Vangjush Saro: Fabula
- 2 hours ago
- 2 min read

Vetëpërmbajtje
Bam (!) një çifte në pyllin e vjetër;
nga strofkulla, doli zonja Dhelpër.
“Po hedh njëherë sytë te përroi.
Ndoshta për mua diçka teproi:
ndonjë thëllëzë a ndonjë lepur…”
Por befas u dëgjua çiftja tjetër.
U kthye Dhelpra: “Kurrën e kurrës!
Më mirë pa ngrënë, se të lë lëkurën…”
“Ndryshimi”
Një Peshk i vogël, shok me frikën,
trembur nga rrjeta e peshq të mëdhenj,
ngec brenda një Qeseje plastike
(nga ato që flaken andej këtej)
dhe bota i erret, i bëhet pus…
I thotë Qeses: “Dhe ti na ha?”
“Ç’është ajo fjalë, o vogëlush!
Unë jam krejt ndryshe nga ata:
nuk të gëlltis si një e marrë,
por e marr shtruar, butësisht.
Asgjë nuk ndjen, nuk të dhemb fare…”
Vërtet, një vdekje ndryshe ish…
Kaposhi shpjegohet
Dikush i tha Kaposhit mjaft;
se kish filluar që pa gdhirë,
këndo e fryhu dhe këndo prapë…
(“Po ç’është, mo shoku, ky delir?”)
Dhe ai qartë u shpjegua:
“Mos e zmadho, o burrë i dheut!
Gjithsej pesë herë kam kënduar:
Dy herë te gardhi,
tre herë majë plehut…”
Gomari dhe Kaprolli
Teksa me dru po e ngarkonin,
Gomari i fliste një Kaprolli:
“Se si më dukesh ti, more vëlla,
të më falësh… pak si budalla.
Shkon e vjen as punë as zanat;
për kurrgjë s’do ishe ti në fshat.
Më në fund, o mik, me sa shikoj,
Ti nuk paske fare as patkonj…”
Në këto e sipër, qe ngarkuar;
tek lëkundej, sa nuk ra në përrua
dhe i hëngri vithesh ca shkopinj…
Tha Kaprolli i urtë: “Miku im,
tash për tash kam vetëm një këshillë:
çoje këtë barrë shëndoshë e mirë,
pa njëherë tjetër e gjejmë fjalën,
se kush është e kush nuk është budall…”
Gjethet
Ca gjethe fluturojnë për një çast
dhe enden qiellit tolerant…
Herë tremben, herë thonë plot gaz:
“Jemi këtu lart! Po po. Këtu lart!”
Por qielli është një sfidë e madhe;
dhe fluturimi gjithashtu.
Pas një copë herë, lodhen a mardhin
dhe bien të shkretat përdhe,
kuturu…
…………………………………………………….
(Arkiva "Fjala e Lirë" - Londër, Vankuver, korrik 2016)








Comments