top of page

VIZITORI I PËRMALLUAR


Vullnet Mato


Ika në moshën e bardhë, nga qyteti i lindjes

dhe sa herë kthehem aty, ndjehem djalosh.

Dua të hy në det pa aguar, bashkë me xhindet,

të numëroj si dikur, sa peshq kanë hyrë në kosh.

Të mbaj frymën, pesëdhjetë metra nën ujë,

të shoh ku përgjumet oktapodhi i fshehtë,

kur zemra të më godasë gjoksin, me bujë,

të dal mbi sipërfaqe, si delfin i vërtetë...

Harroj vitet që shkuan dhe dua sërish,

t’i shkruaj gjithë muret me thëngjill të zi:

“Do bëhem shofer, do bëhem artist!”,

duke ëndërruar shpesh, fluturime në liri.

Në mbrëmje të vë kokën, te gjoksi i nënës,

ku mbështeteshim shtatë fëmijët pas buke.

Ajo të na lëmojë kryet, nën dritën e Hënës,

si qenie mitologjike me shtatë kokë mbi supe.

Dua të mbledh shokët e parë, të moshës,

t’i biem me not gjysmëhënës blu të qytetit,

pastaj para djemve dhe vajzave të shkollës,

kush del i pari, ta shpallim “Dashin e detit”;

Të ulem në murin e shëtitores, buzë dallgëve,

me një fletore vizatimi dhe me lapsin e zi,

të vizatoj saktësisht fytyrat e kureshtarëve

dhe t’u zmadhoj të vdekurit, për në shtëpi.

Të ndjek i mahnitur, varganin me vaporët,

sikur parakalojnë rreth Korfuzit, ishujt e botës

dhe soditja të më rrëmbejë, pa i ndjerë orët,

kur vargu poetik më ngjallte frymëzim joshës.

Të shkoj natën te Rita, nën degët e fikut,

ta puth i limaksur, sikur më ndjek hataja.

Ajo të më mbajë dorën, te fija e llastikut:

“Aman, mos m’i hiq, se më rreh mamaja!”

Dhe me nxitim dashurie, t’i them në këmbë:

“Mos ki frikë, moj shpirt, derisa ke mua!

Sa të zgjatem edhe pak, ndonjë pëllëmbë,

do vij te shtëpia jote, të kërkoj për grua!...”

Por kur shoh veten, në ndonjë xham vitrine,

përfytyrimet më kthehen, në realitetin konkret,

kujtohem se ujërat nuk kthehen më në burime,

dhe mbetem vizitor i përmalluar për këtë qytet...

29 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page