Vasil Klironomi: RRETH MUREVE TË AKROPOLIT
- 4 hours ago
- 3 min read

Fragment nga novela
Takohemi të shtunën
Si u çuam nga tavolina, shoqërova shokun tim gjer në tregun publik dhe që andej mora rrugën drejt Monastiraqit ku vendasit dhe turistët, bëhen një në lokalet e birrës dhe të mishin të shijshëm. Përpara bibliotekave të perandorit Andrian, u ndesha me sytë e një turisteje; të dy bashkë hymë në Tregun Romak për të parë ajo më nga afër Kullën Aeridhes; një ndërtesë prej mermeri tetëkëndësh, pa kolona, ku tetë erërat, kanë siluetën e njeriut fluturues. Pastaj vazhduam ecjen në rrugën e ngushtë Dioskuri; më të djathtë, na shoqëronte Tregu Antik, që ishte dhe qendra administrative, filozofike dhe sociale e atij qytetërimi. Të përhumbur në lashtësi, vazhduam të përpjetën që kërkonte vëmendje se gurët e lëmuar nga miliona këpucë turistësh, mund të na çonin përsëri në fund të saj. Dy zezak që tregtonin elefantët e drunjtë, na shikonin dhe qeshnin për pasigurinë e hapave; nga sa thanë në gjuhën e tyre, unë kuptova vetëm fjalën makaka. Duhej të çlodheshim diku, por larg atij ”humori” që nuk më pëlqeu. Si lamë majtas komunën e lashtë Qidhathineo (vendlindjen e Aristofanit,) mbërritëm në rrugën Tripodhos; për tu ç’lodhur, u ngjitëm në masën shkëmbore ku Perëndia Ari u gjykua nga Perënditë e Olimpit për vrasjen e birit të Poseidonit. Një erë e lehtë që frynte nga Pireu, më gjeti me këmishë të zbërthyer dhe dielli që kish kaluar mesin e qiellit nuk mundi t’i kundërvihej. Mu rrëqeth trupi. Mbi muret e Akropolit, dy iranian gjatë bashkëbisedimit, shtrinin duart drejt Salaminës, ndërsa një grup kinezësh nuk i hiqte sytë nga Limani i Pireut. Në dalje, udhëzuesit ngrinin sa më lartë tabelat me emrat e shoqërive sipërmarrëse; të shumtë vizitorët që edhe pse në ikje, nuk i hiqnin sytë nga tempulli antik dhe nga Propilja e Lavdishme. Ndërkaq, era e lehtë, më shprishte flokët si një ledhatim që më lajmëronte se kishte ardhur ora e ndarjes. Turistja si puthi pëllëmbën e saj, e mblodhi grusht, pastaj e hapi dhe lëshoi puthjen si zog në ajër. Unë zbrita nga masa shkëmbore për të vazhduar tatëpjetën e rrugës antike Tripodhos, që vinte rreth Akropolit dhe humbiste në thellësitë e Pyllit të Muzave; jo për t’u argëtuar me hyjnitë e lashta, por për të parë nga afër burgun e Sokratit: Një shpellë me tri dhomat e gdhendura nga brenda, që komunikonin nëpërmjet një ngushtice dhe një vrime nga ku përcillej ushqimi dhe fjala. Përmes asaj vrime, Platoni i afroi Sokratit propozimin dhe përkrahjen e personazhit të vet, Fedhon; të arratisej nga burgu. Edhe pse nga historianët shpella nuk njëjtësohet me vendin e ngjarjes, mesazhin e solli si të vërtetë. I përthithur nga vorbulla e ndodhisë, më lindi dëshira të jetoja atje brenda tri ditë e tri net në kushtet e filozofit të madh, me gotën e helmit përpara. Tani më, kisha gjetur një vend dhe një mënyrë për t’ i dhënë fund jetës sime në qoftë se do të duhej. Pas një fantazie të fuqishme e ka radhën një fantazi akoma më e fuqishme. Më zuri frika se dikush që do të më shikonte, do të njoftonte ata të arkeologjisë; do të vinte pastaj policia, gazetarët do ta merrnin lajm nga policët e paguar; pas tyre do të merrte fjalën gruaja ime Ksanthipi dhe njerëzit përreth do të ngatërroheshin në se më kërkonte mua apo Sokratin. Befas më erdhi ndërmend teoria e mishërimit: Shpirti i Ksanthipit të Filozofit të Madh, të ishte vendosur në trupin e bashkëshortes sime Ksanthipi? Duhet të largohem thash, pa më goditur çmenduria.
Vasil Klironomi








Comments