top of page

Ruzhdi Gole: E SHKUAR ... NË TË TASHMEN

12 hours ago
9 min read

 

                           (tregim)

                        

Nuk e di a do t'i fshij ndonjëherë në telefonin tim numrat e telefonave të atyre që s'janë më në këtë jetë? 

Im atë nuk kishte telefon. Ime më foli ca kohë pastaj iu mjegulluan sytë dhe merrte tjetërkund tjetërkënd.

Hë për hë do t'i mbaj numrat. Gjersa aty, jo nga të gjithë, kam fotografitë e tyre veç, çift ose familjarisht. Në mos, asnjë foto, të paktën aty jeh një peisazh. Në mos peisazh ndonjëherë iniciale. Inicialet që shoh lëvizin ngadalë si milingonat. Shtyp butonin dhe nis e lexoj prej telefonit tekste shkruar e ardhur prej shumë kohësh, ndoshta, edhe dy-tre vite më parë. Harroj shpejt në është gjallë a ikur i ndjeri-e ndjera, a është në linjë ai-ajo a dikush nga të afërmit e atij-asaj.

Marr në telefon Pirron, një nga Pirrot, një nga tre Pirrot. Qesh me veten se ta dini ju unë, Xhevdet Krasta kam farën e budallait të zgjuar. Kënaqem sa s'thuhet kur ngatërrohem e bëj humor me veten. Ulem në karrike dhe përballë kam vënë karrike tjetër. Pas dy karrikeve përballë rastësisht janë dy pasqyra. Ulem tek njëra duke pritur të më shfaqet njeriu tjetër ballaz.

-Pirro, si të kam? U zbardhët ju atje? 

-Këtu po perëndon, o Xhevo.

-Ç'thua, o Pirro Gjika? 

-S'jam Pirro i Gjikajve, por i Dollanëve.

-Ooo, më ka prerë keq gishti numrin. Mirë je, miku im, të jesh mirë!

Nga e bëra unë mik Pirron e largët tej oqeanit as unë, as vet Zoti nuk e di. Zoti e di po nuk ma rrëfen. 

Kur Pirro i Dollanëve jetonte në Durrës unë e shihja rrallë. Më shpesh e shihja kur dilte nga bashkia. Ai anonte trupin paksa në të djathtë dhe menjëherë e kuptoja se po shkonte për një kafe nga shëtitorja e portit. Vetëm një kafe në ditë pinte ai. Aq i mbante xhepi. Kur ecte drejt menjëherë e pikasja se ai po shkonte në bibliotekë ose në teatër. Pirro njeriu i librave përkthente, i binte violinës. Një nga më të pasurit e qytetit bregdetar pinte vetëm një kafe në ditë.(?)

-O Xhevdet, gjysm' orë po i bie telefonit tënd. Qënke shurdhuar?

-Ooo, qënke ti, Pirro, ti, o athinas? 

-Unë jam Pirroja, jo athinjotas. Dëgjomë Xhevo : të mërkurën e 5 gushtit do mblidhemi për 55 vjetorin e maturës. Takimi ora 11 tek gjimnazi "Halim Xhelo." Vlorë. Qartë vëllaçko?

-Qartë doktor, qartë.

Pirro Peçi është i treti nga Pirrot, doktor radiolog në një nga spitalet e Athinës, por jo i fundit. Më vjen për të qeshur sa herë sjell ndërmend Pirron kur ishim në gjimnaz. Një ditë e zuri gjumi në klasë pa mbaruar ora e tretë.Tund e shkund Pirron unë, ai veç gërhiste.

-Lermë, o ba, të fle pak, lermë!... 

-Ç'ba e ç'ma, o djalë? Jemi në klasë. Zgjohu!

Ai kërceu tërpjetë si i pickuar keqas nga një insekt, që i erdhi rrotull për herë të parë.

Pse e zuri gjumi në klasë ? Ç'i kish ndodhur? 

S'është trilli im. Secili prej Pirrove i binte violinës. Secili me gishtat e vet. Ndonjëherë edhe me gishtat e njeri-tjetrit. Në mos, të tre, të paktën dy Pirrot e Vlorës. Ku e lashë s'e s'di nga t'ia shtroj juve ngjarjen? Jaaa, e gjeta, m'u gjet'të përhera e mira mua dhe juve. Juve në fillim dhe mua më pas.

Mbasditen e ditës së shkuar Pirroja dhe ne dy shokë të lagjes bridhnim andej-këndej me gjet' një usta që t'i ndreqte një cen violinës së tij. E mbante pastër violinën dhe ndonse nuk kreu të mesmen për muzikë Pirroja nuk iu nda asaj. Cenet e violinës ndreqen, por jo tinguj e saj. Tingujt e violinës nuk i ndreq asnjë usta qoftë Rrok a Ndoc prej Shkodre. Bile fjala "ndreq" në këtë rast duket e pavend. Tingujt e violinës i ngjallin....gishtat e violinistit, shpirti i tij. U gjet' ustai. Në fillim ai e pa violinën me kureshti. E mori në duar, e ledhatoi. Për çdo violinë ledhatimi nuk është njësoj. Nisi butë me pastrimin e së krisurës sikur ajo të ndinte dhimbje. Një jetë mes violinave. Nuk dinte t'i binte veglës muzikore, por dinte t'ua kthjellonte zërin e gërvishur, t'ua mjekonte gjithçka gjer në inde. Ndërkohë, përgatiti ngjitjen e nxehtë. Me një teh të hollë si të briskut hapi fare pak çarjen. Dorën tjetër e afroi tek ena brenda së cilës bulëzonte lënda ngjitëse. Ngjyeu furçën me lëngun ngjitës dhe e afroj shpejt furçën e lyer tek vija e hollë e krisjes. Pikat ngjitëse binin aty njëra pas tjetrës e rrëshqisnin me lehtësi para ose pas në hojen e krisjes. Secila prej pikave sikur kërkonte të qetohej sa më shpejt aty. Mjeshtri shtrëngoi butë me pincë buzët e veglës muzikore. E fërkoi vendin e sapo mjekuar me cohë të pastër dhe e lyeu me një penel të ngjyer me llak. 

Violina, pas pak, nisi të shkëlqej. Asgjë nuk dukej nga plaga e saj tek krisja.

I çeli sytë - tha mjeshtri. Kush e mbante Pirron kur e mori ndër gishtat e tij violinën. 

Nxorrëm nga xhepat qindarkat tona. Qindarkat na i jepnin prindërit, jo çdo ditë, me ble e ngrënë ndonjë kulaç, njëherë kulaçin ingranazh e njëherë tjetër kulaçin syzi. Ne tre vetë me to blinim e ndanim dy kuleçë., por secili prej nesh tymoste cigaren e tij. Një javë as kuleçë nuk blemë e as cigare nuk tymosëm.

Mjeshtri, kur na pa që po numëronim lekët, aty u mvrenjt e aty qeshi. Pirro i zgjati të hollat. Mjeshtri i mori, na tha "faleminderit!" dhe i futi në xhep. Kur sapo dilnim na thirri : - djema, o djema, prisni , prisni. Unë e mora hakun tim. Tani, (ai nxorri të hollat nga xhepi,) - këto janë për violinën tuaj, (dhe bëri me shenjë t'i rrëshqiste tek gropa e violinës të hollat.) Mua, violina atë çast m'u duk kafazii më cicëronjës i natyrës, kraharori më tingëllonjës i botës.

(I çeli sytë - gazmoi Pirro në rrugë nga fjalët e mjeshtrit. Kështu fluturonte nga gëzimi ai edhe të hënave e të premteve të çdo jave në klasë në ora 13. O merrte leje për orën e fundit të mësimit, o ia mbathte fshehurazi jashta klasës. Prej tij nisëm ta dëgjonim edhe ne programin muzikor Hit Parade nga një radio italiane matanë detit.) 

Pirroja filloi t'i bjerë në rrugë violinës, tashmë te shëruar. Ec me këmbë në rrugën e Skelës, ndalu pak, ulu pak gjersa pa prit e pa kujtu' kishim mbërritur në Ujë të ftohtë. Në Ujë të ftohtë, tek stacioni I fundit urban. Na zuri nata. Me se do ktheheshim q'andej?  Veç me këmbë. Autobuzi i linjës, tashma, gërhiste tek Parku i autobuzave qysh në ora...( E dinte vet ai kur e zinte gjumi.) Ne u ndamë pas mesnate secili në shtëpi të vet. Do ta hanim sonte ndonjë shuplakë për vonesën. 

Edhe Pirro pas mesnate mbrriti në shtëpi. Trokit, asnjë përgjigje, trokis, asnjë zë, trokit e trokit. Askush s'e dëgjonte. Kur ia behu zëri i të atit nga brenda. -Fli jashta sonte, tek minderi i kopshtit, qerrata.! - O ba, hape derën, jam Pirroja, djali yt, hape - i lutej ai. - Nuk kam djalë nate unë - i gjegjej i ati nga brenda. Nuk ia hapi që nuk ia hapi derën të birit. Bëri, ç'bëri Pirroja u shtri në minderin që rrinte në  anën e djathtë të kopshtit, aty ku shpesh i ati i tij pushonte paksa pas muzgut. Pirroja violinën e futi mes këmbëve dhe e mbështolli me duart e veta aq sa mundi. I vinte keq t'ia zinte vesa e mëngjesit. Fjeti me hope, i doli disa herë gjumi. Kur u zgjua në mëngjes, pa se ishte mbuluar me një çarcaf të kaltër. Kërceu nga krevati vrik, hyri në shtëpinë tashma me derë të çelur. Prindërit kishin dalë herët në punët e tyre. Përtypi shpejt e shpejt mëngjesin në këmbë dhe doli jashta. I shkeli syrin violinës në kopsht e fluturoi për në shkollë. Aty e zuri gjumi.

U zgata ca. Por e vërteta rrëfen gjithçka ndodh fill e për pe. Gjithçka mua ma rrëfeu Pirroja nja dy ditë më vonë duke këmbëngulur mos ta harroja përkëdhelinë e tij me sy për violinën në kopsht. 

Eh, do t'i rrëfej të gjitha njeriu. Mos u mërzisni, do t'ju rrëfej edhe pak, ndonse çaste të dhimbshme.

Pirro, student në mjekësi. Bënte praktikën mësimore në Spitalin rajonal të Vlorës. Ndodhi e papritura kur askush s'e priste. Ndërroi jetë i ati. Në spital. Në sallën e operacionit. Mjeku operator, anestezisti, infermieret janë njerëzit më gjakftohtë në këtë sallë, por jo më pak të dhembshur. Panë se dikush mes tyre, fytyrë e panjohur a e njohur pak, po lotonte e më pas nisi të ngashërehej. Ky ishte Pirro, Pirro Peçi, i biri i të ndjerit. Mos më pyesni si hyri në atë sallë operacioni Pirro. Me veshje të bardhë, pra, hyri.

Të tre Pirrot, për mua, kanë ecur përkrah, ndonse larg, shumë larg nga njeri-tjetri. Pirrot e Vlorës afër gjersa mbaruan shkollën e mesme. Pirroja i Durrësit s'njohu asnjerin prej tyre. Megjithatë unë këmbëngul se ata mund të jenë parë dikur diku, në aeroportin e Rinasit, në portin e Durrësit, në Panairin kombëtar të Librit ose të paktën ia kanë dëgjuar emrat njeri-tjetrit. Dikujt më shpejt e dikujt më vonë...

Me Pirron e Gjikajve jetova gjatë në Vlorë gjer në nëntëdhjetën kur prindërit dhe ne tre fëmijtë erdhëm në Durrës. Një ushtarak në lirim nga Novosela e Vlorës donte ta kalonte jetën e mbetur në vendlindje. Ne ndërruam vendbanim në  qytetin tjetër bregdetar.

S'po ndahem shpejt nga Pirro i Gjikajve. Sado që rrinim shumë bashkë ne të dy dhe Taka unë i trembesha atij. Ai më donte mua, por nuk ma falte asnjë cen. Vet ishte djalë ushtaraku.

Taka : - o Xhevo, ç'bëre kështu? Ç'na bëre kështu?

Lëri përkëdhelitë, o shoku! Ky do dru- më hakërrohej Pirroja mua, hapte krahun.dhe...Asnjëherë nuk më qelloi, për be, asnjëherë. Krahun e hapur e ulte ngadalë mbi supet e mia e më perqafonte. 

E kuptoja Takën. Prekej e fyej edhe ai nga prapësitë e mia. Unë isha katror nga koka e rrumbullak s'mund të bëhesha. Nëse shihni sot ndonjë kokë katrore toç, më besoni se ajo është koka ime e dikurshme.

E ç'prapësira bëja unë atëhere? Më kishte hypur ne kokë zjarri i moshës. Doja të ndalja... (s'po ua them emrin e as mbiemrin e vajzërisë së saj se tani ajo ka një jetë martuar e është bërë motesh edhe vjehërr, edhe gjyshe.)

S'më ndalte që s'më ndalte. ajo vajzë. Epo mirë, ka vajza plot- i thashë vetes. Kur do ti, një ditë m'u afrua vet. O Xhevo, - më tha, dua të më bësh një hartim për vëllanë tim. M'u ngroh shpirti. Posi- i thashë.  -Qysh tani. -Dëgjo, dëgjo o Xhevo, para se ta nisësh hartimin më thuaj sa kushton mundi yt. Unë të paguaj sa do. Ti je i varfër. Do të të jap edhe ca tesha për dimër. -Si the moj, do më paguash, do më paguash - u nxeha unë. - Asnjë kacidhe, asnjë kacidhe nuk dua. Sa e shëmtuar qënke! Shëmtirë! Bëra ta pështyja. E gëlltita pështymën. Doja t'i jepja nje dackë. Në dreq do veja po ta bëja këtë.

(Bukuroshet ndonjëherë janë mendjelehta. Si Edviga, edhe kjo, kur më tha mua për Takën e mirë e të vorfën : - kë paske shok ti, o Xhevo? Atë veshllapushin? Bukuria e saj m'u ktheu para syve në shëmti. Aq në shëmti sa s'e besova as time më kur e takuam Edvigën me t'ëmën e saj tek shfaqja teatrale. E bukur, e bukur është- më tha ime më pas shfaqje. Nuk e besova. Për herë të parë nuk e besova time më.))

Ndërkaq, duart i kisha shtrënguar në xhepat e pantallonave. Ndjeva që i hapa. Nuk i nxorra q'andej. I afrova tek bolet e mia dhe gati sa s'po i shtypja nga tërbimi. -M'u hiq sysh, shëmtirë - i bërtita asaj. Asaj me emër ahere dhe pa emër prej atij çasti. Pa një e pa dy zgjata dorën tek tabela e nderit aty në korridorin e shkollës dhe rrëmbimthi e çorra fotografine e saj. E çorra, e grisa, e bëra thërrime e hodha përtokë, e shkela me këmbë. E njëjta fytyrë para meje, e njëjta fytyrë në foto, por tjetër njeri njeriu.

Më përjashtuan nga shkolla. Vajta e punova ca kohë ne Skrofotinë tek kriporja. Ndonjëherë i hipja gjer në majë transportuesit kur ishte bosh dhe ngjitesha gjer tek kodërza prej kripe. Nga aty shihja gjithçka dhe asgjë. 

*

Pastaj ... S'ka më pastaj. Përhera ka tani, të tanishme. Pirro Dollani ka ndërruar jetë në Amerikë, por unë e shquaj se po vjen drejt meje ballaz jo duke anuar. Ende s'po mbërrin. Eh, vegimi, vegimet... Iu prehtë shpirti! Pirro i Gjikajve u bë vite edhe ai tek të shumtët, por mua me shfaqet para syve vegimi i tij fytyra e rreptë, krahu i hapur.

Po s'i s'më qëllove njëherë, o vëllaçko, vetëm njëherë. Qëllomë tani bre, qëlloje kokën time edhe katror edhe rrumbullak se ajo ka ende thepa dhe cene të reja. Ti po fle. Nuk po të zgjoj. T'u prehtë shpirti! 

Me Pirron Peçin sa fola. Na u bëftë mbarë e takohemi për 55 vjetorin e Maturës Shpirtërore. Natyrisht s'do jemi të gjithë aty në 5 gusht. Disa jetojnë larg, disa edhe me larg njëherë e përgjithmonë. Disave nuk ua dimë vendbanimin.

Po Pirroja i Epirit a do vij të na takoj? Ç'hyn këtu Pirroja i Epirit?

Ta marr njëherë në telefon?                 

Nuk e di a do t'i fshij ndonjëherë në telefonin tim numrat e telefonave të atyre që s'janë më në këtë jetë? 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page