SHEFKI KARADAKU: 11 POEZI
- 39 minutes ago
- 6 min read

Fjala e Lirë – Londër Arkiva gusht 2012
Nuk e kam fjalën këtu për analogjinë me elementet konkrete, po për atë ndjenjë që vjen prej kësaj analogjie, për atë mall dhe për atë dhimbje, për atë dashuri që shtrihet tutje, shumë larg dhe që është në të njëjtën kohë e përhershme, sepse duke vdekur ringjallet dhe megjithatë asnjëherë nuk zotërohet plotësisht. Kjo është melodia që zgjon “Feniksi”. Agim Cerga, shkrimtar Gazeta “Rilindja”, 18 nëntor 1993
Verë Khajami
Do të pi verë si Khajami
në mbrëmjen e turbullt të dimrit
Do të pi kur qyteti në rrëmujë s’mendon asgjë
dhe mbetet i zbrazur nga lulet dhe hëna e brirtë
dhe është më e shurdhër se heshtja
do të pi në birrarinë e mbushur me Dionizë
në tryezën me kokën e Bakut në sfond
bakanalet e mia le të jenë kupa dhe nata
për të pirë s’është kurrë vonë dhe as shumë herët
për të pirë ditët që s’venë në Hadë
për të pirë atë që mbetet në sofrën e njerëzve
për t’i thënë frikës shko
për të guxuar të flasësh me gojën e Zeusit
për të hipur si perëndi përkohësisht në Pind
përkohësisht
përkohësisht
1985
Erë
Do t’i them erës
që të trokasë në shpirtin tim
që të zgjojë kambanën dhe shkopin magjik
le të gjëmojë kambana në muzg
dhe le të zgjohet qyteti i lodhur me bori
le të zgjohen pleqtë
dhe të mendojnë se janë përsëri shkopi magjik
le të zgjohen makinat
që mbartin dasmat në qytet dhe vdekjet në Tartar
dhe që kthehen për t’i thënë qytetit
se do të zbresë dhe ai me makinë një muzg
kur të gjëmojë kambana e fundit
e të jenë pirë butet e vjeshtës me karafil në buzë
dhe të jenë dehur kasnecët e tij
gratë vithebuta të qejfit me dy shegë në gjoks
femrat që zbresin nga taksitë me shijen e burrit në trup
vajzat lozonjare
dashnoret e një shorti që troket nazik
le të gjëmojë heshtja
le të them për të kam shijen e ditës në gjak
le të them se era që zbriti një çast
do të marrë pëllumbin tim në krah
pëllumbin shurdh
Ofelia fshatare
Si Hamletin Ofelinë fshatare
me sy të marrë e pashë madhërisht
dhe i thanë të tjerët ai është i marrë
dhe njëkohësisht pa rëndësi si bisht
Si Hamletin ajo më pa e lodhur
me kurorën e Ofelisë ende në flokë
dhe i thanë të tjerët ai është demon
me kokën e një mjellme si maskë të ftohtë
Dhe unë atëherë thirra si i çmendur
se me të vërtetë si centaurët jam
ndryshe s’do të jetoja si të tjerët
pa qenë demon dhe mjellmë e bardhë
Ndryshe si Hamleti do të vdisja me shpatë
me një Horac oriental si shok
ndërsa Ofelia në afshin besëpakë
maskat s’do m’i flakte si truk i kotë
Pasuri gjethesh
Unë jam i pasur vetëm në vargje
dhe mendimet i kam si pasuri të shpejtë
unë nuk kam Nju Jork dhe Boston në faqe
veç qytetin tim provincial me shegë
Unë nuk kam pasur mistere të tmerrshme
veç gëzimit që shkundet në darkë si frut
dhe s’i kam provuar pijet rokfelere
veç qytetit tim provincial si muzg
Unë nuk di të bëj e dashur dhurata krezi
veç puthjes së gushës me yllin e madh
dhe nuk di se si ndizet mbi Amerikë venusi
veç qytetit tim provincial si plak
Unë të blatoj ty ullinjtë e veshur me mjegull
dhe një varg që e shkula nga shpirti i ri
me automobil kuarci nga Florida s’erdha
veç qytetit tim provincial fëmijë.
Xhezbanisti
Dëgjoj një këngë xhazi
i vetëm i trishtuar si plak treqindvjeçar
dhe mendoj se si pas xhazit ka plazh të kaltër
dhe vila me pisha në dritare e zogj në majë
dhe rrugë të gjera
autostrada
Grataçiela që si devetë kokat i kanë në re
pyje madhështore dhe pista me femrat në gjoks
automobilat rrëshqasin si në fusha me ar
buzëqesh bota me të shtatë mijë qytetet viganë
me të shtatë sytë e gjelbër
me shtatë fate në zë
deti më magjeps me përrallat e Andersenit
përkëdhel gjymtyrët e plota dhe s’fle
era mbi kabina gris flokët e kaltër si shtrigë
dhe gjuhët i bën lesh e li
për të lënë thelbin e një nate me hënë si borë
për të lënë prehjen e butë me gotë në dorë
për të lënë emrin njeri dhe jo gjuhët etruske
për të lënë fjalën dashuri
të transkriptueshme njësoj
në të treqind gjuhët e botës.
Penelopa
Qëndis si Penelopa
këngën e vetme
që sulmon gjoksin dhe mendimet me forcë
për ta harruar në mëngjes
dhe për ta filluar sërish në darkë njësoj
si rrugët zgjaten këngët
të futura në sirtar dhe jo në zemrat e njerëzve
jo në pamjen e vajzave të buta
të mbyllura në sirtar si në një kasafortë të zezë
të kyçura nga heshtja dielli dhe era
nga zëri kureshtja vrasja nga çdo gjë
të mbyllura në vetminë time
përloten mijëra vargje si mijëra vajza në prill
të qepura në pëlhurën e pamatë të fillthit
me të cilën s’do të vishet magjishëm zemra e shkretë
e s’do të zbukurohen libraritë si me barin e hidhur
drogën për të cilën ia vlen të mbyllesh me kyç
dhe për të cilën nuk vlen asnjë gëzim i bujshëm
si për pëlhurën e Penelopës që s’endet kurrë
dhe me të cilën s’do të vishet asnjë vajzë
asnjë nuse asnjë femër në shtrat
asnjë grua e bukur në plazh
asnjë Penelopë e majme
asnjë mish i bukur i fortë i epshëm si gur
asnjë darkë me pak djathë e me vezë në tryezë
asnjë mbrëmje me dy palë buzë në relief
asnjë shtet
Penelopa ime e vetme fli dhe duro kohë
më të mirë
për të cilën ia vlen të zgjasësh pëlhurën vigane
deri kur të mos kem më gjak
deri kur të mos kem asgjë.
Magjistarja
E kam pyetur shumë herë magjistaren jetë
se ç’është njeriu i lumtur dhe ajo s’ka thënë asgjë
për të mos më bërë më fatkeq se kaq
për të mos më ngarkuar dhe me një ankth më shumë
për të më lënë pak të verbër e pak të shurdhër
për të mos kuptuar se pas qytetit të bardhë
është fusha zbrazja hënëza e blertë
është udha me kosë
magjistrica si sfinks
më e thatë se të gjitha
dhe për të cilën ia vlen të harrosh.
Holl i heshtur
Pi një kafe në shtëpinë e heshtur
në tryezën ku fëmijët thyen urinë
dhe i buzëqeshën shpresës së brishtë
pi një raki në peizazhin e zbehtë
në gotën ku ka pirë dhe gruaja e qetë
dhe i buzëqesh të nesërmes pa lot
pi një cigare në ajrin e zbutur
me sytë e mbushur me prillin e madh
dhe i buzëqesh ditës që s’troket kot
Dorianit, Albanës
Erdha dhe një çast për t’ju puthur në buzët lodërtare
të skuqura nga piktorja jetë me kërmëz
erdha një çast të prek duart e buta
si puplat e një mjellme motake në gjumë
erdhi ora që të iki me shkopin e hallit
i mbështetur si te drurët tradhtarë
për të nxjerrë për ju diçka më të mirë
më të pasur se një i varfër
ose më pak se një kuletë pa gjë
për të kafshuar ju gjalpin e mëngjesit
do të nisem tren më tren për lart
që të fle në hotele të lirë
që të ha më pak dhe të fle më pak
sepse kështu kërkojnë ata që duhet
për të na dhënë pastaj një mal me fjalë
fjalët tani janë më të lira se gurët
një fjalë s’kushton sa një fletë në vjeshtë
po fjalët për fat të keq nuk hahen
nuk bëhen si simitet
ose si djathi, mishi, gjella e nxehtë
fjalët janë buka e korrjeve të lira
fjalët që janë bosh
fjalët pa testament
Pelegrinazh hënor
Do të nisem sonte
për pelegrinazhin e botës
me krahët e erës avionit tim të shpejtë
avioni im pa helikë e krahë
si përrallat e Sheherazades
do të ngrihet mbi të gjithë malet e lartë
dhe unë si piloti i saj i marrë
me flokët dhe krahët në ajrin e bruztë
do të endem tri ditë në qiellin e kaltër
do të fle tri net në Paris si Simbad
do të rri në mëngjese në Floridën e pasur
do të zbres tri orë në Madrid pastaj
do të puth tri femra mulate në buzë
do të kthej në gotë verë në Romë
pa pasur asnjë qindarkë
as pasaportë as emër
as moshë as prehje, as lodhje, as vaj
as gjumë, as shokë
me një sy të stërmadh në ballin e zi
me një zemër të stërmadhe në gjoksin e nxehtë
me gjakun e heshtur
ilegalisht.
Kahje e njëjtë
Më thonë se ka rrugë që të çojnë
në Francë në Europë
më thonë se ka avion interflug
reaktivë helikopterë vaporë
më thonë se ka aeroporte
holle luksoze birrari gjigande
autostrada pafund
më thonë se ka Paris
që s’i gjendet kurrkund shoku Vjenë më treqind
emblema arti në gur
Londër me fytyrën e Dikensit në portë
më thonë se ka hotele
që lulëzojnë nga palmat gratë vera magjitë
metro kapriçioze
trolejbuzë libra lotuse poetë viganë
më thonë se është një babiloni
me njerëz astrologë
Po unë kam vetëm një kahje
që di vetëm një rrugë plakë në botë
di vetëm një guidë
punë, rrugë, shtëpi
di vetëm një autobus
me mbishkrimet e një mijë udhëtarëve në llamarinë
dhe me xhama sakatë si invalidë
pi vetëm një verë: ujin
njoh vetëm një njeri: meskinin
Do të desha të isha dhe unë fluturak
i shpejtë si era i palodhur si dita
për të jetuar me treqind zemra në gjoks
për të qenë treqind herë më i madh se dje
për të ndërtuar grataçiela
për të thërritur si Stentori
buçimën e luftës…








Comments