top of page

VIKTIMIZIMI I IDEVE DHE ARTI NOBELIST


(“DUKE LEXUAR HAMSUN, MËSOVA SI TË SHKRUAJ, JO SI TË VRAS)” – Heminguej- Nga PIRRO LOLI* Për vit kujtohet me nderime e me festa mbresëlënëse, në fshatin e lindjes dhe në kryeqytet Knut Hamsun. ( Qw po pwrkthehet edhe nw shqip). Ka një muze kombëtar për nder të tij dhe një pullë postare në miliona kopje me portretin e shkrimtarit. Me romanin “Groëth of the Soil”,(1922) u bë i pari norvegjez i famshëm që fitoi çmimin “Nobel”. Gjatë Luftës së Dytë botërore, diçka e rëndë trazoi psikën e popullit norvegjez, të botës anglosaksone e më gjerë; Shkrimtari më i madh i kombit, u bë simpatizant i nazizmit. Akuza ia nxinte vlerat heroit të letrave. Kryqi i thyer dukej sikur shkelte mbi kopertinat e librave. Por jo. Jo. (Autorët vdesin, librat, jo.) Në prag të ditëlindjes së tij shoqëria norvegjeze dhe jo vetëm, përfshihet nga debate duke shtruar pyetjen; a duhet kujtuar e nderuar Knut Hamsun si shkrimtar nobelist ndërsa mban njollën si përkrahës i nazizmit? Shteti (qëndrimi zyrtar) dhe shoqëria norvegjeze thanë se nderimi për shkrimtarin Hamsun, nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si pajtim me mbështetjen që Hamsun i dha regjimit nazist. Dhe kaq. Debati është mbyllur zyrtarisht. Ky qëndrim është bërë shembullor në shumë popuj për personalitetet e tyre, përkrahës te regjimeve totalitare fashist-o-komuniste ZËRI I FAKTEVE Problemi është më kompleks dhe debatet vazhdojnë edhe në shekullin e ri. Se është dhe djalli brenda njeriut që lëviz qenien. Dhe shpesh arsyeja s’merret vesh nga shkon, nga engjëlli apo nga djalli. Sidoqoftë arsyeja dhe e nesërmja, që i gris maskat, e ndriçon më mirë të vërtetën... Vërtet Hamsun nuk kishte aktivitet gjakësor si fashist, por shkrimtari i shquar ishte bërë më tepër se simpatizant, admirues i krerëve më të lartë hitlerianë. Jo vetëm kaq; nuk mund ta mohojë njeri se, medaljen e Nobelit, atij ia vari në qafë dhe ia dhuroi figura nr. 2 të nazizmit, Gebelsi. Ndërsa Adolf Hitleri e ftoi atë në Berlin, e priti në audiencë dhe propaganda naziste e shfrytëzoi këtë takim për t’u bërë thirrje norvegjezëve që të përkrahnin qeverinë e Vidkun Kuislingut.(lexo, “qeverinë pro hitleriane të Norvegjisë”, që u bë simbol i tradhtisë në shumë vende të Evropës, me emrin e urryer simbolik “Kuisling”) Ka edhe më: Më 1945, kur u njoftua se Hitleri kishte vrarë veten, Hamsun shkroi rreth tij një artikull plot lëvdata për idetë e tij. Pas luftës, K. Hamsun dhe bashkëshortja e tij, Marie, gjithashtu shkrimtare dhe përkrahëse e Kuislingut, u arrestuan dhe u gjykuan. Ndërsa V. Kuislingu u dënua me pushkatim, Marie Hamsun, me disa vjet burgim, ndërsa shkrimtari Knut Hamsun u dënua me një gjobë simbolike. Knut Hamsun ishte burrë i heshtur. Nuk u pendua dhe nuk kërkoi të falur për ish simpatitë e tij. Ai i përballoi akuzat me idetë e tij si qëndrime personale ideologjike, (madje dhe patriotike), pa pasur asnjë veprimtari konkrete në aktet gjakësore të nazizmit. Pa i funksionuar asnjë ide rreth krerëve të fashizmit. E para, Knut Hamsun e shikonte Hitlerin si shpëtim të Norvegjisë nga ndikimi i mundshëm komunist sovjetik. E dyta, ai ushqente një frikë dhe ndjenjë jo miqësore edhe ndaj Britanisë dhe mendonte se një Gjermani e fuqishme do të ishte kundërpeshë ndaj ndikimit britanik në krejt vendet skandinave.[Krahasimet çalojnë por, pa to e pa dyshime, logjika e fakteve ngec. Nëse kambanat nuk i dëgjojnë dhe ata që kanë vesh, argumentet e të vërtetave verbohen e bashkë me to edhe historia.) PYETJE PA PËRGJIGJE Me të drejtë shtrohet pyetja si ishte e mundur që ky talent i madh humanist të admironte fashizmin gjakatar? [kujtojmë se të tillë ishin edhe shkrimtarë të tjerë perëndimorë të nivelit të Nobelit si Gunter Gras, Erza Paund etj; kujtojmë se edhe Oruell-i është njollosur si tradhtar nga komunistët madje nga personalitete si Palmiro Toliati, apo shkrimtari dhe eseisti i shquar Italo Kalvino, etj ; kujtojmë se në anën tjetër të medaljes gjakatare, komunizmin, qindra poetë, shkrimtarë e piktorë të Lindjes dhe Perëndimit ishin simpatizantë e admirues të diktaturës staliniste e maoiste, që koha vërtetoi se qenë dy anë të një medaljeje. Fakti shtrohet si pyetje dhe ekuacion edhe tash, në shekullin e ri: Sfinksit në mes të rrugës nuk i është dhënë një përgjigje e prerë. A janë identike diktaturat? A është i njëjtë gjaku i miliona njerëzve (pesë milionë nazizmi, dhjetëra milionë komunizmi – e shumë më shumë vrasje në paqe se sa në luftë e, sidomos brenda popujve të vet, në të gjithë Lindjen.!?) [Kur ra nazizmi, krerët kryesorë të tij kaluan dhe u dënuan në Gjyqin e Nurembergut duke mishëruar edhe dëshirën dhe urrejtjen e të gjithë popujve për bishën gjakatare fashiste. Krimet nuk parashkruhen. Disa prej tyre janë arrestuar gjatë gjithë faqes së shekullit. Për krerët stalinistë të komunizmit, vrastarë të dhjetëra miliona njerëzve në kohë paqeje në krejt vendet ish komuniste, nuk pati Nurenberg. Dhe nuk ka as tani që komunizmi ka rënë si dështim dhe zhgënjim planetar i njerëzimit. Kjo ka krijuar një ngërç në psikën e popujve për standarte të dyfishta ndaj diktaturave. Kjo, gjithashtu ka lënë të hapur mundësinë e riciklimit ideologjik të etërve dhe bijve. Dhe nuk duhet të habitemi që në vendin tonë, pinjollët e diktaturës komuniste drejtojnë dhe sot, arrijnë deri në parlament dhe filtrojnë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, shoqërisë e partive, duke nëpërkëmbur demokracinë tonë të brishtë. PUSHTETI I VLERAVE Poetët kanë pushtet shpirtëror e vlerat e tyre ndriçojnë edhe mbi plehra, ku lulëzojnë “lulet e së keqes”(Bodleri). Por në këtë sprovë unë dua ta fokusoj fjalën për krijuesit, poetë e shkrimtarë të mëdhenj që, pavarësisht nga njollat e simpative të ideologjive gjakatare, në popujt e zhvilluar kujtohen dhe nderohen për vlerat e tyre kulturore e artistike. Njollat harrohen dhe vdesin bashkë me idetë përkatëse. Dhe idetë janë të përkohshme dhe harrohen. Asnjë ide e realitetit nuk është përfundimtare. Përvojat e çdo brezi kanë nevojë për formulime të reja deri në ato me kahje të kundërt, që ndryshojnë dhe thelbin e koncepteve të pranuara më parë. Asnjë ide e realitetit nuk është përfundimtare. Përvojat e çdo brezi kanë nevojë për formulime të reja deri në ato me kahje të kundërt që ndryshojnë dhe thelbin e koncepteve të pranuara më parë. Në qartësinë turbulluese dhe idetë abstrakte ndërhyjnë poetët me fjalën tjetër, metaforën. Vepra mbetet. Vlerat janë të pavdekshme. Kryeveprat u takojnë brezave që, as nuk u shkon në mendje se ai / ajo shkrimtar apo artist, paska qenë kështu e ashtu...) Jemi në sferën e bindjeve dhe të simpative, jo të pjesëmarrjes direkt në veprimtaritë kriminale të regjimeve totalitare. Dhe kurrsesi jo për vrasje e krime. Reprezaliet e diktaturave ndaj poetëve e shkrimtarëve në sferën e lirive të fjalës dhe ideve përbëjnë njolla të pashlyeshme turpi e krimi. Arti i riemërimit të botës si akti themelor i çdo krijimtarie, nuk nënkupton ndarjen nga bota, por prishjen e një marrëveshje. Kjo “ prishje” që vjen nga një kundërvënie ndaj realitetit, ose nga një gjuhë poetike tjetër, i jep krahë fantazisë dhe e bën botën më të pasur, më të bukur. Ç’ të themi për gjithë personalitetet tanë, ajka të shqiptarizmit që me fakte dhe argumente e shikonin ndikimin serb(lexo sllavokomunist) në vendin tonë si rrezikun më të madh kriminal e agjenturor? Pse u pushkatuan, u torturuan dhe vdiqën burgjeve e kampeve të shfarosjes me gjithë familje? [Tejkalimi i të drejtës komuniste dhe në farefisni, e tejkalon dhunën fashiste.(Ç’ mund të themi ne për ata qindra politikanë, nacionalistë e personalitete të kulturës e të shtetit shqiptar që specifikisht e panë komunizmin serbostalinist rrezikun më ogurzi të Shqipërisë dhe, për kohën, anipse momental, fashizmin, si faktor të bashkimit kombëtar. Diktatura komuniste tek ne ra si kosë gjakatare duke vrarë, burgosur, torturuar e internuar ajkën e inteligjencës dhe të shqiptarizmit sidomos martirët e katolicizmit. Tek ne, çdo dyshim simpatie , çdo fakt sado i vogël pro fashizmit, çdo simpati a pjesëmarrje në parti jo komuniste, (Balli Kombëtar, Legaliteti a Partia social Demokrate), do dënohej ekstremisht. Me dhunë fashiste diktatura serbohoxhiste arriti deri në dënimin e fjalës. Ngjyrës dhe tingullit, mendimit dhe të metaforës; mohoi, burgosi, torturoi, internoi e pushkatoi ajkën e inteligjencës krijuese, poetë, shkrimtarë e dramaturgë, përkthyes, gjuhëtarë, etnografë, studiues e folkloristë, gazetarë e artistë muzikantë e regjisorë, (numërohen më shumë se 150 të tillë disa prej të cilëve personalitete kombëtare si Fishta, Koliqi, Skiroi, Gj. Shllaku, P.Gjeçi, Isuf Vrioni, E Çabej, At Zef Pëllumbi, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Mihallaq Luarasi, Kasëm Trebeshina, Mysine Kokalari, Arshi Pipa etj, etj. Të gjithë këta, edhe me ndihmën e shkrimtarëve spiunë dhe Kryesisë së LSHA, që, fatkeqësisht u kthye si organ ndëshkimi lexo (Degë e Punëve të Brendëshme të shkrimtarëve dhe artistëve, me kryetrarin dhe operativët përkatës për rreth tij). Regjimi gjakatar nuk përjashtoi asnjërin që, mund të kishte ndonjë simpati minimaliste e debatuese të shprehur apo të pashprehur për fashizmin, ose ndonjë lidhje sadopak fisnore me Ballin Kombëtar a Legalitetin..., të etiketuar apriori si kuislingë. Ky ngërç i pagjykuar në shoqërinë shqiptare, afërsisht prej një shekulli, ndarë bardhë e zi në shoqërinë tonë, djallëzisht ekziston edhe sot si virus i rrezikshëm i pa vaksinuar. VIKTIMIZIMI I IDEVE Idetë, thonë që ndryshojnë botën, por ato nuk janë të përhershme. Idetë kanë dhe viktimizimin e tyre. Ato nuk janë personale e vetëm të liderëve, por u përkasin grupeve të ndryshme shoqërore; ato shuhen e ndizen, rrotullohen e përsëriten e ndryshojnë dhe, më të mirat jetëgjata, viktimizohen e rezervohen në kujtesa si në mosqenie; ato varrosen së bashku me katastrofat e shkaktuara dhe nuk pranojnë të gjykohen. As “Na ishte njëherë”. As “Ashtu ishte koha”, as “ashtu ishte ligji”. Idetë mund të bëhen dhe vrastare. Ato mund të vrasin dhe janë njëkohësisht të vrasëshme. Sepse me paqe e me luftë, me ngjarje tragjike e komike , me urtësi e marrëzi është e mbushur jo vetëm jeta e njeriut, por dhe e popujve. kohë lufte dhe paqeje. Idetë nuk mund të jenë homogjene sepse, shoqëri homogjene, as nuk ka pasur, as nuk do të ketë. (Vetëm alogjika komuniste thotë “O me mua , o kundër meje, rrugë tjetër nuk ka”). Edhe nëse do ta pranonim përkohësisht këtë ide, ajo shoqëri do ta gjente kundërshtarin brenda vetes. (Siç i gjeti...Kur kosa kish rralluar “armiqtë e klasës”, qoftëlargu ynë iu turr shokëve e bashkëluftëtarëve si e vetmja mundësi e ekzistencës së vet...(Numërohen 12 grupe “armiqësore”, brenda llojit) Këto dy kahje shoqërore (dhunë - paqe-) nuk janë vetëm të kundërta. Ato synojnë mbijetesë shoqërore. Pushtet. Dhuna dhe paqia janë simtoma njerëzore, dukuri heterogjene mes grupeve shoq. Mishel Fuko i pranon të dyja si vazhdim i njera tjetrës me mjete të tjera. Të cilat Veçanërisht ato që krijojnë ideologji shtypëse diktatoriale, që mbështeten mbi dhunën dhe zhdukjen e tjetrit, qofshin fashiste a komuniste, pavarësisht se përkohësisht mund të kenë përkrahës e popuj të ndryshëm, janë të destinuara të përfundojnë në varret e historisë. Fashizmi, i etiketuar si vampir i njerëzimit, erdhi me votë popullore, jetoi rreth 10 vjet dhe vrau miliona njerëz të pafajshëm, komunizmi i etiketuar si “rend paqësor e shpresë për njerëziminr”, erdhi me dhunë, jetoi rreth 100 vjet (që nga rev.vampirobolshevik i 1917-ës) në Rusi dhe vrau miliona njerëz. Në psikën popullore këto dy diktatura( komunizmi dhe fashizmi) që në pamjen e parë duken antagoniste, e diametralisht të kundërta, janë si vëllezërit siamezë, bashkëjetues në të njëjtin shtyllë, dhunën. Dhe një pyetje në fund për politikën: Ç’qendrim duhet të mbajmë ndaj disa partive e grupeve fashiste e komuniste në Evropë dhe jo vetëm, që arrijnë deri në parlamentet përkatëse? Sfinksi nuk heq dorë nga kjo pyetje. Koha po vërteton se në emër të të drejtave të njeriut, po bëhen shumë padrejtësi mbi njeriun dhe shoqërinë. E di që kohët kanë ndryshuar drejt paqes dhe votës së lirë, por unë nuk votoj për ta. Këtu e kisha fjalën për vlerat kulturore dhe artistike që bëhen dhe vlera kombëtare e më gjerë. K. Hamsun ka një prozë romaneske nga më cilësoret e më humanistet në Evropë. Ai vdiq në vitin 1952, në moshën 92 vjeçare. I nderuar nga të gjithë. Ernest Heminguej, (nobelist) shkrimtri i përmasave botërore, shkroi: “Duke lexuar Hamsun, mësova si të shkruaj...(jo si të vras)” *Mjeshtër i Madh

24 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page