Viktor Mërkuri: EUROPA MES DY KRIZAVE
- 1 hour ago
- 7 min read

EUROPA MES DY KRIZAVE: AUTONOMIA STRATEGJIKE E BE-SË PËRBALLË LUFTËS NË UKRAINË DHE TENSIONEVE ME IRANIN
*Viktor Mërkuri
Europa po mëson, me vonesë, se paqja nuk është gjendje natyrore e kontinentit, por një rend që duhet mbrojtur. Për tri dekada pas Luftës së Ftohtë, Bashkimi Europian u soll sikur historia kishte ndryshuar drejtim: tregtia do të zëvendësonte rivalitetin, ndërvarësia ekonomike do të zbuste konfliktet dhe Shtetet e Bashkuara do të mbeteshin garantuesi i përhershëm i sigurisë europiane. Sot, ky supozim është bërë i brishtë. Në lindje, Ukraina po lufton për mbijetesë ndaj Rusisë. Në juglindje, Irani dhe Lindja e Mesme po kërcënojnë rrugët energjetike globale. Mes këtyre dy krizave, Europa po përballet me pyetjen që e ka shmangur prej kohësh: a mund të jetë një fuqi strategjike, apo do të mbetet një fuqi ekonomike që varet nga të tjerët për sigurinë e vet?
Kjo pyetje nuk është më teorike. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të katërt dhe ka ndryshuar mënyrën se si Europa mendon për mbrojtjen. Ndërkohë, Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga nyjet më të ndjeshme të ekonomisë botërore: rreth një e pesta e konsumit global të naftës kalon përmes këtij korridori detar, sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit të Energjisë. Çdo përshkallëzim me Iranin nuk do të ishte thjesht krizë rajonale; do të ishte tronditje për çmimet e energjisë, inflacionin dhe stabilitetin ekonomik europian.
Për shumë vite, Bashkimi Europian e përshkroi veten si “fuqi normative”. Ky ishte një koncept tërheqës, dhe ajo nuk kishte nevojë të imponohej me forcë, sepse fuqia e saj qëndronte te tregu, rregullat, standardet, fondet dhe modeli i saj demokratik. Për vendet aspirante, BE-ja ishte magnet ekonomik dhe institucional, ndërkohë, për partnerët ndërkombëtarë, ishte aktor i parashikueshëm, mbështetës i diplomacisë dhe i rendit shumëpalësh.
Por ky model kishte një kusht të pashprehur, siguria ushtarake do të garantohej nga Amerika. Europa mund të merrej me tregti, zgjerim dhe klimë, sepse NATO, në praktikë SHBA-ja, mbante peshën kryesore të mbrojtjes. Ky kompromis funksionoi për aq kohë sa Rusia dukej e dobët, Lindja e Mesme e menaxhueshme dhe rivaliteti SHBA–Kinë ende jo përcaktues për rendin global. Sot asnjë nga këto nuk qëndron më.
Ukraina ishte momenti kur iluzioni u thye. Pushtimi rus tregoi se lufta konvencionale nuk ishte relike e shekullit XX, por mundësi reale në kufijtë e BE-së. Për Europën, kjo nuk është vetëm çështje solidariteti me Kievin. Nëse Rusia shpërblehet për ndryshimin e kufijve me forcë, i gjithë rendi europian i pas vitit 1945 dobësohet, prandaj Ukraina është bërë test i besueshmërisë europiane.
BE-ja, nën presionin e ngjarjeve, ka ndryshuar më shumë sesa pritej. Ajo ka financuar furnizime ushtarake për Ukrainën përmes Instrumentit Europian të Paqes, ka vendosur paketa të gjera sanksionesh kundër Rusisë, ka hapur perspektivën europiane për Ukrainën, dhe përmes misionit EUMAM Ukraine, ka trajnuar dhjetëra mijëra ushtarë ukrainas. Mandati i këtij misioni është zgjatur deri në nëntor 2026, me një buxhet rreth 409 milionë euro për periudhën 2024–2026.
Këto janë hapa të rëndësishëm, por nuk e fshehin dot problemin bazë, BE nuk ishte e përgatitur për luftë të gjatë. Prodhimi i municioneve ishte i pamjaftueshëm, industria e mbrojtjes ishte e fragmentuar, rezervat ishin të kufizuara dhe shumë shtete europiane kishin ndërtuar ushtri për misione paqeruajtëse ose ndërhyrje të kufizuara, jo për konflikt në shkallë të gjerë.
Pikërisht këtu merr kuptim plani “Readiness 2030”, i njohur fillimisht si “ReArm Europe”. Nisma synon të mobilizojë deri në 800 miliardë euro për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse europiane, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe pasiguria mbi angazhimin afatgjatë amerikan e kanë bërë mbrojtjen çështje urgjente politike.
Megjithatë, paratë nuk ndërtojnë automatikisht fuqi strategjike. Europa mund të shpenzojë më shumë dhe prapë të mbetet e dobët, nëse secili shtet blen pajisje sipas logjikës së vet kombëtare, pa standarde të përbashkëta, pa prokurim të koordinuar dhe pa një vizion të përbashkët për kërcënimet. Fuqia nuk është vetëm buxhet, është organizim, vendimmarrje dhe vullnet politik.
Këtu qëndron dallimi mes BE-së dhe aktorëve me të cilët përballet. Rusia mund të marrë vendime shpejt, sepse pushteti është i centralizuar, Irani përdor rrjete rajonale dhe presion asimetrik, Kina kombinon shtetin, industrinë, teknologjinë dhe diplomacinë në një strategji afatgjatë, ndërkohë europa duhet të bashkojë 27 shtete, 27 kultura politike dhe shpesh 27 mënyra të ndryshme për të kuptuar rrezikun.
Për Poloninë dhe shtetet baltike, kërcënimi rus është ekzistencial, ër Francën, autonomia strategjike është projekt i domosdoshëm për ta kthyer Europën në fuqi globale, për Gjermaninë, riarmatimi është i nevojshëm, por i rëndë politikisht dhe historikisht, për Italinë, Greqinë dhe Spanjën, Lindja e Mesme, migracioni dhe Mesdheu janë po aq të rëndësishme sa fronti lindor. Ky diversitet nuk është dobësi në vetvete, por bëhet dobësi kur pengon vendimmarrjen.
Kriza me Iranin e bën edhe më të qartë këtë problem. Për Europën, Irani nuk është vetëm çështje bërthamore, është çështje energjie, sigurie detare, inflacioni, migracioni, terrorizmi, tregtie dhe rivaliteti ndërmjet fuqive të mëdha. Një përshkallëzim në Gjirin Persik mund të godasë ekonominë europiane edhe më shpejt se një krizë në kufijtë e saj tokësorë.
Ngushtica e Hormuzit është shembulli më i qartë se si gjeografia e largët mund të bëhet menjëherë politikë e brendshme europiane. Nëse vazhdojnë të rriten çmimet e naftës dhe gazit, rritet kostoja e jetesës në Berlin, Paris, Romë apo Tiranë. Nëse rritet inflacioni, dobësohet mbështetja për qeveritë. Nëse rritet pasiguria sociale, forcat populiste fitojnë terren. Në këtë kuptim, siguria energjetike nuk është temë teknike; është pjesë e stabilitetit demokratik.
Europa e di këtë nga përvoja me Rusinë. Përpara vitit 2022, shumë vende europiane besonin se ndërvarësia energjetike me Moskën do ta bënte Rusinë më të parashikueshme, por ndodhi e kundërta. Varësia u kthye në mjet presioni. Mësimi është i qartë, tregtia nuk e zbut gjithmonë gjeopolitikën, ndonjëherë e bën atë më të rrezikshme.
Në rastin e Iranit, BE-ja ka provuar të luajë rolin që njeh më mirë, ndërmjetës diplomatik. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, JCPOA, ishte një nga sukseset më të mëdha të diplomacisë shumëpalëshe ku Europa kishte rol të rëndësishëm. Por pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja në vitin 2018 dhe pas përshkallëzimit të mëvonshëm, ndikimi europian u dobësua. Teherani e kuptoi se Europa nuk mund të kompensonte sanksionet amerikane. Uashingtoni e kuptoi se Europa nuk mund ta detyronte Iranin të ndryshonte sjellje, dhe si përfundim, rezultati ishte diplomaci pa peshë të mjaftueshme strategjike.
Kjo është një nga dilemat më të mëdha të BE-së, ajo ka fuqi për të rregulluar tregje, por më pak fuqi për të ndryshuar llogaritjet e aktorëve që mendojnë në terma force. Europa është e fortë kur problemi zgjidhet me negociata, rregulla dhe fonde. Është më e dobët kur problemi kërkon kërcënim të besueshëm, shpejtësi ushtarake ose presion të koordinuar.
Në këtë sfond, afrimi mes Rusisë, Iranit dhe Kinës nuk duhet parë si aleancë e thjeshtë, por si konvergjencë interesash. Rusia kërkon të dobësojë rendin europian. Irani kërkon të zgjerojë hapësirën e vet rajonale dhe të kufizojë presionin perëndimor dhe Kina kërkon një rend ndërkombëtar ku Perëndimi të mos ketë më peshën dominuese. Këta aktorë nuk janë të njëjtë dhe nuk kanë gjithmonë interesa identike, por i bashkon dëshira për të kufizuar ndikimin amerikan dhe europian.
Kjo e bën më të ndërlikuar pozitën e BE-së. Europa nuk po përballet me një krizë të vetme, por me një mjedis të ri strategjik. Lufta, energjia, teknologjia, dezinformimi dhe zinxhirët e furnizimit janë bërë pjesë e së njëjtës tablo. Një sulm kibernetik mund të ketë pasoja politike, një ndërprerje energjetike mund të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve, një krizë në Tajvan mund të godasë industrinë europiane dhe një përshkallëzim në Hormuz mund të rrisë inflacionin në Eurozonë.
Prandaj autonomia strategjike nuk mund të kufizohet te ushtria. Ajo duhet të përfshijë pesë fusha kryesore.
1. Së pari, mbrojtjen. Europa duhet të prodhojë më shumë, më shpejt dhe më bashkërisht. Nuk mjafton rritja e buxheteve nëse ato ushqejnë fragmentimin ekzistues.
2. Së dyti, energjinë. Shkëputja nga varësia ruse nuk duhet të zëvendësohet me varësi të reja të rrezikshme. Siguria energjetike kërkon diversifikim, rezerva, infrastrukturë dhe investime në burime të qëndrueshme.
3. Së treti, teknologjinë. Në një botë ku inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit dhe të dhënat përcaktojnë fuqinë, Europa nuk mund të mbetet vetëm rregullatore e teknologjisë së prodhuar nga të tjerët.
4. Së katërti, vendimmarrjen. Një union që reagon ngadalë ndaj krizave do të mbetet gjithmonë një hap pas aktorëve më të centralizuar.
5. Së pesti, narrativën politike. Europa duhet t’u shpjegojë qytetarëve se siguria ka kosto përndryshe, çdo rritje e shpenzimeve për mbrojtjen do të përballet me dyshim publik dhe rezistencë politike.
Në këtë pikë, duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Autonomia strategjike nuk do të thotë largim nga NATO. Përkundrazi, një Europë më e aftë do ta forconte NATO-n. Problemi nuk është aleanca me SHBA-në, por varësia e tepruar nga SHBA-ja. Miqësia transatlantike është aset, por paaftësia europiane për të vepruar pa Uashingtonin është dobësi.
Kjo është arsyeja pse debati nuk duhet reduktuar në pyetjen “me Amerikën apo pa Amerikën?”. Pyetja e vërtetë është çfarë ndodh kur Amerika është e zënë diku tjetër? Nëse Indo-Paqësori bëhet prioriteti kryesor i Uashingtonit, nëse politika amerikane bëhet më izolacioniste, ose nëse një krizë e madhe shpërthen njëkohësisht në Azi dhe në Lindjen e Mesme, a është Europa e gatshme të mbrojë interesat e saj?
Për momentin, përgjigjja është, pjesërisht. Europa ka burime, por jo gjithmonë strategji, ka ekonomi, por jo gjithmonë forcë, ka institucione, por jo gjithmonë shpejtësi, dhe ka vlera, por jo gjithmonë mjetet për t’i mbrojtur ato.
Kjo nuk do të thotë se projekti europian është i dobët në thelb, përkundrazi, BE-ja ka treguar se mund të ndryshojë kur presioni është i madh. Lufta në Ukrainë solli financim ushtarak dhe sanksione masive, kriza energjetike solli diversifikim të shpejtë. Problemi është se Europa shpesh ndryshon vetëm pasi kriza ka shpërthyer.
Në një botë më të rrezikshme, kjo nuk mjafton pasi fuqitë strategjike nuk presin goditjen për të kuptuar se janë të ekspozuara, ato parashikojnë, investojnë dhe përgatiten.
Në fund, Ukraina dhe Irani janë dy skena të ndryshme të së njëjtës dramë europiane, Ukraina i tregon Europës se pa mbrojtje nuk ka rend, Irani i tregon se pa energji dhe diplomaci të fortë nuk ka stabilitet ekonomik, Rusia i kujton se lufta mund të kthehet në kontinent dhe Kina i kujton se konkurrenca e shekullit XXI do të jetë teknologjike dhe industriale, jo vetëm ushtarake.
Europa nuk është e dënuar të jetë spektatore, por për të mos qenë e tillë, duhet të pranojë se bota ka ndryshuar më shpejt sesa zakonet e saj politike. Koha kur BE-ja mund të ishte fuqi ekonomike ditën dhe protektorat strategjik natën po mbaron.
Autonomia strategjike, në këtë kuptim, nuk është ambicie për madhështi, është kusht për pjekuri. Nëse Europa dëshiron të mbrojë paqen, demokracinë dhe mirëqenien e saj, duhet të mësojë të flasë më pak për fuqinë dhe të ndërtojë më shumë kapacitete për ta ushtruar atë. Në botën që po vjen, ndikimi nuk do t’i jepet atij që ka vetëm parime, por atij që ka edhe mjetet për t’i mbrojtur ato.








Comments