top of page

Viron KONA: Luleshitësi i lagjes sonë

Luleshitësi i lagjes sonë

 

Është nga Maliqi, nga qyteti i sheqerit,

zemra e tij është mjaltë, edhe mirësi,

ka shpirtin të bukur, të pastër si lulet,

luleshitësi i lagjes e ka emrin Nexhmi.

 

Vendos vazot bukur në hijen e një lisi,

i mirëpret klientët e zëëmbël bisedon,

për çdo pyetje ai përgjigjet me hollësi

pastaj syndritur lulet e tij prezanton:

 

Kjo është gentiana, i ka lulet t ‘verdha,

vlerat e saj mjekësore i njeh dhe bota,

i ka bërë dikur të njohura mbreti Gent,

ai vetë e ka zbuluar në malet tona.

 

Ja dhe ky borziloku magjik, famëmadh,

me vlera kuruese më të rrallat në botë,

është krye erëza e kërkuar mbretërore,

asnjë nga erëzat s`e konkurron dot.

 

Eh, s`duhet t ‘mbaj me hatër asnjë lule

se ja po më bëhet ca xheloze aloe vera,

te bukuria e kësaj zonje t ‘mbeten sytë,

kurse si bimë shëruese ka shumë vlera!

 

Ç ‘të të rrëfej për trëndafilin pa gjemba,

sapo e prek gjaku në zemër të vërshon,

s`quhet kot “dashuri me shikim të parë”

hë djalë, kape rastin, zogu tej fluturon!

 

Kjo është gladiola, latinisht "gladiolus",

quhet “shpatë e shkurtër”, ti e kupton,

si shpatë ka qenë armë e gladiatorëve,

si lule, të bën për vete e të skllavëron!

 

S`duhet ta harroj bukuroshen shafran,

përdorur për vlerat e saj që n ‘lashtësi,

s’është quajtur kot “bimë e mrekullive”

shpëton jetë, por edhe sjell kënaqësi.

 

Eh, s`rri dot pa rrëfyer për rozmarinën,

barbarozën, balsamin, violën, karafilin,

po dhe për tulipanin elegant donzhuan,

për livandën, manxuranën e jaseminin...

 

Kështu luleshitësi i përmend me radhë,

lëvdon lulet e tij sikur t`i kishte fëmijë,

janë me shpirt, janë të bekuara, thotë,

sjellin aroma, bukuri, shëndet e miqësi.

 

Duke u larguar me vazo me lule n ‘duar,

rikujtoj bisedën me luleshitësin Nexhmi,

rikujtoj kur ai u pëshpërit ëmbël luleve,

kur i lëvdon edhe i përkëdhel me dashuri.

 

..................

1.Bëhet fjalë për agronomin Nexhmi Laraku, sot luleshitës në rrugën “M. Shyri”, Tiranë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page