi se shqipja do të vazhdojë të ketë zë edhe përtej kufijve të saj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page