Brikena Shehu Savoca: Sot u mbushën 5 vjet nga ikja e babait tim të shtrenjtë
- 49 minutes ago
- 4 min read

E dashur Brikena,
Faleminderit që ndave me mua këtë mesazh kaq të ndjerë e kaq njerëzor. E lexova me shumë emocion dhe, natyrisht, kujtimi i Agimit u bë edhe një herë i gjallë. Kanë kaluar pesë vjet, por poetë të tillë nuk largohen kurrë; ata vazhdojnë të jetojnë në vargjet që lanë, në kujtesën e miqve dhe në dritën që u përcollën brezave.
Agimi ishte një njeri me fisnikëri të rrallë dhe një poet me zë të veçantë. Për mua ka qenë privilegj ta njoh, ta vlerësoj dhe të kem miqësinë e tij. Amaneti që më përcjell është një përgjegjësi e madhe morale dhe letrare, të cilën e mirëpres me respektin më të madh për kujtimin e tij. Do ta lexoj me vëmendje poezinë e Paolës dhe, më pas, edhe dorëshkrimin e librit të saj. Nëse në vargjet e saj gjej atë vazhdimësi të shpirtit krijues që Agimi e shihte me aq besim, do të jetë nder për mua të kontribuoj me parathënien, duke ndihmuar që amaneti i mikut tim të shkojë në vend.
Përqafoje Paolën nga ana ime. Le ta dijë se gjyshi i saj nuk i ka lënë vetëm një trashëgimi emri, por edhe një përgjegjësi të bukur: të mbajë gjallë dritën e poezisë. Uroj që ajo ta ecë këtë rrugë me përulësi, talent dhe përkushtim.
Me miqësi, respekt dhe mall për mikun tim të paharruar, Agim Shehun,
Fatmir Terziu
Brikena Shehu Savoca: Sot u mbushën 5 vjet nga ikja e babait tim të shtrenjtë
I dashur Fatmir,

Sot u mbushën 5 vjet nga ikja e babait tim të shtrenjtë, mikut tuaj, poetit Agim Shehu. As sot e kësaj dite nuk po arrij ta pranoj ikjen e tij, nuk po mundem. Ai ka lënë pas një thesar të madh poetik dhe letrar, të botuar, por edhe të pabotuar akoma, në dorëshkrime. Ai ishte një mjeshtër i vargut poetik dhe i fjalës letrare, për mua, por besoj edhe për ju, që e keni vlerësuar kaq shumë dhe që, gjithashtu, ju vlerësonte si një letrar, artist dhe shkrimtar i shkëlqyer që jeni.
Babai ka lënë pas jo vetëm një vepër voluminoze të pabotuar, por një thesar akoma më të madh, trashëgimtaren e tij poetike, gjysmën e shpirtit të tij artistik, pjesën shtesë të vargut të tij të pathënë e të mbetur në mes, atë që do të botojë gjithë pasurinë letrare që la pas në dorëshkrime: MBESËN E TIJ POETE, vajzën time, Paolën, ose siç e thërriste ai: Dianën e tij të shtrenjtë.
Babai më ka lënë një amanet të shtrenjtë: kur mbesa e tij e shtrenjtë ta kishte gati për botim librin e parë me poezi, parathënien e librit ma la me amanet që t'ia bënit ju, nëse ai s'do të mundej ose s'do të ishte më në këtë jetë.
Unë do të isha shumë e nderuar dhe e lumtur nëse ju do të mundeshit ta plotësonit amanetin e tij.

Vajza sot, në 3 të natës, i bëri një poezi të shkurtër gjyshit me rastin e 5-vjetorit të ndarjes nga jeta dhe ma dërgoi në WhatsApp, në frëngjisht (gjuha jonë këtu në Gjenevë).
Unë i bëra një përkthim të shpejtë në anglisht dhe po ta dërgoj poezinë në të dyja gjuhët. Do të të lutesha t'i hidhje një sy; më pas mund të të dërgoj në PDF dorëshkrimin e librit të saj të parë poetik, që dëshiron ta botojë, dhe mund të krijosh një ide për të vendosur nëse dëshiron t'i bësh parathënien e librit të saj të parë, për të çuar në vend amanetin e gjyshit të saj, Agim Shehu.
Vajza është 21 vjeç dhe studion në Fakultetin e Letërsisë në Gjenevë. Mbaroi vitin e dytë dhe ka vitin e fundit.
Gjyshi donte që ajo të studionte aty ku kishte dhunti: LETËRSI.
Babi e spikati i pari talentin e saj në poezi dhe më thoshte gjithmonë: «Kjo do ma kalojë mua; unë s'jam gjë para saj.»
Kështu, i nderuar mik i babait tim dhe artist e shkrimtar i nderuar i fjalës së lirë, përpiqem të vë në vend amanetin e tim eti. Erdhi koha.
Pas këtij mesazhi, në një mesazh të dytë, po të dërgoj poezinë e shkurtër të vajzës sime, Paola, për gjyshin e saj, Agim Shehu.
Me respekt,
Brikena Shehu
Paola: shqip
Në këtë stinë të zjarrtë,
Në këtë stinë të zjarrtë,
Kupola e argjendtë e qiellit vishet
Me një mjegull çarmatosëse,
Në çastin e ikjes sate.
Ku retë mblidhen ngadalë
Dhe qielli zgjatet pa kufi,
Uroj që lotët e tyre
Të mund ta ngadalësojnë kohën.
Dhe nata u bë ferri
Ku humbi vështrimi yt.
Mijëra “lamtumira” më plagosën
Më pak se një ndarje prej teje.
Paola: French
En cette saison ardente,
La voûte argentée se pare
D’une brume désarmante
A l’heure de ton départ.
Où les nuées se resserrent
Et le ciel se distend,
Que leurs larmes, je l’espère,
Puissent ralentir le temps,
Et la nuit devint l’enfer
Où se perdit ton regard.
Mille « au revoir » me blessèrent
Moins qu’un adieu de ta part.
(Versioni frengjisht)
Brikena: Anglisht:
In this burning time of year,
The silver sky is veiled
in a disarming mist
At the moment of your departure.
Where the clouds draw together,
And the sky stretches wide,
Would their tears, though all unseen,
have slowed the passing of time?
Now the night becomes the hell
that has lost your gaze.
A thousand “farewells” hurt me less
Than your last goodbye.








Comments