Vepër unikale në llojin e vet


Fatmir Minguli

Vepër unikale në llojin e vet

Fatmir Minguli


KOJRILLAT FLUTUROJNË LARG DHE AFËR


(Një vështrim studjues për romanin “Kojrillat” të shkrimtarit Fatmir Terziu)

Mund të shkëputësh një njeri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendet nga zemra e njeriut. (John Dos Passos)

Një roman që të befason që në kapitujt e parë. Një roman që e zgjeron botën shqiptare në hapësirë dhe në kohë. Një libër policesk dhe njëkohësisht një romancë dashurie që nuk e kemi as parë e as dëgjuar të ndodhë me një femër të bukur shqiptare në Londër dhe jo vetëm aty. Një roman i shkrimtarit Fatmir Terziu, ku dokumentat sekrete dhe gruaja misterioze Madam Zeinep Vlora vetëm sa janë maja e ajzbergut të vërtetë. Një roman, që për nga radha e romaneve të shkruara nga ky shkrimtar është i treti e që pason romanet “Grykësit” dhe “Bunari”.

Ndonëse nuk jam superticioz i thekur, mendoj që për romanin “Kojrillat”, të përshtas shprehjen “I treti i vërteti”. E mendoj se nuk kam gabuar! Një punë kolosale e autorit, jo më shumë për të ndërtuar strukturën arkitektonike të subjektit, se sa për të gjetur, kontrolluar e sistemuar dokumentat e arshivave angleze. Janë dokumenta sa misterioze aq dhe të frikshme për vitin 1933, për vrasjen misterioze në prag të Krishtlindjeve të vitit 1932 të heroinës së bukur shqiptare e që gjendet e helmuar në këmbët e Monumentit Cenotaph në Ëhitehall. E për të shkuar më tej, kemi përpara një roman që na jep botën shqiptare në vitet e monizmit në një narracion artistik ndryshe.

Narracion pikant

Eshtë më se e qartë se Famir Terziu duke u ndodhur midis subjektit “fiction” dhe subjektit me dokumenta reale do të pranonte manipulimin herë me tentativë e herë me intuitë. E thënë ndryshe do përdorte ose trillin e plotë në roman ose subjekti i tij do të “robërohej” nga dokumentat! Por nuk ndodh kështu, aspak kështu! Se po të ndodhte kështu do kishim përngjasime me romanet bestseller të “dokumentuara” të Dan Braunit, apo me skenaret e filmave “007” me James Bondin në mbrojtje të fakteve sekrete qe kanë të bëjnë me Zonjën “M”, dhe “Kojrrillat” shqiptare të Fatmir Terziut nuk do mundeshin të dalloheshin në fluturimin e tyre sa elegantë, aq dhe të guximshëm dhe origjinalë.

Romani i shkrimtarit dhe studjuesit Fatmir Terziu, veç se është një vepër unikale në llojin e vet, nuk mëton kurrsesi të jetë një roman historik. Nëpërmjet personazheve shumë pikantë, autori e trajton historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar në tërësi, duke e sjellë atë në roman si një pelerinë madhështore transparente, por herë-herë dhe të errësuar. Narracioni i autorit tenton pikërisht bërjen transparente të atyre ngjarjeve që janë fshehur nga armiqtë e lirisë së shqiptarëve, armiq ‘kësulkuq’, apo të tjerë të kuq në vitet e monizmit.

Fatmir Terziu mbështetet në dokumenta të shumta tek krijon subjektin e këtij romani. Me dhjetra e dhjetra gazeta angleze, franceze etj., shkruajnë për këtë vrasje duke e shoqëruar dhe me mbytjen në lumin Tamiz të një burri të panjohur.

Nga kapitulli në kapitull njihemi me këtë grua në mënyrë jo direkte, por nga personazhet e tjerë si Granit Jetoni, hetuesi anglez Smith, nga artikujt e gazetave të kohës dhe nga personazhi i veçantë, intelektuali Lutfi Çela. Por jo vetëm këta personazhe “dëshmojnë” për shqiptaren e bukur Zeinep Vlora, e cila mbante në vetvete misterin e disa letrave me karakter diplomatik ndërkombëtar, të lidhura pa dyshim me fatin e Shqipërisë.

Roman simbolesh filozofike

Romani “Kojrillat” është libër simbolesh. E simbolet janë të shumta, me madhësi e forma të ndryshme por të ndërlidhur me një njëri tjetrin, që formojnë një rrjet komunikimi midis tyre. Para se ti shkojnë lexuesit ata krijojnë komplekse të rafinuar, inteligjentë, ringjallës, ndjellës e gati-gati magjikë. Fatmir Terziu na i sjell simbolet e romanit të besueshëm, të plotësuar deri sa duken si personazhe të tjerë, po aq të rëndësishëm, sa dhe personazhet njerëzorë. Simbolet e “Kojrillave” janë vendosur si yjet në qiell ku prin e ndriçon më shumë Kojrilla Zeinep Vlora, shtegëtarja e madhe e viteve të stuhishme, që e rrethuan pavarësinë e Shqipërisë, edhe pasi ajo u lind.

Kojrilla, kthehet në Të Ujtën, të tejdukshmen e legjendës, në të qelqtën e pastër e në forma xhamllëku, në Zonjën shqiptare të ujrave, që rrjedhin paralel me kohën e me jetën. Me mjeshtrinë artistike, në këtë roman, FatmirTerziu, pothuaj çdo kapitull e fillon me uverturën e simbolit të Së Ujtës, figurë magjike, unikale që mban “Vulën e Autorit”: Fatmir Terziu. E Ujta, një figurë e jashtëzakonshme që do të mbetet në letrat e shqipe, falë imazheve që unë i klasifikoj në modernitetin e pikturave të Salvador Dalisë. Fatmir Terziu e kryen detyrën madhore si autor për zbulimin e sekreteve që realiteti fsheh, por duke i deshifruar simbolet që shfaqen në gjërat e kësaj bote, të shkuar e të tanishme.

Subjekti i intersektuar

Falë këtyre zgjidhjeve artistike, autori Fatmir Terziu krijon narracionin paralel që shoqërohet nga subjektet e intersektuara brënda stilit narrativ. Thyhen kështu regullat e gjeometrisë, por fitohet forma e re narrative, komplekse, me të kundërta në kohë e hapësirë, por e rrjedhshme dhe e këndshme, intriguese dhe kurioze. Dhe çdo kapitull i përmban këto të kundërat, me ngjarje që paraqiten sa në Elbasan, sa në Londër, sa në Shkodër e sa në Paris e Itali, e gjithmonë me intervale kohe, që i kalojnë dekadat. Kështu thurret ky roman i bukur i cili fillon me një ditëlindje të djalit gjashtëvjeçar, Granit Jetoni, djalë që rritet nëpër faqet e romanit e që shndërrohet në protagonistin e romanit, që në vetvete përmbledh, jo vetëm të fshehtat e dokumentave, gazetave dhe librit për ngjarjen në krishtlindjet e 1932-it në Londër , por mbart dhe personin e vetë autorit të romanit.

Eshtë ky Granit, që me babën e persekutuar nga regjimi komunist, edukohet me dashuri dhe kuptimin e vërtetë të demokracisë perëndimore nga miku i babait të tij Lutfi Çela; është ai Granit, që përjeton të fshehtat e letrave dhe po ai Granit që na përcjell bukurinë e shtegtimit të kojrillave duke i transpalantuar pamjet e tyre nga vendet e bukura të Elbasanit në kopshtet e hetuesit Smith në Hamersmith të Anglisë. Nëpërmjet Granitit, autori fokuson jetën e Elbasanit ne kohën e komunizmit me të gjitha skenat jetësore, me detaje të spikatura deri te “akaparimi” i fuçive të birrës në birraritë me nam të Elbasanit.

Stil i patjetërsueshëm

Merita e autorit Fatmir Terziu në këtë roman është stili i tij i patjetërsueshëm, ku fragmentarja plotëson fshehurazi të plotën, ku fluturimet e kojrillave të bukura transplantojnë ngjarjet e Shqipërisë në botën londineze, ku afshet e dashurisë mesdhetare fluturojnë e zenë fole te zemra e hetuesit Smith…

Tek ky stil pikaset dhe një mjeshtri narrative, e pavarur nga përvojat e ndryshme të letërsisë të së kaluarës dhe madje edhe bashkëkohores. Ai, autori i “Kojrillave”, ka gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për çdo “pengesë” në enigmat e misterit të vrasjes së Zeinep Vlorës dhe zhdukjes së letrave të çmuara, duke përdorur aftësinë e Sherlok Holmesit në vëzhgimin e fakteve pa paragjykime fillestare. Kështu sfondet e Elbasanit dhe ato të Londrës janë të familjarizuara njësoj, pa kurrfarë ndjenje inferioriteti dhe pikërisht kjo e bën romanin të rrjedhshëm, tërheqës dhe misterndjellës.

Në gojën e hetuesit anglez Smith, një personazh psikologjikisht i transformuar gjatë romanit, autori vendos këto fjalë: “ Sa qejf që kisha të ishim si ato kojrillat, si ato shpendë”, duke na sjellë një botë sa reale aq dhe të fantastike. Dhe autori Fatmir Terziu, nëpërmjet personazheve kryesorë të romanit na sjell stinën e kojrillave, stinën e e arsyes ndërkombëtarizuese të çështjes shqiptare, duke përdorur trinitetin Tokë-Ajër- Ujë, shpalos skena të bukura në shtete të ndryshme të Europës, pjesë të pashlyeshme nga mendja e lexuesit. Unikale janë kapitujt e fundit ku bëjnë sy zgjidhjet e misterit të letrave dhe mistere të tjera, por dhe takimi me të papriturën e hetuesit Smith!

“Ku janë letrat, letrat” – kjo thirrje plot pathos e përkushtim nuk ndodhet vetëm në faqet e romanit, po bëhet një obsesion pozitiv te vetë lexuesi. E kështu ndjejmë forcën e dialogut në roman, dialog që shkrihet me monologjet e Granit Jetonit dhe uverturat e së Ujtës.

Një ekuacion linear

Në kapitullin “Drita” ndjejmë triumfin psikologjik të arsyes mbi absurdin, që historia i diktoi shtetit të kthjellët të shqiptarëve. Fatmir Terziu me të drejtë shkruan se “drita duhet parë në këndin e vet”. Ngjarje të ndryshme të diplomacive shqiptare dhe të huaja për të kapur “të fshehtën e letrave”, mbuluar me emrin e Madam Zeinep Vlora, kojrilla që fluturojnë qiejve të Shqipërisë dhe Londrës, peisazhe dhe mistere, emra të shqiptarëve të mëdhej si Myfit Libohova, tituj gazetash londineze me emra shqiptarësh, fakte reale të mbledhura me përkushtim gjatë gjashtë viteve në arshivat e Londrës, ankthi i kërkimit të atyre dokumentave që kthehet në plazmën e romanit “Kojrillat”, janë shtigje të bukura ku autori gjen të vërtetën e Letrave. Gjen dhe kthen pasqyrën e verbuar drejt qoshkave ku ‘myket’ arroganca ndaj vullnetit të një populli, aty ku janë shenjat e firmëtarëve...

Ky roman është një ekuacion i filozofisë së gjithë shtrirjes së tij lineare, por çdo kapitull është kontribues në zgjidhjen përfundimtare. Heroi Granit, mbartës i ankthit të letrave, që nga kapitulli i parë e deri kur vjen në Londrën e ditëve tona për të mësuar deri në fund historinë e Kojrillës Zeinep Vlora, por dhe për tu ritakuar rastësisht me mikun, inteligjentin Lutfi Çela, kupton se ka dhe mistere të tjera.

Romani përmbyll fjalën

Jeta zhvillohet brenga globit që e ka emrin Tokë, ngjarjet e “Kojrillave” shqiptare qarkullojnë rreth këtij globi deri sa vijnë në kapitullin e fundit që titullohet “Glob”. Lexuesi ndjehet i qetë dhe i inspiruar . Kojrillat fluturojnë të qeta në drejtime e horizonte të reja. Romani “Kojrillat” e fillon jetën në fillimin e 100 vjetorit të dytë të Pavarësisë së shqiptarëve. Fillon jetën me kërkime të tjera, duke filluar fluturimin e tij mbi qiej të vjetër e të rinj, hapësira të bukura të botës mbarëshqiptare. Të tjerat i ka nën sqetullën e artë dhe filozofike romani unikal në llojin e vet “Kojrillat”. Koha e solli në skenë të bëjë prozën, prozën që jo më kot kohë më parë shkrimtari Lazër Stani, teksa shkruante për “Krokamat” e Terziut, do të shprehej, ‘kështu duhet të jetë sot proza shqiptare, dhe këtë nuk e befason por e realizon Terziu!”

Udhë të mbarë “Kojrillave”! Udhë që me dinjitetin më të lartë konkurron ballëhapur në sfondin shqiptar e më gjerë.

Habent sua fata libelli. Librat kanë fatin e vet.


#minguli #fatmir #terziu #kojrillat

4 views

Shkrimet e fundit