PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022: “VIZA AMERIKANE”
–NOVELË NGA SHEFQET MEKO
-Botimet M&B sapo ka nxjerrë nga shtypi novelën time “Viza Amerikane”. Faleminderit. Në mënyrë të veçantë dua të falenderoj redaktorin e kujdesshëm Prof. Dr. Sejfulla Kata, reçensentët Ahmet Prençi dhe Arben Çejku. si dhe konsulentin tim letrar, ish-mësuesin e shkollës 8-vjeçare, Kudret Zerka. Askush nuk mund të flasë më qartë për përpjekjet e mia krijuese se sa ambasador Arben Çejku, me të cilin na kanë lidhur librat dhe vetëm librat duke filluar me romanin e tij “Dymbëdhjetë” që e ruaj në bibliotekën time me shënimin e veçantë të autorit. Librat mbeten “ura” mbi Oqeane dhe Kontinente dhe nuk ka “stuhi” apo “krizë politike” që t’i shaktërrojë. Faleminderit.
“Viza Amerikane” e Shefqet Meko, është një guidë letrare e pazakontë, e cila të drejton në një teatër ngjarjesh dramatike, ku shihen fijet e ngatërruara të fatit me ato të ligjit apo labirinthet e mureve të moralit tangent me urat egoiste të ekzistencializmit tipik ballkanik. Togfjalëshi “viza amerikane”, në Shqipëri dhe për shqiptarët, ka një gamë polisemantike, duke nisur me kuptimin bazë konsullorë, që përfaqëson çdo vizë e huaj, e cila na jepet si leje hyrje në shtete të tjera, e deri tek peshorja simbolike e statusit politik e shoqëror, kur gjykojmë persona të njohur publik kur ato kanë apo nuk kanë një “vizë amerikane”. Ngjarjet dhe personazhet e kësaj novele lëvizin mbi Atlantik, duke kaluar lirshëm nëpërmjet një ure stilistike plot me ngjyra dhe emocione. Është karakteristikë e prozës së re të Shefqet Mekos lidhja e atdheut me Amerikën dhe ndërvarësia deri në detaje e profilit të personazheve apo ngjarjeve, qoftë në këtë novelë, qoftë në romanin “Saga përtej Atlantikut”, apo në rrëfimet e mëhershme të përmbledhura tek “I tillë jam”. Ashtu si mjeshtrat e pikturës, që njihen prej së largu për shkak të ngjyrave e stilit unik, edhe autori i kësaj novele, ka tashmë stilin e tij që e dallon nga të tjerët dhe i siguron një vend nderi në historinë e letërsisë shqipe.
Artan Pojani është personazhi kryesor i kësaj historie të pazakontë, ndaj të cilit burokracia konsullore amerikane bën një “padrejtësi” duke i refuzuar vizën. Ky akt burokratik, për të nuk është thjeshtë një leje konsullore e refuzuar për të vajtur në Amerikë, por mbi të gjitha refuzimi i një karte morale, për të cilën ja vlen nisja e një beteje epike, deri në rifitimin e “dinjitetit të humbur”. Vjedhja e ardhmërisë së tjetrit, manipulimit të saj nga babëzia e korrupsionit politik e shoqëror, kanë qënë dhe mbeten ende plagë të thella të shoqërisë sonë, duke shkaktuar edhe viktima të pafajshme. Leximi i kësaj novele, kam përshtypjen se do të rikthejë në kujtesën e shumë njerëzve histori të ngjashme, me pak apo më shumë dramacitet. Fundi tragjik i disa prej personazheve, vjen si fshikullim nga autori për të gjithë shoqërinë tonë, e cila duhet të dalë nga bataku egocentrist i tranzicionit dhe të mos pajtohet kurrë me krizën e vlerave morale, pavarësisht se ku shfaqen ato.
Arben Çejku
Kommentare