top of page

Vangjush Saro: Ribotohet novela “NJË DITË PA MAMIN”


ree

Në qendër të kësaj proze gjendet një baba që s’është përballur fort me punë shtëpie dhe përkujdesjet për fëmijët. Në mungesë të gruas - që shkon për një ekskursion me shoqet e veta - ai përpiqet ta organizojë ditën sa më mirë; për veten dhe për tre fëmijët e tij. Nga mëngjesi në mbrëmje, burri rropatet për t’i përcjellë ata në kopshte e shkolla, për t’i pritur e për t’u gatuar diçka, për t’i vënë në gjumë… Aventurat e babait ‘majtosh’ e bëjnë lexuesin për të qeshur, por mbase edhe të meditojë pak; (harmonia në familje lyp përkujdesjen dhe vëmendjen e të gjithëve).

Novela është një ribotim nga ERIK Botime. Është vlerësuar edhe më herët nga Publiku dhe Kritika Letrare. Shkrimtarja dhe kineastja Shpresa Vreto (vite më parë) shkruajti për elementet lirike, por sidomos për frymën aventurore të novelës. Në fakt, sipas shkrimtares së njohur, kjo karakterizon pothuaj gjithë krijimtarinë në fjalë. Ajo kishte parasysh edhe ndonjë libër tjetër, si ‘Polic këmbëvogli’, apo kinokomedinë ‘Shkëlqim i përkohshëm’, ndërkohë që nuk arriti të lexonte romanet ‘Kurora e Ballkanit’ e ‘Misioni’, ku (sidomos tek i fundit) fryma e aventurës është gjithashtu e dukshme.


ree

Ndërkaq, poeti dhe përkthyesi Edmond Tupja u shpreh me simpati për karakterin e babait, personazhi kryesor i novelës. Studjuesi Milaim Nelaj, në librin e tij ‘Profile Letrare’, ka veçuar humorin e shëndetshëm dhe stilin e shkathët, që e bën këtë prozë lehtësisht të lexueshme dhe tërheqëse. Dhe meqë ra fjala për këtë, duke sjellë edhe ndonjë përshtypje nga Publiku dhe librarët, po kujtoj një episod që mbase flet. Isha në një librari për t’u kujdesur për novelën. Vajza që punonte në ato orë, ishte studente; me siguri, rrinte aty një kohë në këmbë të së ëmës, pronarja e entit. Unë mora aq sa më takonte nga shitja e dorës së parë të librave, lashë kopje të tjera dhe, për të mos e kufizuar punën te kuleta, e pyes atë vajzën nëse i kishte hedhur ndonjë sy librit. “Po, tha ajo, më pëlqeu.” Dhe pastaj shtoi: “E lexova me lehtësi…” Fjalinë e fundit unë e mora - dhe s’kish sesi ndryshe - për kompliment, duke pasur parasysh sa i vështirë kish filluar të bëhej (sot edhe më keq) leximi i letërsisë…

Shumë faleminderit botuesve të mi Dëshira dhe Geni Shehu të ERIK Botime, si dhe faqosësit Ilir Drizari. Respekt për gjithë lexuesit dhe kolegët.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page