top of page

Skënder Sadri KAPITI: Pse shqiptarët gjatë historisë nuk krijuan një Perandori?

3 hours ago
9 min read

Pse shqiptarët gjatë historisë nuk krijuan një Perandori?

Nga Skënder Sadri KAPITI

Krenaria kombëtare për të shkuarën ka të bëjë me atë se nuk është e mjaftueshme dhe as e justifikueshme vetëm krenaria si fisnikëri pse nuk kemi sulmuar dhe pushtuar vënde dhe ndonjë popull tjetër,  por vetëm pse kemi mbrojtur trojet tona, dhe si rezultat nuk është krenari pse vetëm janë tkurrur dhe kemi humbur troje, mbi të cilat u ngritën perandoritë e Romës, Bizantit, Bullgarisë  e Serbisë dhe pastaj edhe Perandoria  Osmane mbi popujt e trojet e popujve të Ballkanit. Nuk ka pse dikush të krenohet pse nga ilirët kishte perandorë dhe se ishin shtylla kurrizore e ushtrive të Romës që luftonin për romanizimin e galëve, iberikëve, dakëve dhe të popujve të tjerë si dhe të vetë ilirëve  të Ilirikut; nuk ka ndonjëfarë krenarie pse kishte perandorë ilirë “ushtarë” të Bizantit të cilët i shërbyen Bizantit dhe që bënë gjuhë zyrtare të Perandorisë Bizantine gjuhën greke dhe jo atë ilire dhe të cilët e sunduan Ilirikun 1800 vjet; ashtu sikurse nuk ke pse të krenohesh për faktin se ka pasur shumë kryeministra shqiptarë që i kanë shërbyer Perandorisë Osmane 500 vjet, por jo Shqipërisë.

Krenaria kombëtare ka të bëjë me faktin kur kombi në të kaluarën të ketë krijuar një dinasti , mbretëri apo perandori të madhe ku të kishte pasur nën sundim edhe etni të tjera të huaja.

Nuk ka krenari kombëtare po nuk qe populli nacionalist,gjë e cila është edhe sot akoma një deficit i madh në Shqipëri.

Edhe pse Iliro-dardanët kanë qenë populli më i madh në Ballkan dhe Europë ata nuk patën një qëndër gjuhësore, kulturore, administrative, politike, ushtarake ,fetare dhe administrative të tyre në Mesjetë dhe as më heret aq sa edhe historinë shqiptare edhe sot  më së shumti e kemi të shkruar nga të huajt, marrë nga arkivat e tyre dhe madje të shkruar politikisht dhe më shumë pasaktësi dhe të pavërteta.

Shqiptarët nuk u bashkuan dhe as nuk krijuan  perandori, por perandori  krijoi Roma  dhe Greqia, dhe madja mbi trojet iliro-shqiptare në Mesjetë krijuan mbretëri e perandori dhe kishë të tyren edhe serbët, malazëzët e bullgarët.Edhe Osmanët krijuan një perandori të madhe që shtrihej në Azi, Afrikë dhe  Ballkan që sundoi rreth 600 vite.

Në prag të rënies së Perandorisë Osmane , shtetet fqinje si Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Italia ngritën pretendimin se ata ishin trashëgimtarë të Perandorive bizantine,serbe,greke,bullgare dhe romake dhe donin sipas tyre t’a kthenin në Ballkan gjëndjen mesjetare të para pushtimit Otoman, gjë për të cilën ata gjetën mbështetjen edhe nga Rusia dhe Europa, të cilët në fundshekullin e 19- të dhe fillim shekullin e 20-të nuk donin lejimin e krijimit të një shteti shqiptar në Ballkan.

Janë disa pseudohistorinë injorantë, mediatikë e politikanë serbo e grekofilë dhe sharlatanët islamofobë që thonë sa mirë do ishte sikur ta kthejmë historinë në kohën e parasundimit otoman , pra ta kthejmë në errësirën mesjetare feudale kryqtaro-kishtare latino-heleno-sllave kur shqiptarët nuk kishin as gjuhë të shkruar dhe as liturgji fetare në shqip, por që fetarisht ishin latinizuar, sllavizuar e helenizuar dhe ishin  në prag të asimilimit të plotë, kur pushtimi i Konstandinopojës nga osmanët në vitin 1453 shënohet si dita që shënoi fundin e Epokës 1000 vjecare të Errësirës mesjetare në Europë.

A këtu duan të na rikthejnë  latino-serbo-grekofilët shqipfolës?

 

Shqiptarët gjithmonë kanë luftuar e sakrifikuar , por prej sakrifcave të tyre më shumë kanë përfituar të huajt  dhe tradhëtarët se sa shqiptarët.

Nuk përfituan gjë iliro-shqiptarët prej perandorëve të Romës , të Bizantit dhe as prej kryeministrave të Sulltanit.Prej luftrave të shqiptarëve përfituan romakët, bizantinët, Venediku, Napoli, Papati por edhe serbët e Brankoviqit, sepse fushëbeteja kundër osmanëve bëhej në Shqipëri, ku derdhej gjaku i arbërit dhe shkretohej Shqipëria por jo Venediku , Napoli dhe as Vatikani,dhe as Beogradi të cilët  kurrë nuk i ndihmuan shqiptarët në luftë kundër osmanllinjve , ashtu sikurse që prej luftës së shqiptarëve kundër Osmanëve iu zgjat në Mesjetë sundimi barbar i serbeve të Brankoviqit mbi shqiptarët e Kosovës.

 

Vijmë edhe në kohët moderne, kur shqiptarët me  Ali Pashë  Tepelenën të Pashallëkut të Janinës që luftuan kundër Perandorsë Osmane patën mundësinë pë krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, por prej kësaj Lufte dhe prej luftës së Arvanitasve fitoi Pavarësinë Greqia e cila jo vetëm se nuk ishte mirënjohëse për rolin përcaktues e vendimtar të shqiptarëve për Shtetin grek, por Greqia prej kur fitoi Pavarësinë ajo shpopulloi, masakroi ,vrau dhe bëri pastrimin etnik edhe të Çamërisë shqiptare, dhe madje akoma kërkon edhe sot  që t’a marrë Jugun e Shqipërisë.

Shqiptarët e Kosovës mbajtën mbi supe peshën më të madhe në Ballkan  në luftën kundër Perandorisë Osmane por prej luftës së tyre përfituan serbët të cilët më parë edhe Pavarësinë Serbia e fitoi prej Luftës së shqiptarëve, por që edhe serbët ashtu si grekët  pushtuan trojet shqiptare dhe për mbi 100 vjet ushtruan dhunë, krime, vrasje ,pastrim etnik dhe gjenocid kundër shqiptarëve të Nishit, Kosovës dhe të Maqedonisë..

Pabesia sllavo-serbe dhe kulmi i gjenocidit serb e krye gjatë rënies së Perandorisë  Osmane pasi ndërsa shqiptaret e Kosovës luftonin për dëbimin e Perandorisë  Osmane ,barbarët serbo-sllavë pas shpine dhe në pabesi pushtonin trojet shqiptare, kryenin pastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe ushtronin gjenocidin karshi shqiptarëve.

Edhe dy Luftrat Ballkanike  u bënë vetëm e vetëm me qëllim të pushtimit të trojeve shqiptare , që realisht ishin kryqëzata të shteteve kristiane të Ballkanit kundër shqiptareve me përkrahjen e Europës perendimore dhe të Rusisë Lindore.

Edhe nga lufta nacional çlirimtare partizane shqiptare   më shumë përfituan jugosllavët , sepse ata formuan Partinë Komuniste shqiptare, dhe gjaku i partizanëve shqiptarë nga Shqipëria u derdh edhe për çlirimin e Jugosllavisë. Jugosllavët me ndihmën e partizanëve të Shqipërisë luftuan , vranë e përndoqën nacionalistët,vranë patriotët  kosovarë dhe ndihmuan në montimin e administratës gjenocidiste komuniste sllave në Kosovë, por jo vetëm kaq por Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Enver Hoxha ishin partizanë të Bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë.Komunizmi në Shqipëri vrau, përndoqi, persekutoi dhe i burgosi e internoi nacionalistët dhe familjet nacionaliste  të Shqipërisë, deri edhe të firmëtarëve të Pavarësisë dhe trashëgimtarët e tyre.

Nga regjimi Komunist 50 vjeçar në Shqipëri asgjë e mirë nuk u erdhi shqiptarëve përveçse  varfëri, vuajtje e mjerim.Edhe pas rënies së komunizmit, demokracia shqiptare vetëm sa bëri zëvëndësimin e diktaturës komuniste me diktaturën e korrupsionit, hajdutërisë, eksodit dhe të rrënimit e shkatërrimit të gjithçkaje çfarë ishte ndërtuar nga puna skllavëruese e shqiptarëve.

Prishja, rrënimi, fillimi i gjithckaje nga zero, shkatërrimi i ndërmarrjeve strategjike ekonomike dhe ushtarake, reformat të cilat e rrënuan Shqipërinë sepse ishin reforma që favorizonin elitën politike dhe hajninë e korrupsionin; sistemi politik dhe korruptiv i drejtësisë, faktikisht këto ishin në përputhje me ato se çfarë ishin agjenda dhe synime të armiqve të Shqipërisë për një Shqipëri të varfër, të pazhvilluar dhe të prapambetur ekonomikisht, civilizisht dhe pa mirëqënie  dhe të një Shqipërie ku t’u impohej shqiptarëve eksodi dhe largimi nga Shqipëria.

Armiku i një kombi nëse nuk mund t’a pushtojë atë, atëhere ky armik punon si strategji që atij kombi t’i vijë një politikë dhe politikanë injorantë, të pashpirt që për interesa dhe egon personale ua bëjnë popullit dhe kombit të vet më keq se sa vetë pushtuesi.

Nisur nga ky kendvështrim, unë e kam përcaktuar si periudhën më të rëndësishme në Historinë kombëtare Shqiptare, atë të Epokës Moderne të viteve 1878-1999 që Fillon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ku përherë të parë shqiptarët Lëvizën si komb duke ua imponuar Europës që ta pranojnë dhe t’a njohin egzistencën e kombit shqiptar; pushka dhe gjaku i derdhur për trojet shqiptare mposhti Europën dhe e detyruan atë që t’a marrë në konsideratë faktin se nuk ka zgjidhje në Ballkan pa krijimin e një shteti shqiptar.Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte për të gjitha dhe në të gjitha trojet shqiptare: nga Prizreni, Peja, Drenica, Gjakova, Dibra, Manastiri, Janina,Vlora, Shkodra, Shkupi, Korca, Sanxhaku, Presheva,Toplica, Elbasani etj. për pavarësi kombëtare dhe për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga coptimi.

Prandaj unë Prizrenin e kam quajtur kryeqyteti i shqiptarizmit.

Epoka e Lavdishme 1878-1999 është ajo cila përfshin edhe luftën për shkollën shqipe; Lidhjen Pejës, Kongresin e Manastirit, Kryengritjet kombëtare për Pavarësi; Epokë që përfshin dhe ka brënda saj Kuvëndin Kombëtar të Vlorës që njihet si Kuvëndi i Pavarësisë , Kongresin e Lushnjes; është Epokë e cila ka përpjekjet e pandërprera 150 vjeçare të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe për Bashkim Kombëtar; është Epoka e cila përfshin luftën  e Kosovës kreshnike kundër gjenocidit e pastrimit etnik të Kosovës; është Epoka e qëndresës dhe e Epopesë së Lavdishme të UÇK-së.

Kjo është Epoka e patriotëve, e luftëtarëve dhe e nacionalistëve të mëdhenj si Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Ismail Qemali,Hasan Prishtina, Isa Boletini, Çerçiz Topulli, Petro  Nini Luarasi, motrave Qiriazi, Dora d’Istria, Fan Noli, Faik Konica, Azem e Shote Galica, Xhafer Deva, Shaban Polluzha,Komandantit legjendar  Adem Jashari dhe e shumë e shumë patriotëvë të tjerë të kësaj Epoke.

 

Kjo është Epoka në të cilën , në ngjarjet më të mëdha të së cilës kanë marrë pjesë farefisi im, prej të cilëve kemi marrë edukatë patriotike unë dhe familja ime,kjo është edhe arësyeja që ne e mbështetëm fort Luftën e UÇK-së, pritjen dhe mobilimin e vullnetarëve të saj; kjo është Epoka e cila kryesisht më ka frymëzuar që të shkruaj në vitin 2012 edhe Librin “Triumfi i Kombit” i frymëzuar edhe nga letersia filozofike e kohëve moderne për shtetkombin.

 

Mirëpo pas çlirimit të Kosovës  dhe Shpalljes së Pavarësisë së saj me 17 Shkurt 2008, kurrë më parë nuk kishin realizuar shqiptarët një fitore kaq të madhe historike, krijimin edhe të një shteti të dytë shqiptar. Mirëpo si gjithmonë politika dhe politikanët shqiptarët të Kosovës dhe të Shqipërisë zhgënjyen shumë; atyre u intersuan interesat egoiste, pasurore, personale ,familjare e partizane mbi ato kombëtare. Fatkeqësisht në të dy shtetet u instalua në sistem regjimi i korrupsionit: si liri e pasfidueshme deri sot e korrupsionit, hajdutërisë, padrejtësisë dhe e tradhëtisë kombëtare.

 

Kosova e fitoi Shtetin dhe pavarësnë me luftë, me gjak e me sakrifica të jashtëzakonshme, por që politika dhe politikanët e saj e rikthyen “paqësisht” përsëri Serbinë në Kosovë me Marrëveshjen dhe me dokument e nënshkrim për krijimin Bashkësisë së Komunava me shumicë serbe; me dhurimin e trojeve shqiptare Malit të Zi dhe Maqedonisë; me projektin për ndarjen e Kosovës  veprime të cilat janë dhe e kanë emrin tradhëti kombëtare.

E keqja më e madhe Kosovës së pas luftës i erdhi kur në Shqipëri erdhi në pushtet në Vitin 2013 Partia Socialiste e Shqipërisë, kryeministri dhe qeveria e së cilës ishte dhe është edhe sot shumë më e dëmshme se sa ajo e nënës së saj , Partisë Komuniste, pasi ajo dhe kryeministri i saj ishin mbështetës të çdo projekti antishqiptar të Beogradit për coptimin dhe ndarjen e Kosovës; ishin kundër vendosjes së sovranitetit në  tërë territorin e Kosovës; ishin për një “rishikim” të Statusit të Kosovës, përderisa kryeministri i Partisë Socialiste kërkonte një Konferencë ndërkombëtare për Kosovën , që do të thotë se ai ishte kundër Konferencës së Rambujesë.

Kryeministri Socialist  kërkonte rikthimin e KFOR-it në Veri të Kosovës të cilën ai e quajti si tokë të askujt, që do të thotë haptazi se ai synonte të krijonte një situate dhe imazhi ndërkombëtar se në Kosovë ka një çështje që kërkon zgjidhje, pra për të krijuar një çështje serbe në Kosovë, gjë të cilën e kërkonte vetëm Beogradi dhe Moska.Kulmi i tradhëtisë jo vetëm ndaj Kosovës por edhe ndaj Shqipërisë ishte projekti i minishegenit ballkanik , apo Ballkanit të Hapur , si një projekt neojugosllav  të udhëhequar nga Serbia dhe ku anashkalohej shteti i  Pavarur i KOSOVËS , ku sipas këtij projekti Kosova përfshihej brënda hartës së Serbisë, dhe jo vetëm kaq por në këtë projekt futej edhe Shqipëria,  projekt të cilin donte t’a realizonte dikur edhe Enver Hoxha që Shqipëria të hynte në Federatën Jugosllave si Republikë e shtatë.

Kurrë në historinë shqiptare marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë nuk kanë qenë në një nivel kaq të ulët se sa sot kur Shqipëria qeveriset nga ky kryeministër dhe kur ai ka mbështetje në unanimitet të plotë të të gjithë organizatës politike të quajtur Parti Socialiste, Qeverisja e së cilës akuzohet edhe nga ndërkombëtarët si qeverisje e narkoshtetit dhe e kanabistanit, si qeverisje e eksodit dhe e boshatisjes së Shqipërisë nga shqiptarët; si qeverisje që ka nxjerrë në ankand interesat dhe trojet shqiptare;si qeverisja më e mirë serbe pas Rankoviqit, sepse jo vetë asnjë deputet, ministër e qeveritar por madje nuk kemi dëgjuar asnjë antarë të  Partisë Socialiste përvecse rrallë ndonjë prej tyre që t’a ketë kundërshtuar hapur  politikën e Kryeministrit dhe as të qeverisë së tij të Rilindjes.

Nisur nga cfarë shkruaj më sipër në këtë shkrim unë i pëmbahem asaj se çfarë unë kam ideuar para 15 vitesh në Librin tim “Triumfi i Kombit” në vitin 2012 , pasi për shkak të dështimit total të politikës së vjetër të tranzicionit në atë libër i kërkoj rinisë, elitës qytetare dhe intelektualëve të guximshëm që të marrin përsipër një Lëvizje për “Triumfin e Kombit” e cila të kthehej në një Forcë politike patriotike për një “Politikë të Re” patriotiko-demokratike për shëmbjen e këtij regjimi korrupsioni dhe neodiktature të këtij tranzicioni traumatik në Shqipëri.

Durrës 08 JANAR 2026

Shënim : Ky shkrim është një letër e hapur për publikun, dërgimin për botim të së cilit më shtyu që t’a dërgoj Profesori i shquar patriot dhe  nacionalist Z. Eshref Ymeri, i cili vazhdimisht dhe pandërprerë nga Amerika e largët  i është përkushtuar një veprimtarie edukative dhe frymëzuese shembullore letrare, historike, patriotike dhe filozofike të jashtëzakonshme në shërbim të Kombit; si kritik dhe zë i fuqishëm kundër të këqijave korruptive e tradhëtare të politikës dhe të politikanëve shqiptar.Në një mesazh  që  Z. Ymeri,ky shqiptar i madh mëndja e të cilit punon dhe zemra e tij rreh gjithmonë për Shqipërinë dhe Kosovën më ka dërguar këtë mnesazh me 3 Shtator 2026 ku më shkruan se:

I dashur Skënder,

Po si është e mundur, ore miku im i çmuar, që nuk na dëgjuan veshët për ndonjë mercenar, tradhtar apo spiun grek ose serb në shërbim të Shqipërisë, kurse mercenarë dhe tradhtarë shqiptarë në shërbim të Greqisë dhe të Serbisë ka me bollëk”?

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page