top of page

Vlera studimore të Timo Mërkurit

Updated: Jul 4, 2023


Një libër me vlera studimore të Timo Mërkurit


Fatmir Terziu


E nëse shkon në thellësi ndjen mushtin e një prodhimtarie të mbarë „studimore“. Është një kohë e gjatë e përkushtimit të Timo Mërkurit në këtë fushë të ndjeshme e të arsyeshme në prurjet e tij të njëpasnjëshme. Ndërkohë ai e ka dhënë rezultatin me kohë. Kësaj radhe ndalet tek një emër, një poet, që ka bërë vendin e tij në tërësinë krijuese poetike. E ndalesa tek poeti Niko Kacalidha, nuk ka sjell vetëm një studim të mirëfiltë, por një vepër që tashmë flet mjaft mirë me strukturën, kontekstin, prezantimin, analizën dhe diskursin e vetë. Autori e ka titulluar „Blatime poetike të Niko Kacalidhës“ (2023) dhe botimin e ka kryer një nga institucionet më serioze të botimit të librit në Shqipëri, „Onufri“ e Bujar Hudhrit.

Përpara se të futemi në një lexim më të thellë, është mirë t'i hedhim një sy titullit të studimit në fjalë. Ndërsa jemi tek titulli, natyrisht në ndjesinë e autorit Mërkuri, kanë perceptim „flijimet“ të cilat poeti Kacalidha, në poezitë e tij i ka ridimensiionuar, në thelbin etimologjik të blatimit.

Gerundi i blatës vjen e ndihmon formësimin nga blatë +‎ -im. Pra, është një emër: blatim dhe në shumës mbetet si i pacaktuar, duke na formuar pikërisht fjalën „blatime“, që në numrin njëjës është i caktuar si „blatimi“, dhe sërish në shumës i caktuar me „blatimet“. Në kuptimin e parë jemi mësuar ta ndjejmë si oferta. Pra, më parësisht, emërtimi kuptohet si i tillë, të cilin e plotësojmë me një deklinsion të vetë blatimit. Gerundet si ky emër, përfundojnë me -im dhe shumësohen në -ime, sikurse e cituam në shpjegimin tonë të shumësit dhe njëjësit. Format e njëjësit janë gramatikisht mashkullore dhe shumësi gramatikisht shkon tek format femërore: një blatim i mirë — ofertë e mirë; dhe më tej blatime të mira — oferta të mira, ose më thjesht mund të shtjellohet e sqarohet me: dobishmëria e blatimeve të mira, ose edhe me: dobia e ofertave të mira. Në këtë kontekst vetë gerundi dhe emetimi që në titull i japin tërësisë në të cilën autori rrethrotullohet të analizojë krijimtarinë poetike të Kacalidhës, një hierarki funsksionale. Duke lënë të kuptohet se ekziston një hierarki e tillë, Mërkuri u kërkon lexuesve të marrin në konsideratë natyrën sistemike të poezisë së poetit, të ndërthurur dhe plotë kontekste filozofike në tërësinë krijuese poetike të poetit Niko Kacalidha, sidomos tek vëllimi poetik „Heraldikët e borës“ (Kacalidha, 2022).


Këto poezi të këtij vëllimi, sipas Mërkurit na jepen se janë aq të mbushura me gjuhë figurative, saqë ndonjëherë mund të ndihet si një kod. Për të mbajtur gjurmët e asaj që po ndodh, mund të jetë e dobishme të lexohen poezitë e shumta si një metaforë në të njëjtën kohë, ndaj Mërkuri shprehet se „Poezia e Kacalidhës është një poezi surrealiste metaforike“ (Mërkuri; 2023:140). Le të fillojmë me referencën e takimit të Timos me „Heraldikët e borës“, ku sundon një mënyrë metaforike ndryshe, dhe më pas për të krahasuar konsideratën e Mërkurit për ciklin „Puhiza e barit“ (Kacalidha; 1969-1974). shihet se në tërësinë e kësaj trajtese të Mërkurit kjo gjuhë figurative është thellësisht ironike. Poeti Kacalidha, përdor një formë dhe strukturë poetike të fuqishme për të shpëtuar nga ndikimi i kësaj të fundit nga soc-realizmi, dhe për të pasur thuajse në tërësi një rrugëtim poetik të ndjeshëm metaforik. Krahasimi është i fuqishëm në vetvete, por gjithashtu sugjeron, më gjerësisht, se bukuria natyrore e mjedisit të poezisë së Kacalidhës është e pakomprometuar nga faktori kohë, hapësirë dhe vend. Për këtë Mërkuri shprehet: „Përtej kuptimshmërisë së poezisë dhe metaforës së saj, ajo që më bëri përshtypje të madhe ishte forma e paraqitjes si një poezi në prozë dhe kjo ishte një shtysë e fortë për ta lexuar gjithë ciklin “Blatimet e borës” të kësaj përmbledhjeje me vëmendje të madhe (mërkuri, 2023:136).

Në këtë aspekt filozofik të analizës teorike Timo Mërkuri i jep lexuesit një strategji ndryshe që të ketë mundësinë të njohë autorin në thellësi të vetë konceptin, sikurse ndodh „Takimi me „Heraldikët e borës“; apo dhe me mënyrën e trajtimit te „Pushteti i të bukurës dhe ekehira“; „Gjuha poetike e Niko Kacalidhës“; „Mali dhe Deti … „; po aq sa „… dashuria, forma estetike, filozofia, zogjtë, vajtimi, gjuha, mikrobota, metempsikoza“ etj., në poezinë e autorit të marë në konsideratë.

Duke analizuar thellë dhe me strukturë adekuate studimore, Timo Mërkuri, përveç elementëve metodologjikë, angazhimit të tyre, të tjerat thuajse i ka renditur formativisht në aspekte që formojnë rregullin e qasjes së tillë, duke i bërë të njohur lexuesit hyrjen e autorit në poezinë shqipe, ndikimet e artit gojor në poezi, dhe duke sistemuar mirë dhe ndjeshëm vargun, fjalën dhe stilin që përdor poeti. Autori i këtij libri të përkushtuar për Niko Kacalidhën na jep mjaft të dhëna të njohura e të panjohura për poetin, dhe na saktëson tërë udhën e tij krijuese, letrare dhe poetike, duke e bërë kështu këtë libër dhe si një monografi më vete.

Duke përfunduar në këtë shkrim të shpejtë, pas leximit të tij në udhë e sipër për në punë, mbetet natyrshëm jo thjesht vëmendja për poetin Kacalidha, ku Mërkuri shprehet „Poezia në prozë një kuotë e lartë e Niko Kacalidhës“, por edhe pse ky libër nuk është thjesht një sprovë, sikurse e cilëson autori, por një vlerë e shtuar në angazhimin e madh e të gjithëanshëm krijues, poetik, letrat të Timo Mërkurit. Sakaq „Blatime poetike të Niko Kacalidhës“ (2023) mbetet një libër i ndjeshëm, tërheqës, dhe i estetizuar bukur nga të dy palët, edhe nga autori i tekstit, edhe nga botuesi i librit.



51 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page