VARRI I MIKUT


Vaid Hyzoti

VARRI I MIKUT

                    -tregim  nga  Vaid  Hyzoti


... u lodhëm së pastruari. Nuk ishte shumë, por gjyshi na rrinte mbi kokë dhe bërtiste që të kishim kujdes. (Lëndohet miku) thoshte ai. Punonim në fund të oborrit, ku kopshti ynë ndahej me bahçen e xha Myrtos. Mbase kishte tridhjete vjet që nuk ishte pastruar fundi i bahçes aty ku gjyshi thoshte se ishte Varri i Mikut. Habiteshim me gjyshin që ishte aq merakli dhe kurrë s’na vuri që të pastronim aty pjesë të bahçes. Gjyshi qëndronte i ulur në një shezlong të vjetër që ne e linim dimër dhe verë jashtë. - Mos e ngul shatin aq thellë! - i bërtiti vëllait që po shkulte disa barishte në atë sukë të vogël të ngritur, siç bëjmë zakonisht për varret.-Mos, se e rëndove. Kur e pastruam u duk forma e një varri, ndonëse koha, vitet e gjata kishin ngjeshur dheun dhe vetëm me një vështrim të kujdesshëm dallohej e ngritura si sukë...

  *

... ndjeva vajzën që qante.

- Ç’ke ti, që bën si kalama, i bërtiti gruaja.

- Oh, gjithë këto gjilpëra.

Infermierja po kërkonte venat e gjakut në krahun tim, që të frikësuara s’di ku i ishin fshehur. - Mos e shpo njëqind herë, në qoftë se nuk di, le të vijë ndonjë tjetër, - u nxeh këtë

radhë vajza.

- S’ke faj, ti o goc, është faji im që s’të lashë në shtëpi.

- Është babi im.

- Qepe të shkretën! E dimë që e do shumë. Po sa herë e ke bërë të nxehet me këmbënguljen tënde si mushka për të blerë gjëra që s’kishin ç’të duhen, për të dalë orë e pa orë...

- Pusho, se e di ku je? Moj, ti, a merr vesh? Je infermiere apo këpucare? - ju drejtua vajza sërish infermieres.

- Pa dilni përjashta se po më pengoni...

    *

... gjyshi vazhdonte të lëkundej me sy gjysmë të mbyllur në shezlong. Hija e pikëllimit i dukej që larg. Ishte njeri i mirë, foli me gjysmë zëri, më shumë për vete sa për të na treguar neve.

- O gjysh, ti kurrë s’na ke treguar. Kush është ky që qenka i varrosur në bahçen tonë? - E pyeta unë.

- Ishte çifut që e pata njohur në Austri kur bëja tregti. Merrej me floririn. Më tha vetë një ditë kur isha në Viene se kishte dëshirë ta njihte vendin tonë. Erdhi me mua. Ne kishim këto tre dyqane që na i kthyen tani, këtu në rrugën e portit. Atëhere quhej Rruga Tregtare. Nuk pat nisur ende Lufa e Dytë Botërore, por çifutet si duket ishin të parët që e parandjenë fillimin e saj. Më kërkoi ti lija njërin dyqan me qira dhe filloji të punonte këtu. Flinte në dyqan që derën e pasme e kishte nga bahçja jonë. E shihja shpesh që me një libër të vogël në dorë mbështetej me kokë në mur dhe përkundej dhe lutej. Lufta kishte filluar dhe kush e dinte se ajo do të zgjatej e të vinte edhe në qytetin tonë. Pak çifutë i kishin parë të shkonin drejt portit dhe të merrnin udhët të përhumbur për t’i shpëtuar gjermanit. Një ditë më tha se do të nisej dhe ai. Por u sëmur. Në mbrëmje e gjeta duke u dridhur.

Nuk e di çfarë kishte parandjerë. Ndoshta vdekjen e tij. Kishte përgatitur një qeskë të hollë lëkure, ku futi një letër para syve të mi të shkruar në hebraisht. Ruaje këtë se ndonjë ditë në u bëftë ndonjëherë shtet Izraeli do të na kërkojë. Edhe këtë -dhe më tregoi vendin ku kishte lënë floririn që e nxirrte çdo ditë në dyqan...

   *

-...nga ç’vend jeni?- dikush me një anglishte të holluar pyeti gruan. - Nga Shqipëria, ju përgjigj gruaja e bezdisur.

- Oh, Shqipëria! Gjithmonë ka qenë mikja jonë.

Gruaja, si duket, nuk donte të shtynte më tej muhabetin.

- Si e ka tensionin, ka përmirësim...

- Po, po, mjekimi me tetraciklinë do t’i japë pak dhimbje koke por për tensionin i bën shumë mirë.

- O Zot shpëtoje për këta fëmijë - u lut gruaja zë ulët.

  *

... kishte ditë që gjyshi ishte me dhimbje koke. Iu lut tim ati që ta çonte deri në Tiranë. Jo për t’u vizituar. Tani le të vdes, thoshte ai, tani që morën dyqanet tona në Rrugën Tregtare... T’i punoni dhe t’i gëzoni. S’kam nevojë të mjekohem më... - Po atëherë pse do të shkosh në Tiranë, - e pati pyetur babai.

- Më ço tek ambasada e Izraelit. Dua të takoj ambasadorin...

Babai e kishte parë me sy të çakërritur...

  *

... ndjeva një dhimbje, një goditje pas koke. Si duket kisha rënkuar fort, ose thirrur, se gruaja dha alarmin:

- Kush është mjeku, ku është doktori?