top of page

Vasil Premçi: Ruzhdi Baxhaku – Një shok, një mik, një misionar

  • 2 hours ago
  • 24 min read

Kujtime të trazuara…

 

            Duke shkruar këto copëza kujtimesh, ndiej një ngutje të brendshme që, me këtë vrapim pas në kohë, të shkoj sa më parë në atë kohën tjetër, të dikurshme, me dëshirën për ta takuar edhe një herë, si dikur, mikun tonë të vyer…

Në portretin që Robert Kastor i bëri Zigmund Frojdit në vitin 1925, shkruhej:

“Vdekja ilaç s’ka, e gabimit s’i është zbuluar rregulli.”

Jeta është një dhuratë e paçmuar dhe, me sa duket, e vetmja pasuri dhe qëllim i njeriut. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse i blatojmë njëri-tjetrit urimin fisnik: Fat të mbarë!

Ndërsa fati, pa sy e veshë, sillet përreth nesh si një tymnajë misterioze… Dhe koha, si një mulli gjigant që lëviz nga e kaluara drejt së ardhmes, vijon të “gëlltisë” bijtë e vet, ndërsa ne jetojmë fatin tonë…

Me sa duket, jeta qenka dhurata më e shtrenjtë e natyrës! Eh, moj jetë, je dhuratë që nuk duhet çuar kot. Atëherë na mbetet vetëm një rrugë: ta jetojmë atë me nder e dinjitet, sikurse e jetoi miku dhe shoku ynë, Ruzhdi Baxhaku.

Poeti i madh rus, Aleksandër Pushkini, ka një poezi për jetën:

Karroc’ e jetës ecën shpejtë,

Sido që është e ngarkuar;

Dhe karrocieri, koha vetë,

S’qëndron gjëkund për të pushuar.

N’agim, me gaz ne udhëtojmë,

Dhe kokën s’pyesim të lëmë,

Përtesën, dhelet, i përçmojmë,

Bërtasim: “Jepi! Ç’i…!”

Po në mesditë, të kapitur,

E mbledhim veten, kemi frikë,

Çdo proshkë e gropë të papritur,

Thërrasim: “Me ngadalë, o mik!”

Karroca rend, në mbrëmje vonë,

Mbi të dremisim ne të heshtur,

Gjersa arrijmë strehën tonë;

Dhe koha kuajt nget pa reshtur.

Megjithatë, për secilin prej nesh vjen një ditë, sikurse e përshkruan shkrimtarja franceze Elsa Triolet:

“…Edhe para, edhe prapa qëndron e panjohura, e pafundmja… Dalim nga tuneli i pafundësisë vetëm gjatë kohës së jetës sonë… Për një çast bëhet dritë dhe menjëherë – lamtumirë! Prapë në tunelin e pafund!”

“Akti i fundit,- vëren Blez Paskal,- është i përgjakur, sado e bukur të ketë qenë komedia në të tërën: më në fund hidhet perdja dhe kështu mbaron në jetë të jetëve.”

Michel de Montaigne ushqente një dashuri të veçantë për jetën, me dëshirën “…të zgjas funksionet e saj aq sa është e mundur; dhe që vdekja të më gjejë duke mbjellë lakra, por moskokëçarës ndaj saj dhe, ca më tepër, ndaj kopshtit tim plot të meta.”

Gëzimi i të jetuarit është e vetmja liri dhe mundësi që na ka ofruar natyra. Keq ose mirë, jeta njerëzore është një udhëtim drejt së panjohurës, që nuk do ta dimë asnjëherë se ku na shpie. Por pikërisht kjo e bën aq tërheqëse atë!

Përfytyrojeni vetëm një çast jetën pa të panjohurën tronditëse, që secili prej nesh beson se e pret gjatë kësaj udhe. Sa e trishtë dhe e mërzitshme do të ishte ajo!

                                                Dita e parë e njohjes…

Nëpunësi i shërbimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës më njoftoi se më kërkonte një ushtarak me emrin Ruzhdi Baxhaku. Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër. Sidoqoftë, zbrita shkallët dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin.

Përballë kisha një burrë të hijshëm e shtatlartë. Pamja e tij nuk tregonte moshën e vërtetë. Ai nuk kishte ende asnjë thinjë në kokë, ndonëse çuditërisht, edhe kur u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare, shumë pak thinja të argjendta i vezulluan mbi tëmtha.

— Jam Ruzhdi Baxhaku, nga Ministria e Mbrojtjes. Dëshiroj të konsultohem me ju për një problem — nisi të flasë, ndërsa u drejtuam tek kafja e ministrisë në katin nëntokësor.

Kur u ulëm, në pritje të kafeve, ai vijoi:

— Jam përballë një oferte për të punuar në sektorin e Emergjencave Civile në Bashkinë e Tiranës. Disa kolegë të mi ushtarakë, që ju njohin, më rekomanduan t’ju takoj si specialistin më të vjetër të Emergjencave Civile në vend. Kam nevojë edhe për një orientim profesional, ose më mirë të themi, për këshillat tuaja.

Për të shkrirë sadopak atmosferën midis nesh, ia ktheva:

— Jam gati, por me një kusht. Ju do të kryeni pranë meje një kurs disa mujor, me laps e fletore, për të cilin do të paguani vetëm kafet e mëngjesit.

— E pranoj me kënaqësi — u përgjigj ai duke qeshur — por, nëse më lejoni, mendoj që ndonjëherë ta tejkalojmë kërkesën tuaj edhe me ndonjë gotë raki e një kalastren (zog pule).

Dhe, me të vërtetë, të nesërmen ai i pagoi kafetë e mëngjesit, por midis nesh u vendos një rregull, të cilin u përpoqëm ta respektonim me korrektesë.

Ruzhdiu shprehu kënaqësinë që po miqësohej me një xhenier të vjetër, por edhe më shumë u gëzua kur mësoi se ime shoqe kishte nënën nga familja e vjetër tiranase, Muça, që kanë banuar brez pas brezi dhe banojnë edhe sot në lagjen “Bardhyl”, në kufi me spitalin “Nënë Tereza”.

Madje, kur miqësia jonë u forcua gjatë këtyre njëzet viteve, ai më prezantonte me kënaqësi dhe me një farë mburrjeje në mjediset shoqërore, si një shok që kishte njërën këmbë në Tiranën e tij, sepse kishte gruan me rrënjë tiranase.

Dhe shtonte, duke mbajtur në dorë gotën e rakisë:

— Pse, a nuk është burri nga fshati i gruas?

Ndonëse shprehej se kishte respekt të veçantë edhe për origjinën time, Mbrezhanin e Përmetit.

Specialisti i Emergjencave Civile i Bashkisë së Tiranës

Gjatë miqësisë sonë me Ruzhdiun, konstatova me kënaqësi se ai ishte një oficer serioz dhe i vëmendshëm. Pas emërimit pranë Bashkisë së Tiranës, kërkoi të mësonte gjithçka dija unë për Emergjencat Civile.

Kultura dhe njohuritë ushtarake që zotëronte e ndihmuan të shkëlqente shumë shpejt edhe në këtë fushë. Them me plot gojën se Ruzhdiu e pasuroi figurën e specialistit të Emergjencave Civile.

Duke sjellë ndërmend figurën që ai krijoi, mendoj se cilësitë e lindura që zotëronte e ndihmuan të dilte në ballë të elitës së specialistëve të Emergjencave Civile.

Shprehem kështu duke ditur se Emergjencat Civile përshkohen fund e krye nga koncepti i mbrojtjes së pasurisë më të çmuar të shoqërisë: jetës njerëzore dhe çdo gjëje të gjallë.

Tani që Ruzhdiu nuk jeton më, mund të them pa hezitim se do të vijë një kohë kur përzgjedhja e specialistëve të Emergjencave Civile do të përfshijë edhe kriterin e zotërimit të ndjenjës humane, sikurse e kishte ai.

Ai u është gjendur pranë dhjetëra e qindra njerëzve të goditur nga fati dhe fatkeqësitë. Qëndrimi i tij plot dashuri dhe ngrohtësi ushqente tek ata edhe më shumë shpresën, dashurinë dhe besimin tek jeta.

Ruzhdiu mbante gjithmonë pesë mijë lekë në një xhep të brendshëm, si një rezervë të paprekshme për çdo rast emergjent.

Në bagazhin e makinës së tij gjendeshin kurdoherë, për çdo situatë që mund të krijohej: një palë çizme të gjelbra, një fener ndriçimi, një mushama shiu dhe një çadër.

Ruzhdiu jo vetëm ishte lidhur me institucionet e parashikimit të motit, por ndiqte edhe ato të vendeve fqinje. Ai e dinte mirë se cila rrugë në Tiranë mund të përmbytej nëse shiu binte më shumë se një apo dy orë.

Gjatë orëve në vazhdim të një moti të përkeqësuar, nuk do të kishte qetësi e prehje për nëpunësin e Emergjencave Civile të Bashkisë së Tiranës, derisa ai të njoftonte një për një të gjithë drejtuesit e planifikuar për përballimin e rreziqeve.

Ruzhdiu arriti të krijonte hartën e rreziqeve të Bashkisë së Tiranës.

Ndonjëherë më ka telefonuar edhe në orën 24:00, nga fronti i punës për mbrojtjen apo shpëtimin e jetës së banorëve që rrezikoheshin nga dalja e ujërave të lumit të Tiranës.

Bisedat tona profesionale vijuan gjatë gjithë jetës sonë.

Një shaka e vogël në aeroportin e Nju-Arkut, në Nju-Xhersi

Në të vërtetë, në asnjë vend tjetër të botës nuk më kishte ndodhur që shërbimet e kufirit të më zhgarravisnin vizën e pasaportës. Dhe kur ndodhi kjo në Aeroportin e Nju-Arkut, pranë Nju-Xhersit, më shkaktoi një mërzi të papritur.

Shoqëruesit tanë na sqaruan se punonjësit e aeroportit e zhgarravisnin vizën për ta bërë atë të papërdorshme. Duket se për ta nuk ishte e mjaftueshme vënia e vulës së hyrjes në Amerikë, e cila e dëshmonte një gjë të tillë.

Një praktikë të tillë nuk e aplikon asnjë vend i Bashkimit Evropian. Përballë dukurive të ndryshme mund të bësh lehtë edhe dallimet përkatëse në fushën legjislative e juridike.

“Ja përse Evropa është Evropë dhe vendi ynë e ka vendin atje dhe askund tjetër”, përsërita me vete.

Por, si në shumë raste ku shfaqet dhe nxjerr kokën sjellja absurde e vendeve për të cilat jo vetëm kemi ëndërruar, por edhe i vlerësojmë si parajsa tokësore, edhe këtë rast na u desh ta kalonim me humor.

Duke e ditur se fleta e vizës amerikane të pasaportave tona ishte zhgarravitur dhunshëm, i thashë mikut tim, Ruzhdiut, i cili deri në atë kohë mbante në pasaportën e tij, lajm e thaj, vetëm një vizë gjermane, me të cilën, siç thoshte vetë me humor të çiltër, “krenohem para katunarëve të mij”.

Si të gjithë ne të tjerët që kishim pasur rastin dhe fatin të kishim katër a pesë viza daljesh jashtë shtetit, edhe ai tani ndihej krenar që kishte në pasaportën e vet vizën amerikane.

Pasi përjetova vetë këtë akt, në radhën e pasagjerëve që kalonin për të hyrë në territorin e SHBA-së, tashmë si një qytetar amerikan, dola me shpejtësi në radhën ku pritej të kalonte dhe kontrollohej edhe pasaporta e Ruzhdiut.

            E dija fort mirë veprimin që do të kryente mbi pasaportën e tij një kapter amerikan, i shëndetshëm si një buall, shtatlartë, i cili nuk i hoqi për asnjë çast nga sytë syzet e errëta.

Në kohën që kapteri po hiqte me një lapustil të zi disa viza rradhazi nga njëri skaj i pasaportës së Ruzhdiut, sajova aty për aty një shaka:

            — Më vjen keq që ta zhgarraviti në atë mënyrë pasaportën tënde punonjësi i shërbimit të aeroportit!

            — Pse, ju të tjerëve nuk ua kanë prishur vizën? — më pyeti Ruzhdiu i sikletosur.

Për ta bërë gjendjen më dramatike, ia ktheva:

            — Me sa di unë, personaliteteve jo. Mua, për shembull, personi i kontrollit më nderoi dhe ma ktheu pasaportën pa asnjë lloj shënimi.

(Ndërkohë që, në të vërtetë, ushtaraku që kontrolloi pasaportën time i hoqi asaj një vijë të gjatë me bojë, nga njëri skaj në tjetrin, sa mendova të vija duart në kokë.)

            — O torobell, çfarë po bën ashtu me pasaportën time? — iu drejtua Ruzhdiu kapterit amerikan të aeroportit.

Kaq ishte dashur që, i mërzitur, t’i jepte edhe një të sharë alla-shqiptarçe.

Për t’i mbyllur derën keqkuptimeve të mëtejshme, e sqarova me shpejtësi se kisha bërë shaka me të, sepse edhe pasaporta ime ishte trajtuar njësoj. Dhe menjëherë i tregova pasaportën time.

Gjithçka pastaj kaloi duke qeshur.

                                                Me ciceronin e Muzeut në Filadelfia

            Delegacioni shqiptar i Emergjencave Civile kreu një vizitë në Muzeun Kombëtar në Filadelfia. Hymë në një ndërtesë dykatëshe. Në qendër të saj qëndronte dukshëm një kambanë e madhe, por e krisur. Ishte Kambana e Pavarësisë së Amerikës.

Grupin tonë e shoqëroi ciceroni Larry Macclleney (Lari Maklenei).

            — Kjo është zona më historike e Amerikës — nisi të tregojë ai.

Lari të jepte përshtypjen se ishte ndarë fare pak vite nga mosha e rinisë. Kishte trup të gjatë dhe pak të hollë, siç do të thoshin italianët, pra të brishtë.

Fillimisht nuk të binte në sy ndonjë gjë e veçantë në portretin e tij. Dhe, nëse nuk do të kishim pasur privilegjin të dëgjonim shpjegimet e tij aq të këndshme, të përqendruara dhe të thella për historinë e Amerikës, me siguri portreti i tij do të zbehej shpejt në kujtesën tonë.

            Për më tepër, Lari duhet të kishte vuajtur në fëmijërinë e hershme nga ndonjë sëmundje me temperaturë të lartë, e cila, kur nuk vihet në kohën e duhur nën kontrollin e mjekut, mund të lërë pasoja në ekuilibër, si dhe ndonjë ngërç të herëpashershëm në fytyrë e njëfarë vështirësie në të folur.

Por me shpirtin fisnik që natyra e kishte pajisur atë djalë, me sjelljen plot xhentilesë dhe me mënyrën e bukur si shqiptonte shprehjen: “Yes, Sir!”, ai na fitoi shumë shpejt zemrat.

            Nuk di si ta shpjegoj ndryshe, por ai djalë i thjeshtë dhe inteligjent na la një përshtypje të jashtëzakonshme.

Gjatë atyre ditëve kisha takuar mjaft kolegë, madje edhe burra shteti e gjeneralë, por portreti simpatik i Larit, i njeriut të thjeshtë dhe të kulturuar, më hyri thellë në zemër.

U ndjeva i lumtur që kisha njohur nga afër një amerikan të vërtetë si ai.

Ruzhdiu e dëgjonte me vëmendje çdo fjalë që shqiptonte Lari. Në një pauzë, unë dhe Ruzhdiu bëmë disa fotografi së bashku me të.

E ndërmend shpesh portretin e Larit, që buzëqeshte me sy e me zemër si një fëmijë. Dhëmbët e tij të bardhë shkëlqenin si alabastër.

Ende më jehon në vesh gurgullima e të qeshurës së tij të çiltër dhe pastaj shprehja:

            — Yes, Sir!-pas çdo propozimi që i bënim për të kaluar në pavijonin tjetër.

Në atë çast Ruzhdiu më pëshpëriti me trishtim:

            — Krahasoje vetë këtë ciceron të mrekullueshëm me ndonjë nga ciceronët tanë plot përgjumje të muzeumeve!

            Ah, sikur ta dëgjonin dhe ta shihnin ata vetë, vetëm një çast, si shkëlqenin sytë e Lari Makleneit dhe sa e lumtur ishte ajo fytyrë e tij, por edhe sa përgjegjësi reflektonte, kur fliste për Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veprën e burrave më të shquar amerikanë: Xhorxh Uashingtonit, Beniamin Franklinit etj.

Me tregimet e tij, Lari na ktheu në vitin 1776, kur përfaqësuesit e 13 kolonive amerikane u takuan në këtë godinë, në Godinën e Pavarësisë, dhe diskutuan problemet që kishin lindur me Britaninë e Madhe.

            — Kolonitë — na shpjegoi Lari — shtruan problemin se nuk po zbatoheshin të drejtat e tyre. Kështu shpërtheu lufta në vitin 1776. Por më 4 korrik 1776 u shpall përfundimisht Pavarësia, ndonëse lufta do të vazhdonte edhe për gjashtë vite të tjera.

Kolonitë bënë aleancë me Francën dhe Spanjën kundër Anglisë. Por edhe ne vetë nuk ishim të bashkuar. Kishim 13 monedha, 13 shtete dhe ligje të ndryshme.

Më 1787 u hartua Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegati i Filadelfias ishte Beniamin Franklini.

            Ai i pyeti delegatët për kuptimin e figurës së gdhendur në shpinoren e karriges së presidentit, ku paraqitej një diell me rreze pranë një vije si horizont:

            — Nuk më thoni, vallë, ky diell është Amerika që po perëndon apo po lind?

Tashmë kjo ndërtesë simbolizon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse pikërisht këtu u hodhën themelet e shtetit të ri amerikan.

Për dhjetë vjet Filadelfia shërbeu si kryeqyteti i Amerikës.

Trembëdhjetë shteteve të para iu bashkuan më pas edhe shtete të tjera. Pyetja ishte: A do të trajtoheshin ato si të barabarta me të tjerat?

Siç dihet, në Kushtetutën amerikane vendin themelor e zënë të drejtat dhe detyrat e shtetasve amerikanë.

Çdo shtet kishte monedhën e vet. Kongresi unifikoi monedhën amerikane.

Kjo që po ndodh sot edhe me Evropën.

Xhon Adamsi u bë presidenti i dytë amerikan, pas Xhorxh Uashingtonit, i cili vendosi ta linte pushtetin pas tetë vjetësh.

Kongresi vendosi t’i paguante borxhin Francës, prandaj u themelua Banka e parë amerikane.

Në sallën e Kongresit jo çdo shtet kishte karrige për delegatët e vet. Kur ziheshin vendet, delegatët e tjerë mbeteshin në këmbë.

Madje tregojnë për një senator të moshuar, i cili në stinën e dimrit vinte tre orë para, për të zënë një vend pranë oxhakut me zjarr.

                                                            Një anekdotë miqësore

            Meqenëse takonte dhjetëra miq e shokë edhe gjatë kalimit nga Ministria e Transportit tek godina e Bashkisë së Tiranës, që i ndanin vetëm disa metra, i kisha sugjeruar të ishte më i kursyer me kohën e tij.

Por ai nuk hoqi dorë nga miqësia dhe kujdesi ndaj kujtdo që do t’i kërkonte ndihmë.

Një prej anekdotave të sajuara miqësisht për Ruzhdiun ishte edhe kjo:

Një mëngjes, duke ngjitur shkallët e Pallatit të Kulturës, nga ana e xhamisë, mora në celular Ruzhdiun.

            — Ku je tani? — e pyeta.

            — Në Sauk — m’u përgjigj. — Pse, mos ke ndonjë hall?

            — Jo, thjesht një konsultë të shpejtë për një problem pune.

Ndërkohë, duke ngjitur shkallët, dola pranë librarisë “Ardion”.

Mos harroni, kjo është një anekdotë…

Syri më zuri tutje, pranë hyrjes së Operës, Ruzhdiun që po ulej në një tryezë me dy miq. Rrallëherë mund ta shihje atë të vetmuar.

Ndërkaq dëgjoj në celular sërish zërin e Ruzhdiut:

            — Dëgjo, vërtet unë jam në Sauk, por nëse ti ke ndonjë problem, më ke aty për dhjetë minuta!

Tashmë që i isha afruar dy-tri hapa larg tryezës së Ruzhdiut, ia ktheva:

            — Po ti nuk je raketë kozmike!

Kur mbërrita pranë tij, tërhoqa karrigen e lirë dhe u ula pa e hequr celularin nga veshi.

Kur më pa, Ruzhdiu shtangu një çast, pastaj e kapi situatën dhe m’u drejtua:

            — Shiko, këtë që më bëre sot, mos ma bëj më tjetër herë!

            Sa herë e dëgjonte këtë anekdotë, Ruzhdiu nuk kundërshtonte, por buzëqeshte si i zënë në faj, duke thënë:

            — Ndonjëherë situatat na detyrojnë të sajojmë edhe ndonjë gënjeshtër të bardhë, por pa dëm!

            Ruzhdiu e pëlqente shumë letërsinë dhe tregimet e bukura. Ai më ka treguar disa episode me dëshirën që të shkruaja ndonjë tregim sipas atyre motiveve.

Njëri prej tyre mund të quhet: “Kthesa e gjelit”.

Episodi tregon se si topografët që kishin piketuar drejtimin e një rruge, për ndërtimin e së cilës duhej të shembej një shtëpi, pas një darke që u shtroi i zoti i shtëpisë me verë dhe gjelin e farës në tavë, ndryshuan drejtimin e rrugës.

Kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë, por edhe sot e kësaj dite ajo kthesë quhet nga banorët e fshatit:

                                                            Kthesa e gjelit!

            I ndikuar nga filozofia e Leon Tolstoit, i citoja shpesh mendimin e shkrimtarit të madh për ushtarakët, në librin “Ringjallja”:

            “…Në përgjithësi, ushtria i korrupton njerëzit, i vë ata në kushtet e një parazitizmi të plotë, d.m.th., nuk u jep mundësinë e kryerjes së një pune të dobishme dhe të arsyeshme, i çliron nga detyrimet që ka çdo njeri ndaj shoqërisë, duke krijuar vlera të rreme, duke u ngjallur dëshira të dëmshme, nderim konvencional të armës, të uniformës, të flamurit, një pushtet të pakufizuar ndaj vartësve dhe një nënshtrim prej skllavi ndaj eprorëve…”

            Në romanin “Lufta dhe Paqja”, Tolstoi shkruan:

            “…Edhe pas rënies në mëkat, njeriu e ruajti dëshirën për të ndenjur pa punë, po mallkimi hyjnor rëndon gjithmonë mbi të, jo vetëm sepse ai duhet të fitojë bukën e gojës me djersën e ballit, por edhe sepse, nga vetë cilësitë e tij morale, nuk e ndjen veten të qetë duke shkuar kohën me limonti…”

            Ndaj kritikave të Tolstoit, Ruzhdiu përgjigjej:

            “ Mendoj se kritikat e shkrimtarit të madh rus janë dy arsye më shumë për të ngritur edhe më lart figurën e ushtarakut.”

Me dhjetëra miq e shokë të mi, me sjelljen dhe dashurinë që u falte pa kursim, Ruzhdiu bëri më shumë miq se sa unë.

Ai mbeti mik i të gjithë atyre që patën rastin ta njihnin nga afër.

                                                Botëkuptimi fetar i Ruzhdiut

            Brezi ynë ka trashëguar “dhuratën” e mrekullueshme që na kanë lënë Rilindasit:

“Feja e shqiptarit është Shqiptaria.”

            Në kohën tonë, megjithë ekuilibrin dhe mirëkuptimin e drejtuesve fetarë, në terren evidentohen forca okulte fetare që përpiqen ta cenojnë këtë klimë paqeje dhe bashkëjetese.

Brezi ynë ia doli ta mbajë të pacënuar atë.

Ne u rritëm në frymën e ateizmit. Por sot do të na shkonte ajo thënia e Umberto Ecos:

“Kur njerëzit pushojnë së besuari në Zot, nuk është se ata tashmë nuk besojnë në asgjë; tani ata besojnë në gjithçka.”

Mbaj mend se një herë, në ditën e Bajramit, duke u kthyer për në shtëpi, Ruzhdiu më pyeti:

            — Sa vetë bëhet atë ditë familja ime?

I çuditur ia ktheva:

            — Ti e di sa jemi, mos ndryshojmë çdo ditë?

            Kur mbërritëm pranë pallateve “Halili”, ai zbriti nga makina dhe hyri në një ëmbëltore.

Pastaj, me një pako me ëmbëlsira në dorë, m’u drejtua:

            — Ti e di që unë nuk jam ndonjë besimtar praktikant, por respektoj traditën. Të lutem, i thuaj bashkëshortes se Ruzhdiu me Rozin dëshirojnë t’ju respektojnë me këtë pako me ëmbëlsira me rastin e festës së Bajramit. Gëzuar festën e Bajramit!

                                                Ruzhdiu rrëfen për nënë Siben

            Rrëfimi i parë

            Kur u diplomova oficer, i veshur me uniformën e bukur të ushtarakut, iu paraqita nënës.

Kur më pa të veshur oficer, ajo më përqafoi me dashuri dhe nuk ngopej së vështruari. Sigurisht, ndihej krenare që edhe unë, sikurse dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Hasani dhe Eqeremi, do të mbaja uniformën e nderuar të ushtarakut.

            — O bir — m’u drejtua ajo — jam shumë e gëzuar që erdhi kjo ditë! Me këtë sebep dua të të bëj një dhuratë.

Pasi tha këto fjalë, u zhduk për disa minuta dhe doli pastaj duke nxjerrë diçka të mbështjellë në disa gazeta të vjetra.

            — Çfarë ke fshehur aty, nanë?

            — Shikoje vetë, o bir!

            I djegur nga kureshtja, hapa menjëherë gazetat e vjetra e të zverdhura nga koha.

Në sytë e mi u shfaqën një palë opinga të vogla llastiku.

Ato opinga më sollën para syve fëmijërinë time në Petrelë.

            — Mezi e kam pritur, or bir, ditën e diplomimit tat! Këto opinga t’i ka ruajtur nana t’i kesh pranë në rrugën e jetës. Mos harro i kujt je dhe nga ke ardhur. Vetëm atëherë do ta zgjedhësh rrugën e drejtë dhe nuk do të gabosh.

Fjalët e nënës Sibe mbetën gjatë gjithë jetës një porosi e shenjtë për Ruzhdiun.

            Rrëfimi i dytë

            — Si djali më i vogël, nëna ndenjti pranë meje deri sa mbylli sytë — tregonte Ruzhdiu.

            Një mbrëmje, kur po kthehesha në shtëpi, takova një shok të vjetër të shkollës ushtarake, i cili sapo kishte mbërritur në Tiranë me trenin e fundit.

Kishte kaluar ora 10 e mbrëmjes.

Sipas traditës sonë tiranase, e ftova shokun e vjetër të kalonte natën në shtëpinë time.

Atëherë kohët ishin të vështira, sepse kishte filluar racionimi i ushqimeve.

Por unë nuk u mendova dy herë kur e ftova atë në shtëpi.

Ardhja në ato orë të natës me një shok dhe mik ishte e papritur për bashkëshorten dhe nënën time.

Por nëna ime e mirë dhe e urtë më hodhi një vështrim kuptimplotë dhe më pëshpëriti në vesh:

            — Të keqen nana, dil e më sill një pulë, pastaj e di vetë unë çfarë t’ju gatuaj!

M’u kujtua se pranë shtëpisë sonë banonte shitësi i një dyqani mishi. I trokita në derë dhe ia qava hallin.

            Ai më dha një pulë nga frigoriferi i dyqanit.

Kur ia solla nënës në shtëpi, ajo gati sa nuk fluturoi nga gëzimi.

            — Tani, or bir, ulu dhe bëj muhabet me mikun e shtëpisë…

Nuk kaluan as njëzet minuta kur tryeza jonë u mbush plot.

Nëna dhe bashkëshortja ime përgatitën shumë shpejt një tavë me pulë e patate, një supë të shijshme dhe një pilaf, aromat e të cilave na ftonin të hanim me oreks.

Birrën, verën dhe rakinë i kisha me bollëk.

Jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë rrethana më të vështira, nëna ime e ka mbajtur lart emrin dhe mikpritjen e familjes Baxhaku.

Por ndoshta me këtë rrëfim e teprova pak, sepse cila nënë shqiptare nuk e bën dritë shtëpinë kur i troket në derë shoku i djalit apo vajzës?

                                                Në testin e anglishtes

            Gjatë muajve shkurt-maj 2012 u regjistruam me Ruzhdiun në kursin intensiv të gjuhës angleze në Qendrën e Gjuhëve të Huaja pranë Akademisë së Mbrojtjes.

Kursi përfshinte testimin e gjuhës angleze në tri fusha: Speaking, Reading dhe Writing.

Mësuesit e kursit ishin trajnuar në Angli dhe në SHBA. Për të filluar kursin, pjesëmarrësit duhet të testoheshin pranë kësaj qendre për të përcaktuar nivelin e tyre.

            Unë dhe Ruzhdiu, si shumë të tjerë, e filluam atë poshtë kuotës së parashikuar.

            Si t’ia bënim?

Njësoj si djali magjik i përrallave për fëmijë, që gjen zgjidhje për gjithçka, Ruzhdiu e gjeti zgjidhjen:

            — Komandanti i Akademisë, Gjeneral Agim Lala, është shoku im — më tha. — Kemi punuar së bashku; ai komandant brigade, ndërsa unë shef shtabi. Le t’i bëjmë një vizitë dhe t’ia qajmë hallin nga afër.

Kur mbërritëm pranë zyrës së Komandantit të Akademisë, zotit Agim Lala, me të mësuar për ardhjen tonë, ai doli vetë në hyrje të kabinetit dhe, duke na përqafuar, m’u drejtua:

            — Sa mirë që po e shoh shokun tim të vjetër këtu! Çfarë duhet të kthej përmbys?

Ia shpjeguam problemin. Kërkuam të na ndihmonte për hapjen e një kursi të nivelit tonë.

            — I kam thënë kaq herë Rushit, gjeje kohën, Ruzhdi, sepse ke mundësi të mësosh edhe kinezçen! — tha ai me humor.

Pasi shqyrtoi situatën, vazhdoi:

            — Së pari po bisedoj me drejtoreshën e kursit, zonjën Shqiponja Gjoliku. Ju jeni pjesë e Emergjencave Civile të Shqipërisë, që nuk mund të punoni pa gjuhën angleze. Pastaj, si ushtarakë të vjetër dhe me kontribute në ushtri, duhet t’ju vijmë në ndihmë!

Dhe me të vërtetë, ai me kolegët e tij e gjetën të “mesmen e artë”.

Kur takuam drejtoreshën, zonjën Gjoliku, ajo na tha:

            — Nëse inspektimi i drejtorisë arsimore nga ministria na gjen shkelje, përgjegjësia bie mbi gjeneralin që e ka në varësi qendrën, por edhe mbi mua. Por e gjetëm një mundësi që edhe “mishi të piqet, edhe helli të mos digjet”…

Nuk do ta nisim kursin tuaj nga mësimi fillestar, por nga mësimi 5-6, dhe do t’u porosisim trajnuesve t’ju japin njohuritë fillestare për të cilat keni nevojë.

            Kështu nisi kursi ynë.

            Çdo mësim na “ushqente” me rreth 120 fjalë të reja.

            Mua më është dashur të qëndroj deri në orën katër të mëngjesit për të mësuar dhe shqiptuar fjalët e reja, ndonëse asnjëherë nuk kam arritur t’i mësoj të gjitha ato.

Sidoqoftë, nga dita në ditë përparonim dhe thelloheshim në përvetësimin e gjuhës.

Ora e mësimit fillonte me ushtrimet e përgatitura në shtëpi.

Në njërën prej këtyre orëve, mësuesja e anglishtes kërkoi nga Ruzhdiu të lexonte ushtrimin e përgatitur.

Ruzhdiu lexoi ushtrimin, por mësuesja mbeti e pakënaqur dhe iu drejtua:

            — Sot më çudite. Ti çdo ditë je përgjigjur shumë mirë. Cili të mori më sysh sot?

Me ballin e rrudhur, sikurse ndodhte kur Ruzhdiut i duhej të përballej me një situatë të sikletshme, u përgjigj:

            — Zysh, kjo ndodhi sepse këtë radhë i kam bërë vetë detyrat!

Klasa dhe vetë mësuesja shpërthyen në të qeshura të papërmbajtura.

Pohimi i Ruzhdiut ishte më se i vërtetë, sepse për përgatitjen e ushtrimeve mua më ndihmonte vajza ime, që vazhdonte universitetin e Tiranës në degën e Gjuhëve të Huaja: turqisht dhe anglisht, ndërsa Ruzhdiun e ndihmonte vajza e madhe, Aida, që vazhdonte universitetin e Tiranës në degën e Informatikës.

Gjatë kursit të anglishtes edhe unë kalova një moment që më vuri në siklet.

Gjatë orëve të para, mësuesja na aktivizonte të gjithëve.

Për “t’ia dalë mbanë” më lehtë, unë numëroja ushtrimet dhe llogarisja radhën kur do të më binte të përgjigjesha, duke ngritur dorën lart si një nxënës i rregullt dhe aktiv.

Atij ushtrimi “ia nxora ujin e zi”.

E përsërisja në pritje të radhës.

Por, kur më erdhi ajo, mësuesja befas ngriti një shokun tonë pranë, që po bisedonte me një tjetër. Me sa duket, duke e aktivizuar atë, ajo njëkohësisht po i tërhiqte edhe vëmendjen.

Fill pas tij më ngriti mua.

Mbeta duke belbëzuar një copë herë të mirë: “Mek-mek”, mes frazave që nuk i shqiptova siç duhej.

            — Ç’ju paska gjetur edhe juve sot?! — m’u drejtua e mërzitur mësuesja.

Për pak humor, por edhe me të vërtetën brenda, iu përgjigja:

            — Sepse edhe mua, sikurse Ruzhdiut, për detyrat e shtëpisë më ndihmon vajza!

Kur dolëm nga kursi, i thashë Ruzhdiut:

            — Siç e sheh, me këtë metodë kemi dështuar me sukses të plotë. Duhet ta ndryshojmë atë sa nuk është vonë!

                                                Përfundimi i kursit të anglishtes

            Leja për të ndjekur kursin na ishte dhënë për tre muaj, por si unë ashtu edhe Ruzhdiu e kishim të pamundur të mos ktheheshim në zyrë pas mbarimit të mësimit.

Duhej të ndiqnim korrespondencën në fushën e Emergjencave Civile të institucioneve tona, sepse dihet që ato kishin afate kohore. Ruzhdiun e kërkonin më shpesh. Madje, edhe vetë drejtuesit e Bashkisë.

Kështu ndodhi që, edhe në testimin e fundit, atë e kërkuan për një situatë emergjente diku në një zonë të Tiranës.

Pak me ndrojtje, atë ditë që jepej testi përfundimtar i grupit tonë, m’u drejtua:

            — Do të më bësh një nder?

            — Përse është fjala?

            — Më kërkojnë për një situatë emergjente, ndaj nuk mund të marr pjesë në testim.

            — Çfarë lidhje ka kjo me mua?

            — Po ja, mos shko as ti në testim. Do të bisedoj me drejtoreshën e Qendrës që të na mundësojë testimin një ditë tjetër. Besoj se do të na e bëjnë këtë favor. Ata e dinë që ne të dy jemi specialistë të Emergjencave Civile, në shërbim të komunitetit.

            Ndonëse nuk e prita me dëshirë kërkesën e tij, e ndoqa nga pas.

            Ruzhdiu i njihte të gjithë drejtuesit dhe mësuesit e kursit. Isha i bindur se kujtdo që t’i drejtohej, me siguri do të gjente mirëkuptim, sepse ai kurrë nuk kërkonte privilegje apo favore.

Por Ruzhdiu njihte dhe kishte miqësi të ngushtë me vetë shefin e testimeve, zotin Bledar Vrapi, një nëpunës që zotëronte një nivel të lartë të anglishtes, sepse kishte jetuar disa kohë në Angli. Ishte korrekt dhe mjaft i sjellshëm me kolegët dhe pjesëmarrësit e kurseve.

Kishte rastisur të pinim edhe ndonjë kafe me të. Në këto raste ne bënim përpjekje të vinin në punë fjalët dhe frazat e reja që kishim mësuar, ndërsa Bledi na nxiste duke buzëqeshur:

            — Sa mirë — na thoshte anglisht — ju paskeni ecur me vrap në përvetësimin e gjuhës angleze! Por tani duhet t’i lidhni fjalët dhe të thyeni gjuhën. Veçanërisht keni nevojë të përvetësoni zgjedhimin e foljeve bazë: “jam” dhe “kam”.

Dhe kështu, një ditë të përshtatshme, ne u paraqitëm pranë shefit të testimeve të Qendrës së Gjuhëve të Huaja.

Ai kishte dijeni për lejen dhe testimin tonë.

Na u drejtua:

            — Edhe frazat e përshëndetjeve të rastit janë pjesë e testimit. Me ju të dy do të veproj kështu: do të kalojmë në kabinetin tonë. Ju do të shkruani një ngjarje, tregim, ndodhi, film apo mbresa nga një libër që keni lexuar në gjuhën angleze. Koha një orë besoj se është e mjaftueshme.

            Pastaj na udhëhoqi drejt zyrës ku qëndronin edhe dy mësuese të tjera, kolege të tij. Ua sqaroi edhe atyre nevojën për të na lënë vetëm dhe doli së bashku me to.

Ruzhdiu kishte mësuar përmendësh një përshkrim panoramik të fshatit të tij të bukur, Petrelës.

Sigurisht, siç mësova më vonë, kjo u vlerësua edhe nga shefi i testimeve, jo vetëm sepse tregonte nivelin kulturor të Ruzhdiut, por edhe sepse zoti Bledi ishte nga ajo zonë, nga Baldushku.

            Teksti i Ruzhdiut ishte pak a shumë ky:

            “I am from the picturesque village of Petrela, very close to the capital, Tirana. Petrela is a beautiful tourist center with clean air climate which is used by those who suffer from the lungs. But Petrela is also a historic center. Its castle was built in the Roman times, but it was also used by our great national hero, Skanderbeg. The sister of Skanderbeg, Mamica, also lived there…”

            “Unë jam nga fshati piktoresk i Petrelës, shumë pranë kryeqytetit, Tiranës. Petrela është një qendër e bukur turistike me ajër të pastër, i cili shfrytëzohet nga ata që vuajnë nga mushkëritë. Por Petrela është edhe një qendër historike. Kështjella e saj është ndërtuar në kohën e romakëve, por ajo është përdorur edhe nga heroi ynë kombëtar, Skënderbeu. Aty ka banuar motra e Skënderbeut, Mamica, etj.”

Pasi hodhi në letër këto mbresa në anglisht, Ruzhdiu hidhte vështrimet nga unë.

Nisur edhe nga vlerësimi i Napoleon Bonapartit për provimet: “Më mirë një betejë se sa një provim”, papritur u gjenda në një situatë favorizuese.

Në tryezën ku isha ulur, gjendej një tufë me citate në anglisht, me shprehje e thënie të njerëzve të shquar.

Në ato rrethana kjo ishte më shumë se sa të isha ulur mbi një thes me para!

Duke parë se brenda 20-30 minutave mbusha më shumë se tri faqe formati, Ruzhdiu më pëshpëriti:

            — Pashë nderin, çfarë po shkruan! Ti nuk paske të mbaruar!

            — Ruzhdi, ti e di që kur i hyj unë një pune, ia nxjerr ujin e zi! — iu përgjigja.

Dhe nuk e ngrita kokën duke kopjuar, derisa në kabinet hyri shefi i testimeve, zoti Bledar Vrapi.

                                    Testimi përfundimtar dhe një kujtim me humor

            — Besoj se koha ka qenë e mjaftueshme — na u drejtua zoti Bledar Vrapi, duke marrë në duar fletën e Ruzhdiut.

Pasi e lexoi me vëmendje, bëri disa korrigjime ortografike me stilolaps të kuq dhe, duke buzëqeshur, i tha:

            — Sigurisht, fillimet janë premtuese, por mos harro, je në hapat e para. Duhet të dëgjosh këngë, filma dhe lajme në gjuhën angleze. Duhet të lexosh tregime të shkurtra anglisht. Sidoqoftë, po të inkurajoj me notën 8!

            Pastaj u drejtua nga unë.

            Kur pa disa fletë të mbushura anglisht, i ra një hije serioziteti në fytyrë. I ngriti fletët dhe nisi t’i lexojë.

Mesa kujtoj, shprehja e parë që u hapte udhë të tjerave ishte një thënie nga shkrimtari amerikan Mark Twain:

“When truth ties up its shoelaces to hit the road, the lie has come around the world twice!”

“Kur e vërteta lidh këpucët për të nisur rrugën, gënjeshtra i ka rënë botës dy herë rreth e qark!”

Shefi i testimeve iu drejtua Ruzhdiut:

            — Shiko, ky është një rast i rrallë. Me këto që po lexoj, ky meriton një vlerësim maksimal!

            — Do të isha i kënaqur edhe me një shtatë apo tetë! — ia ktheva unë me një çehre serioze.

            — Me këto që po lexoj, meritoni nëntë ose dhjetë — tha ai.

            — Teacher — ia ktheva unë — do të isha i kënaqur me të njëjtin vlerësim si të Baxhakut!

I menduar, pa e hequr vështrimin nga shprehjet e zgjedhura, ai vuri notën 8 në fletën e fundit.

Muaj më vonë, kur kemi pirë ndonjë kafe së bashku, ua tregova këtë rastësi të këndshme.

Atëherë Bledi tha:

            — Kjo mund të ndodhë edhe në jetë! E rëndësishme është që ju i shkruat pa gabime shprehjet e zgjedhura. Në fillimet e të mësuarit të një gjuhe të huaj, edhe shkrimi korrekt është pjesë e rëndësishme e testit.

                                    Muzikanti i vogël i Shkollës “Skënderbej”

            Rreth e qark sheshit të madh “Skënderbej”, vendas dhe të huaj preferojnë të shfaqin talentin e tyre në fushën e muzikës.

Gavroshi është njëri prej tyre.

Ka një trup të bëshëm, por që mblidhet e kërruset me dashuri pranë klarinetës që shkëlqen në rrezet e diellit dhe shkrihet me melodinë që nxjerr fryma e tij.

Në fillim ai qëndronte në trotuarin e rrugës pranë sahatit, por kur përfundoi plotësisht rikonstruksioni i sheshit të madh, tani atë e gjen në hapësirën para xhamisë dhe shkallëve të Pallatit të Kulturës.

Një ditë, duke kaluar pranë tij, vura re se Ruzhdiu iu afrua dhe, pasi futi dorën në xhep, nxori një monedhë 100-lekëshe.

Muzikanti i rrugës, pasi e pa me vëmendje monedhën, ia ktheu:

            — Zotëri, ndoshta ma dhatë gabim! Kjo ju takon fëmijëve tuaj, ndërsa unë do të isha i kënaqur edhe me një lek!

Atëherë Gavroshi, me dorën e djathtë në zemër dhe duke mbajtur klarinetën me të majtën, iu drejtua Ruzhdiut:

            — Qenke zemërflori! Çfarë melodie ke qejf të bie për ty? Mos dëshiron “Ka ra faja prej fiku”? Apo “Napoleonin”? Unë e qaj edhe “A kanë ujë ato burime?”

            — Të gjitha ato melodi më pëlqejnë, sepse janë shumë të bukura. Por nuk do t’i biesh asnjërës. Tani bëj pak pushim dhe me lekët që të dhashë bli dy byrekë dhe një shishe me dhallë. Njome pak fytin dhe buzët, o mik!

            Unë jam vetë si ti, muzikant! I kam rënë që fëmijë kornos në orkestrën e Shkollës “Skënderbej” dhe e di vetë se si mpihen buzët.

Dhe më tregoi se si ishte bërë pjesë e bandës muzikore në Shkollën “Skënderbej”.

Ishte viti 1971.

Mjeshtri i madh i muzikës, Gaqo Avrazi, shkonte vetë në shkollat ushtarake për të zgjedhur talentet.

Mjaft shokë të Ruzhdiut bënin pjesë në bandën muzikore të Shkollës “Skënderbej”.

Gjatë takimeve me nxënësit e kësaj shkolle, Gaqo Avrazi bisedonte me secilin prej tyre:

            — Çfarë vegle muzikore i bini ju?

Pastaj e testonte duke i provuar dëgjimin e ndonjë mase muzikore.

Kur po i afrohej Ruzhdiut, dikush nga shokët i pëshpëriti:

            — Ruzhdi, zgjidh edhe ti një vegël muzikore! Kështu do të rrimë bashkë pasditeve.

Dhe me të vërtetë, në çastin kur silueta e mjeshtrit të madh të muzikës, Gaqo Avrazit, iu afrua pranë duke ia mbërthyer vështrimin “Skënderbegasit” trupimët si të një fëmije, u dëgjua pyetja:

            — Po ju, cilës vegle muzikore i bini?

            — Unë i bie pipzës! — u përgjigj Ruzhdiu me seriozitet.

            Klasa shpërtheu në të qeshura, të cilat nuk i përmbajti dot as Gaqo Avrazi, por, për çudinë e të gjithëve, ai sqaroi:

            — Pipza është një vegël muzikore popullore, e cila në epokën tonë moderne u shndërrua në instrumentin e kornos. Më mungon shumë një muzikant i tillë në bandën muzikore të Shkollës “Skënderbej”!

                                    Në fund të këtyre kujtimeve...

Dhe tani, ndalo e shlodhu pak, o kali i kujtimeve të mia!

Ndaloni pak, o kujtime të trazuara!

Sa të kemi jetë dhe të marrim frymë, miku ynë Ruzhdiu do të jetë me ne: në dasma, në gëzime dhe në hidhërime.

Ai do të jetë gjithmonë i pranishëm përmes kujtimeve tona, përmes veprave të tij, përmes dashurisë që u dha njerëzve dhe përmes miqësisë së rrallë që krijoi me të gjithë ata që patën fatin ta njihnin.

I tillë ishte edhe Kolonel Ruzhdi Baxhaku: një shok i vërtetë, një mik i çmuar dhe një misionar i përkushtuar në shërbim të njerëzve.

Jeta e tij nuk matet vetëm me vitet që kaloi mbi këtë tokë, por me gjurmët që la në zemrat e atyre që e njohën.

Ai ishte ushtarak, por mbi të gjitha ishte njeri.

Ai njihte detyrën, por njihte edhe dhimbjen e tjetrit.

Ai respektonte uniformën, por edhe më shumë respektonte njeriun që ndodhej përballë tij.

Prandaj kujtimi i tij nuk do të mbetet vetëm në faqet e një libri.

Do të jetojë në kujtesën e familjes, të miqve, të kolegëve dhe të të gjithë atyre që morën prej tij një fjalë të mirë, një ndihmë, një buzëqeshje apo një dorë të shtrirë në çastin e vështirë.

U prehsh në paqe, miku ynë i shtrenjtë, Ruzhdi Baxhaku!

Kujtimi yt do të mbetet i paharruar. 

 

 

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page