BUJAR QESJA: Në hijen e malit pranë babait tim

-Qafshtama e vitit 1965, kujtim që nuk cënohet
Nga Qafshtama në Voskopojë, pasion që nuk u shua kurrë
-Një foto bardhë e zi, por plot jetë
Nga BUJAR QESJA
Ka fotografi që nuk plaken. Mund të zverdhen nga koha, mund të mbajnë mbi vete pluhur dekadash, mund të humbasin pak nga qartësia, por nuk humbasin shpirtin. Kjo foto është njëra prej tyre. Në të jam vetëm 15 vjeç, në vitin 1965, përkrah babait tim të paharruar, Xhafer Qesja. Një çast i thjeshtë në dukje, por që pas afro 60 vitesh, merr vlerën e një pasurie të madhe shpirtërore.
Babai shkonte çdo vit në Qafshtamë. Klima e saj, ajri i pastër, qetësia e pyjeve dhe madhështia e malit ishin për të mënyrë jetese, nevojë trupore dhe shpirtërore. Atë vit më mori edhe mua. Ishte hera ime e parë në atë lartësi magjike, mes gjelbërimit, heshtjes dhe aromës së pishave. Nuk e dija atëherë, se mali do të futej kaq thellë në jetën time, sa të bëhej pjesë e pandashme e qenies.
Në këtë fotografi, shikoj një djalosh të ri, me trup të hollë dhe sy plot jetë. Nuk e kuptoja ende, sa shumë po më dhuronte babai atë ditë. Nuk më jepte vetëm disa ditë pushimi. Më falte dashurinë për natyrën. Më mësonte pa fjalë, të dëgjoja heshtjen e pyllit, të ndjeja aromën e barit të lagur, të admiroja madhështinë e maleve shqiptare. Më mësonte të lidhesha me tokën dhe me jetën në mënyrën më të pastër.

Kur kujtoj ato ditë, më duket sikur dëgjoj ende hapat tanë në shtigjet e Qafshtamës. Babai ecte me qetësi, me atë seriozitetin e burrave të asaj kohe, por brenda tij kishte një dashuri të madhe për jetën dhe familjen. Besonte te fuqia kuruese e klimës malore. Besonte se mali të pastronte mushkëritë, të qetësonte mendjen dhe të forconte shpirtin. Dhe kishte të drejtë.
Ndoshta pikërisht aty lindi edhe lidhja ime e përhershme me malin. Pas asaj vere, nuk iu ndava më lartësive. Vitet kaluan, rinia iku, jeta mori ritmet dhe ngarkesat e saj, por unë vazhdova të kërkoja ajrin e pastër dhe qetësinë e maleve. Pprej shumë vitesh, Voskopoja është bërë vendi ku gjej veten. Në 1300 metra lartësi, larg zhurmës, smogut dhe ndotjes së qyteteve, prek të njëjtën freski që ndjeva dikur në Qafshtamë pranë babait tim.
Sa shumë ka ndryshuar bota! Sot ajri është rënduar nga ndotja, nga tymi, nga ritmi i çmendur i jetës moderne. Njerëzit vrapojnë pa pushim dhe harrojnë të marrin frymë. Harrojnë se natyra, është ilaçi më i madh. Sa herë ngjitem në mal, ndjej sikur kthehem sërish në atë vit të largët 1965. Më duket sikur babai ecën pranë meje. Sikur më thotë pa fjalë: “Shijoje jetën, bir. Dëgjo pyllin. Merr frymë thellë.”
Malli për prindin, nuk shuhet kurrë. Përkundrazi, vitet e bëjnë më të ndjeshëm, më të thellë. Kur je i ri, mendon se babai do të jetë gjithmonë aty. Vetëm kur mungon, kupton sa shumë forcë të jepte prania e tij. Nuk kam më mundësi t’i flas, por kam kujtimet. Dhe kujtimet janë pasuria më e madhe, që nuk ta merr askush.
Kjo fotografi, është më shumë se një kujtim familjar. Është historia e një dashurie të trashëguar brez pas brezi, dashuria për malin, për klimën, për jetën e thjeshtë dhe të pastër. Është një copëz rinie, që më jep ende energji. Sa herë e shoh, ndjej adrenalinë shpirtërore, thirrje të brendshme për të mos u dorëzuar para viteve, për të vazhduar të ecë, të ngjitem, të jetoj me pasion.
Mali ka një magji, që nuk shpjegohet lehtë. Nuk të jep vetëm ajër të pastër. Të jep qetësi, të jep forcë, të jep mundësinë të bisedosh me veten. Në mal, njeriu bëhet më i sinqertë. Atje larg zhurmës së qytetit, kupton sa pak gjëra duhen për të qenë i lumtur. Një frymëmarrje e thellë, një qiell i kthjellët, aroma e pishave dhe kujtimi i njerëzve të dashur.
Kam fatin, që këtë dashuri ma mëkoi im atë. Xhafer Qesja nuk jeton më, por ai vazhdon të jetojë brenda kujtimeve të mia, në çdo udhëtim drejt maleve, në çdo mëngjes të freskët të Voskopojës, në çdo çast kur ndalem dhe mbush mushkëritë me ajër të pastër.
Fotografia mbetet aty, e heshtur, bardh e zi, por plot jetë. Një djalë 15-të vjeçar pranë babait të tij. Dy breza në një rrugë mali. Dhe pas tyre, pylli i pafund, si simbol i kohës që ikën, por që lë gjurmë të përjetshme në zemrën e njeriut.








Comments