top of page

Valbona Ahmeti: PËR TY

  • Aug 10
  • 2 min read

Poezia e Valbona Ahmetit është një himn i ndjerë për Shqipërinë, ku natyra dhe atdheu shkrihen në një portret të vetëm, të bukur e krenar. Malet, deti, agimet, toka dhe qielli marrin frymë nëpër vargje, duke krijuar një peizazh poetik që nuk është vetëm pamje, por edhe kujtesë, dashuri dhe identitet.

Në këtë poezi ndihet fort edhe figura e gruas dhe e nënës shqiptare, e cila qëndron stoike përballë stuhive të kohës, buzëqesh përmes dhimbjes dhe ruan në shpirt dashurinë, shpresën e të ardhmen. Vargjet mbartin një ndjeshmëri të veçantë, sepse pas bukurisë së natyrës fshihet edhe dhimbja e ikjes, por mbi të gjitha dëshira për paqe, jetë dhe dinjitet.

Në përmbyllje, Shqipëria shfaqet si një prani e bekuar, me “krahë shqiponje”, që përshkon horizontet dhe mposht trishtimin. Valbona Ahmeti e ndërton këtë poezi me ngjyra, aromë, dritë e emocion, duke e kthyer dashurinë për vendin në një përjetim të gjallë poetik. Është një poezi që nuk thjesht i këndon Shqipërisë, por e ndien dhe e përqafon atë me gjithë shpirt. (F.T.)


Për ty,

për malet kryelarta

që të rrinë si kurorë mbi ballë,

për perëndimin buzëkuq

që puth detin me mall.


Për agimet e përdiellta

që shtrydhin qumësht drite

në sytë tanë,

për çdo pëllëmbë toke

që është burim i pasurisë dhe bukurisë së rrallë.


Për ty që qëndrove stoike

përballë stuhive të kohës,

për ty që thërret me ngjyrat

e zërit të paqes,

për ty që buzëqesh

edhe kur dhimbja të rëndon,

për ty që nuk ke frikë të heshtësh

për të ardhmen e fëmijës tënd.


Për ty që deh zemrat

me parfum lulesh,

për dashurinë që e ke të latuar në shpirt

dhe kurrë nuk përkulesh.


Për ty që përmes këngës,

klithmat e ikjes i shpërndan në çdo anë

për zogjtë e tu që në qiellin e kaltër

lënë gjurmë pafaj


Për ty që lulëzimi i gonxheve

ëndrrat t’i çon peshë në çdo stinë,

dehesh si dallgë deti

deri në rebelim.


Për ty, që me krahë shqiponje,

horizontin e përshkon larg e me larg,

Nga thellësi e syve vret trishtimin që në ag.

Për ty që Zoti të krijoi

me gjithë atë bukuri dhe të bekoi

me emrin Shqipëri.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page