Vesel Makolli: AHMET ZOGU E NDËRTOI SHTETIN, ENVER HOXHA E IZOLOI SHTETIN

AHMET ZOGU E NDËRTOI SHTETIN, ENVER HOXHA E IZOLOI SHTETIN DHE E SHTREMBËROI HISTORINË
Nga Vesel Makolli
NMT Ahmet Zogu, krijuesi i shtetit të parë shqiptar, e ndryshoi rrjedhën e historisë sonë me ngritjen, konsolidimin dhe shtetndërtimin e Shqipërisë. Ai e kuptoi se pavarësia formale nuk mjaftonte; duhej krijuar një shtet me institucione, autoritet dhe orientim të qartë politik. Përmes shtetndërtimit, ai e shkëputi Shqipërinë nga trashëgimia politike e Lindjes otomane dhe e orientoi kah Perëndimi, kah Europa, aty ku ai e shihte vendin politik dhe qytetërues të shqiptarëve.
Enver Hoxha ishte ideologu dhe udhëheqësi i diktaturës më të egër komuniste-staliniste në Evropën e pasluftës.

Gjatë regjimit enverist u dënuan me vdekje me vendim gjykate dhe u ekzekutuan 1200 shqiptarë, të cilëve nuk u dihen varret, duke mos i llogaritur ata që kanë vdekur gjatë hetuesisë, sa kanë qenë duke e vuajtur dënimin, si dhe ata të cilët janë vrarë në kufi, gjatë tentimit për të ikur nga ferri enverist.
Me mijëra të tjerë janë dënuar me burgime të gjata dhe familjet e tyre janë internuar në zonat e thella rurale, duke kaluar jetën në kushte të tmerrshme varfërie, sociale, shëndetësore dhe higjienike, të cilave nuk kanë mundur t'u mbijetojnë qindra pleq, fëmijë dhe të sëmurë.
Një regjim që e përdor shtetin për të dënuar mendimin ndryshe, për të përndjekur familjet e kundërshtarëve dhe për të kontrolluar kujtesën historike, nuk ndërton vetëm një sistem politik represiv; ai tenton të nënshtrojë edhe vetë kujtesën e një populli.
Për këtë arsye, Enver Hoxha nuk mund të trajtohet thjesht si një udhëheqës komunist që bëri edhe gabime të rënda. Sistemi që ai ndërtoi ishte një diktaturë personale, ku pushteti politik, aparati represiv dhe kontrolli mbi informacionin u përdorën edhe për të krijuar një version zyrtar të historisë.
Për Enver Hoxhën dhe përkrahësit e ideologjisë së tij vrastare, asnjë personalitet historik nuk duhej të ngrihej më lart se Enveri. Ai duhej të ishte personaliteti më i madh i historisë shqiptare: baba, nëna, krijuesi i kombit dhe i shtetit, e pothuajse një figurë hyjnore, një “perëndi” pa emër.
Pikërisht këtu qëndron edhe arsyeja pse figura e Ahmet Zogut u bë pengesa më e madhe për mitologjinë enveriste. Zogu ishte figurë shtetërore para Enverit dhe lidhej me krijimin, organizimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Prandaj, për ta ngritur Enverin në piedestal, duhej fillimisht të rrëzohej Zogu.
E kështu nisi një prej operacioneve më të gjata të propagandës historike: baltosja sistematike e figurës së Zogut, shtrembërimi i fakteve, sajimi i rrenave për kinse gabimet e tij, heshtja për meritat dhe përsëritja e pafundme e akuzave, insinuatave e etiketimit si “tradhtar”.
Kjo nuk ishte thjesht një mënyrë interpretimi historik. Ishte një metodë politike. Historia duhej të rishkruhej në mënyrë që Enver Hoxha të paraqitej si pika më e lartë e saj.
Çdo figurë që kishte krijuar shtet, institucione apo traditë tjetër politike duhej të zvogëlohej, diskreditohej ose demonizohej.

Prandaj, kur sot dikush vazhdon ta gjykojë Ahmet Zogun vetëm me syzet e historiografisë enveriste, problemi nuk është se nuk ka lexuar mjaft. Problemi është se ka lexuar përmes një filtri ideologjik që ia ka përcaktuar paraprakisht përfundimin.
Ahmet Zogu mund të kritikohet për gabimet, autoritarizmin, vendimet politike apo lidhjet e tij me Fuqitë e Mëdha Perëndimore. Kjo është krejt normale në një vlerësim serioz historik. Por tjetër është kritika historike dhe tjetër është propaganda.
Një histori serioze nuk kërkon ta bëjë Zogun “tradhtar” vetëm pse kjo i shërbente nevojës për ta mbajtur Enver Hoxhën në piedestal. Sepse, në fund, problemi i historiografisë enveriste nuk ishte vetëm se e shtrembëroi figurën e Zogut. Ishte se e ktheu historinë shqiptare në një histori të një njeriu të vetëm: Enver Hoxhës. Dhe për ta mbajtur gjallë këtë mit, duhej të vritej politikisht edhe kujtesa për të gjithë ata që kishin ekzistuar para tij.
Pasojat e kësaj ideologjie, e cila në fillim të viteve '90-ta u shemb përfundimisht, ndihen ende sot ndër shqiptarë, sidomos te ne në Kosovë.








Ky shkrim i Vesel Makollit hap një diskutim të rëndësishëm mbi mënyrën se si historia shqiptare është lexuar, interpretuar dhe, në periudha të caktuara, edhe instrumentalizuar politikisht. Vlera e tij qëndron veçanërisht në përpjekjen për ta ndarë figurën historike nga miti politik, duke e vendosur çështjen e Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës brenda një debati më të gjerë mbi shtetndërtimin, diktaturën, propagandën dhe kujtesën kolektive. Një qasje e tillë kërkon që dokumenti, arkivi dhe burimi historik të kenë përparësi ndaj përsëritjes së narrativave të trashëguara.
Në këtë kuptim, teksti nuk duhet parë vetëm si një qëndrim për dy figura historike, por si një thirrje për rishikim kritik të vetë mënyrës sonë të të shkruarit të historisë. Historia serioze nuk…