Fatmir Terziu: Kur rrënjët ushqejnë trungun e shëndoshë
- 3 hours ago
- 2 min read

Kot nuk thonë: “Bëme baba të të ngjaj.” Por ndonjëherë jeta thotë diçka edhe më të thellë: “Më jep nga rrënjët e tua, që të shëndetësoj trungun tim.” Historia e Dr. Adi Fandit është një dëshmi e qartë se trashëgimia nuk është vetëm ngjashmëri, por vazhdimësi e vlerave. I biri i Dr. Harallamb Fandit, një punonjës i mjekësisë, që ia kushtoi jetën shërbimit ndaj njerëzve, por edhe një shpirt krijues, piktor, tregimtar e përkthyes, ai nuk ka marrë thjesht një emër. Ka marrë një themel. Sepse ka njerëz që lënë pas profesionin, dhe ka të tjerë që lënë mënyrën si duhet jetuar ai profesion. Dr. Adrian Fandi i përket kësaj të dytës.
Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në Angli, ai është sot një nga ata mjekë që nuk maten vetëm me vitet e eksperiencës, por me peshën njerëzore që mbartin. Mbi 25 vite në mjekësinë e urgjencës, mes Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë formuar jo vetëm një profesionist të aftë, por një personalitet të qëndrueshëm. Megjithatë, vlera e tij nuk qëndron vetëm në atë që bën, por në mënyrën si e bën.

Mjafton një kafe me të për ta kuptuar këtë. Në një bisedë të thjeshtë, pa pompozitet, del në pah një qartësi mendimi dhe një kulturë komunikimi që nuk imponohen, por të fitojnë. Është nga ata njerëz që nuk kanë nevojë të flasin gjatë për të lënë gjurmë. Në Londër, ku ushtron profesionin si mjek urgjence dhe si themelues i klinikës së tij, ai ka ditur të ruajë diçka që shpesh humbet në sistemet e mëdha: afërsinë me njeriun. Për të, pacienti nuk është rast, por histori.
Gjatë pandemisë COVID-19, kjo qasje mori një dimension edhe më të gjerë. Ai u bë një zë i besueshëm për komunitetin shqiptar, një urë mes dijes dhe shqetësimit, mes informacionit dhe qetësisë. Fjalët e tij nuk krijonin panik, por orientim. Po ashtu, angazhimi i tij në çështje sociale dëshmon një përgjegjësi që shkon përtej profesionit. Reagimi i tij i fortë ndaj rrezikut të përdorimit të gazit qeshës tek të rinjtë nuk ishte thjesht një deklaratë, ishte ndërgjegje në veprim.
Dhe nëse do të kërkonim një vijë që i lidh të gjitha këto, ajo do të na kthente sërish te rrënjët.
Te ajo trashëgimi e heshtur që nuk duket në diploma, por ndjehet në çdo veprim. Sepse trungjet e shëndosha nuk rriten rastësisht. Ato ushqehen nga rrënjë të thella, rrënjë që mbajnë brenda përkushtimin, kulturën dhe dashurinë për njeriun. Dhe kur këto rrënjë vazhdojnë të japin jetë, atëherë nuk kemi thjesht ngjashmëri. Kemi vazhdimësi. Një vazhdimësi që nuk përsërit, por rrit vlera ...








Comments