top of page

Vasil Premçi: A ËSHTË SHKRIMTARI GËNJESHTAR?

2 hours ago
10 min read

“Shkrimtari është gënjeshtar.” – Huan Rulfo


            Mund të jetë kjo njëra prej atyre fjalive që, po t’i dëgjosh të shprehura nga goja e një shkrimtari, të bëjnë të ndalosh për një çast dhe ta pyesësh veten: Çfarë deshi të thotë me këtë? Dhe, mbi të gjitha, a nuk është pak e tepërt ta quash gënjeshtar pikërisht atë njeri që pretendon se na tregon të vërtetën përmes letërsisë?

Dhe fjalia bëhet edhe më tronditëse kur e thotë një shkrimtar si Huan Rulfo. Por më parë le të hedhim pak më shumë dritë mbi personalitetin e Huan Rulfos nëpërmjet një “radioskopie” të lehtë letrare.

Huan Rulfo lindi më 16 maj 1917, në Sayula, shteti Jalisco, Meksikë. Vdiq më 7 janar 1986, në Mexico City, në moshën 68 vjeç, duke lënë pas një krijimtari jo të gjerë në numër veprash, por që zuri një vend të jashtëzakonshëm në letërsinë botërore. Në themel të famës së tij qëndrojnë sidomos dy vepra: El llano en llamas (Rrafshina në flakë), botuar më 1953, një përmbledhje me tregime, dhe romani Pedro Páramo (Pedro Paramo), botuar më 1955. Më vonë u botua edhe El gallo de oro (Gjeli i artë), një vepër e lidhur ngushtë edhe me kinemanë.

Por Rulfo nuk ishte vetëm shkrimtar. Ishte edhe fotograf, punoi në fusha të ndryshme, u mor me botime dhe me skenarë e tekste për kinemanë. Nga viti 1946 deri më 1952 punoi si agjent udhëtues i kompanisë Goodrich-Euzkadi; më pas bashkëpunoi me Komisionin e Papaloapanit dhe me Institutin Kombëtar Indigjenist, ku u mor edhe me veprimtari botuese. Më vonë drejtoi departamentin botues të këtij instituti.

Kjo anë e jetës së tij nuk është një hollësi biografike pa rëndësi. Përkundrazi. Ai udhëtoi, pa njerëz, vende e peizazhe, u mor me fotografinë, me historinë dhe me kulturën. Fotografi kap atë që sheh; shkrimtari e rikrijon atë që sheh. Dhe te Rulfo këto dy mënyra të vështrimit duket sikur takohen.

            Edhe vlerësimet që mori flasin për përmasën e këtij shkrimtari. Për Pedro Páramo (Pedro Paramo) iu dha Çmimi Xavier Villaurrutia më 1955; më 1970 mori Çmimin Kombëtar të Letërsisë në Meksikë dhe vetëm tre vjet para vdekjes, më 1983, iu dha nga Fondacioni Principe de Asturias në Oviedo, në Spanjë, Çmimi Princ i Asturias për Letërsinë. Juria e këtij të fundit vlerësoi, ndër të tjera, cilësinë e lartë estetike, thellësinë shpikëse, saktësinë dhe risinë shprehëse të veprës së tij, si edhe ndikimin e saj mbi narrativën meksikane dhe letërsinë hispanike.

Dhe “thellësia shpikëse” ndoshta është një nga fjalët që na duhen më shumë për të kuptuar atë që do të thoshte Rulfo kur e quante shkrimtarin “gënjeshtar”.

Madje, për të kuptuar peshën e Pedro Páramo (Pedro Paramo), mjafton të kujtojmë reagimin e Garsia Markezit. Ai e ka përshkruar leximin e romanit si një përvojë tronditëse, aq sa nuk mund të flinte pa përfunduar edhe rileximin e dytë, duke e krahasuar atë tronditje me atë që i kishte shkaktuar dikur Metamorfoza e Kafkës.

            Tani le të hyjmë në temën e diskutimit tonë. Kur një shkrimtar i tillë shprehet se letërsia është gënjeshtër dhe shkrimtari është gënjeshtar, fjala “gënjeshtar” nuk ka kuptimin moral që i japim në jetën e përditshme. Rulfo nuk po thotë se shkrimtari mashtron njerëzit. Ai po flet për natyrën e vetë krijimit letrar.

Në një intervistë të vitit 1979 me Ernesto González Bermejo, kur u pyet se çfarë ishte për të letërsia, Rulfo e formuloi idenë e tij në mënyrë të prerë: “Letërsia është një gënjeshtër që thotë të vërtetën. Duhet të jesh gënjeshtar për të bërë letërsi.” Më pas, në tekstin El desafío de la creación (Sfida e krijimit), ai e shpjegon sërish këtë ide, duke thënë se çdo shkrimtar që krijon është gënjeshtar, por nga ajo gënjeshtër del një rikrijim i realitetit.

            Këtu, besoj, fillon edhe çudia e madhe e letërsisë.

            Shkrimtari nuk e kopjon realitetin. Ai e merr atë, e përzien me kujtesën, me përfytyrimin, me përvojën dhe me botën e tij të brendshme, e zhvendos nga vendi ku e ka gjetur dhe e vendos në një realitet tjetër, atë të veprës. Personazhi mund të mos ketë ekzistuar kurrë, ngjarja mund të mos ketë ndodhur ashtu siç tregohet, vendi mund të jetë i shpikur, koha mund të jetë e përmbysur. Dhe megjithatë, në fund, lexuesi mund të thotë: Kjo është e vërtetë!

Kjo është ndoshta magjia e madhe e letërsisë. Ajo mund të largohet nga e vërteta faktike për t’iu afruar më shumë një të vërtete tjetër, më të thellë, asaj njerëzore.

Një personazh nuk ka pse të ketë ekzistuar në regjistrat e gjendjes civile që të jetë i vërtetë në ndërgjegjen e lexuesit. Madje ndodh e kundërta: ndonjëherë një njeri i shpikur nga shkrimtari na duket më i gjallë se shumë njerëz që kemi njohur në jetë.

Dhe ja ku gënjeshtari i Rulfos bëhet një figurë tjetër. Ai nuk është gënjeshtari që mashtron. Është ai që shpik.

Pasi lexon mendimet e Rulfos, të lind një dëshirë e fshehtë, por edhe trishtuese, për të zënë radhën andej nga janë këta gënjeshtarë. Letrarisht, edhe kjo nuk është një gjë e vogël, sepse shkrimtari vendoset pikërisht në atë vend ku, në emër të së vërtetës, zakonisht nuk do të pranonte të qëndronte: pranë gënjeshtarit.

Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Gënjeshtra letrare nuk është e kundërta e së vërtetës. Ajo mund të jetë mënyra e tërthortë për të arritur tek e vërteta. Këtu më vjen ndër mend një nga parimet e vjetra të mendimit grek, i lidhur me Parmenidin dhe i njohur më vonë në formën latine ex nihilo nihil fit (nga asgjëja nuk lind asgjëja).

Dhe kjo, ndonëse në pamje të parë duket sikur bie ndesh me “gënjeshtrën” e Rulfos, në të vërtetë e plotëson atë. Sepse edhe gënjeshtra letrare nuk lind nga asgjëja. Ajo lind nga diçka: nga një kujtim, nga një përvojë, nga një dëshmi, nga një dhimbje, nga një pamje e parë dikur, nga një histori e dëgjuar ose edhe nga një përfytyrim që, në çastin e krijimit, bëhet i besueshëm për vetë shkrimtarin.

            Shkrimtari mund ta ndryshojë realitetin, ta përmbysë, ta zmadhojë apo ta shpikë ngjarjen, por vështirë se mund ta krijojë atë nga zbrazëtia e plotë.

Pikërisht këtu më duket se qëndron edhe një nga pikat më të diskutueshme të deklaratës së Rulfos. Ai ka thënë se nuk ka përdorur autobiografinë e drejtpërdrejtë në veprat e tij, madje është shprehur: “Nuk kam botuar kurrë autobiografi. Nuk ka asgjë autobiografike në atë që kam shkruar.”

Kjo deklaratë duhet kuptuar me saktësi: Rulfo po flet për autobiografinë e drejtpërdrejtë si material letrar, jo domosdoshmërisht për çdo ndikim të jetës së tij mbi krijimtarinë. Por, edhe duke e marrë kështu, kjo mëton të presë në rrënjë ose të thajë një nga burimet e artit dhe letërsisë: përvojën e jetuar.

Është njësoj, le të themi, si ujërat e një katarakti, që e dimë fort mirë se zbresin nga lart poshtë, kurse, kur duam t’i ngremë lart, duhet të përdorim patjetër motorpompa apo sisteme të ndryshme hidraulike. Në letërsi, përvoja e jetuar është rrjedha natyrore. Duke mohuar burimet jetike të përvojës dhe të biografisë, është si të presësh vetë rrënjën e veprës artistike.

A do të ishte shkruar vallë kryevepra e Hemingway-t A Farewell to Arms (Lamtumirë, armë!) nëse ai nuk do të kishte marrë pjesë në Luftën e Parë Botërore? Përvoja e luftës u bë burim i drejtpërdrejtë për romanin, edhe pse ai nuk e kopjoi thjesht jetën, por e shndërroi në art.

Nga ana tjetër, Tolstoi nuk ishte fizikisht në betejën e Borodinos, por në Lufta dhe Paqja ai solli skena të jashtëzakonshme të betejës mes ushtrisë së Napoleonit dhe asaj ruse të udhëhequr nga Kutuzovi. Pra, edhe kur nuk është përjetimi personal i drejtpërdrejtë, shkrimtari nuk krijon nga hiçi. Ai shfrytëzon dëshmi, kujtime, libra, burime, dëgjesa dhe, mbi të gjitha, e kalon gjithçka nëpër filtrin e imagjinatës dhe të botës së tij.

            Kështu, shkrimtari nuk është kopjues, por rikrijues.

            Nga diçka lind diçka; nga hiçi nuk lind gjë. Dhe kështu, edhe shpikja letrare nuk del nga boshësia. Ajo lind nga ajo që ekziston, sado e vogël apo e padukshme. Në këtë kuptim, gënjeshtra letrare nuk është bosh, por e mbushur me jetë të rimenduar.

Shkrimtari mund të shpikë atë që nuk ka ndodhur, apo të ndryshojë atë që ka ndodhur, jo për ta fshehur të vërtetën, por për ta bërë më të dukshme.

Në fund të fundit, shkrimtari nuk është gënjeshtar ngaqë mashtron lexuesin. Ai është gënjeshtar sepse nuk mund të jetë kopjues i realitetit. Ai duhet ta shpikë, ta ndryshojë, ta zhvendosë, ta përmbysë, ta ndriçojë nga një tjetër anë, derisa realiteti që njohim të dalë prej tij me një fytyrë tjetër.

Nëse një njeri ecën në rrugë, shkrimtari nuk ka pse të na tregojë vetëm se ai kaloi në orën pesë, kishte një pallto gri dhe mbante një çantë në dorë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nuk është ende letërsi. Letërsia fillon atëherë kur shkrimtari e nxjerr atë njeri nga rruga ku e ka parë dhe e vendos në një botë të krijuar prej tij, ku, edhe pse ai mund të mos ketë ekzistuar kurrë, çuditërisht, ne fillojmë ta njohim si dikë që e kemi takuar në jetën tonë.

Këtu qëndron edhe paradoksi i madh i Rulfos: gënjeshtra letrare mund të jetë më e vërtetë se e vërteta faktike.

Rulfo e dallon pikërisht këtë ndryshim midis gënjeshtrës dhe falsitetit. Në intervistën e tij ai këmbëngul se, kur faktet falsifikohen, artifici ndihet; ndërsa kur një realitet rikrijohet përmes gënjeshtrës letrare, kemi diçka tjetër. Libri bëhet një realitet më vete, edhe kur “gënjen” në raport me realitetin tjetër.

Sepse fjala “gënjeshtar” ka diçka të pakëndshme për të gjithë ne. Gënjeshtari është ai që e di të vërtetën dhe e fsheh atë. Ai që e shtrembëron me qëllim. Ai që kërkon të të çojë në rrugë të gabuar. Ndërsa shkrimtari, në rastin më të mirë, bën të kundërtën: të çon në një rrugë që nuk ekziston për të të treguar diçka që ekziston.

Kjo është arsyeja pse fjala e Rulfos edhe të bezdis, por edhe të josh njëkohësisht.

Megjithatë, pikërisht këtu duhet të jemi pak më të kujdesshëm. Jo për t’ia hequr thumbin pickues mendimit, por për të mos e kthyer një ide të bukur në një gjykim absolut. Historia e letërsisë është plot me shkrimtarë që kanë luajtur me kufirin midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, midis shpikjes dhe realitetit. Prandaj, më interesante se pyetja nëse Rulfo ishte i pari që e tha këtë është ajo që ai bëri me këtë paradoks: e ktheu një akuzë të mundshme kundër shkrimtarit në një përcaktim të vetë natyrës së krijimit.

Kështu, “gënjeshtari” i Rulfos nuk është një njeri që kërkon të mashtrojë. Është një njeri që shpik.

Dhe shpikja nuk është armike e së vërtetës.

Përkundrazi.

Ndonjëherë është e vetmja rrugë për të mbërritur tek ajo.

A nuk ndodh kështu edhe me kujtesën? Sa herë që rikujtojmë një ngjarje të largët, nuk e marrim atë nga arkivi i jetës si një fotografi të pandryshuar. Kujtesa ka punën e vet. Ajo lë diçka jashtë, shton diçka tjetër, ndërron përmasat, ndriçon një fytyrë dhe lë në hije një tjetër. Dhe megjithëse ne mund të gabojmë në hollësitë, mund të jemi më afër së vërtetës së asaj që kemi përjetuar.

Shkrimtari e bën këtë me vetëdije.

Ai merr jetën dhe e fut në laboratorin e imagjinatës.

Atje ajo nuk del më siç hyri.

Dhe pikërisht për këtë arsye është letërsi.

Rulfo nuk ka shkruar dokumente për Meksikën e tij. Ai ka krijuar botë ku Meksika e tij është bërë më e dukshme se në një dokument. Pedro Páramo nuk është një hartë e Comalës dhe as një procesverbal i njerëzve që kanë jetuar atje. Comala e Rulfos është një vend i krijuar nga fjala, por në të ne ndiejmë një realitet historik, njerëzor e shpirtëror që nuk do ta gjenim dot duke kërkuar vetëm fakte. Edhe vetë Rulfo shpjegon se krijimi kërkon personazhin, mjedisin ku ai do të lëvizë dhe mënyrën se si do të flasë.

Prandaj ndoshta shkrimtari nuk duhet pyetur: “A është e vërtetë kjo që po më tregon?”

Duhet pyetur: “Çfarë të vërtete po kërkon të më tregosh përmes kësaj gënjeshtre?”

Kjo është pyetja që e shpëton letërsinë nga detyrimi për të qenë dokument dhe e shpëton shkrimtarin nga detyrimi për të qenë dëshmitar.

Sepse nëse shkrimtarit do t’i kërkonim vetëm të tregonte atë që ka parë me sytë e tij, letërsia do të mbetej rob i kufijve të jetës së tij. Por një shkrimtar i madh nuk shkruan vetëm për atë që ka parë. Ai shkruan edhe për atë që ka imagjinuar, për atë që ka humbur, për atë që ka dëshiruar, për atë që mund të kishte ndodhur dhe nuk ndodhi kurrë.

Dhe ndonjëherë, pikërisht ajo që nuk ka ndodhur bëhet më e vërtetë se ajo që ka ndodhur.

Këtu më duket se qëndron madhështia e paradoksit të Rulfos.

Ai nuk na thotë: gënjeni lexuesin.

Na thotë diçka shumë më të vështirë: shpikni aq bindshëm sa gënjeshtra juaj të zbulojë një të vërtetë.

Dhe kjo nuk është aspak e lehtë.

Sepse një gënjeshtër e dobët mbetet thjesht gënjeshtër. Një trillim i dobët duket menjëherë si trillim. Personazhi i sajuar keq nuk bëhet kurrë njeri. Bota e sajuar keq nuk merr frymë. Fjalët e bukura, nëse nuk mbajnë brenda një përvojë njerëzore, mbeten vetëm fjalë.

Ndërsa kur shkrimtari ia del, ndodh mrekullia.

Ne e dimë se ajo botë nuk ekziston dhe prapëseprapë besojmë në të.

E dimë se personazhi nuk ka jetuar dhe megjithatë na dhemb vdekja e tij.

E dimë se ngjarja është e sajuar dhe përsëri ajo na kujton diçka që na ka ndodhur neve.

Atëherë ku është gënjeshtra?

Dhe ku fillon e vërteta?

Ndoshta pikërisht në atë vijë të padukshme ku njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën.

Kështu, pas Rulfos, fjalia “shkrimtari është gënjeshtar” nuk më duket më një fyerje. Më duket një nga ato provokimet e rralla që të detyrojnë ta shohësh profesionin e shkrimtarit nga ana tjetër e pasqyrës.

Sepse shkrimtari nuk premton të na japë jetën ashtu siç është.

Ai premton diçka më të vështirë: të na bëjë ta shohim jetën edhe ashtu siç nuk kemi ditur ta shohim më parë.

Dhe për këtë i duhet gënjeshtra.

Jo ajo që fsheh të vërtetën.

Por ajo që, duke u larguar prej saj në pamje të parë, na çon më thellë në të.

Prandaj, ndoshta, në fund të kësaj bisede me Huan Rulfon, pyetja nuk duhet të jetë më: A është shkrimtari gënjeshtar?

            Po kjo:

            A mund të jetë letërsia krejtësisht e vërtetë, nëse nuk guxon asnjëherë të gënjejë?

Dhe mbase përgjigjen më të bukur e ka dhënë vetë Rulfo: letërsia është një gënjeshtër që thotë të vërtetën.

Kjo është gënjeshtra që letërsia ia fal shkrimtarit.

Dhe, nëse ai është vërtet shkrimtar, edhe lexuesi ia fal.

Nëse Akademia e Çmimit Nobel për Letërsi në Suedi do ta kishte nderuar Huan Rulfon me këtë çmim, do të kishim atë “rrezen e diellit që bie në orën dymbëdhjetë në ballin e mumjes në një nga piramidat e Egjiptit”. Një dëshmi se edhe me një apo dy vepra letrare të bukura mund ta meritosh atë. 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page