Vaso Papaj: Ç’gusht i zjarrtë
- 3 days ago
- 17 min read

Ç’gusht i zjarrtë përsëri këtë vit. Madje i flaktë. Na e sjell mëngjesi, na e përcjell dita dhe bën sikur na e fsheh nata.
Ky zjarr më mjaftoi për të kujtuar një gusht tjetër: i zjarrtë dhe i flaktë edhe ai. Gushti i vitit 1991. Eksodi i radhës. S’kisha sesi t’i harroja ato ditë të trishta. Kam shkruar gjithçka te jetuar, të parë dhe të prekur. Rrëmova menjëherë në bibliotekë vëllimin e parë të trilogjisë “Eshtë lojë, e dashura ime”. E hapa, e shfletova, arrita gjer tek ato faqe gushti dhe i lexova me një frymë.
Besoj se janë të pakët ata që e kanë lexuar këtë libër. E tillë është kjo kohë. Ka peshë të rëndë ai vëllim, bashkë me dy të tjerët. Nis e s’mbaron. Ouaaaa!...
Ndaj vendosa menjëherë t’ua sjellë. Ajo historia e trishtë s’ka të ndalur edhe sot. Pasoja e “lojës” të ketë qënë edhe kjo, vallë?… E kam parë dhe e kam prekur gjithçka. Më gjykoni!... Ja:
“Ështe lojë, e dashura ime”
Vëllimi i parë (faqe 229-244)
*
Plasi përsëri.
Ndodhesha në zyrë atë mëngjes gushti kur ra telefoni.
Sapo ngrita dorezën, e njoha zërin. Ishte Vojsava.
-Desha Patrin.
-Unë jam. Ç’ka ndodhur?
-Plasi përsëri. U shqye përsëri porti.
-U shqye?
-Janë hapur portat. Është vërsulur tërë mileti.
-Nga po flet?
-Nga puna. Të mora mos bëheshe merak. Është mami në shtëpi me fëmijët.
-Pse ma thua këtë?
-Është shkulur tërë rinia këtë herë. Apo s’janë me pushime nxënësit… Zallahi e vërtetë. Çfarë s’mund të ndodhi?!
-Këndej nga ne është qetësi.
-Prit. S’ka ardhur lajmi. Kanë lënë plazhin. Kështu thonë. Një lajm që i ngjan një uragani. I mori përpara të gjithë në plazh… Të gjithë në port.
-Sava! E di ç’ke? Lere punën dhe kthehu në shtëpi. S’dihet ç’ndodh… Mbylle tani.
Ula dorezën. Nga dritarja, rruga dukej e shkretë. Vetëm vapë përvëluese. S’pashë ndonjë lëvizje të veçantë.
S’kisha ç’bëja më aty. Mbylla sirtarin dhe kasafortën me çelës dhe u ngrita. Befas, dikush nisi të trokasë në xhamin e dritares nga ana e shkallëve. Ktheva kokën. Oouu… Ishte Gjergji shkak i atij “tak tak taku”…
I ika atij nga ekrani i madh. Shpejtova. Dola në korridor
dhe mbylla portën.
Dhe sa nuk u përplasëm në korridor. Një herë vetëm e
kisha parë kështu. Atëherë, kur qe shtruar në atë pavionin pesë të psikiatrisë. Atje në atë oborrin e shkretë, ku edhe bari mezi
kishte mbirë… E kish mbështjellë një ngricë të gjithin, edhe pse të nxehtit të merrte frymën.
-Gjergj!
-Paaatri!
-Ç’ke?
-Djali…
-Ç’djali, re?...
-U nis për plazh në mëngjes, me shokët e klasës dhe
përfundoi në port. Na e tha një çun i pallatit. Fqinj me ne.. E kishte parë. Mes shokësh.
I futa krahun menjëherë. Zbritëm shkallët bashkë. Nuk nxora një fjalë gjer te porta.
-Patri, ç’ka ndodhur? - Fifia ishte ngrysur në fytyrë.
-Djali i shokut ka hyrë në port.
-Mbahu i fortë, - i tha ajo. - E kam pësuar edhe vetë. Shpirti ma di. Zoti e boftë mirë!
Gjergji s’i dha përgjigje. Madje as kokën nuk luajti, as buzët, as sytë, apo, as edhe një qime vetulle.
Papritmas pashë Lumen, në trotuarin përballë. Në këmbë. Kaluam rrugën të dy.
I dhashë dorën. Dukej që kish dalë nga shtëpia në nxitim e sipër. As flokët s’kish krehur.
-Shkojmë, - u thashë. - Provojmë ta gjejmë.
-Ecim në këmbë, - ma ktheu Lumja. - Kur erdhëm, i hypëm një furgoni, Patri. Urbani s’punonte. Ndoshta urdhër.
-Ecim, - u thashë. - Dhe lereni mënjanë mërzinë e madhe. Ja, edhe Petritit i ndodhi po kështu. Dhe djali është mirë fare. Në fund të këtij muaji, apo fillimin e tjetrit, do të kthehet bashkë me prindërit.
-Ishte i rritur i Petritit, - nxorri Gjergji më në fund. - Këta
janë në të nëntën, kalamaj akoma.
Pashë që Lumja më shkeli buzën e poshtme. Sikur donte të më thoshte mos ta zgjatja.
-Ne do ta provojmë, - u thashë. - Nxitoni.
Nuk folëm më për një copë të mirë të rrugës. Përshkuam
kthesën e Urës së Dajlanit. Edhe gjysmë kilometri akoma dhe më
tej çamë përmes kangjellave të shqyera vende-vende që ndanin rrugën e hyrjes së qytetit me stacionin e trenit. Kapluam rreshtin e shinave, lamë majtas hyrjen e Kantjerit Detar, të Ndërmarrjes së Peshkimit, pastaj, ca qindra metra akoma, rrethim të lartë me tela dhe, në fund, ndalëm tamam përpara portës, njëlloj të shqyer, në anën jugore të portit.
Këtu, papritmas, u ndodhëm mes një lumi njerëzish që vinin nga drejtime të tjera, të ndryshme nga i yni, nga brendësia e qytetit. Dhe rrëmujë, rrëmujë e vërtetë.
Dhe, drejt saj, pas kurrizeve tona, sapo u afruan edhe dy Zisa, njëri pas tjetrit. O Zot! Si mund ta harroje atë skenë?...
Të vjetër, të dalë boje, me sponde të çarë dhe tërë ndryshk, të mbingarkuar me një pirg njerëzish, shumica të rinj, me flokë të gjatë të lagura nga djersët dhe të veshur keq. M’u dukën ata Zisa si dy pleq të kërrusur, të harruar, jashtë çdo kohe, po gjithsesi ngarkuar me jetë, deri edhe te parapetet e kabinës së shoferit që i kishin çuar gomat “a terra”, siç vazhdonin ta përdornin durrsakët e vjetër këtë shprehje të mbetur që nga koha e pushtimit italian.
I njihja mirë këta lloj Zisa-sh. Ishin kushërinj të zetorëve të dikurshëm me ato ecejaket e pafundme: Vilë-Bashtovë, Gosë, përroi i Pajovës dhe anasjelltas, ngarkuar edhe ata deri aty ku s’mbante më me zhavorr, për rrugët, që s’mbaruan kurrë së shtruari.
“Zisat e kooperativave këta”, mendova në heshtje. “Fytyra e vërtetë e socializmit ngadhnjimtar të një diktature të egër.”
Ndalën përpara këmbëve tona dhe unë pashë me dhimbje dhe trishtim dhjetra, mos qindra jetë të hidheshin nga spondet në tokë, në tokën e tyre, ndoshta për të fundit herë, në kërkim të një jete tjetër, më të mirë, më të begatë, në liri, drejt lirisë, edhe pa e njohur atë mirë.
-Urrraaa!... Urrraaa!...
Shkuam pas tyre, apo na mori turma me vete, as që mund ta kuptoje, kur ishe bërë njësh me të. Shtrëngova me njërën dorë dorën e Gjergjit, me tjetrën atë të Lumes dhe mezi arritëm që të mos shkëputeshim prej asaj turme.
Dhe ja, më në fund, e pamë atë anije. Atë, që gjithkush aty e kish quajtur në heshtje shpëtimtaren e tij.
-Urrraaa!... Urrraaa!... - Brohoritje edhe nga kuverta e anijes përballë.
M’u ngul thellë, diku, ajo pamje. Si një gozhdë. Një gozhdë e ndryshkur, trupmadhe, e gjatë, e frikshme por edhe e dhimbshme, e trishtë pa fund, ngulur në det, si të ish ngulur në trupin e atij që ish ngjitur dikur, mes mundimesh, në Golgotë. Ish ngjitur për t’u dhënë njerëzve shpresë në çdo kohë, edhe nëse ata e kishin pësuar dhe po e pësonin, pas dymijë vjetësh, po nga ajo. Gozhdë e vjetër, ngulur në detin-njeri…Shpresë e panjohur. Shpresë tek liria. Shpresë tek e mira e munguar.
“Gozhdë e mallkuar”, fola përsëri me vete. “Gozhdë, që s’e kuptuan kurrë, apo s’deshën, atë që solli nga pas: dhunën dhe mjerimin, pa pendesën dhe faljen. Dhe s’e ndalën, as kanë ndër mend ta ndalin…”
-Vapori ”Vlora”, - sikur më foli dikush aty pranë.
-Po, - ia ktheva. - E lexova. Ja, atje, anës bashit. Mezi duket
nga ndryshku.
-Mirë dhe kaq, - ma ushqeu ai bisedën, por s’iu përgjigja më. S’e kisha parë ndonjëherë atë fytyrë. Vetmbrojtja më thoshte se kishte akoma provokatorë. Madje këta mund të bëheshin akoma më të rrezikshëm në këtë mjedis ku luftohej për ekzistencë.
Përballë një kataná, që pak më parë e kisha quajtur me vete një gozhdë. Qëndronte paralel me kalatën, jo më shumë se dhjetë metra larg.
Ca shkallë prej litari të trashë ishin lëshuar nga spondi
anësor gjer poshtë, pranë ujit. Nëpër ato hipnin në rresht burra dhe çuna, me mbathje, me pantallona. Një pjesë duke mbajtur me njërën dorë grumbullin e rrobave që kishin hequr. Ç’ngjitje e vështirë dukej vetëm me njërën dorë!... Një përqafim i çuditshëm me shkallën dhe një hap më lart, një, dy, tre, hap pas hapi.
“Rrugë pa kthim”, thashë me vete. “Me rrobat e trupit”.
Dikush edhe rrëzohej, plluq në det dhe ia niste përsëri nga e para. Dhe e gjithë kjo mes britmash dhe gajasjesh me zë të lartë që vinin si nga buza e spondit lart, ku ishin rreshtuar kokë dhe krahë të panumërt, si edhe nga kalata, nga ku njerëzit përgatiteshin për t’u hedhur në ujë.
S’i kisha lëshuar duart e Gjergjit dhe të Lumes. Ata shikonin vetëm lart, te buza e spondit. As që e kishin mendjen tek unë.
-Gjergj, - i thashë me aq zë sa të mposhtte zhurmën përreth dhe të më dëgjonte. - S’ka zgjidhje tjetër, veç të hipi lart dhe të kërkoj. Mbase kemi fat.
Të dyve sikur u kishin mbetur fjalët në grykë. Ç’nuk të bënte dhimbja… Dy fytyra si prej njëlloj dylli që s’e shkrinte dot vapa. Ua mbulonin djersët apo lotët!...
Hoqa menjëherë këmishën dhe kanotieren, këpucët dhe çorapet. I lashë në tokë, te këmbët e Gjergjit. Nxora nga njëri xhep çelësat që rrinin të mbërthyer të gjithë në të njëjtën mbajtëse, të shtëpisë dhe të zyrës, dhe ia lëshova në dorë. Pastaj, po kështu, ato pak para që më gjendeshin në xhepin tjetër. Në fund, edhe orën, dhe ika pa ua dhënë dorën. S’doja t’ua shtoja dramën edhe me një skenë trishtimi më shumë. Çdo ndarje s’kishte qenë veçse trishtim, gjithmonë.
Çava midis turmës që përvëlonte djersë dhe tym duhani të qelbur dhe rashë në ujë pa asnjë mëdyshje.
Zot! Dhjetë sekonda sa dhjetë metra m’u deshën për të
kujtuar notin e parë fëminor dhe aftësinë për të qëndruar mbi ujë, për të parën herë. Pikërisht këtu, në këtë vend.
Ndodheshin këtu, atëherë, që nga koha e luftës, dy maune të
mbytura nga bombardimet angleze. Kuvertat e tyre, përmbi ujë, ishin të shpuara dhe të çara, ndërsa pjesa tjetër ishte ngulur thellë në rërë.
Qenë shkulur, vite më vonë, me thellimin e portit. Para kësaj, këtu e kishim patur kokën ne, tërë verën, bashkë me Gjergjin. Në këto grumbuj hekurishtesh të ndryshkura. Digjeshin nga vapa ato. Përvëlonin. Digjeshim edhe ne. Po, edhe pse s’i duronin tabanët e këmbëve tona, prapë këtu se këtu ne. Dhe shpëtimi? Deti. Vetëm deti… Ç’det jeshil që ishte!... Kurse tani, i zi, krejt i zi…
E kapa fundin e shkallëve. Një litar të trashë sa parakrahu im…
Prita të ngjitej burri që qe sipër meje dhe i shkova pas. Pantallonat më ishin ngjitur në trup. Kullonin. S’di sesa zgjati kjo... Kurrizin kthyer nga kalata dhe sytë, herë nga ndryshku i vërdhemtë dhe herë nga qielli i kaltër… Dhe më në fund dy duar që m’u zgjatën nga sipër. Ua zgjata edhe unë njërën dorë. Ma mbërthyen fort.
-Hooooo - hop! - u dëgjua dhe befas u gjenda në kuvertë.
Vetëm atëherë munda të vërej përmasat e vërteta të kësaj që po ndodhte. Një tragjedi e vërtetë në radhën e atyre që kishin nisur muaj më parë, madje vite dhe shekuj.
Njerëz rrotull, ngjitur, që të shikonin. I çfarë lloji ishe!... Edhe këtu, djersë, hekur përvëlues nën tabanët e këmbëve, tym duhani të qelbur, dhe erë urine, urine dhe fekalesh gjithashtu. Një përzierje që të mbyste…
-Mirëtheerdhe! - foli dikush pas shpinës. Ktheva kokën. I mungonin tre nga dhëmbët e përparmë. Tri gropa të zeza në vend të tyre. Ato ia çensuronin, pa lindur akoma, tingullin fishkëllues “s”.
“Patri!” i thashë vetes. “Ç’hyn këtu çensura? Të është
ngulitur dhe s’të del dot? Po edhe mund të hyjë. Këtu edhe mund
të vritesh… Dhe mos ta marrë vesh njeri… Kisha dëgjuar për të tilla ngjarje edhe pak muaj më parë, në mars…
Atij personi iu përgjigja vetëm me një ngërdheshje.
Duhej të lëvizja. Lëviza. Po e ndjeva veten në një zor të pajetuar. S’kisha hipur ndonjëherë në një anije me përmasa të tilla. Dikush nga turma përmendi fjalën “oqeanike”. Vërtetë oqeanike ishte. Nga dikush tjetër dëgjova edhe se ajo sapo kish ardhur nga Kuba, me sheqer.
“Përsëri thashetheme”, thashë me vete. “E ku është ky
sheqer kështu?”
Disa të tjerë përflitnin vetë anijen ku kishim hipur. Sikur ish rrëmbyer, sikur kish mbetur me pak ekuipazh, sikur disa po përpiqeshin të mblidhnin ekuipazhin, drejtuesit, teknikët. Pa ata as që mendohej të niseshin, madje as mund ta nxirrnin anijen përmes kanalit në radë… Flitnin se diku po bisedohej për këtë… Po ku dhe si… Asgjë akoma.
O Zot! Mos kisha hipur në një anije të rrëmbyer, vërtet? Po nga kush? Ku ishin piratët?... Nuk shihja piratë. Një popull i tërë që kish hipur gjer te direkët, pranë flamurit dhe zgjateshin drejt tij? E ç’t’iu bënte flamuri? Kishte fuqi t’i mbronte?
Aspak, aspak, aspak…
Një qytet i tërë brenda një anijeje. Flitej për mijëra. Dhe ndiheshin mijëra, vërtet. Një mollë të hidhje përpjetë as që arrinte në dyshemenë e kuvertës. Po brenda?... Ç’bëhej brenda? Poshtë?... Në kabinat e ekuipazhit, në korridoret?... Në sektorin e motorëve?... Po në hambar? Sheqeri kuban ishte shkarkuar apo kish mbetur atje?... Mua, vetëm zeheri më kishte mbuluar…
Orën e kisha lënë në breg dhe s’doja të pyesja për të. Ora kish ndalur që kur kisha rënë në ujë. Provova të çaj përmes turmës. Çava aq sa munda. Po ishte punë që s’bëhej. Mision i pamundur të përballeshe me masën e saj të ngjeshur.
Nisa të thërras me zë të lartë:
-Shkolla Gjergj Kastrioti, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu! Ka ndonjë nga Gjergji këtu? Shkolla e mesme Gjergj Kastrioti.
S’po dija ç’të përmendja më dhe këtë përmendja? Thirrje të
kota, në ajër. Veshë të shurdhër. Askush s’të dëgjonte. Zallahi,
zallahi e plotë.
“Po unë, jam në vete”, pyeta veten. “E kam kthyer historinë së prapthi, me shekuj. Sa keq!... Në ato vite sterrë, kur hija e një perandorie të madhe po na rrëmbente edhe diellin”.
“Po ç’them kështu?”, vazhdova të pyes veten. “Mos ikën edhe Gjergj Kastrioti vallë, bashkë me të tjerët?... Drejt brigjeve italiane?... S’ia doli dot këtu dhe… Jo-jo... Ai duhet të jetë i fundit… Duhet të ketë mbetur këtu. Ndryshe?... Fundi… Mos u boshatistë kurrë ky vend!... Mos u ktheftë kurrë në hapësirë boshe!...
“Po ç’hyn matematika këtu, Patri xhan?”, qe pyetja e fundit, si të ishte shkruar mbi një pergamenë, varur diku, në një mur, në fund të njërës prej rrugicave të mendjes që të nxirrte në sheshin qëndror të saj, plot dritë qartësuese.
Po i hidhja hapat si në kllapi. Ora, edhe pse për mua kish ndalur, kish punuar për gjithë të tjerët rrotull. Toka kish vazhduar të rrotullohej dhe dielli tashmë ish përkulur paksa nga deti. Dukej. E vura re. Mesdita kish mbetur prapa.
E ndjeva veten të rraskapitur dhe të uritur. Buzët dhe gojën të njelmëta nga kripa e detit. Kisha hipur dhe kisha zbritur shkallë të brëndshme pa mbarim. Kisha kaluar nëpër ca rrathë të nxehtë e të errët ferri. Orë të tëra. Po më kot. Margaritin s’e kisha parë gjëkundi. Sa mirë që e kisha penguar Gjergjin të vinte pas meje!
Befas, m’u kujtua ai mëngjes i marsit të kaluar, tek stacioni i autobusave urban, në Shkozet. Gratë me fëmijë në trotuar. Kishin zbritur nga anija dhe po ktheheshin mbrapsht,në shtëpitë e tyre. Falënderonin Zotin, me zë të lartë, që u kish lënë fëmijët gjallë. Dhe si ca çekanë të mëdhenj xhenerikësh, që goditnin hekura tërë ditën, më kishin goditur në tru fjalët e tyre që atëherë i kishin shkëmbyer me njëra-tjetrën:
“T’ia tregoj varrit, moj motër. Varrit t’ia tregoj, se ç’kam
hequr…”
Ufff!... Ç’më kujtuan varrin ato. Ferri po, ferri më kish
kaluar nëpër rrugicat e mendjes pak më parë. Po ndryshe ishte varri. Të godiste më shumë. Ishte hiç. Hiç i zi…
S’kisha ç’të bëja më aty. S’e kisha menduar asnjë çast se kjo anije kataná mund të kthehej papritmas në një varr. Jo. Ndodhej një popull i tërë brenda. Mes tij edhe Margariti. Jo dhe jo…
Fundja, ata po shkonin të gjithë drejt vendit të ëndrrave… Dhe
unë prapë, tërë ato orë, s’kisha mundur ta gjeja djalin.
Sikur më lehtësoi mendimi që ai ndodhej një mes mijërave, që bashkë me problemet, merrnin me vete ëndrrën. Dhe ëndrra nuk vdiste kurrë. Kjo ishte vërtetuar pas aq vjetësh edhe në kohën kur shpresat kishin nisur të ftoheshin.
Nisa t’i afrohesha spondit. M’u dogjën tabanët e këmbëve nga hekuri përvëlues i dyshemesë. Iu afrova atij dhe pashë anës, poshtë. Njëra nga shkallët shërbente për ata që kërkonin të zbritnin. E kishin tërhequr dhe e kishin fiksuar ca çuna aq lart nga sipërfaqja e ujit, sa askush të mos e arrinte ta përdorte për t’u ngjitur. Rrëshqita me zor në drejtim të saj.
Befas, atje poshtë, në shesh, u dëgjuan një sërë bilbilash.
-Policia, - thirri dikush.
-Policia, policia, - përsëritën disa të tjerë.
-Policët, policët… Po tani?... Tani?... - Rreth meje gjindja sikur ngriu.
Hodha sytë poshtë, atje. Vërtet, dukeshin ca policë të
shpërndarë gjithandej. Lëvizjeve të tyre u shkonin nga pas ca bilbila me fishkëllimat e tyre rrëqethëse. Po njerëzit sikur ishin mësuar me to, vitin e fundit. Nisën të sprapsen me ngadalë dhe me përtesë.Me gjithë këtë turma u largua nga buza e kalatës. Sheshi u boshatis.
Nëpër dy litarë, lidhur rrotull kalunjve* prej hekuri të
ndryshkur dhe varur në det, u ngjitën njerëzit e fundit që kishin mbetur në ujë. Dy çuna që si dukej po i pritnin, u përkulën buzë kalatës u shtrinë dorën dhe i ndihmuan të ngriheshin lart.
Dhe unë s’prita më. Kapa shkallën, mbërtheva me dy duart litarët dhe zbrita me një frymë gjer atje ku mbaronte ajo.
Pastaj, me një “hop” u hodha pa zhurmë në detin që kish nisur të nxihej. Dielli, që kish kaluar nga ana tjetër e anijes, i kish lëshuar hijen rripit të detit që ndante anijen nga toka. Dhe unë, pa u larguar akoma ata, nëpër të njëjtën rrugë, u gjenda lart, në shesh, në këmbë, qull dhe me pantallonat për t’u shtrydhur.
Bilbila përsëri, bilbila, po këtë herë larg, andej nga porta e
madhe që kish mbetur e shqyer.
Atëherë shëtita sytë përreth dhe ashtu pa e kuptuar, shfryva, këtë herë me zë:
-Po tani?...
*
Atje, përtej sheshit, përtej edhe kangjellave rrethuese, Gjergjit dhe Lumes u ishte shtuar edhe një e tretë, Vojsava.
Ç’kishte ndodhur, vallë?...
Isha i zhveshur nga mesi e lart. Mornica më shkonin në tërë trupin. Dielli po humbëte fuqinë dhe unë çapova drejt tyre. Policët as që u përpoqën të më ndalnin. Dukej që interesimi i tyre ish përqëndruar në ndalimin e hyrjeve. Sa për daljet, ato ishin të lira, sipas dëshirës. I hodha sytë mbi ta. Asnjë shenjë nervozizmi, përballjeje. Si dukej kishin marr urdhër. Urdhër edhe për të qeshur, sigurisht. Dihej, e qeshura ulte tensionin.
Kulloja i tëri kur u afrova te grupi i të treve. Ngrita dorën të shtrydhja flokët. Të shkurtër dhe gjysmë të thinjur sikur më kishin mbetur përpjetë. M’u duk sikur s’donin të shtroheshin, ashtu ngrirë nga kripa dhe ngatërruar me rreze të vakëta dielli. Nga vrimat e hundës më kullonin ende ca pika uji të njelmët, që më kilikosnin buzën, atë që tashmë e kisha çliruar dhe detyruar të qesh.
I pashë në sy të tre.
-S’e gjeta djalin, Gjergj, - i thashë menjëherë. - S’e gjeta, Lume, - përsërita, para se t’i përqafoja. - Atje të dukej sikur kërkoje një gjilpërë brenda një mullari kashte. Sipër dhe poshtë. Kudo. Labirinte pafund. Por kam një ndjesi se kjo histori do të përfundojë për bukuri… Janë me mijëra sipër, një qytet i tërë dhe sa më shumë të jenë, aq më shumë fryhet çështja. Do të ndërhyjnë të mëdhenjtë. Kështu mendoj. Si një vit më parë, me ambasadat.
Gjergjit i dridhej buza. Në të zezën e syve përshkëndiste një rreze e kuqe dielli që më jepte ndjesinë e një dhimbjeje të madhe. Ndërsa Lumja e mbante veten. Ishte një grua e fortë ajo, e dija.
-Kështu i them dhe unë këtij, - u hodh ajo dhe më shkeli syrin.
-Ky është një zhgënjim i madh, - tha ai.
-Pa diskutim. Shumë të rinj kish brenda, - nxora unë nga buzët që dridheshin. - Thirr këtu e thirr atje, s’lashë vend, gjer tek motorët. Po nga “Gjergj Kastrioti” s’m’u përgjegj kush. Fëmijë ende. Do jenë fshehur diku. Ndoshta, të gjithë sëbashku në ndonjë kabinë marinarësh. Në disa të tilla që hyra, kishte grumbuj edhe me tridhjetë vetë.
-Patri! Ti po dridhesh, - më ndërpreu Vojsava. - Të solla
pantallonat dhe të tjerat. Ndërrohu tani! Po ikën dielli. Kërkon të marrësh ndonjë të ftohur?.
-Këtu, në rrugë? Je në vete?
Se ç’nxori ajo nga trasta që i varej në njërin krah.
-Merre, - tha. - Çarçaf. Mbështillu. Ja, këtu.
-Ku të vajti mendja dhe ty…
-Erdhi Lumja… M’i tregoi të gjitha.
Ia mora nga dora atë që ajo e quajti çarçaf. Dy metra basme qe. E njoha. Një nga ato mbulesat me të cilat mbroheshim netëve të verës nga fresku i dritares, apo pickimi i mushkonjave. Të gjitha lulet dhe të gjitha ngjyrat ishin stampuar mbi të.
S’e zgjata. E rrotullova rreth vetes dy herë dhe e fiksova në bel. Ata të tre nisën të qeshnin nga ajo figurë e çuditshme. Madje, sesi edhe më rrethuan për të më mbrojtur nga sytë e tërë atyre që ndodheshin tashmë në rrugë, jashtë rrethimit. Po askush prej tyre s’shikonte nga ne. As që i bëri përshtypje kujt kjo qenie e gjatë e hollë cilindrike me një sfond kangjellash të ndryshkura në kurriz, që e kishin ndarë qiellin rripa-rripa. Sytë i kishin tek policët dhe tek anija përtej.
“Rrethim për të qeshur”, i thashë vetes. “Gjithsesi, luaj
duart, Patri!”
S’kaloi shumë dhe i kisha veshur të gjitha, deri tek çorapet dhe këpucët.
-Kështu, po, - tha Vojsava.
-Ikim.
-Ikim, - përsëriti ajo. - Kështu siç jemi. Tërë kjo ditë. Ju të tre s’keni futur gjë në gojë. Po na presin. Drekë e darkë bashkë. Tinës s’i rrijnë duart.
Gjergji dhe Lumja u panë në sy, por nuk kundërshtuan.
“Janë orë ankthi. Kalohen me miq…”, mendova unë.
Lëvizëm. Nga prapa sikur na shtynë rrezet e përflakura të diellit. Mes një lumi njerëzish. Me zhurmërimë fjalësh. Para nesh një grup të rinjsh. Fjalë me zë të lartë.
-I vutë re policët? - pyeti dikush prej tyre.
U shihnim vetëm kurrizet. Të përflakura edhe ato. Të jepnin idenë se energjia ishte aty. Edhe në ikte me perëndimin e diellit, do të kthehej prapë nesër.
-Ishin të sjellshëm kësaj here.
-Pse, ç’ka ndodhë?
-Vërtet, të sjellshëm.
-E po, s’dini gjë ju? Qytetin tonë, ka ditë që po e drejtojnë
demokratët.
-Jo, re…
-Po, re. Nuk e dishe ti Lush?
-E nga ta di Lushi, o tarallak?
-Po s’besoj se osht kjo.
-Kjo osht, kjo. Për nder…
-Duhet të ketë edhe arsy të tjera.
-Ç’të tjera thu, mor çun? Kaq shpejt i harrut ata që qenë?
-Epo…
-Pa diskutim…
-S’i harrum, jo.
-Ja që s’janë njësoj.
-Prit se osht herët.
-E ç’na duhet ne, herët, vonë?...
-Nuk shef ti, o Mil? Qorr je? Kështu qe para një muji?
-Mbase të jashtmit… Kanë ndërhy…
-Ke të drejtë. Edhe unë e lidh me t’jashtmit.
-Ç’lesh t’jashtmish, mer!… Jemi ne që e lujmë sumën.
-Rrofsh! Kur ndryshum ne re? Mrenda natës, a?
-S’keni sy, ndaj flisni kështu.
-Fol, fol ti… Si të dush… Unë do ta provoj prapë. S’mbarun vaporët… O rrotë! S’kemi kafshatë buke në shpi…
Ndërkaq, ata i kishin shpejtuar këmbët dhe s’po dëgjoheshin më. Ne kishim mbërritur në trotuarin e djathtë të rrugës tregtare. Tani kishte dhe njerëz që vinin përballë. U ndamë dy me dy. Ishte e pamundur të ecnim në një rresht. Bërryla, supe, plot. I nxorrëm gratë përpara. Ne nga pas.
Gjergji më kish futur krahun.
-Të pashë. U mërzite, Gjergj, - i thashë unë. - Po është e përgjithshme kjo. Ti kujton se jeta do të vazhdojë të jetë e pamëshirshme me ne? Ky planeti ynë shkon përpara vetëm duke ruajtur ekuilibrat. Kompensimi na rri mbi kokë, nga natyra apo nga Zoti. Merre si të duash. Problemi qëndron në atë që duhet pranuar nga ne pa asnjë shtysë më shumë. E ke dëgjuar shpesh nga unë atë shprehjen e vjetër: Zoti e boftë mirë?!
Ai nuk foli, por e pashë që e futa në mendime. Ndjeva
sikur po ecte, jo në trotuarin më të rëndësishëm të qytetit por mbi një rrafshinë akulli, diku afër polit të veriut ku edhe fryma të jepet me zor.
-Zoti e boftë mirë, Gjergj, - i përsërita unë ndërkaq për ta nxjerrë nga ajo gjendje ngrirjeje. - Ne s’kemi kërkuar kurrë
shumë për të qenë të lumtur. Të ishim vetëm të barabartë me
gjithë të tjerët. Na mjaftonte…
Ai mbeti përsëri brenda heshtjes. Me cigaren e ndezur në buzë, që kish mbërritur afër fundit. Edhe ai e kish patur të dashur si unë zonjën heshtje dhe cigaren maskë të kësaj dashurie, mos e kishte edhe dashuri të dytë… Po ndërkaq, edhe unë mbeta po ashtu, në pritje që të fliste ai.
-Të jetë i vërtetë ndërrimi i pushtetit në qytetin dhe rrethin tonë, - hamendësoi Gjergji më në fund, sapo hoqi bishtin e cigares nga buzët.
-Besoj, - ia ktheva. - Dhe ditë të mira do të vijnë pas kësaj. Do përpiqem ta takoj Masarin këto ditë. Ndoshta edhe që nesër. Është anëtar në kryesinë provizore të degës lokale të PD-së. Të shohim, edhe në është i vërtetë ky lajm, deri ku do të shtrihet pushteti i saj.
Kaluam përgjatë murit anësor të Komitetit Ekzekutiv dhe dolëm në sheshin qëndror.
-Të kujtohet, Gjergj, kur morëm “mandatin”, - e pyeta unë befas. - Ja këtu. Zbritëm këto shkallë dhe shkuam anës shatërvanit, përmes lulishtes, me ca hapa të ngathët, sikur na kish lidhur dikush me litar dhe na tërhiqte me zor. Ishte shtator. Tani mesi i gushtit. Më shumë se njëzet vjet kanë kaluar. Atëherë e kisha quajtur shatërvanin me ironi, krenar. Si të ishte qenie e gjallë. E ç’krenar ishte ai?... Sesi më ish dukur ai currili i mekur i ujit që mezi hidhej përjetë. Ndaj me mendje e kisha futur te raca e impotentëve.
-Ha ha ha… Ku të shkon mendja?... Si të punon kështu?...
Artist...
E ndala një çast dhe e ktheva nga shatërvani, por edhe nga shkallët e gjëra prej granili të Komitetit.
-Stop, - i thashë. - E shikon?... Po ajo pamje si atëherë. Asgjë s’ka ndryshuar. Ka qënë një provë e madhe, e trishtë dhe e dhimbshme… E kaluam Gjergj. E mundëm shatërvanin dhe impotencën e tij. Kemi familje, kemi fëmijë. Seç kam një parandjenjë… Ne që dikur i kemi zbritur ato shkallë me “mandatet” në duar, do t’i ngjisim një ditë për të marrë një “sihariq”. Të dëgjojmë një zile drithëruese edhe ne… E thashë mirë?...
-Mbete ëndrrimtar, Patri.
Më futi krahun dhe nxituam. Gratë kishin shkuar shumë përpara.
-I dëgjon cërr-cërr-et, Gjergj, i dëgjon? - i thashë dhe, pa pritur përgjigje, vazhdova:
-A nuk ngjasojnë me cërr-cërr-et e zileve, qoftë edhe të një shkolle të vogël fshati?...
* Konstruksione metalike për lidhjen e cimave në kalatë.








Comments