top of page

Virion GRAÇI: MEDITIM PËR NJË LIBËR

6 hours ago
2 min read

Kam marrë pjesë në disa takime të zhvilluara për romanin “Përmbytja”, Granit Zela, Çmimi “Rexhai Surroi” 2025.

Kam folur midis të tjerëve dhe mbaj mend të kem thënë afërsisht si më poshtë:

Në pamje të parë Graniti trajton historinë e përmbytjes së një qyteti të hershëm, për t’i bërë vend liqenit hidrik; Kukësi i tij dhe ngritja e qytetit të ri.

Me këtë temë kam lexuar një roman në periudhën e komunizmit, nga një shkrimtar i mirënjohur. Aso kohe ajo temë nuk mund të levrohej ndryshe, veç me gëzimin e vithisjes së botës së vjetër, me erresirë e prapambetje  për t’i lënë vend botës së re, me (më shumë) dritë elektrike, me pallate banimi disa katëshe, përkundrejt shtëpive tradicionale; bota e re, me njerëz të rinj, me rruge të gjera, shëtitore e njësi shërbimesh sociale.

G. Zela romancier, shkon më pas në kohë, gati në periudhat e origjinës së shoqërisë njerëzore si e tillë: në periudhat e paganizmit e politeizmit, në botën e bestytnive, magjive, mrekullive e gjasave të pabesueshme duke ardhur në bashkëkohësi, në qytetërimin ku ai vetë ka parë për herë të parë dritën e diellit.

Kështu, Atjelinda (sinonim fiksional i Kukësit), mikro e makrobota e autorit është parabolë e historisë njerëzore, në përgjithësi. Atjelinda i shfaqet lexuesit që nga agimi deri në ditët e një ploje etnike, ngjarjet në Kosovë, mars 1999, deri në ditët shoqëruese të bujarisë, mikpritjes, trajtimit vëllazëror të shqiptarëve të përtej kufirit ndërshqiptar.

Këtu autori nuk shket në poza e sentimentalizma. Përkundrazi. Intuita krijuese, kultura e gjerë letrare, ndjenja e natyrshme e humorit të këndshëm e fusin rrëfimin në korniza moderne ligjërimore e konceptuale.

G. Zela te romani “Përmbytja” bën arkeologjinë e formësimit shpirtëror e mendor të bashkëvendasve te tij. E përsëris përshtypjen time të përhershme: autori përcjell nga një epokë në një tjetër proceset ndërgjegjësuese/ botëkuptimore të njerëzve të tij të dashur. Mbi këtë preokuptim të qëndrueshëm të tij merr kuptim dhe fakti i nënvizuar se kur një poet dënohet me burg politik atypari, v.1979, një tjeter poet (autori G.Z.) vjen në jetë, jo vetëm për të dëshmuar kohë mitologjike por dhe kohe të reja, gjegjësisht, kohën tonë.

E çmoj si arritje të madhe romanin “Përmbytja”, jo vetëm për rrugëtimin krijues të autorit por dhe për brezin e krijuesve të rinj që si ai, po i japin tonin letërsisë sonë, prozës së gjatë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page