Vaso Papaj: Lëkurë e rreshkët

Lëkurë e rreshkët
Munda të shoh Tiranën, nga fëmijët të pikturuar,
Nëpër klasa kopshtesh, ku qielli është zënë peng.
Ku tiranas, gojëmbyllur, me zemër diku harruar,
Shëtisin rrugëve me libra, trasta, benza, indiferentë.
Tirana është shtrirë si një faqe gazete suplement,
Ku me shumicë, falas, gjen falsitet mbi falsitetin.
Ku secili nxiton, fjalor të ri të nxjerrë nga xhepi i vet,
Të përdor ca fjalë të huaja, të humbas identitetin.
Qielli i Tiranës këtë vjeshtë, sikur në sy duket i qetë,
Po na gostit me shi vuajtjesh, në indiferencë të plotë.
Një ditë më pak në kalendar, që sot, për ne, do të ketë,
Pluhur kozmik na quajnë, rënë pa dashje në këtë botë.
Sot në Tiranë mbijnë, kurdo e ngado, lloje qivuresh.
Dhe s’ka askund, asgjë, qoftë një qiri, për të shpresuar.
Është trishtim të rrish i vetëm brenda katër muresh.
Sigurisht, mos sot, nesër, do të fundosesh, i harruar.
Tirana duket se e njeh tashmë dëshirën që troket.
E netëve mbase kërkon të mëkatojë, të mëkatojë…
S’është idiote demodé… E bën me të vërtetë!...
Pastaj, e lodhur, e mashtruar, s’di tjetër ç’të kërkojë.
Tiranë!... Lëkura ime e rreshkët, truri, shpirti im!!
Tiranë!... Je e ndezur tërë kohës si një llambadar.
Nën tavanin e përjetësisë, të lutem, jepmë pak besim.
Heshtja jote është: vetëm i thelli, gjumi im i parë.
Një dhunë qorre e ka kthyer në një shtrat për lugetër
Edhe qiellin tënd fluturues që më mbyt mushkëritë.
Po prej kohësh që s’harrohen, ky pullazi ynë i vjetër,
S’besoj kurrë, se befas do të vdesë, mëkateve një ditë.
Se Tirana ka kohë që ëndërron heshtur një tjetër jetë.
Kjo e sotmja s’është “gjë tjetër”, veç një rendje kuturu.
Do të doja, në këtë udhë, të ish mik me veten ky qytet.
Vetëm kështu nuk do të vdiste kurrë, vetëm kështu.








Comments