top of page

Vjedh Kohën ose hije e Sirakuzës


Nga Petraq Risto



Qëllon çdo ditë vjedh kohën sepse dhe koha ka xhepa në xhepin e majtë vjedh lindjen me pasthirrmat e grunjërave në xhepin tjetër vjedh lotin në fytyrë gruaje në xhepin e djathtë vjedh perëndimin: karafil në vesh galaktike vjedh kohën çdo ditë. Miqtë më shohin tek nxitoj

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

Nga xhepi i këmishës së kaltër vjedh maskën e zezë Nga xhepi i xhaketës vjedh tulipanët e Amsterdamit pa e ditur se janë klonuar me heroinën afgane. (Heroina: një kokë e prerë mbreti ku rastësisht kanë harruar kurorën). Kur u rrethua Sirakuza s’ kish ç’ të bënte leva e Arkimedit po kish të bënte busulla.

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

Vaji i bulkthit më shoqëron mendimet, vaji i bulkthit shuan etjen e trishtimit Si një fëmijë marrok bëj vizatime në shtresën e hollë të hirit. Nuk e di sa kujtime janë djegur, sa letra, memuare, s’e di Ti më vjen porsi drita e yjeve tashmë kur dhe unë jam hi.

Më falni: vjedh kohën pa e ditur se Koha do më gjykoj.

(Heroina: një kokë e prerë mbreti ku rastësisht kanë harruar kurorën).

Hëna tërë njolla: lëkurë leprozësh u coptua dhe iu ngjit gjithkujt te thonjtë. thonj hëne që çjerrin fytyrat me damkë. Janë shtuar leprozët në kamp.

Këshilla për mbrojtjen nga lepra: Blatoni ushqime në altar: një qingj, një turtull, një pëllumb digjni mëkatin nëpër flakë: ne jemi pak, leprozët - shumë për të larë mëkatet s’ mjaftoka një zjarr, s’ mjaftoka një lumë. Spërkateni shtëpinë shtatë herë me ujë të rrjedhshëm dhe me gjakun e zogut të therur pastrojeni me dru kedri dhe një zog të gjallë lëreni të lirë të shpall lajmin për qytetin: të pastër, të pastër!

Ky qytet pa flatra me pak qiell mbi kryet e lodhur me pak oksigjen e pak shpresë kundërshton të vdesë. Pastrojeni me dru kedri dhe një zog të gjallë lëreni të lirë: të pastër, të pastër! Kur u rrethua Sirakuza s’kish ç’të bënte leva e Arkimedit po kish të bënte busulla.

Vjedh Kohën... Arratisem pa pasur kufij, pa pasur hapa të shpejtë dhe dihatje qensh Arratisem thjesht me shpejtësinë e mendimit dhe gjatë arratisjes të kujtoj... Si ike kështu dashuria ime: me lehtësinë e gjethes kur udhëton drejt rrënjës. Dikur më thoshe: hijet kanë shpirt, kur njeriu vdes hija zhduket si shpirti Kambana gjuhëjashtë: dem nën qiell korriku, (bari i hijeve nën kullotjen e kambanës)

Boshllëkun e mbushim me kujtimet e orës që iku. Vjedh Kohën. Dang - dang - dang e kambana digjet nga fërkimi me muzgun... Dikur më thoshe: hijet kanë shpirt, kur njeriu vdes hija zhduket si shpirti Ma gjej, ma gjej hijen e Kohës që vdes në rrugën e shkurtër nga rrahjet e zemrës te rrahja e kambanës

Ky qytet pa flatra me pak qiell mbi kryet e lodhur dhe me kohën pa busull Ky qytet: hije e Sirakuzës.

Janar, 2009

14 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page