Vlerat themelore të fjalës së lirë, hetimit të lirë dhe tolerancës janë gërryer



Demonët e Demokracisë Liberale” të profesorit Adrian Pabst duan dhe një stacion “liberal” shqiptar


Pof Dr Fatmir Terziu


Fundi i Historisë? Nuk është në fakt një pyetje që është shfaqur sot. Ndoshta është rishfaqur në kondicione, kushte e fakte të reja. Por “Fundi i Historisë?” është një ese seminale e autorit Francis Fukuyama. Që nga botimi i saj kjo ese ka kaluar Tridhjetë vjet në një zagushi pas kohës që u pasua nga togfjalëshi “përfundoi Lufta e Ftohtë”. Francis Fukuyama në esenë e tij argumentoi që zhvillimi njerëzor kishte arritur pikën e tij të fundit në formën e një shteti demokratik liberal të mbështetur nga një ekonomi tregu. Një gjeneratë më vonë, shumica e komentuesve politikë, tashmë në një situatë ndryshe, pajtohen që demokracia liberale nuk është në gjendje të mirë. Edhe Fukuyama tani është në dhimbje të mistershme kur ulet të shkruajë e ndikohet nga situata për të theksuar se “eseja e tij kishte një pikëpyetje në fund të titullit”.

Një ndalesë të tillë ka bërë 44 vjeçari britanik, Adrian Pabst, që është Ligjërues në Politikë në Universitetin e Kentit. Ai është shfaqur si një mendimtar kryesor në lëvizjen “Blue Labour” dhe është bashkëautor i “Politika e virtytit: Post-Liberalizmi dhe Ardhmëria e Njeriut”. Por le të sqarojmë se çfarë është “Blue Labour”. “Blue Labour” është një grup avokimi i lidhur me Partinë Laburiste, që promovon ide konservatore për çështje sociale dhe ndërkombëtare, përfshirë imigracionin, krimin dhe Bashkimin Evropian, duke refuzuar ekonominë neoliberale në favor të socializmit dhe korporatës. Profesori britanik, Adrian Pabst, pra ka afruar zërin e tij tek kritikët e sotëm të demokracisë liberale. Në librin e tij studimor “Demonët e Demokracisë Liberale” ai kritikon zhvillimin e pas Luftës së Ftohtë të demokracisë liberale duke përshkruar sesi është përtërirë në një sistem politik të karakterizuar nga katër demonët e oligarkisë, demagogjisë,anarkisë dhe tiranisë.

Duke lexuar këtë libër mësojmë se Liberalët fajësojnë tërheqjen globale të demokracisë liberale për globalizimin dhe liderët autoritarë. Vetëm liberalizmi, siç supozojnë ata, mund të mbrojë sundimin demokratik kundër shumëkombëtarëve ose populistëve brenda dhe jashtë vendit. Në këtë libër provokues, Adrian Pabst pretendon se demokracia liberale është jolerale dhe jodemokratike, jotolerante për vlerat e njerëzve të zakonshëm, ndërsa përqendron fuqinë dhe pasurinë në duart e elitave të pa llogaritshme.

Pabst shpjegon se si çdo demon është një tipar i një shoqërie moderne që ka ngritur interesat e pakicave mbi interesat kolektive të shoqërisë. Ai argumenton se fuqia ekonomike ka qenë e përqendruar në duart e elitave të pa llogaritshme, veçanërisht me fuqinë monopole të gjigandëve të teknologjisë dhe financave globale (oligarkia). Debati publik është i ndjeshëm për tu manipuluar nga elitat jo përfaqësuese (demagogji). Kohezioni social është thyer nga politikat sociale që kanë ngritur lirinë individuale në kurriz të interesave të përbashkëta (anarkisë). Dhe duke i bashkuar këta tre demonë së bashku, Pabst argumenton se vetë liberalizmi ka filluar të ngjasojë me tiraninë pasi vlerat themelore të saj të fjalës së lirë, hetimit të lirë dhe tolerancës janë gërryer dhe kanë shkuar në ndryshkje totale të tyre.

Duhej të vinte një periudhë e tillë e kolapsit Global, duhej të nënshkruhej një katastrofë e tillë e mbylljes totale, që të shihej më qartë dhe më saktë shkalla në të cilën secili prej këtyre demonëve korrespondon me realitetin. Kjo edhe mund të debatohet, edhe mund të thuhet se është një pjesë dhe një pikë kalimtare, sikurse janë dhe viruset, por pak do të dyshojnë se ata, pra katër demonët kapin, deri në një pikë, një realitet themelor. Pabst nuk e fajëson vetë liberalizmin për këtë zbritje në një shoqëri, që nuk i shërben interesave kolektive. Ai vëren se ‘liberalizmi që ka dështuar nuk është e gjithë tradita liberale, por një radikalizim bashkëkohor i idealeve specifike’. Forma të tilla “liberale” u shfaqën edhe në tranzicionin e brishtë shqiptar, ku formate të shumta si “bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës”; “me ne fitojnë të gjithë” apo edhe të tjera u karakterizuan dhe karakterizuan se liberalizmi ishte një llustër e një domosdoshmëri në arenën Globale, ku ai kishte shtrirë rrënjët me kohë e po tregonte dështimin si prurje e diktuar apo e rekomanduar radikale bashkëkohore e idealeve specifike. A kishte radikalizim bashkëkohor të idealeve specifike? Për këtë ka mendime të ndryshme. Por

Liberalizmi, argumentohet se ishte dhe është bërë i njëanshëm, një formë e ‘hiper-liberalizmit’, për shkak të festimit të tij të individualizmit, ndërsa tradita liberale që ngriti solidaritetin shoqëror është injoruar kryesisht në të gjitha instancat, madje mbyt të gjitha mendimet liberale, ende feston dhe shpreson me individualizmin, ende manifeston këtë lloj festimi të individualizmit.

Sikurse në libër, ashtu dhe në katëgorizimin, apo shtrirjen e mendimit në situatën që ka ndodhur në tranzicionin shqiptar mendimi nuk fajëson demokracinë për zhvillimin e këtij liberalizmi të njëanshëm. Në të vërtetë, ky mendim vëren se si një demokraci e mirëfilltë përpiqet të pajtojë interesat e deleguara në një zgjidhje të negociuar bazuar në lidership dhe pjesëmarrje popullore. “Demonët e Demokracisë Liberale” gjithashtu tregon se si demokracia mund të jetë antidota e liberalizmit individualist, që ka pjellë katër demonët e saj. Siç vëren me të drejtë autori i këtij libri, demokracia “përfshin krijimin e një jete të përbashkët rreth parimeve dhe praktikave të përbashkëta, që kërkojnë të balancojnë lirinë me vëllazërinë, barazinë me reciprocitetin dhe traditën me modernitetin”.

Ka shumë për të admiruar në studimin “Demonët e Demokracisë Liberale”, po aq sa ka për të thënë tek realiteti dhe fakt-realiteti shqiptar e më gjerë. Por, analiza e diktuar nga mendimi i avancuar, po aq dhe ideja e vlerave, është ende më e mirë sesa receta që mund të pasohet tek publiku thjesht si e tillë. Kjo është se ndërsa autori afrohet të njohë rolin shkatërrues të elitave të sotme liberale, vetë autori distancohet nga forca që mund t’i përballojë ata. Në fund të fundit, Pabst nuk është kundër politikës me bazë elitare. Ai thjesht dëshiron një elitë të ndryshme dhe të riedukuar që ndan qasjen e tij komuniste. Dëshira e tij për të riedukuar elitat hiper-liberale për t’i bërë ata “të virtytshëm” dhe “ndryshe” nuk do të arrijnë asgjë. Demonët e demokracisë liberale do të ndryshohen vetëm me një politikë popullore që është, nga dhe për njerëzit.

32 views

Shkrimet e fundit