top of page

Vullnet Mato: CILA ISHE TI, MOJ VOGËLUSHE?

  • Jun 24, 2025
  • 1 min read

(“Krahë jeshilja porsi zog,

 

qan e të këput me lot!

Tërë natën bot e bot,

 

ushkurin s’ia zgjidha dot”)

(Nga Lirika Popullore Shqiptare”)

 

Cila ishe ti, moj vogëlushe,

me krahët, lastarë fushe?

Zogëz, puplat sapo lëshuar,

të dhanë burrë të moshuar.

 

Moj e vogla, krahë jeshile,

fanatikët ta bënë me hile,

të çuan te burri, pa e parë,

mblesëri e zakonit barbar.

 

Duke ruajtur virgjërinë,

ndoshta ruaje dashurinë,

për një djalë të ri, si zog,

shtrëngoje ushkurin me lot.

 

Gjithë natën lotët rreke,

të rrodhën mbi dysheme.

Me ata lot, moj e vogël nuse,

plakut shpirtin ia këpute.

 

Të moshuarit i erdhi keq,

mbase iu duke, vajza e vet.

Pa përdoruar dhunë, të la,

derisa gdhiu dita sabah.

 

S’dihet, me sa lot të tjera,

nuk të mëshiroi, vjehrra;

Dhe me zakonin e mallkuar,

të bëri grua, ai i moshuar.

 

Plaku, të mbylli në katër muret,

ku me mundim zhvishte poturet.

Qave vitet heshtur, në mërzi,

gjersa u bërë nënë, në vajzëri.

 

Sytë lidhur te lindja e parë,

tunde djepin, për të mos qarë.

Kur të vdiq burri moshuar,

mbete nuse vetullshkruar,

 

por s’kërkove më dashuri,

se duheshin rritur, ata fëmi.

Për të ardhur te koha e sotme,

të gëzonte dashuri, mbesa jote!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page