Viktor Mërkuri: KUR ALEANCAT KTHEHEN NË ASETE
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 6 min read

KUR ALEANCAT KTHEHEN NË ASETE: TRUMP, GROENLANDA DHE TESTI I KOHEZIONIT TË NATO-S
Viktor Mërkuri
Lëvizja e fundit e Presidentit Donald Trump për Groenlandën dhe përpjekjen për ta vënë nën kontroll amerikan, ka futur marrëdhëniet transatlantike në një fazë të re tensioni. Trump paralajmëroi tarifa në rritje ndaj tetë aleatëve europianë, duke nisur me 10% dhe duke lënë të kuptohet se mund të shkojnë deri në 25% gjatë verës, për importet nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Mbretëria e Bashkuar. Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë: tarifat do të qëndrojnë “derisa të arrihet një marrëveshje që SHBA të blejë Groenlandën”, territor autonom nën Mbretërinë e Danimarkës. Për kryeqytetet europiane kjo nuk u pa si debat tregtar, por si presion politik i paketuar në formë ekonomike, një lloj sanksionimi ndaj partnerëve të NATO-s për të detyruar një lëshim territorial. Trump e justifikoi qëndrimin me argumentin e sigurisë kombëtare dhe me rëndësinë strategjike të Arktikut, duke nënvizuar edhe potencialin mineral të ishullit. Në prapavijë u shfaq edhe një element i frikshëm: sugjerimi se ai nuk e përjashton përdorimin e mjeteve “më të forta” nëse aleatët refuzojnë.
Ideja e Trumpit për Groenlandën nuk është e re, ai e kishte hedhur këtë ide edhe në vitin 2019, por atëherë u trajtua më shumë si provokim politik. Tani, ajo është kthyer në mjet presioni. Këtë muaj, disa shtete të NATO-s dërguan kontingjente të vogla simbolike në Groenlandë, me kërkesë të Danimarkës, për të sinjalizuar se territori nuk është “pa zot”. Kjo lëvizje u lexua si mbështetje e solidaritetit aleat, ndërsa nga Trump u interpretua si sfidë. Kërcënimi me tarifa erdhi shpejt si kundërpërgjigje. Në Europë, alarmi u rrit sepse situata prek një nga parimet bazë të aleancave perëndimore: sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve anëtare. Nëse një president amerikan shkon deri te presioni ekonomik i drejtpërdrejtë për të imponuar ndryshim territori te një aleat, atëherë vihet në pikëpyetje vetë logjika e besimit që mban bashkë NATO-n dhe partneritetin transatlantik. Për Brukselin dhe kryeqytetet europiane, një skenar ku vendi udhëheqës i aleancës shkel sovranitetin e një anëtari është ide e paimagjinueshme – por tani po diskutohet hapur.
Ky shqetësim nuk është vetëm politik, por edhe juridik dhe institucional. Traktati i Atlantikut të Veriut është ndërtuar për t’u përballur me kërcënime të jashtme, jo për të menaxhuar konflikte mes vetë anëtarëve të tij. Neni 5, që përbën zemrën e mbrojtjes kolektive të NATO-s, aktivizohet vetëm në rast se një shtet anëtar sulmohet nga një vend jo-anëtar. Në rastin teorik, por gjithnjë e më pak abstrakt, kur një vend i NATO-s ushtron presion ose përdor forcë ndaj një tjetër vendi të NATO-s, mbrojtja kolektive nuk zbatohet. Përkundrazi, vetë Traktati, përmes Nenit 1, i detyron anëtarët të zgjidhin mosmarrëveshjet me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër njëri-tjetrit. Kjo do të thotë se, në një konflikt të brendshëm mes aleatëve, NATO nuk vepron si palë ushtarake, por si mekanizëm politik për de-përshkallëzim. Instrumenti kryesor në një situatë të tillë do të ishin konsultimet sipas Nenit 4, presioni diplomatik dhe përpjekjet për ndërmjetësim, jo angazhimi ushtarak. Pikërisht kjo është arsyeja pse kriza e Groenlandës perceptohet në Europë si një precedent i rrezikshëm. Nëse një shtet anëtar, veçanërisht ai më i fuqishmi, do të përdorte presion ekonomik ose kërcënim force për të ndryshuar statusin territorial të një aleati, NATO nuk do të kishte asnjë mekanizëm automatik mbrojtës. Pasojat do të ishin kryesisht politike: humbje besimi, izolim brenda Aleancës dhe, potencialisht, masa ndëshkuese informale, edhe pse Traktati nuk parashikon një procedurë të qartë për përjashtimin e një anëtari.
Reagimi i BE-së ishte i shpejtë dhe i unifikuar. Ursula von der Leyen dhe António Costa folën për “solidaritet të plotë” me Danimarkën dhe Groenlandën dhe paralajmëruan se tarifat ndëshkuese ndaj aleatëve rrezikojnë një “spirale të rrezikshme” që minon vetë themelet e marrëdhënies transatlantike. Mesazhi politik ishte i qartë: Groenlanda nuk negociohet dhe tarifat nuk janë mjet legjitim për të diskutuar sovranitetin.
Për të shmangur krizën, disa kryeqytete europiane tentuan ta kanalizojnë debatin në një rrugë “të pranueshme”, t’i ofrojnë SHBA-së më shumë bashkëpunim sigurie dhe prani ushtarake të koordinuar, por pa prekur sovranitetin. U hodhën ide për një mision të ri arktik të NATO-s, rritje rotacionesh amerikane dhe investime për mineralet e rralla. Logjika ishte ta adresonin “arsyen” që Trump jep, sigurinë dhe interesat strategjike pa i hapur derën kërkesës për blerje ose aneksim.
Por këtu doli problemi kryesor, Trump duket se e kërkon vetë territorin si objektiv, jo vetëm aksesin dhe marrëveshjet e sigurisë. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht ofertave për bashkëpunim, Europa e sheh krizën si test të parimeve. Nëse pranohet logjika “tarifa për territor”, krijohet precedent që rrezikon të përmbyset mënyra si funksionojnë aleancat dhe rendi ndërkombëtar.
Kjo përplasje po e ekspozon aleancën transatlantike në formën e saj më të brishtë. NATO është përballur me ndarje të brendshme, por rrallëherë me një situatë ku Shtëpia e Bardhë kërcënon drejtpërdrejt ekonomitë e aleatëve për një objektiv territorial. Në disa qarqe europiane po rritet bindja se besueshmëria e Uashingtonit si partner po zbehet.
Nga ana gjeoekonomike, rreziku është i dyfishtë, tarifat mund të nxisin kundërmasa dhe të fusin SHBA-në dhe BE-në në cikël hakmarrjeje, ndërkohë që investitorët dhe zinxhirët e furnizimit do të bëhen më të kujdesshëm. Europa frikësohet edhe nga një efekt “përça e sundo”, ku disa vende goditen më shumë se të tjerat, duke krijuar presion të brendshëm në BE. Nëse kjo logjikë normalizohet, çdo marrëveshje tregtare transatlantike bëhet më e pasigurt.
Ballkani Perëndimor nuk është në qendër të kësaj krize, por nuk është as jashtë saj. Rajoni varet nga kohezioni euro-atlantik. Kur SHBA dhe BE veprojnë së bashku, ka më shumë peshë në ndërmjetësim, në reformë dhe në frenimin e aktorëve destabilizues. Nëse transatlantiku hyn në konflikt të zgjatur, BE-ja mund të detyrohet të mbajë pothuajse e vetme barrën e stabilitetit në rajon, ndërsa aktorët e tretë si Rusia dhe Kina fitojnë hapësirë për të ushqyer polarizimin dhe për të forcuar ndikimin.
Në një ambient ku vëmendja politike e Europës shkon te krizat e mëdha dhe ku SHBA fokusohet te taktika presioni, rritet rreziku që çështje të pazgjidhura në Ballkan të mbeten pezull më gjatë. Dialogu Kosovë–Serbi, tensionet institucionale në Bosnje e Hercegovinë dhe ngadalësimi i reformave. Në praktikë, ky është një nga efektet më të rrezikshme të një përçarjeje transatlantike, jo vetëm çfarë ndodh në qendër, por çfarë lihet pas dore në periferi.
Nga jashtë mund të duket si një konflikt i çuditshëm për një ishull me akull dhe minerale. Në thelb, është një test për rregullat e lojës, a mund të përdoret presioni ekonomik për të imponuar ndryshim territori mbi aleatët? Europa po sinjalizon se përgjigjja duhet të jetë “jo”, jo vetëm për Danimarkën dhe Groenlandën, por për një parim më të madh që mban të lidhur Perëndimin. Nëse kjo krizë përfundon me kompromis të menaxhueshëm, më shumë bashkëpunim arktik, investime dhe koordinim, aleanca mund të dalë e plagosur, por funksionale. Nëse përshkallëzohet, dëmi do të jetë shumë më i gjerë se Groenlanda, do të prekë besimin, tregtinë, sigurinë europiane dhe stabilitetin në rajone të brishta si Ballkani Perëndimor.
Ndërkohë, Janari i vitit 2026 shënoi një intensifikim të prirjeve agresive të Presidentit Trump në arenën ndërkombëtare.. Në Lindjen e Mesme, Shtëpia e Bardhë ka bërë lëvizje diskrete ushtarake për të sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit. Tërheqja e një pjese të trupave amerikane nga baza ajrore në Katar ka ardhur në një moment kur Teherani demonstron gatishmëri të lartë për përplasje të mundshme, ndërkohë që vetë Trump ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër në rast të shtypjes së mëtejshme të protestave të brendshme në Iran.
Në një zhvillim tjetër që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, Presidenti Trump ka shpallur krijimin e një strukture të re diplomatike të quajtur “Bordi i Paqes” (BoP), me qëllim mbikëqyrjen e fazës pas-konfliktuale në Rripin e Gazës. Iniciativa, e udhëhequr personalisht nga Trump, synon të vendosë një administratë teknokratike që do të funksionojë gjatë periudhës së armëpushimit, nën mbikëqyrjen e një trupi me përbërje të gjerë ndërkombëtare. Në fundjavën e kaluar, Shtëpia e Bardhë u ka dërguar ftesa zyrtare rreth 60 vendeve për t’u bashkuar me këtë mekanizëm, ndërsa draft-statuti i parashikuar nga organizatorët përcakton dy nivele të anëtarësimit: të zakonshëm dhe të përhershëm. Shtetet që pranojnë ftesën përfitojnë anëtarësi standarde trevjeçare, me mundësi rinovimi me vendim të Kryetarit të Bordit. Ndërkohë, për ato vende që janë të gatshme të kontribuojnë me një shumë prej 1 miliard dollarësh brenda vitit të parë të funksionimit, parashikohet një status i përhershëm, pa afate të kufizuara. Kjo klauzolë ka nxitur reagime të ndryshme në qarqet diplomatike, pasi konsiderohet se lidhja e ndikimit të qëndrueshëm në procesin e paqes me kontributin financiar mund të përjashtojë aktorë me interes real politik, por pa mundësi të njëjtë ekonomike. Ftesa është dërguar edhe Shqipërisë, çka tregon për përpjekjen e Trump për të ndërtuar një përkrahje sa më të gjerë, por gjithashtu ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe legjitimitetin e këtij formati të ri,
Në kufirin verior, marrëdhëniet SHBA-Kanada kanë marrë një tjetër kthesë, këtë herë për shkak të afrimit të Otavës me Pekinin. Kryeministri kanadez Mark Carney ka nënshkruar një marrëveshje të re strategjike që ul ndjeshëm tarifat për automjetet elektrike kineze, duke i hapur tregut kanadez rrugën për mijëra njësi me tarifa minimale. Kjo lëvizje përbën një largim të dukshëm nga qëndrimi i mëparshëm i Kanadasë, që kishte ndjekur linjën proteksioniste të Trump-it kundër Kinës.
Këto zhvillime të njëpasnjëshme tregojnë se qasja e Trump-it ndaj diplomacisë globale vijon të jetë e paparashikueshme, me theks të fortë te interesat e menjëhershme amerikane dhe gatishmëri për të sfiduar rregullat e zakonshme të lojës ndërkombëtare. Në të gjitha rastet, ndikimi është i dukshëm: aleancat testohen, frontet rikonfigurohen dhe rendi gjeopolitik merr trajta të reja.









Comments