top of page

Fatmir Terziu: Fjala e Lirë: dy kujtime, një gazetë dhe një copëz e trazuar ...

Aug 22
6 min read

Fjala e Lirë: dy kujtime, një gazetë dhe një copëz e trazuar e demokracisë shqiptare


Nga Fatmir Terziu

 

Historia e gazetës “Fjala e Lirë” është njëra nga historitë e vetë demokracisë shqiptare. Ajo i përket atij momenti të jashtëzakonshëm të viteve 1991–1992, kur Shqipëria po dilte nga diktatura dhe fjalët liri, demokraci, shtyp i pavarur dhe pluralizëm nuk ishin ende koncepte të stabilizuara, por pothuajse një mënyrë e re për të marrë frymë. Për këtë gazetë janë shfaqur edhe kujtime të ndryshme. Një prej tyre është rrëfimi i gazetarit dhe redaktorit Bujar Hudhri, i cili e përshkruan veten si kryeredaktorin e parë dhe tregon hollësisht rrugën e gazetës që nga themelimi, më 14 shtator 1991, deri te përplasjet e saj me pushtetin e ri. Por kjo histori nuk mund të lexohet vetëm nga njëra anë. Ka edhe dëshmi të tjera personale, të njerëzve që erdhën më pas në jetën e gazetës, kur ajo kishte hyrë tashmë në një fazë tjetër të vështirë dhe kur pesha e saj institucionale kishte filluar të binte. Pikërisht këtu nis edhe rruga ime me “Fjalën e Lirë”.

Dua ta them që në fillim, nuk kam qenë pranë saj në ditët e para të themelimit. Në atë kohë isha mësues dhe më pas drejtues shkolle në Gracen, Polis-Valë dhe Shtërmen të Elbasanit. Prandaj nuk do të ishte e drejtë të përvetësoja një histori ku nuk kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë. Përkundrazi, e respektoj dëshminë e Bujar Hudhrit për periudhën e parë të gazetës dhe nuk kam arsye ta komentoj atë përtej asaj që vetë ai ka shkruar.

Hudhri rrëfen se gazeta u themelua në një klimë të jashtëzakonshme politike. Më 14 shtator 1991 doli numri i parë dhe ai u zgjodh kryeredaktor. Ai kujton gjithashtu se për gazetën u krijua një këshill botues me disa prej emrave të njohur të jetës kulturore e publike të Elbasanit. Sipas rrëfimit të tij, “Fjala e Lirë” nisi fillimisht një herë në javë, më pas dy herë, dhe brenda një kohe të shkurtër u përball me problemet klasike të shtypit të një vendi që sapo kishte dalë nga një sistem totalitar, financimi, hapësirat, pronësia, marrëdhënia me partitë dhe, mbi të gjitha, pyetja nëse një gazetë mund të ishte vërtet e pavarur kur shoqëria përreth saj ishte ende e lidhur fort me strukturat politike. Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme që na lë sot historia e saj. A mund të lindte një shtyp vërtet i pavarur në një shoqëri që sapo kishte dalë nga diktatura? Në teori, po. Në praktikë, rruga ishte shumë më e ndërlikuar.

Vetë rrëfimi i Hudhrit tregon se “Fjala e Lirë” u krijua në një mjedis politik ku kufiri midis shtypit opozitar dhe shtypit të pavarur ishte ende i paqartë. Në fillim gazeta ishte e lidhur me Partinë Demokratike, por më pas, sipas dëshmisë së tij, financimi politik u ndërpre dhe atij iu tha qartë se gazeta nuk duhej të konsiderohej organ i vetëm i një partie. Pikërisht aty duket se fillon paradoksi i madh i saj, gazeta lind nga klima e pluralizmit politik, por përpiqet të bëhet një zë përtej vetë forcës politike që e kishte ndihmuar të lindte.

Dhe këtu historia bëhet edhe më interesante. Hudhri rrëfen se pasi miqtë e tij politikë erdhën në pushtet, ai u përball me një situatë të re, gazetari duhej të ishte përballë pushtetit, edhe kur pushteti përbëhej nga njerëz që dikur kishin qenë miqtë e tij. Në një nga editorialet e para kritike, ai ngriti publikisht pyetjen për korrupsionin e pushtetit të ri. Më pas pati një tjetër përplasje me drejtuesin e rendit publik. Sipas rrëfimit të tij, këto përplasje çuan në ndarjen përfundimtare nga Partia Demokratike dhe në atë që ai e quan shtetëzim të gazetës. Kjo pjesë e historisë është veçanërisht e rëndësishme sepse tregon një nga paradokset e tranzicionit shqiptar: njerëzit që kishin luftuar për pluralizmin politik nuk e kishin gjithmonë të lehtë të pranonin një shtyp që mund t'i kritikonte ata pasi kishin ardhur në pushtet.

Por historia ime me “Fjalën e Lirë” nis pikërisht në një tjetër moment të kësaj udhe. Kur ajo ishte braktisur. Pas largimit të Tomor Jolldashit, ish-gazetar i gazetës "Bashkimi", i cili kishte pasur drejtimin e saj dhe më pas themeloi gazetën “Elbasani”, unë u thirra nga Ibrahim Pajenga, atëherë Kryetar i Këshillit të Rrethit, për të marrë drejtimin e “Fjalës së Lirë”. Nuk më kujtohet nëse e pranova menjëherë. Por një episod më ka mbetur i gjallë në kujtesë, të nesërmen Dhimitër Tavanxhiu më solli vulën, çelësat e zyrës dhe vendimin ku përcaktohej se unë do të isha drejtuesi i gazetës, së bashku me dy persona të tjerë, ndër ta edhe vetë Tavanxhiu. Dhe kështu, në një fazë tjetër, “Fjala e Lirë” kaloi në duart e mia.

Nuk ishte më ajo gazetë e entuziazmit të parë demokratik. Nuk ishte më ajo redaksi që përshkruhet në kujtimet e Hudhrit. Ishte një gazetë që kishte kaluar tashmë nëpër një periudhë të stuhishme dhe që, kur e mora përsipër, nuk kishte më mbështetjen e dikurshme. Megjithatë, ne nisëm ta botonim. Një herë në javë. Gazeta printohej në Tiranë. Për një periudhë u shtyp tek Eurorilindja, më pas tek Mimoza Ahmeti, ndërsa në procesin e përkujdesjes së saj ishte edhe Eno Myftiu. Por këtu fillon një tjetër e vërtetë, më pak romantike e gazetarisë së tranzicionit, një gazetë nuk mbahet vetëm me idealizëm.

Duhet financim. Duhet staf. Duhet letër. Duhet shtypshkronjë. Duhet zyrë. Duhet shpërndarje. Duhet një strukturë që të mbajë mbi supe barrën e saj. Dhe pikërisht këto mungonin. Vula ishte në dorën time. Çelësat ishin në dorën time. Zyra ishte në dorën time. Gazeta ishte në dorën time. Por askush nuk interesohej më për të. As për financimin. As për organizimin. As për të ardhmen e saj. Në një moment më thanë, në thelb, merre vetë në dorë. Dhe unë e mora. Jo sepse ishte një sipërmarrje e lehtë. Përkundrazi. Por sepse një gazetë, edhe kur është duke u shuar, nuk mund të lihet të vdesë pa u përpjekur dikush ta mbajë gjallë. Kjo është arsyeja pse sot, kur më pyesin se ku ishte dhe ku nis rruga ime me “Fjalën e Lirë”, përgjigjja ime është e thjeshtë, jo në ditën kur ajo u themelua, por në ditën kur ajo kishte mbetur pa njerëz që të kujdeseshin për të. Dhe kjo është një diferencë e rëndësishme. Sepse themelimi i një gazete është një akt historik, mbajtja gjallë e saj kur askush nuk interesohet më është një tjetër lloj përgjegjësie.

Ka edhe një fakt tjetër që nuk duhet harruar. Në kujtimet e Hudhrit, “Fjala e Lirë” paraqitet si një përvojë e rëndësishme e shtypit të hershëm pluralist shqiptar. Ai dokumenton edhe përpjekjen për legalizimin e saj dhe përmend lejen e ushtrimit të profesionit, nr. 1798, datë 19 qershor 1992, të lëshuar nga Dega e Tatim-Taksave Elbasan. Më pas, sipas të njëjtit rrëfim, konflikti rreth pronësisë dhe kontrollit të gazetës çoi në krijimin e një gazete tjetër, “Ku Vemi”, ndërsa pak më vonë Hudhri u përkushtua tërësisht ndaj themelimit të shtëpisë botuese “Onufri”, miratuar më 20 nëntor 1992. Kjo kronologji është e rëndësishme sepse na ndihmon të kuptojmë se “Fjala e Lirë” nuk ishte thjesht një titull gazete. Ajo ishte pjesë e një zinxhiri ndryshimesh që përfshinte shtypin, politikën, institucionet, pronësinë dhe kulturën shqiptare të viteve të para pas diktaturës.

Por unë kam një dëshmi tjetër, nga një tjetër kapitull i jetës së saj. Kur ajo erdhi në duart e mia, nuk po përjetoja lindjen e demokracisë. Po përjetoja vështirësinë e mbijetesës së një zëri publik. Dhe ndoshta këtu qëndron një mësim që nuk duhet humbur. Historia e shtypit shqiptar nuk është vetëm historia e gazetave që lindën. Është edhe historia e gazetave që u braktisën, e atyre që u mbajtën me sakrifica, e redaktorëve që punuan pa mbështetje, e njerëzve që morën mbi vete një përgjegjësi edhe atëherë kur nuk kishte më as para, as interes, as siguri.

“Fjala e Lirë” ishte një prej tyre. Prandaj nuk dua ta përvetësoj historinë e saj dhe as ta kundërshtoj dëshminë e atyre që ishin para meje. Përkundrazi, dua ta vendos dëshminë time në vendin që i takon, si një kapitull tjetër i së njëjtës histori. Bujar Hudhri dëshmon për lindjen e saj dhe për përplasjet e para me politikën. Unë dëshmoj për një periudhë tjetër, kur gazeta kishte mbetur pa mbështetjen e dikurshme dhe kur vula, zyra, çelësat dhe përgjegjësia e saj kishin kaluar në duart e mia. Dy dëshmi. Dy periudha. Një gazetë. Dhe mbi të gjitha, një kohë që sot duket shumë larg, por që në të vërtetë është ende brenda nesh: koha kur shqiptarët po mësonin, me dhimbje dhe gabime, se liria e shtypit nuk mjafton të shpallet; ajo duhet mbajtur gjallë çdo ditë. Kjo është arsyeja pse, sa herë më pyesin për “Fjalën e Lirë”, nuk them se ajo ishte vetëm e Bujar Hudhrit, as vetëm e imja, as vetëm e një partie, institucioni apo grupi njerëzish. Ajo ishte e një kohe. Dhe koha, ndonëse nuk kthehet më, ka detyrimin të dëshmohet.

2 Comments


Menda Vreto
Aug 23

Pasi lexova historinë e lindjes së gazetës “Fjala e Lirë”, kuptova edhe më shumë vlerën e punës dhe përkushtimit tuaj. Në një moment, kur kjo gazetë ishte lënë pas dore dhe pothuajse e braktisur, ju e morët përsipër, i dhatë jetë dhe po e mbani gjallë edhe sot, duke e bërë çdo ditë e më të fortë.

Për mua, “Fjala e Lirë” është si një monument historik i braktisur, muret e të cilit duhen mbajtur fort që të mos shembet dhe të mos humbasë historia. Sepse për ta mbajtur gjallë një vepër të tillë duhet vullnet, dashuri, përkushtim dhe mbi të gjitha respekt për atë që është ndërtuar ndër vite.

Dhe gjëja më e bukur është se ju nuk e…

Like

Ndue Perlala
Aug 23

E verteta duhet deshmuar mbase ndryshe ajo humb dhe perdoret nga kushdo në menyrë abuzive. Respekte !

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page