NGA KRISTO ZHARKALLIU
Për lumin Vjosë po dëgjojmë përditë si një nga lumenjtë më zë famëshëm dhe të mbrojtur të Europës, madje po bëhet më i famëshëm se Rino, Danubi, Nili, Vollgën e shumë lumenj të mëdhenj në mbarë Europën dhe Botën...veçse në krahasim me këta gjigandë ujorë Vjosa jonë nuk është veçse një...rrëke ujore që nis nga Greqia dhe përfundon në Adriatik-në një terren tëthyer në përgjithësi malor, duke kaluar grykave të thella, me male të thepisura duke i ndarë mes përmes-përveç kilometrave të fundit pas urës së Mifolit... Megjithatë Vjosa jonë është e famëshme dhe shumë e bukur, si nuse permetare! Nga Leskoviku në Përmet duket lumë i npazbutur-pas tre urave ka një urë lëvizëse në Lausa ose në Badellonjë- nuk më kujtohet mirë se i kam kauar kur isha shtatë tetë vjeç.. Pastaj na del Përmeti i mrekullueshëm me gërnetën dhe rakinë që s’u a gjen shoqet. Pastaj vazhdon nga Këlcyra e famëshme me sarajat e beut në pllajë dhe pastaj rrjedh lirisht drejt Tepelenës e më tej si bashkohet me Drinon e lashtë që vjen nga Lunxhëria dhe Gjirokastra... Dhe për këtë Vjosë interesohet Europa, bota dhe kryesisht...Leonardo De Kapro..
VJOSËN A KAM NJOHUR që në fëmini. Aty në ujërat e pastra dhe të ftohta të Vjosës mësova të notoj- deri atëhere nuk i isha afruar kurrë detit. Patjetër nuk është një histori e këndëshme- por kujtimet ngahera janë të lezetëshme. Kështu pra në verën e 1951, si na kishin rrëmbyer të tërë pasurinë dhe Babanë në burgun e Vlorës (sepse kishte qënë i pasur!) na detyruan qe të kalojmë verën në afërsi të Tepelenës,me disa nga të afërmit tanë blektorë që akoma kishin gjënë e gjallë- në një fshat-që me sa më kujtohet- quhej Martalloz! Po këta blektorëna kishin dhënë nja pesë gjashtë dele për të pasur qumësht dhe familja jonë e madhe vuante shumë- më kujtohet se si Nëna (dikur Zonjë e Madhe) shkonte nëpër ara ku korrej gruri dhe mblidhte nga prapa kallinjtë e lënë pa u mbledhur dhe sillte në mbrëmje një torbë plot me kallinj dhe për disa ditë mund të mbushte një thes me grurë. (ma merr mëndja se fshatarët e mirë linin me qëllim disa kallinj nga prapa kur shikonin atë grua të gjatë të bukur, e mbuluar të përkulur në ara të mblidhte kallinjtë e braktisur...) Pastaj më dërgonte mua në mulli ta bluaja poshtë fshatit afër lumit....
Kishim pra pesë gjashtë dhi e dele që na kishin dhuruar të afërmit- se shteti nuk na la asgjë nga ato mijra dele që kishim pasur. Me këto pak bagëti isha ngarkuar unë t’i kullos..të tjerët ishin të vegjël(më të vegjël se unë, ose vajza..)
Ishte viti 1951. Unë 11-12 vjeç. Kasollet i kishim ngritur në një bregore, nga ku dukej Vjosa si gjarpër më poshtë...Poshtë kasolleve kishte njëfarë pylli ku çonim bagëtitë të kulllosnin dhe q’andej zbrisnim në lumë ku pinin ujë dhe...laheshim dhe ne! Ishim katër pesë moshatarë që bashkonim ato pak bagëti dhe përpiqeshim të kalonim sa më mirë- sigurisht unë isha më i urituri se të tjerët kishin prindër dhe bagëti të tyre, por unë kurrë nuk e tregova dobësinë time- Nëna na kishte mësuar dhe të ishim krenarë! Dhe përpiqesha të mbaja kokën lart duke qëndruar larg kur ata hanin ushqimin e bollëshëm që mirrnin nga shtëpia..por qëllimi i këtij shkrimit nuk ishte të flisja për vuajtjet tona-tragjedia e familjes sonë sapo kishte filluar por për dashurinë time për Vjosën time.Kur vapa shtrëngonte në mesditë dhe bagëtitë mblidheshin nën hije- ne të gjithë vraponim në lumë, hidhnim tej rrobat dhe të zhveshur lakuriq zhyteshim në ujrat e rrëmbyera dhe të ftohta të lumit!Ishte diçka e mrekullueshme ndonse jo njëherë u rrezikuam të mbyteshim përderisa nuk dinim not! Dhe sigurisht këtë e bënim në fshehtësi nga të rriturit që nuk dinin asgjë nga marrëzitë tona fëminore! Shpejt ama mësuam not- në lumë mëson lehtë not se të ndihmon duke të shtyre me ujrat e rrëmbyera...aq sa shumë shpejt kalonim dhe nga ana tjetër e lumit. Sigurisht dikur Nëna më diktoi se isha tepër i pastër-i larë – dhe i skuqur dhe më ndaloi rreptësisht të hyja në lumë por unë vazhdova me shokët madje disa herë deshëm u mbytëm të gjithë se u zhytëm në lumë të laheshim me gjithë rroba!
Më vonë e takova në rrugët e mia- nga Leskoviku deri në Selenicë dhe Ura e Mifolit, madje kur ishim në Shtyllas të Levanit u bë dhe kanali i shumërekllamuar të asa kohe: Vjosë, Levan Fier... Megjithë prapësitë tona Vjosa mbeti e dashur për mua dhe megjithse kalova Nilin, Rinon Danubin e shumë lumenj të tjerë, asgjëkundi nuk takova bukurinë dhe dashurinë e Vjosës sonë! Prandaj gëzohem pa masë kur lexoj e dëgjoj se Vjosa ime- Vjosa jonë do të mbetet e paprekëshme, e pastër dhe e bukur...
KRISTO ZHARKALLI,Athinë 11 dhjetor 2023.
Komentarai