top of page

Visar Zhiti: FJALË TË SË ENJTES...

FJALË TË SË ENJTES

QË MUND TË KËNDOHEN VETËM

ME KITARË TË THYER…

Nga Visar Zhiti

Që kënga jonë ishte më e mirë,

e kuptuan vonë…

Fshehurazi kënduam

                                             në errësirë,

dhe këndojmë…

Si atëhere në heshtje, të ndaluar,

në vetmi, me pranga në duar.

Ndërsa të tjerë

që ishin me ata që u vinin pranga

                                                dhe këngëve,

kuptohet prangave u këndonin -

dhe s’u penduan, s’ndjenin dhembje,

falje s’ditën të kërkonin.

Dhe tani, mizorisht të qetë

na morën dhe këngën,

                                       ta këndojnë vetë.

Vonë e kuptuan që është më e mirë,

a kështu u duhej, një dreq e di.

Na e morën këngën

                                siç vidhnin pasuritë,

u dukej se u takonte gjithsesi,

a s’ishin të tyret ata që vinin prangat,

burgun a e bënë për këngët tona

                                dhe për kë i këndonte,

sipas tyre “zogu kafazit i takonte”(?!)

Të vrisnin, si nuk të vrisnin

po të kaloheshin kufijtë dhe në këngë

                                                       si të shtetit

dhe tani i kaluan kufijtë e vetes

                                                    qe s’e kishin

te kënga jonë erdhën

                           dhe s’duan që ne të jemi.

Dhe vazhdojnë të këndojnë

                                                    këngën tonë

pa na dashur, duke na urryer,

Heroit të paqenë që vetë e dënuan,

                                                  i thurin lavde

për atë që s’bëri dot, i thyer…

Që të harrohen sa më parë e përherë

ata që kënduan me fytin e prerë.

Më e fortë se ne është kënga jonë

dhe të vrarët ngrihen që ta këndojnë.

Chicago, kjo verë, tani…

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page