Vaso Papaj: Ai dhe Ajo
- 11 hours ago
- 1 min read

Ç’do të ndodhte,
Nëse ata, njëri tjetrit vërtet i përkitnin?...
Do mundnin të gërmonin shpirtin
Dhe të rrëfenin, atje brenda, çfarë do shihnin?!
E çdo të ndodhte,
Nëse jetës histori të rëndomta s’do t’i kërkonin
Dhe për ëndrrat e thurura s’do dinin,
Në mjaftonin a s’mjaftonin?
Njëri në një skaj të qytetit, tjetra në skajin tjetër.
A do mund t’i rezistonin
Asaj që është sa bota, e vjetër?
Qyteti qe tashmë i madh.
E për dikë që dot s’ëndërronte,
Bari i vetëm në atë periferi gërmadhë,
Me furrik pulash do të ngjasonte.
Po mijëra veshët e tij ishin të shurdhët ngado.
Këtë zbulonte Ai, këtë edhe Ajo?
Edhe pse i përkitnin njëri tjetrit,
S’i jetonin dot netët bashkë në këtë qytet…
S’e arrinin një qira furriku në periferi,
Lere pastaj në qendër apo në buzëdet.
Dhe shihnin njëri tjetrin,
Konsumoheshin me pretendime gjer në hiç.
Ndoshta se kishin lindur
Larg kohës së shtëpive me qerpiç?...
Ndaj e kishin humbur besimin të gjenin një çati.
Kështu thoshte Ajo, kështu edhe Ai…
Tek shtatëmbëdhjetat
Njerëzit s’mund të dinë nesër ç’u del.
Të dashurosh është sikur të lozësh,
Sikur të jesh mbuluar pa dashur me një vel.
“Ç’të ka kapur” thoshte Ai.
“Ç’don të më thuash” ia kthente Ajo.
“Nëse s’di të kthehesh pas,
Të më fshish, provo!”…
“Thuamë dhe një fjalë
Para se përtej detit të shkosh”
“Gjithë botën të uroj, patjetër!
S’di në do të mund t’i rezistoj
Asaj që është sa bota, e vjetër!”...
S’dihet nëse koha do ta treste këtë ndjesi.
Vallë këtë kërkonte Ajo, këtë edhe Ai?
Se tashmë s’ishin po ata
S’ishin më fëmijë...








Comments