top of page

Vajza e Gjeneralit


Aleko Likaj

Vajza e Gjeneralit

roman Pjesa e fundit


- Mendmimi im është se Enver Hoxhës puna dhe qëndrimin e tij në krye të PPSH-së nuk mund ti vlerësohet me përqindje apo me kilogram. Po të matej me përqindje, atëhere po të them me bindje të plotë, sipas mendimit tim, se Enveri ka pasur 80 për qind gjëra pozitive dhe 20 për qind negative. Gabimet e sistemit që ai drejtoi ishin mbyllja totale, lufta e klasave e mosdhënia e asaj që i takonte gjithkujt sipas mundësive dhe aftësive. Ndërsa gabimi më i madh sipas asaj që unë gjykoj tashmë i qetë, qe se ai vrau në mënyrë të padrejtë gjithë shokët që bënë luftën, njerëzit kolosë që e ngritën me sakrificë, djersë e gjak Shqipërinë nga rrënojat e së vjetrës, së shkuarës. Njeriu që foli u kollit fort e pastaj ngriti kokën lart nga qielli, ku menjëherë u dëgjua krokama e një korbi në një pemë aty pranë. Ndihej një fllad i lehtë ere që ia përkëdhelte halat atje në majë, ku pas tyre dielli i pasdites që nuk të ngrohte aspak, dukej se po shkonte të pushonte. Dikush u kaloi pranë stolit tre burave të moshuar dhe u kërkoi të ndizte cigaren e tij. Një prej tyre me trup më të gjatë dhe të mbushur nxori shkrepësen dhe tjetri pas e thithi dy a tri herë, falënderoi duke vënë dorën në zemër dhe pastaj u largua e zuri vend më tej në stolin e parkut në qendër të kryeqytetit buzë Lanës, në të vetmin park të madh e të gjelbër aty. - More, Dilooo. Fytyrë e parë ky njeri. Ka qenë bashkëvuajtës me ne më duket. E kam parë një herë në Spaç ku e mbajtën ca ditë. Më duket, pastaj e dërguan në një kamp tjetër. Por edhe unë lëviza për në Burel atë kohë, kur jemi takuar bashkë deri në fund me gjithë oficerët madhorë të shtabit të ushtrisë, - tha përsëri njeriu që u kollit nga tymi i duhanit duke mos ia ndarë sytë njeriut të cigares. Ai që u thirr me emrin Dilo, lëvizi nga vendi dhe hodhi vështrimin nga bredhi ku korbi vazhdonte të lëshonte ende krokama, që në një farë mënyre po bëheshin të besdisshme dhe po ua bënte krejtësisht të padurueshme qëndresën tre burrave aty. - Enveri dhe Mehmeti e donin shumë njëri-tjetrin. Ndarja erdhi për ide të ndryshme ekonomike, - foli njeriu që lëvizi nga stoli dhe që u thirr me emrin Dilo. Ai i stolit tjetër gjeti një gur dhe e nisi në drejtim të shpendit që nuk pushonte atje në majë të pemës dhe pastaj, pasi i fshiu shuplakat me njëra-tjetrën, erdhi dhe u afrua tek të tre burrat ku kishte ndezur një çast më parë cigaren. - Mirë që nuk ju vjen keq për vitet që i latë nëpër burgje së bashku me mua, por nuk paskeni respekt as edhe për veten tuaj, more të mjerë. Ju viktimizoi dhe ju poshtëroi, ju shkatërroi familjarisht dhe ende e mbani yll të karvanit të rrugës suaj të pasburgut. Qofshi ju! Perëndia pastë mëshirë! - tha me një lloj zemërimi të brendshëm. U duk se pas kësaj ra një qetësi varri. Asnjë nga tre burat që ishin ulur në stol, nuk i dha një përgjigje bashkëvuajtësit, që e kishte dëgjuar bisedën e tyre. Ai hoqi kapelen dhe pastaj e rrotulloi në duart gjithë inat e mllef. Qetësisht hodhi hapat duke ua kthyer shpinën në një nga rrugicat e parkut. Asnjë nuk e ndoqi me sy. - U ftoh pak. Ejani të lëvizim,- i ftoi qetësisht dy shokët e tij njeriu që kishte shkrepësen.

* * *



Aeroporti i Rinasit dukej që larg si i braktisur dhe i shkretë. Në pistë mungonin avionët. Fluturimet gati ishin pezulluar. Shoqëritë ajrore që operonion me Tiranën ende nuk ishin kthyer në linjat e dikurshme. Një ditë më parë kishte udhëtuar edhe "Taromi" rumun, që vinte nga Bukureshti për në Romë, por në Ministrinë e Jashtme shqiptare u kishin thënë se do të kishte edhe një fluturim atë ditë jashtë programit. E kishin kërkuar në aeroport, pasi pritej që të sillte edhe personel familjar të disa ambasadave të akredituara në Shqipëri, të cilët ishin larguar sapo filluan lëvizjet e dhjetorit. Kjo për siguri, pasi nuk dihej se si mund të precipitonin protestat në rrugë. Dyshohej për një masakër si ajo rumune disa muaj më parë ku ishte ekzekutuar Çaushesku me të shoqen e tij, por kjo nuk mund të konfirmohej kurrsesi. Asnjë nuk mund të bënte një prognozë të qartë të zhvillimit të ngjarjeve, edhe pse tashmë ishte krijuar edhe parlamenti pluralist shqiptar. Një muaj më parë në një qytet të veriut ishin vrarë katër djem të rinj në një demonstaratë në shesh. Edhe pse situata dukej nëpërmjet shtypit si tejet e acaruar, gjërat në thelb kishin filluar të ndryshonin për mirë. Këtë e kishin kuptuar edhe përfaqësitë e huaja dhe tani shpresonin në kthimin e familjeve që u larguan katër a pesë muaj më parë. Brizhitë Bonner pështeti kokën në xhamin e derës së taksisë dhe vështrimin e treti në hapësirat bosh të aeroportit. Jashtë vazhdonte që nga mëngjesi një shi i imët dhe pemët gjysmë të veshura dukeshin si rojtarë të vonuar në një fushë të shkretuar. Pranvera ishte në dilemën e shfaqjes së saj në këtë vend. Mbase ishte e trembur. Bardhi qëndronte i mbështetur në krah e sytë e tij nuk shprehnin më asgjë. Dukeshin si të përhumbur dhe pa shkëlqimin e zakonshëm. Madje edhe ngjyra gri u mungonte. Ishte tërësisht nën efektin e qetësuesve. Shumë pak reagonte dhe nuk përqendrohej. Francezja në një çast e vështroi përmallshëm dhe pastaj zgjati duart për t'i rregulluar jakën e xhakaventos, e cila ishte përthyer brenda qafës nga pozicioni gati si një gjysmë i shtrirë aty në sedilen e fundit. Iu duk sikur ishte sërish në një tjetër botë njeriu që e kishte turbulluar fillimisht dhe pastaj e kishte bërë shumë të lumtur dikur, atje në jug-perëndim të Francës, por që kjo nuk kishte zgjatur shumë për Brizhitën. Dashuria dhe malli për Bardhin e kishin sjellë në Tiranë që nga Parisi. U kthye nga ai dhe i rregulloi një cullufe floku që i kishte rënë mbi ballë. U kujdes që t’ia shihte përsëri sytë gri dhe u përkul duke ia vënë dy buzët mbi ballë. Kishte qenë i vështirë pas shumë vitesh ritakimi për vajzën e ardhur nga kryeqyteti francez. E ngarkuar me emocione nga pritja dhe mungesa e gjatë, ajo fillimisht pësoi një zhgënjim, ndërsa e gjeti të pagojë e të sëmurë në shtrat në një nga pavionet e spitalit nën efektet e medikamenteve dhe qetësuesve. Nuk do ta dëshëronte kurrë atë pamje që iu shfaq aty në atë dhomë gati të rrënuar, të ftohtë, të trishtë si e pajetë, edhe pse atje në Paris ajo kishte menduar ndoshta më të keqen, sepse diktaturave asnjëhere nuk u dihen trillet e tekat e tyre. Nuk i mëson kurrë ato, dhe kur i sheh nga jashtë, dhe kur ndodhesh larg në pozicionin e një vëzhguesi. Ekipi i mjekëve nuk e kishte lënë Brizhitën që ta prekte, edhe pse ajo ngulmoi që ta puthte të paktën në ballë. Bardhi nuk reagoi. Kjo gjendje për doktor Lutfiun do të zgjaste edhe tri a katër orë, por edhe më vonë ai do të ishte në një gjendje somnambuli, si në një ëndërr e gjumë të thellë, që edhe pse dëgjon dhe kupton ato që thuhet për të, nuk reagon. Efektet do të vazhdonin për shumë kohë. Nisja e transporti për në Paris, aq e domosdoshme për jetën e tij, duhej të ishin krejt ndryshe në një kohë tjetër. Ekipi i mjekëve i dha disa porosi përpara sesa parizienia ta merte Bardhin të nesërmen në mëngjes, me të cilin do të udhëtonte drejt aeroportit. Vajza pas kësaj u duk se u bë me krahë e pastaj nxitoi për të telefonuar në shtëpinë e saj. Donte t'i lajmëronte një orë e më parë, se e kishte gjetur dhe takuar Fatbardhin dhe se do të merrnin pak orë më vonë së bashku rrugën e kthimit për në shtëpi. Me diplomatin francez, Oliver Dypon, pas kësaj shkoi në Ministrinë e Rendit ku e priti zëvëndësministri. Ai u tregua i gatshëm për ta pajisur me dekumenta dhe një pasaportë njeriun e saj. Një foto e Bardhit student, që Brizhita gjithmonë e mbante me vete që nga ndarja, u duk si "zgjidhja më e mirë e mundshme". Kështu i tha francezes specialisti në atë zyrë, duke e porositur pastaj që duhej të vinte pas dy orësh për ta marrë. Kaq u desh që ajo të shkonte dhe të kërkonte rroba e veshje me të cilat Bardhi do të udhëtonte nesër në mëngjes, por edhe në Ministrinë e Jashtme për të konfirmuar linjat. Një grup njerëzish që dukej se kishin kaluar orë të gjata në pritje për të ikur nga vendi, qëndronin në heshtje përballë sheshit të vogël të portës qendrore të aeroportit të Rinasit. Brizhitë Bonner lëvizi nga taksia duke mbajtur për krahu Bardh Tafën, të cilin e vendosi në tavolinën e një verande të një klubi aty pranë. Taksisti solli valixhen dhe francezja e pagoi. Pastaj të sapoardhurit kaluan pragun e lokalit dhe u sistemuan në një kënd. Në tavolinat e tjera kishte njerëz. Vajza dalloi në fytyrat e tyre një lodhje të tejskajshme. Në mollëzat e varura e sytë që kishin filluar të vinin rrathë të zinj, reflektohej një ndjenjë padurimi. Mund të kishin kaluar edhe natën e mbase disa të tilla në pritje të një avioni që në qiellin e vrejtur të atyre ditëve mungonte shfaqia e tij. Aty nga mesdita dikush solli lajmin se avioni ishte nisur nga Roma. Për këtë tregonte se kishte biseduar me një punonjës të aeroportit që merrej me drejtimin e avionave dhe që, sipas tij, ishte kunati i të vëllait të vetëm që e kishte lënë pas në Tiranë. Brizhitë Bonner në fillim nuk e kuptoi se ç'tha njeriu që posa hyri në lokal. Befas vërejti që ndryshuan edhe fytyrat e njerëzve që i kishte parë më përpara. Ky ndryshim i menjëhershëm nuk kishte se si të mos i binte në sy. Në fillim pyeti në frëngjisht njeriun e parë që i kaloi aty pranë, por kur ai nuk reagoi ndërsa qëndroi si një guak përpara së huajës pa ditur se ç'të thoshte, gruaja e huaj pyeti sërish në anglisht. - Do të vijë avioni, - tha tjetri përballë dhe pastaj u drejtua nga dera që ishte vetëm disa hapa me larg. Pak minuta më pas, dikush nga punonjësit e aeroportit, së bashku me një oficer policie, njerëzve të mbledhur brenda në holl, u thanë shkurtimisht se do të fillonte procesi i deportimit. Porositi për valixhet duke theksuar se, "nuk mund të pranonin bagazhe të cilat i kalonin të 15 a 20 kilogramët". Ky ishte kusht i domosdoshëm sipas tij, pasi avioni ishte i përzgjedhur për këtë linjë të jashtëzakonshme nga ata që sapo kishin dalë nga remonti. Ishte një çarter që nuk mund t'i përballonte gjithë kërkesat të udhëtarëve për këtë linjë. Frika pas kësaj se mund të rrezikonin që të gjithë nga ky udhëtim, dukej se zotëroi në të gjithë hapësirën e asaj salle që kishte qenë krejtësisht e boshatisur gjatë këtyre ditëve. - Kemi mundur të sigurojmë një udhëtim jashtë linje në shoqërinë ajrore të transportit italian, pasi avioni i saj pritet të vijë nesër nga Bukureshti. Ky i sotmi nuk do të ketë kthim. Do të qëndrojë në Romë. Aktualisht ju sot jeni shumë. Ne kemi menduar që t'ju ndajmë në dy grupe. Që do të thotë se jo të gjithë do të fluturojnë sot. Përparësi kanë të huajt dhe ata që udhëtojnë për probleme të ngutshme shëndetësore. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj,- tha dikush nga drejtoria e aeroportit në tri gjuhë: angleze, franceze dhe italiane. Pas kësaj turma u duk se u mpak. Njerëzit u mblodhën drejt qendrës së sallës dhe iu drejtuan një banaku në krahun e djathtë. Aty dy-tre punonjës civilë, që me siguri duhej të ishin nga Ministria e Transportit, por edhe të asaj të Rendit dhe aeroportit, kishin zënë vend përballë. Do të bëhej diferencimi për udhëtarët e linjës. Realisht kishte një heshtje e udhëtarët që do të fluturonin nga Rinasi dukeshin si të bindur për çka do të vendosej aty. Brizhitë Bonner që mbante në një dorë partesynë e palosur e valixhen dhe në tjetrën kishte mbërthyer në krah Fatbardh Tafën, doli paksa nga grupi dhe iu drejtua një punonjësi që ishte aty. Ky e shoqëroi deri te banaku. E huaja tregoi edhe një letër që kishte mundur të merrte në Ministrinë e Rendit për ta parë si një rast me përparësi. Ndërsa kishin mbaruar që të gjithë formalitetet, u vendosën në një sallë përballë pistës. Përtej xhamave u duk silueta e një avioni të vogël, që vraponte tej në pistën e lagur si një maratonist që pret të prekë finishin. Udhëtarët më shumë se nga kurioziteti u ngritën dhe u afruan te xhamat e dritareve të mëdha, nga ku dukej sheshqëndrimi i avionëve. Brizhita tani kishte zënë vend në një grup stolash plastikë në krahun e djathtë të sallës. Fatbardh Tafa me sytë e shpërqendruar dukej si një hije e vetes së tij. Nuk fliste. Herë-herë dukej se jetonte vetminë brenda një ëndrre të pafund. Mbi mollëzën e majtë një njollë e kuqe kishte krijuar figuracionin e një shumëkëmbëshi të heshtur. Hematoma që ishte zmadhuar që nga mëngjesi i asaj dite kishte një tendencë për të zbritur më poshtë. Të dy sytë gri kishin zënë kësaj radhe një rreth të errët që fillonte poshtë vetullave e takohej me majat e faqeve të zbehura. Francezja u duk sikur e pyeti për diçka, por shoqëruesi i saj nuk reagoi. Kjo e trishtoi sërish vajzën e ardhur që nga perëndimi i kontinentit dhe e bëri që fshehtas të njomë sytë e saj të bukur. Në një çast nxori me shpejtësi shaminë dhe e vendosi t'i përthante rrëkezat, të cilat qëndruan mbi mollëzat e lëmuara. Pastaj sikur të ishte kujtuar, u step menjëherë dhe u duk se e fshehu shaminë që shtrëngonte në dorë. Ndoshta i erdhi turp përpara kësaj mase njerëzish, që edhe ashtu në atë sallë të vogël ku të zihej fryma, në tjetër vend e kishte hallin. Dikush bëri me gisht nga dritaret, ku përtej xhamave të mëdhenj u dukën njerëzit e parë të sapozbritur nga avioni, që mbërriti nga Roma. Një grup prej udhëtarëve, ata më kureshtarët, u afruan pranë dritareve për t'i dalluar më mirë dhe për të parë ata që dukeshin si të ardhur nga një tjetër planet i kësaj gjithësie. Kryesisht gra e disa burra, por edhe ndonjë fëmijë i vogël që nxitonte i kapur pas dorës së nënës së vet. "Janë nga personeli i ambasadave që rikthehen përsëri në këtë vend", -mendoi Brizhita, ndërsa i erdhi në mend fjala që i tha një ditë më parë zëvendësministri i brendshëm shqiptar, kur i kishte dorëzuar pasaportën dhe lejen e kalimit të Bardhit. E kishte inkurajuar francezen me një sjellje korrektësie, që kishte ardhur në një vend dhe në një kohë krejtësisht të papërshtatshme për të rigjetur dashurinë e humbur buzë Adriatikut. Formalitetet e nisjes filluan shpejt. Një vajzë e re shqiptare, e veshur me uniformë që mbante gradën e togeres, së bashku me një civil gjatosh, i veshur në një palë blu xhins të dalë boje, ishte postëblloku i fundit për t'u larguar nga ky vend. Rrugën deri tek avioni e bëri së bashku me një grup të vogël njerëzish që shoqëroheshin nga tre policë të shërbimit vetëm 50 metra larg "zogut të çeliktë". U sistemua në fund të mjetit fluturues. Nxori Bardhin nga dritarja dhe pasi ia vendosi edhe rripin e sigurimit, u ul. Të tjerët zunë vendet me shpejtësi e në qetësi. Brixhitë Bonner nuk kishte kohë që t'i ndiqte me sy. Dy radhë përpara saj u ulën dy burra. Njëri prej tyre e salutoi me kokë, ndërsa i kaloi pranë. Iu duk sikur ajo përshëndetje ishte për Bardhin e saj. Duhej të ishte një prej ish të njohurve të vjetër të tij. Por i dashuri i zemrës së saj nuk reagoi. Një çast më vonë asaj iu duk se diçka e lidhte me atë portret shqiptari, por nuk kujtohej më për asgjë. Ndofta mundet ta kishte parë gjatë ditëve aty në Tiranë. Për Brixhitën tashmë e rëndësishme ishte se kishte mundur që ta rigjenin njëri-tjetrin, babanë e të vetmit djalë dhe që e priste me padurim të shihte njeriun që e solli në jetë. Ajo ishte e bindur dhe shpresonte te mjekësia për një rikthim të Bardhit, edhe pse situata sipas mjekut shqiptar, kishte avancuar për të keq. Distanca Tiranë-Bari u duk se nuk mbaroi shpejt. Pas një kalimi mbi Adriatik ndërmjet dy brigjeve, avioni u duk se e preku shpejt gadishullit Apenin e më pas fluturoi mbi tokën italiane drejt veriut në aeroportin "Fiumicino" të Romës. Pak më shumë se një gjysmë ore më vonë Brixhita së bashku me Bardhin u ndodhën në hollin e daljes. Tani i duhej të gjente ndonjë biletë për fluturimin drejt Parisit. Në Tiranë nuk kishin mundur t'ia rezervonin për shkak të mosgarancisë së mbërritjes të avionit në Rinas. Nëse nuk mund të gjente për oraret e fluturimeve të mbrëmjes për në kryeqytetin e saj, do t'i duhej të zinte një hotel. Në qendrën e informacionit brenda godinës së madhe të aeroportit, i thanë se ishte krejtësisht e pamundur që të realizohej një udhëtim për oraret e fundit, pasi që të gjitha vendet ishin tashmë të zëna. Gjëja e parë që i ra në mendje pas kësaj situate të re, ishte ajo se mund të rezervonin të paktën biletë për ditën e nesërme. I ishte dhënë një mundësi për fluturimin e orës dhjetë të mëngjesit drejt Parisit, duke i vënë në dispozicion dy bileta. Në daljen "C" të aeroportit, aty ku u drejtua Brizhita me Bardhin, u duk se kishte ndodhur diçka. Një grup njerëzish kishin ndaluar pak hapa përtej portës dhe pas tyre disa karabinierë italiane lëviznin të shqetësuar duke komunikuar me radio. Një burrë i moshuar me flokët e verdha të prera shkurt dhe që dukeshin si push i një zogu rose, tha disa fjalë në frëngjisht, sikur i mllaçiste brenda gojës së vogël të tij. "E kanë shtypur. Ka qenë një taksi". Pastaj ai tregoi me gisht drejt mjetit për një mikeshën e tij që e kishte në krah. Duhej të ishin të sapombërritur nga vendi i Brixhitës. Ajo u kthye sërish në holl dhe preferoi një dalje tjetër disa metra më tej. U fut në lumin e njerëzve dhe ngjarjes nuk i vuri më rëndësi. Mori një taksi dhe i kërkoi të sistemohej në hotelin më të afërt aty përreth. Nuk donte të hynte në kryeqytetin italian por preferoi që të sistemohej aty në zonën periferike. Ndërsa ishte qetësuar në dhomën komode të katit të tretë të hotel "Roma", duke bërë edhe dush së bashku me Bardhin, porositi menjëherë darkën. Përtej xhamave të ballkonit ishte shfaqur disku i madh i zjarrtë që po shuhej mbi det. Iu duk sikur një dorë e pakujdesshme kishte derdhur mbi të si për ta shplarë një kovë me bojë të kuqe. Telefonoi në shtëpi vetëm për pak çaste, sa për të lajmëruar për mbërritjen në Romë, por edhe për kthimin pranë tyre në mesditë. Përtej telit ishte Evelina. U tha se e kishte përballuar kthimin dhe se Bardhi po pushonte tani. Ndihej i lodhur. Foli edhe me Bardhin junior. Pastaj në pritje të garsonit që shërbente në atë kat, u ul përpara televizionit. Pamjet e edicionit të lajmeve të RAI-t, që iu shfaqën në ekranin e vogël, kishin të bënin pikërisht me ngjarjen e aeroportit. Kronika me detaje tregonte se si viktima kishte rënë nën rrotat e një taksie, që kishte sjellë disa udhëtarë nga kryeqyteti. Pastaj në ekran u dallua një foto e viktimës, marrë nga pasaporta diplomatike që i ishte gjetur atij në momentin kur ishte realizuar krimi. Në fillim fotoja nuk i ngjalli asnjë interes, por i erdhi keq për fatin e tij. Një djalë i ri që i kishte kaluar të tridhjetat e që për të folësi në ekran theksonte faktin se ishte një diplomat shqiptar i sapombërritur me avionin jashtë linje nga ky vend. "Paska qenë në një avion me ne", -mendoi Brixhita, duke i kuptuar përgjysmë fjalët në italisht. Sipas gazetarit italian, Ndriçim Bega ishte aksidentuar për vdekje për shkak të pakujdesisë së tij. Një prej dëshmitarëve në vendngjarje tregonte se e kishte parë viktimën të nxitonte që në sallë. Dukej sikur fshihej prej dikujt, pasi herë pas here e kthente kokën pas. Ka qenë ky momenti pastaj kur është përplasur me mjetin që është shfaqur për të ndaluar te dera me pasagjerët e tij. Emri i Ndriçimit u duk se e solli shpejt në kujtesën e viteve studentore në Bordo. Kishte qenë shok me Bardhin. Ishin dy shqiptarët e vetëm në ato dy vite aty. Ishte shumë miqësor dhe i dashur. Kur kishte mbërritur në Tiranë, emrin e tij e kishte kërkuar, sepse mendonte që do ta ndihmonte për të gjetur Fatbardhin. Në Ministrinë e Jashtme i kishin thënë se Ndriçimi ndodhej jashtë në një trupë diplomatike. Pas kësaj Brizhita nuk e kishte përmendur më në mjedise të tjera shqiptarësh gjatë atyre ditëve në kryeqytet. Sipas fotografisë, duhej të ishte njeriu që e salutoi në avion, por ajo nuk e kishte njohur, edhe pse ai iu duk në ato moment se i fshihej dikujt. Lëvizja e kokës i erdhi krejt papritur e instiktive. Zuri vend shpejt dhe nuk reagoi më në avion. Nuk komunikoi me njeri. Brizhita nuk e pa as edhe kur zbriti. Tani i vinte çudi se si Ndriçimi nuk qëndroi që t'i takonte as Bardhin me të cilin kishin ndarë çdo gjë gjatë viteve të universitetit. Kishin qenë kaq afër. Mendoi se nuk duhej t'i tregonte Bardhit për këtë tragjedi të shokut të tij, sepse do të trishtohej. Mjekët shqiptarë e kishin porositur që duhej t'i evitonin lajme me emocione të forta, gëzimesh dhe fatkeqësie. Nga ekrani Ndriçim Bega dukej i fryrë dhe i shpërfytyruar që nga koha studentore, edhe pse ai tashmë nuk jetonte më. Aeroporti "Sharl De Gol" në verilindje të Parisit do të ruante bafasinë tjetër për familjen e gjeneralit Fransua Bonner. Ata kishin jetuar me dhimbjen dhe dramën e dashurisë së vajzës së tyre të madhe për nëntë vjet. Së bashku me dy prindërit e djalin kishin mbërritur edhe Zhosiana nga Marseja, kushërira më e madhe e Brizhitës së bashku me burrin e saj, deputet në parlamentin francez, por edhe dy a tre nga grupi i kushërinjve që banonin tashmë pranë shtëpisë së tyre aty në Paris. E gjithë familja me Jean Destin-Blanshe kishte zënë vend përpara një holli, ku pritej dalja e udhëtarëve që vinin nga të gjithë kontinetet. Gjenerali Fransua që kishte veshur me këtë rast një kostum gri që e tregonte pak më të ri dukej i lodhur. Këtë e reflektonte në sytë e mbërthyer te dera gjysmë e hapur. Ai e kontrolloi edhe një herë orën e tij dhe kuptoi se avioni që fluturonte nga Roma për në Paris, duhej të kishte disa minuta që ishte ulur në pistë. Mezi priste të shihte vajzën që ishte nisur në një kohë me trazira nga një cep i Ballkanit të largët në kërkim të dashurisë së saj të humbur e të munguar. Mirej ishte njeriu i parë që e dalloi motrën te shfaqej në portën e daljes së bagazheve. U ngriti dorën. Në krah të Brizhitës qëndronte një njeri që zor se mund ta identifikonte me Fatbardhin. Ai i hidhte hapat sikur të ishte një trup i ngurtë e i pajetë. Ndryshonte shumë me ish studentin e Bordosë të disa viteve të shkuara. - Erdhën! - tha Evelina dhe në çast u ndie e lumturuar. Si një fëmijë i vogël krejtësisht në mënyrë të pavullnetshme, përplasi duart duke kërcyer nga gëzimi. Çifti Brizhitë e Fatbardh u nis drejt grupit. I kishin dalluar dhe ata sapo dolën nga salla. Edhe Brizhita ngriti krahun si për t'i përshëndetur që të gjithë. Djali i vogël sapo dalloi të ëmën që i kishte munguar për disa ditë, u shkëput nga dora e gjyshit dhe rendi drejt prindërve të tij. Pastaj sikur të ishte kujtuar për diçka, ndali vetëm tre hapa përpara tyre. Ndoshta ndroja, por edhe prezenca e një burri në krah të nënës së tij, të paparë ndonjëherë, e bëri të qëndronte i heshtur si një fëmijë, pa e ditur se si mund të vepronte në këtë çast. - Fatbardh, - tundi nga krahu Brizhita njeriun që solli nga Tirana. - Është Fatbardhi junior. Është djali yt, Jean Destin-Blansh. Është fruti i dashurisë sonë. Është krijesa që më ka mbushur boshllëkun gjatë gjithë këtyre viteve të mungesës sate. Më ka dhënë besim e shumë shpresë. I vogli qëndronte si i zënë në faj. Bardhi ndjeu që u shkund, reagoi në një çast duke lëvizur trupin pak përpara, sikur të ishte zgjuar tashmë nga një gjumë i thellë, i lodhshëm dhe rraskapitës. Zgjati dorën e majtë dhe pastaj lëvizi gishtat pa mundur të thoshte një fjalë të vetme. - Shpirti im, zemra ime... Të solla babanë. Të kisha premtuar...Ai nuk do të na mungojë më. Do të jetë mes nesh përgjithmonë tani. Eja, njihe. Ai po të thërret. Eja... Djali qëndronte i dyzuar përpara dy njerëzve që i dukej se një prej tyre kishin ardhur nga një tjetër botë. Disa hapa më tej grupi që i priste kishte qëndruar në vend. Mirej u tha atyre ndërsa ndiqte që atje larg gjithë skenën se ata kanë nevojë tashmë për këtë çast që të jenë të vetëm, pa prezencën tonë. Brizhita ishte e përlotur dhe në mollëzat e saj dukeshin që pa pushim rridhnin rrëke loti. -Eja bir, eja... U duk në një çast se djali i vogël ende nuk kishte vendosur se si duhej të vepronte. Dëgjonte zërin e s'ëmës dhe sytë i vendoste poshtë te majat e këpucëve të reja, që i kishin blerë gjyshërit një ditë më parë në Paris e pastaj me një vështrim të ftohtë kontrollonte shtrembër burrin që qëndronte në krahun e s'ëmës, për të cilin i thoshte se ishte babai i tij. Fatbardh Tafa mbante ende dorën e drejtuar nga fëmija dhe gishtat vazhdonin të lëviznin sikur kërkonin të bënin lodra e figura në hapësirën e ajrit të asaj salle aeroporti e cila dukej se nuk do të boshatisej kurrë. - Eja... - tha me një zë ngashërues Brizhita. Ajo dallohej lehtë që po e vuante më shumë këtë moment pa mundur t'i fshinte lotët. Dhe ndodhi. I vogli hodhi në fillim një gjysmë hapi, pastaj... Në atë distancë prej tre metrash u duk se ishte e gjithë hapësira e munguar e tetë viteve. Ishte një kohë e ndalur që nuk kishte rrjedhur në jetën e një vogëlushi, i cili për ta kaluar tashmë atë iu desh të kapërcente ëndrrën që e kishte përkundur, dashurinë dhe imazhin e munguar të babait të vet. Grupi i familjes së gjeneralit Fransua Boner, që kishte dalë në pritje, dalloi vogëlushin që iu hodh në krahë Fatbardh Tafës. Kishte bërë një kërcim, si një ketër dhe i ishte gjendur të posaardhurit në gjoks. Pastaj i vendosi duart rreth qafës dhe u pështet në kraharorin e tij. Një çast më pas Brizhita hapi duart dhe i pushtoi që të dy. Dukeshin të lumtur të tre së bashku, të kapur ashtu si në një trung të fuqishëm peme. Fund

Bordo: Maj 2009- Mars 2013

47 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page