Vaso Papaj: Mëdyshje prej Shekspiri
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 30, 2025
- 3 min read

I heq zvarr këmbët rrugëve, ndërsa era fort më rreh faqet.
Pas më ndjekin shtjella pluhuri, s’vjellin fije tym oxhaqet.
Mbi kurriz çanta e vjetër, mbushur plot rëndon nga rraqet.
Veç beton e kulla të larta, s’ka më parqe, “ish” janë parqet.
Ham-ham, langonj na ndjekin, numërojnë të bukës çapa.
Na shijojnë në tava të pjekur, si të ishim nga Shiroka, krapa.
Të ushqyer dhe të nginjur, na duan hije, lidhur nga prapa.
Thonë me vete: “E mo! Janë fëmijë. Mbyllur gojën me kapa”.
Linda, ti më ndjek për dore. Dora ime ngjanë copë druri.
Don të flasësh po s’flet dot, si t’ kesh pranë një faqe muri.
Linda, të lexojë tek sytë: ti m’kërkon vendim prej burri.
Bashkë të ikim gjer në vdekje, se të kam më shumë se nuri.
Ne do të nisim rrugëtim tjetër, pa Rozafat, pa dhe Brutët,
S’durojmë më përrallë të vjetër, me Ali Babë-dyzet hajdutët.
Dhe pse kurrë s’e duam luftën, zgjasin gishtin: ja rekrutët,
Po s’na ngopin më me ato joshjet: “bravo studentë, s’u tutët”.
Rresht shtëpitë në lagjen tonë, kyçur porta, nxinë dritare.
Do të shkojmë rrugëve të botës, se kjo e jona ësht’ kusare.
Të ikim bashkë gjer prapa diellit, veç ai na mbron pa pare.
Drita e tij do e mposht mallkimin, këtë etje për kollare.
Linda pra, më zërë për dore. Është e jotja dhe prej druri.
Edhe ajrin na e vodhën, pas kësaj do të vlojë dhe huri.
Linda, ta lexojë tek sytë, atë mëdyshje prej Shekspiri:
“Të rrosh a mos rrosh këtu! Qofsh më i keqi, qofsh më i miri?!”
Është sëmurur koha
Është sëmurur koha,
Gjallë me zor nuk mbahet.
Nga shkëlqimi i rremë, limfa e trupit thahet.
Nga vrapimi i marrë, zemra e saj veç çahet
E prapë në grahmë të fundit, në jetë kërkojnë të mbahet.
Ёshtë sëmurur koha,
Ta shëroj, a mundem?
Ndonëse fjalën kam dhe nga e imja s’tundem.
E çjerrur, e vjedhur, e shpallur e çmendur
Dhe prapë pa faj fajtorët, tribunave janë dendur.
Një SOS
Një SOS poeti besoj se ia vlen,
Është i sinqertë, nga ankthi shpërthen,
Kur dashuria nga shpirtrat nis-del,
Kur shkon kuturu, si varka pa vel
Atëherë dhe poeti s’arrin ta përmbajë,
Ndaj kërkon SOS-in tek ju ta shpërndajë.
Nuk jam asgjë e nuk jam askush,
Por gjithçka e dua me zemrën prush.
Një lot, edhe i vetëm, më robëron.
Një dritë pas hekurash gjumin ma zgjon.
Era me retë ka burgosur një qiell,
Ndaj SOS-in tim ju sjell e risjell.
Po s’qenka thënë të jem anonim,
Se një poet i ngjan yllit në agim.
Dhe në luftofsha si Don Kishot
Dhe për armk, vet boshllëku më qoftë,
Do të kthehem prapë si një ylldritë
E nesër, mëngjeset do t’jua përndritë.
Është SOS poeti, ndaj dhe ia vlen.
S’e ndjeni, miq? Nga ankthi shpërthen!...
Se dashurinë çdo ditë që kalon,
Si varkë mes detit tufani largon.
Nga bregu ynë, nga ky djep i shenjtë,
Me vete po merr gjer dhe shpërgenjtë.
Gurët
(motive petromarkiane)
Ikën djem, u kthyen pleq,
I kish lodhur udhë e gjatë.
Sapo mbërritën te përroi,
U bën gurë e mbenë në paqë.
Vite shkuan, atje mbenë
Udhëtarë, a i shikoni?
Tok me ta pini kafenë
E me lule i mbuloni.
Duan fikun dhe ullinë,
Të mos mbeten në vetmi.
Dhe dikë t’u ndez qirinë,
Të dëgjojnë një potpuri.
Papo ujë që zbret nga përroi,
I përkëdhel, i mban të bardhë.
Sa herë urën e kaloj,
Them me vete: Ja, kanë ardhë.









Comments