top of page

"Vajza e Gjeneralit"


Aleko Likaj, shkrimtar, gazetar, publicist

"Vajza e Gjeneralit"

roman Pjesa e shtatembedhjete.

Në fillim u shfaqën këmbët që dolën nga batanija dhe pastaj Bardhi lëvizi trupin. U mat të çohej, por kuptoi shpejt se nuk kishte ende fuqi ta përballonte qëndresën në këmbë. I duhej të shkonte deri në tualet. Nuk e dinte ekzaktësisht se sa ditë kishte kaluar në një gjendje kome dhe se si kishte udhëtuar nga ambientet e burgut deri në spitalin e tij. Kujtesa nuk i punonte më. Këtë kishte konstatuar edhe specialisti neurolog që po merrej me të. Edhe dy mjekë të tjerë që kishin ardhur posaçërisht nga qendra spitalore aty pranë. Ata kishin konstatuar edhe dëmtime të kores së trurit, shenjë kjo që kishte ardhur nga keqtrajtimet dhe tortura. Po për këtë nuk mund të flisnin. Në heshtje kishin parë njëri tjetrin, si dhe kolegun e tyre të spitalit të burgut dhe kishin ngritur supet. Nuk kishin guxuar as që edhe ta shkruanin në përshkrimin e sëmundjes të kartelës së Fatbardh Tafës. Mjekët në këto raste dinin mirë se ç’duhej të bënin. Dhe ashtu kishin ikur, në heshtje, pa thënë dot as edhe një fjalë, duke dalë në fund të korridorit që të nxjerr jashtë si dy hije që dilnin nga një botë e përtejme dhe e mistershme e ngulitur thellë nën tokë. Bardhi ishte i djersitur, edhe pse jashtë temperatura kishte zbritur në zonën e ftohtë. Në dhomë ndihej një erë e rëndë thartire. Kjo ishte ndoshta arsyeja që infermirët e turnit të pasdites nuk e shkelnin më atë ambient prej orësh për t’u gjendur tek i sëmuri. Në fillim ndjeu dhimbje në të gjithë tabanin e këmbës së djathtë, që ceku e para dyshemenë dhe pastaj iu drodh kolona. U mbajt ngadalë pas shtratit dhe tentoi të hidhte hapin, por ai iu duk sikur ishte në hapësirë të pafundme. Ndjeu dhimbje. Ngriti sytë lart dhe kuptoi që tavani nuk ishte më i bardhë dhe se bardhësia e ditës iu mek në retinën e syrit të posaçelur si një perëndim që mbyllet pas perdeve në skenë. Mbase ishte iluzion ky, por ai nuk kishte kohë që ta vriste mendjen më për këtë. U rrëzua. Nuk e mësoi se sa ndenji ashtu, sepse asnjë nuk shkeli në dhomën-qeli të spitalit. Mirëpo urina i digjte. Kërkonte të derdhej jashtë, qoftë edhe në mënyrë të pavullnetshme. Djali bëri edhe një përpjekje tjetër. Mblodhi fuqitë e doli te muri. Iu shfaq dera. E hapi ngadalë e përballë hapësirës së ngushtë të koridorit dalloi përpara tri dyerve të tualetit, në gjysmerrësirën e saj hijen e një tjetri si një masë që thithte duhan. Ai përballë në një çast hezitoi. Iu duk sikur nuk u besonte syve, ndërsa pa Bardhin. U ndie keq në atë çast. Nuk e kishte menduar asnjëherë se të birin e Meço Tafës, ish partizan me të atin në një brigadë, do ta shihte edhe atë në të njëjtin pozicion me të. Djali i kryeministrit flaku cigaren dhe u sul që ta ndihte fatkeqin. E kapi për krahësh dhe e vendosi në gjoksin e tij. E solli përpara dyerve të tualetit. E mori me mend se Bardhi ishte drejtuar për aty. - Si të kanë bërë kështu, - tha nëpër dhëmbë me një zë gati të shuar, ku ndihej një keqardhje e thellë për bashkëvuajtësin e tij.

Nuk kishin patur shoqëri më përpara, por për familjen e Bardhit dhe Meçon, u kishte folur shpesh babai. Meçon e njihte dhe e kishte parë shpesh në bllok dhe në ambientet e Komitetit Qendror. Ky kishte qenë edhe zëvëndësministër në ekipin e babait disa vite më parë. Mehmeti nuk e hiqte nga goja. Një mbrëmje i kishte treguar për betejën në Tendën e Qypit dhe marshimin e madh drejt Shqipërisë së Mesme, ku lavdëronte trimërinë e Meço Tafës. E çmonte, ndaj dhe e kishte thirrur pas vetes… Ia zbërtheu pantallonat dhe kur tjetri derdhi ujët e hollë, e çoi drejt e në shtrat. - Të dija në Francë me studime. Por me sa shoh, edhe ju e paskeni pësuar. Si ndodhi e gjithë kjo gjëmë? Edhe njeriu i mirë xha Meço? U viktimizuam nga sistemi që e ëndërruan dhe e sollën prindërit tanë… Ata ishin arkitektët e kësaj gënjeshtre që i besuan vetë, duke gënjyer vetveten në radhë të parë, pastaj të tjerët. Këtu ku mbizotëron diktatura. I vetmi pozicion që i përshtatet njeriut të ndershëm, është burgu. Po përballemi me universin e hijeve, të cilëve u mungonte koka dhe, natyrisht, edhe logjika…Eh…është një kohë e tmershme për të qenë gjallë. Në korridor i ndien hapat që nxitonin dhe që po i afroheshin derës së dhomës së Bardhit. Djali i kryeministrit u ndjeu edhe dihatjen. Ishin dy policë të shërbimit të portës së brendshme. Hapën derën me nxitim dhe iu sulën njeriut që e kishte ndihmuar viktimën. - Ç'do këtu ti? Nuk e kishe lejen kështu. Të lejuam që të pish një cigare, por jo të ndihmosh të tjerët,- tha një gjatovinë, të cilit i ra kapelja sapo e tërhiqte nga krahët birin e ish kryeministrit. -Kape, Nuz ! - urdhëroi shokun e tij. - Armiq e bij armiqsh ! - klithi tjetri, që nuk dinte se ku ta kapte thyesin e rregullit për shkak të trupit të tij të shkurtër e të trashë, ku binte në sy një bark i madh që shpërvilej mbi rripin e mesit, i cili nuk e lejonte të ngjishej pas cigarepirësit. Vuri dy duart përpara pastaj dhe e shtyu drejt derës së dhomës për të dalë. Gjatovina vazhdonte ta tërhiqte zvarrë. Kur mbritën te dera, barkfryri zgjati dorën e djathtë dhe e lëshoi drejt e në fytyrën e djalit viktimë. Ai ndjeu që t'i flakëronin sytë, por nuk nxori asnjë zë. Polici tjetër e kishte tërhequr tani në korridor. Ndërkohë edhe një polic tjetër u gjet menjëherë aty. Barkfryri u kthye në dhomën e Bardhit. - Dëgjo këtu ti, kërmë, mos lëviz herë tjetër, se për ideal të partisë, për ideal të partisë, do të shij në hu, sa muti të të shkojë litar. I thonë diktaturë e proletariatit këtu. Armik ! Në korridor i sapoardhuri në shërbim e kishte zëvndësuar kapter Nuzin. I qëllonte rregullthyesit pa ndërprerje dhe shfrynte me kraharor sikur të çante dru. Bardhi ishte nderë mbi krevat dhe ndihej tashmë i lehtësuar nga dhimbja e fundit të barkut nga zbrazja e urinës. U mundua të kuptonte se kush ishte njeriu që i kishte thënë: “Të dija në Francë me studime…”, por nuk i kujtohej asgjë. Ç’ishte kjo Francë? Nuk i kujtohej, as edhe që të kishte studiuar ndonjëherë… Mblodhi shputat e këmbëve dhe i fshehu poshtë batanijes. Dy minuta më vonë ishte përsëri në gjumë, në një gjumë të thellë.

* * * 44

Gjeneral Fransua Bonner i telefonoi së bijës pak çaste para mesditës, atëhere kur Brizhita do të nisej në një takim me komisionin shtetëror francez të mjedisit, ku do të diskutohej për problemet e centraleve atomikë në jug të vendit. - "Le Figaro" sot ka një reportazh të një gazetari të AFP-së nga Tirana, Bernard Mamerë. Ju me siguri që nuk e keni parë deri tani, por unë gjykoj, bija ime, se ngjarjet atje po rrokullisen tani me shpejtësi në favor të popullit që kërkon demokraci. Do të jetë i afërt edhe bashkimi yt me babanë e fëmijës dhe njeriut që i ke premtuar ta presësh. Kurajo. Lexoje dhe flasim sonte në shtëpi. Brizhitë Bonner i zbriti shkallët me nxitim dhe doli menjëherë në "Place Concord". Në një kioskë e gjeti dhe e mori. E futi në çantë dhe nxitoi për në metro për të kapur orarin e takimit në Ministrinë e Mjedisit. Dëshëronte që reportazhin ta lexonte pas analizës që do t'i bëhej problemit, ku do të fliste edhe ajo, duke parashtruar disa kërkesa për sigurimin e disa masave mbrojtëse sipas ligjeve të OKB-së. Por brenda në metro, ndërsa duhej të priste edhe dy minuta, e nxori përsëri revistën nga çanta, sa për t'i hedhur një sy. Kishte një padurim të çuditshëm dhe mezi po priste ta lexonte. I dukej se pas atyre rreshtave do të gjente Fatbardhin, imazhin e fytyrës së tij në mbrëmjen e fundit në aeroport, që e shihte çdo ditë. E kishte marrë malli shumë. Ndjeu se iu njomën sytë. E hapi menjëherë dhe e gjeti Shqipërinë në pesë faqet e saj. Por nuk mundi të lexonte as edhe titullin. Shkronjat befas iu deformuan dhe iu duk në çast se iu rrëzuan para fytyrës. Fshiu lotët, pastaj e palosi menjëherë revistën dhe e futi përsëri në çantë. U ngrit ndërsa pa të hapej dera e mjetit udhëtues para saj. Lëvizi dhe zuri vend në një prej stolave anësorë. Mezi priti të dilte nga ajo sallë diskutimesh. Nuk iu durua as të kthehej menjëherë në zyrën e saj në krahun e majtë të sheshit "Konkord". Zuri vend në një tavolinë poshtë në bar dhe porositi diçka nga pijet freskuese. E hapi përsëri gazetën "Le Figaro" duke e vendosur në suprinën e tavolinës dhe nxitoi ta lexonte. Iu duk se do ta përpinte pas atij titulli të reportazhit "Në Tiranë bie shi", por në çast ndaloi. Ndjeu brenda vetes një lloj pështjellimi dhe kuptoi që zemra i kishte shpeshtuar rrahjet. Mendoi se në atë gjendje nuk mund të përqendrohej dot. Mori frymë thellë dhe në një çast mbylli sytë. "Zot, më ndihmo",- pëshpëriti dhe një sumbull loti doli nga qerpikët e rrëshqiti mbi mollëzën e faqes së djathtë. Hapi menjëherë çantën dhe nxori një picetë. Fshiu të dy mollëzat dhe pastaj hodhi vështrimin në sallën e vogël ku kishte pak klientë në këtë orë të ditës, përpara se të shtrohej dreka në lokal. Ndërsa kamerierja, një vajzë me ngjyrë nga vendet e Afrikës, i solli kafen mbi tavolinë, pa emrin e gazetarit dhe i erdhi në mendje një prej figurave të masmedias franceze, i cili sillte gjithmonë probleme nga vende të nxehta. E kishte admiruar. U ndie mirë që ai këtë herë sillte Shqipërinë, vendin që e konsideronte tashmë si atdheun e saj të dytë për shkak të Fatbardhit. Disa vite më parë kur ishte ende në lice, një film e realizim francez kishte sjellë ngjarjet e Kilit, ku diktatura e Pinoçetit përmbysi Salvador Alenden. "Në Santiago bie shi". Mbase shiu në këtë rast shërbente si metaforë ndryshimesh e prag revolucioni. Në Shqipëri pritet përmbysja e diktaturës… Ishte e para herë që shtypi francez u kushtonte kaq vëmendje dhe hapësirë ngjarjeve në Shqipëri. Brizhitë Bonner priste të mësonte shumë nga vendi, që i zhduku dhe i humbi babanë e fëmijës së saj, me të cilin që prej 8 vitesh nuk kishte pasur asnjë kontakt. Ajo e dinte se diçka kishte ndodhur me Bardhin dhe shteti komunist atje, në Ballkanin e largët, në këtë rast i kishte vrarë dashurinë e saj të parë. Por nuk e mendonte asnjëherë të keqen. Fundin e tij. E shumta që mund të kishte ndodhur me djalin që i vodhi zemrën dhe që tani e kishte baba të djalit të saj, do të ishte izolimi i tij ose edhe pamundësia për të komunikuar të dy. Harresën jo. Kurrsesi. Gjë që nuk mund të ndodhte midis tyre. Me duar që instiktivisht filluan t'i dridheshin, largoi pak filxhanin e kafesë dhe e vendosi përpara syve faqen e gazetës për të qëndruar te reportazhi:

...Një rapsod anonim me një bejte të tipit lab nga një krahinë në Juglindje të këtij vendi, nën titullin "poetik", "Le të pëlcasë armiku" në fundvitin e 89 -s, nuk mund ta rikthejë dot nderin e nëpërkëmbur të një shteti, që ka hyrë në një agoni të plotë. Ramiz Alia, i zgjedhuri i Enver Hoxhës, sapo ishte kthyer nga një takim në ish uzinën e traktorëve, diku në lindje të kryeqytetit shqiptar. Në komitetet e partisë nëpër rrethe së bashku me materialin dhe fjalën e mbajtur në mes të punëtorëve ishin futur në shaptilografim edhe disa vargje të shkruara me një stil patetik për vigjilencën dhe largpamësinë e partisë së punës, të cilat duhej të hidheshin si rastësisht në popull. Kjo do t'u shërbente proletarëve si moral, që gjithsesi për aparatçikët figuronte ne parametra tepër të ulta. Era e ftohtë e atij dhjetori po shkundte gjethet e fundit të verdha të mbetura si harabela të trembur në pemët e zhveshura. Tirana dukej se kishte ndaluar frymëmarrjen dhe shiu i rimët, ndonëse i vonuar, nxitonte të grumbullonte nga trotuarët e në asfaltin e zi të rrugëve gati të braktisura, pranë ndonjë pusete që ende ishte e mirëmbajtur nga komunalja, pirgje fletësh të kalbura e cigaresh të pathithura mirë. Sa shumë duhan kishte konsumuar ajo vjeshtë. Njerëzit mbylleshin herët brenda shtëpisë, në vend që të frekuentonin baret, ku mungonte edhe kafja. Do të vinte Viti i Ri dhe më të privilegjuarit do të mund të siguronin për darkën e mbrëmjes vetëm 2 kilogramë kocka të ambalazhuara me etiketën e 140 lekëve të vjetra . Përgatitjet që kishin filluar me kohë, nuk mund të gjenin në tregun e boshatisur as edhe një qiri për të ndriçuar atë darkë të varfër fundviti, e cila, sipas njoftimeve më të fundit të të vetmit televizion shtetëror, do t'u mungonte në shumicën e rajoneve edhe energjia. Dikush me një thëngjill në një prej fasadave të Pallatit të Madh të Kulturës kishte shkruar me gërma të mëdha të alfabetit "Pak dritë" dhe në fund me një shkrim si këmbët e pulës "Ah! Migjen". Me siguri sigurimi ishte vënë në lëvizje të autorit anonim që protestonte si për të bërë karshillëk. Aktivistët e lagjeve i kishin bërë sytë katër për të evidentuar armiqtë e rinj, të cilët duhej të paguanin haraçin. Ramiz Alia, në një mbledhje të shpejtë të Byrosë Politike, kishte hartuar listën e plotë të anëtarëve të saj, të cilët duhej të zbrisnin në bazë për të patur gjendjen nën kontroll. Benzat e zinj të udhëheqjes së lartë ishin parë të lëviznin një javë përpara se të mbyllej viti dhe nëpër komitetet e partive po prezantoheshin planet e masave për vitin 1990. Ishin përfshirë në to edhe kuotat ekonomike të reduktura sipas porosive e direktivave nga lart. Parimi i mbështetjes në "forcat e veta", si dhe porosia e fundit e partisë se "pa eksport nuk ka import", ishin pllakatet që kishin pushtuar qendrat periferike, si dy nga porositë që evidentoi edhe njëherë Ramiz Alia në takimin me punëtorët në kryeqytet . Një piktor i NRSH-së në një qytet pranë Tiranës ishte pushuar menjëherë nga puna, sepse nuk e kishte vënë "ujin në zjar" për të përfunduar një prej parrullave që do të ekspozohej të nesërmen me rastin e mbërritjes në këtë rreth të anëtarit të byrosë politike. As raporti i lëshuar nga mjeku në ambulancën kryesore nuk kishte "pirë ujë". Nënkryetari i hetuesisë të rrethit kishte nënshkruar fletëndalimin, që të fillonte hetimin për këtë akt të pastër "sabotazhi" me karakter të rëndë politik, në bazë të nenit famëkeq 55 për agjitacion e propogandë armiqësore. Në mëngjesin e 30 dhjetorit në sheshin "Skënderbej" në Tiranë përpara statujës së kryetrimit shqiptar, derdhur në bronz, një 30-vjeçar ishte ulur në gjunjë e lutej: "Eja, Gjergj, e na shpëto!" Në fillim një prej policëve të shërbimit që doli nga streha e komitetit ekzekutiv, me një mushama të dalë boje, shkoi të largonte djaloshin që qëndronte me krahët e hapur përballë statujës së ftohtë, por ky i fundit vendosi ballin në asfaltin e lagur me sytë e ngrirë e pa ngjyrë. Polici me një gjest të rrotullimit në ajër të shuplakës së dorës së djathtë kërkoi të dinte nëse ishte "budalla" që rrinte nën atë shi të rimët dhjetori. Një plak me bastun nën një çadër gjysmë të rrëzuar që hipi në trotuarin e majtë e që duhej të kalonte mespërmes sheshin për të shkuar ndoshta nga godinat pranë hotel "Pezës", si për t'iu gjetur në krah atij njeriu që diç kërkonte nga monumenti i ftohtë kallkan, i tha policit: - Lëre qyqarin . Nuk e sheh që e ka një hall. -Çfarë halli, moree! Ky njeri po thyen rregullat. Ka ligje shteti. -Mbase është ashtu siç the edhe vetë. I luajtur nga fiqiri. Mos u merr me të. Të lutem, -tha tjetri. -Ik me të mirë, o plak, se më duket që do ta hash ti atë që ia kam taksur këtij edepsëzi. Polici në një çast nuk dinte ç’të bënte më në mes të shiut. Ndërkohë që "i çmenduri", si gjithë raca e të çmendurve, nuk e zbatoi urdhrin e policit fodull dhe, pasi hëngri disa shkopinj gome, dhjetë minuta më vonë përfundoi në një prej rajoneve të policisë të kryeqytetit "për thyerje të rregullit." Sidoqoftë dhjetori iku me shi dhe janari së bashku me këtë filloi me ngrica e temperatura të ulta. Pas javës së parë një sesion shkencor për mjekësinë në një prej sallave të pallatit të kongreseve me pjesëmarjen edhe të bluzave të bardha nga disa vende të kontinentit, mjekët zhvilluan disa seanca për problemet e zemrës. Në raportin kryesor tregohej se përmblidheshin shifra alarmante të sëmundjeve kardiologjike. Një prej specialistëve të huaj iu përgjigj negativisht kërkesës së mjekëve shqiptarë për specializimin dhe sigurimin e një kontigjenti kardiologësh të rinj në vendin e tij. "Ju tashmë keni një shtet të sëmurë me këtë diagnozë",- u tha ai. Nuk dihet nëse bluzat e bardha ia morën për të keq të huajit, një profesor me emër jo vetëm në vendin e tij dhe që kishte tashme aty edhe dy prej studentëve shqiptarë që ishin specializuar më parë në klinikën ku punonte prej më shumë se tri dekadash, në zemër të Europës. Por profesori i nderuar që të nesërmen në mëngjes iu drejtua aeroportit të Rinasit për të mos u kthyer më kurrë. Ramiz Alia lejoi fenë. Mbase rasti i të "çmendurit" te busti i Skënderbeut, që me siguri ia kishin raportuar ata të Ministrisë së Brendshme, i kujtoi atij se ky popull kërkonte një vend ku të gjente ngushëllim. "Ta lejojmë fenë ,- argumentonte përpara byrosë,- pasi në kultet fetare shkarkohen potencialet e akumuluara. Kjo do të thotë se do të kemi më pak rrezikshmëri shoqërore". Një letër e kryetarit të gjykatës së lartë përgjonte prej disa ditësh në tavolinën e Presidentit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai duhej të firmoste pak më shumë se dy dyzina vendimesh me vdekje, që kishin marrë gjykatat e rretheve për periudhën nëntor- dhjetor të vitit që posa u mbyll. Duhej të zgjidhte se kë të falte, e kujt t'i firmoste ekzekutimin. Ishin shifrat me të larta të krimit gjatë qeverisjes së tij. Hakmarrje e vrasje me thika, mbytje e një tjetër djegie me vajguri. Autorët ishin tashmë në qelitë e ftohta në pritje të vendimit. Nuk dihet se ç'bëri Ramiz Alia me listën e të dënuarve me vdekje dhe nëse i ekzekutoi që të gjithë. Shiu nuk po pushonte më në kryeqytet dhe Tirana dukej si e shpëlarë me fasadat e dala boje. Në pleniumin e pranverës bilanci ekonomik i rezulton negativ. Televizori reklamon qengjin që duhej të mbante çdo shtëpi kooperativiste, që, sipas staticienëve, duhej të sillte "pranverën" dhe ngritjen e nivelit ekonomik e atij shoqëror, madje edhe ndonjë derr i vogël që duhej të kyçej brenda oborrit të shtëpisë. Ramiz Alia në një takim me dy bisnesmenë të huaj që tregtonin mallra bujqësore, të cilët kishin ardhur për të lidhur kontrata të reja blerjeje, u thotë se shiu ishte faktori që kishte penguar bujqësinë e këtij viti, si dhe mosrealizimet në këtë fushë. Të huajt që nuk pranuan të sillnin prodhimet e tyre në Tiranë, u larguan duarbosh nën një shi të imët prilli drejt aeroportit të Rinasit. "Sa shumë shi që bie në këtë vend,"- i tha një prej tyre kamerierit që shërbente te "Dajti" vetëm një çast para largimit. Sekretarët e parë të rretheve, të mbledhur në Tiranë në një mbledhje tepër urgjente, do të shfajësoheshin gjithashtu me shiun. "Koha qan për Enver Hoxhën në 5-vjetorin e vdekjes së tij" ,- i thotë presidentit një veteran në qytetin e Vlorës në jugperëndim të Shqipërisë, ndërsa Alia mban fjalimin e famshëm për "punën e partisë me kuadrin". "Të jemi vigjilentë e të zgjidhim hallet e popullit",- përsëriste vazhdimisht kreu i shtetit e i partisë së punës. Sipas statistikave të komisionit të planit të shtetit, tashmë papunësia figuronte në shifra alarmante. Kryesisht të rinj që popullonin borduret e trotuareve gjatë gjithë orëve të ditës. Vendimi që të atazhoheshin pranë ndërmarrjeve sa për të marrë një rrogë, konsiderohej nga ekonomistët si një vetëvrasje dhe shkatërrim i plotë i sistemit financiar. Në ekranin e vogël të televizionit shfaqeshin tashmë kronika nga bota, ku tregoheshin përditë "dështimet" ekonomike të vendeve të industrializuara. Disa lektorë me porosi të Komitetit Qendror të Partisë, me "fakte" komentonin regresin e sistemit kapitalist, si dhe epërsinë e atij socialist. "Duam suksese", -porositnin në redaksinë e lajmeve të Televizionit Shqiptar gjithë kronistët e rretheve. "Kërkojeni lajmin në fusha e në uzina, në mbledhje" . Në mbledhjen e mesit të atij qershori në redaksi kishte filluar të bëhej bilanci i punës për të gjithë gazetarët. E njëjta gjë edhe për shtypin e shkruar. Figura artistike, "Atje ku vë këmbën Ramiz Alia, mbin lule", e përdorur në një reportazh të gjatë në "Zëri i Popullit", që përcillte vizitën e Presidentit Shqiptar kohë më parë në një nga zonat juglindore të vendit, ishte konsideruar model për të gjithë gazetarët militantë. Më 3 korrik faqet e para të shtypit do t'i zinin kronikat e dhimbjes. Njerëz që shkulnin faqet, lot në kangjellat e ambasadave. Kërkonin të dashurit e tyre që ishin "tretur" tashmë në brendësi të mureve të godinave, të cilët dukeshin të ftohtë e të heshtur në kornizat e klisheve. Historia më tragjike e dhimbjes shqiptare ishte shfaqur një mbrëmje më parë edhe në ekranin e vogël të televizionit vetëm në pak sekuenca, të cilat kishin shoqëruar një deklaratë të qeverisë shqiptare që fliste për "akte vagabondazhi të disa njerëzve rrugaçë". Ramiz Alia në një prononcim të drejtpërdrejtë në televizion flet për një skenar të agjenturave të huaja. Një analist për problemet politike pohon në studion televizive faktin se sa herë Kosova ka probleme përtej kufirit, te ne sigurisht tentohet për të krijuar situata të vështira. Sidoqoftë më 2 korrik të atij viti një grusht intelektualësh në Prishtinë kishin shpallur Kuvendin e Kosovës, kronika e të cilit dukej e zbehtë përpara një realiteti krejt të ri që po përfshinte gjithë vendin. Thirrje, lutje e përgjërim për të ikurit që të ktheheshin pranë mamasë, pranë vëllait e motrës që prisnin si qyqe në shtëpi, nuk mund të ndryshonin situatën. As të pengonin ata që guxuan të shpërthenin muret e ambasadave, të cilat edhe për më shumë se një vit rresht qëndronin tabu në heshtjen e tyre. Porosia e Komitetit Qendror ishte e prerë dhe e shkurtër. As edhe një kronikë me vërshimin e popullit në lagjet periferike të kryeqytetit. Historia e gjashtë të rinjve tiranas që guxuan të kalonin murin e një ambasade të huaj në qendër të Tiranës në ditët e fundit të muajit qershor e që shteti i kishte lejuar të lëviznin të qetë nën shoqërimin e diplomatëve drejt hotel "Pezës", nën thirrjen"Po ikim...", duke mbledhur pas vetes me dhjetëra kureshtarë e moshatarë të tyre, kishte sjellë nga e gjithë Shqipëria njerëz që vinin në Tiranë për të shpërthyer veçse mure me çfarëdo mjeti që mund t'i jepej në ato momente. E kthyer në epidemi, kjo ikje shqiptarësh nuk kaloi pa u vënë re edhe në stacionet e huaja televizive. Në fillim të vendeve fqinje që ato ditë sollën ngutësisht korrespondentët e tyre në kryeqytetin shqiptar, por edhe më tej. Kanali "Euronews" gjithë ato ditë i fillonte dhe i mbyllte kronikat e tij me dhimbjen shqiptare. Skena ku një nëne i binte të fikët përpara një oborri të zbrazët ambasade në pritje për të parë të dashurin e zemrës së saj, me duart të kapura në kangjella, ku në kolonën zanore kishte mbetur e rregjistruar "O Tori, kthehu të keqen nëna..." me gjysmëfrazën e pathënë, disa portrete prindërish gati të përçudnuar që rrinin të ngrirë buzë trotuarit pa mundur të lëviznin e të bënin ndonjë gjë, ishin kronikat që shkaktuan lot në të gjithë hapësirën shqiptare. I papërsëritshëm ky çast që do të hynte pastaj në histori si "dita e ambasadave". Krijoi një zbrazësi. Ramiz Alia që e kuptoi këtë moment, nuk mungoi të mbledhë një miting në mes të Tiranës, që sipas shifrave të masmedias, figuronte në mbi 120 mijë persona në sheshin "Skënderbej". Byroja Politike dhe shteti komunist vendosën të dënonin këtë të "keqe" që tronditi çdo zemër shqiptare nëpërmjet fjalimeve patetike si: "ata që ikën nuk ishin Shqipëria". Por ata që kishin ardhur në atë hapësirë sheshi para pallatit të kulturës mendonin ndryshe. Krejt ndryshe. Në mënyrë simbolike e konsideruan si "përcjellja e bijve tanë". Ndonëse temperaturat ishin të larta këtë verë, korriku u duk se solli shi mbi Tiranë. "Nuk na duhet të krijojmë shumë armiq në këto momente",- porosiste Ramiz Alia partinë nëpër rrethe. -Të mos merren masa për familjarët e atyre që braktisën Shqipërinë". Halli i vetëm i shtetit shqiptar në këtë çast "postlargimi" ishte përgatitja e mbledhjes së ministrave të jashtëm të Ballkanit, e cila do të zhvillohej në fillim të vjeshtës në Tiranë. Kujdesja për një fasadë të re në politikën shqiptare, e cila kishte marrë përsipër edhe rolin e organizatorit të këtij aktiviteti ndërkombëtar, i pari në llojin e vet në këtë vend, pas asaj që ishte realizuar në Beograd gati gjashtë muaj më parë, shpresonte të ndryshonte sado pak imazhin dhe shijen që krijoi korriku dhe largimi i mijëra shqiptarëve nëpër ambasada. Takimi i ministrave të jashtëm të Ballkanit kaloi pothuajse si një kortezi, ku ende nuk u mor ndonjë vendim konkret, përveç sloganit të përmirësimit të marrëdhënieve reciproke. Rumania që kishte ndërruar fytyrë pas rrëzimit të Çausheskut, dukej se ishte më e qeta në krah të Greqisë dhe Turqisë në një cep tavoline në hollin e hotelit 15-katësh "Tirana". Jugosllavia që ishte në prag të copëtimit dhe shpërbërjes "rrezatonte qetësi" nëpërmjet fytyrës së heshtur plot rrudha të diplomatit të saj, që në shumicën e rasteve ndiqte me vëmendje dekoracionin artistik të sallës pranë hollit në katin e parë, si për të mos u kujtuar të pranishmëve prezencën e tij aty pas ngjarjeve që kishin nisur pikërisht këtë verë në të gjithë Kosovën dhe politikën e tyre antishqiptare. Delegacioni bullgar me një ministër që do të tentonte pas kësaj mbledhjeje drejtimin e shtetit të tij, dukej në sallë më shumë se ëndërrues. Reiz Malile, ministri i jashtëm shqiptar, që kujdesej për të qenë sa më shumë elokuent në anglishten e tij, ishte gati si i pajetë në atë qerthull ekipesh diplomatike, që ishin mbledhur sa "për të larë gojën" në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë. Sidoqoftë kjo mbledhje nuk la ndonjë gjurmë, përveç faktit që nënkuptonte për një "hapje" të politikës shqiptare dhe që në të vërtetë nuk kishte gjetur partnerët e duhur. Ballkani është kthyer në një kazan që vlon dhe i mbyturi nuk mund ta shpëtojë kurrë atë që po mbytet. Pak ditë më pas gazetat zyrtare filluan t'i bënin jehonë faktit që një shkrimtar i nderuar shqiptar, Ismail Kadare, do të jetë kryetari i jurisë së festivalit të përvitshëm të filmit në Kanë të Francës për sezonin e ri. Ftesa e ardhur nga Parisi vlerësonte jo vetëm figurën që dominon tashmë letrat e kontinentit, por edhe kulturën shqiptare. Mbase ky fakt është ngushllimi i vetëm në këtë vjeshtë që dukej se nuk do t'i lëshonte shpejt gjethet e pemëve. Por lakuriqësia e drurëve nuk do të vijë shumë shpejt këtë vit së bashku me atë të politikës shqiptare që ështe tashmë pa një bosht. Ramiz Alia që dukej se e kishin vënë nën këmbë mendjet e ngathta të byroistëve, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe kanë menduar se si të shtyjnë ditët e mërzitshme në hapësirën e gjelbërt e të vogël të atij vendi të emërtuar "bllok", të lë menjëherë përshtypjen se ende nuk ka ndonjë plan konkret se si mund t'ia dalë. Fill pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të Ballkanit do të mblidhte disa nga intelektualët shqiptarë në kryeqytet sa për t'u blerë mendjen, por asnjë prej tyre nuk ishte dakort për një realitet krejt të ri partiak, ndonëse synonin për ndryshime. Tre-katër artikuj me autor një kardiolog të talentuar dhe një kolegun i tij së bashku me një autor tjetër te "Zëri i Popullit", u dukën se sollën një klimë të re të përkohshme. Nuk dihet nëse kjo ishte një manovër e re e Ramiz Alisë, që kërkonte tashmë të testonte më gjerë pas takimit me intelektualët shqiptarë apo një "requem" për ditët që do të vinin më pas. Sidoqoftë gazeta qendrore e Partisë së Punës, "Zëri i Popullit", kishte marrë tashmë një udhëzim për të hapur një "spazio të re" për mendimin e lirë intelektual jashtë kornizave të partisë. Sekretarët e parë të rretheve gjatë gjithë atyre ditëve zbritën në bazë për të kuvenduar "gju më gju me popullin" dhe për t'u njohur nga afër me hallet e tij. Ishin porositur që të hartonin raporte koncize me probleme immediate, që kërkonin zgjidhje të menjëhershme. Më 27 tetor në edicionet e lajmeve të mëngjesit Radioja e Televizioni i Beogradit dha i pari ndoshta për shqiptarët lajmin se shkrimtari Ismail Kadare që kishte kryesuar jurinë e festivalit të filmit në Kanë për atë edicion, kishte kërkuar azil politik në Francë. Në edicionin e lajmeve të mbasdites Radio-Tirana që i referohej agjencisë së lajmeve shqiptare, e përcjell lajmin shkurt e thatë: "Ismail Kadare mësohet nga agjencitë e huaja të lajmeve që të ketë kërkuar azil politik pranë qeverisë e shtetit francez". Të nesërmen në mëngjes një nga anëtarët e Byrosë Politike që mbulonte sektorin e kulturës dhe atë ideologjik me gradën profesor, që kishte të planifikuar një takim pune me disa intelekualë të fushës së kulturës e të filmit, kërkoi që të anatemohej si "tradhtar i kombit shkrimtari bukëshkalë dhe i përkëdheluri i regjimit" . Pyetjes se ç'do të bëhej pas kësaj me krijimtarinë e Kadaresë, ku përfshihej edhe libri i posahedhur në treg, "Ftesë në Studio", byroisti iu përgjigj: "Do të ndalohet sipas gjithë ligjeve, ashtu siç është bërë edhe me shkrimtarë të tjerë të dënuar nga Partia e pushteti popullor". Por nuk ishte i këtij mendimi Ramiz Alia, i cili për oportunitet kërkoi ta kalonte në heshtje këtë moment tepër delikat, që mund të precipitonte ngjarje të pakëndshme e reaksione, sidomos në Lidhjen e Shkrimtarëve, e cila disa ditë më vonë në një mbledhje do të refuzonte kategorikisht që të dilte si një subjekt i pavarur në zgjedhjet e reja elektorale që priteshin. Me sa duket lojës së Ramiz Alisë për ta paraqitur pluralizmin shqiptar me Rininë, Gruan, Bashkimet Profesionale e shkrimtarët i ka dalë shpejt boja. Premtimit të komunitetit ndërkombëtar për një ndryshim të sistemit të vendit të tij kreu i shtetit kërkoi ta anashkalonte me një "salto mortale", por që sipas gjasave, mësohet se Perez de Kuelar, funksionari më i lartë i tanishëm i OKB-së, nuk e ka pranuar dhe mirëpritur këtë veprim të kreut të shtetit shqiptar nëpërmjet zëdhëndësit të tij që kishte mbërritur ditët e para të muajit nëntor në Tiranë. Sidoqoftë mesazhi ishte i thjeshtë dhe i qartë: "Pluralizëm partiak me ish levat ndihmëse të partisë nuk do të ketë". Kjo po e bën Ramiz Alinë ndoshta që t'i hapë udhën disidencës shqiptare. Por ajo praktikisht nuk egziston në parametrat e duhura pas një trajtimi mizor për afro një gjysmë shekulli me radhë, viktima të së cilës kanë rënë jo vetëm intelektualët që ishin arsimuar nëpër Europë duke varrosur diplomat e tyre në errësirën e pamatë të qelive të ftohta kallkan, por edhe intelektualë që kanë menduar krejt ndryshe me partinë në pushtet. Përpara dilemës për të gjetur një zgjidhje të pranueshme edhe për komunitetin ndërkombëtar, që nuk e ka ngrënë "sapunin për djathë", duke ia kapur që të gjitha kartat në dorë Ramiz Alisë, presidentit të fundit komunist, do t'i duhet të vendoste kuota të tjera. Këtë herë që të kenë mirë parasysh kokën e tij, pasi premtimi që mund të kishte marrë nga drejtuesit e shteteve që takoi gjatë vizitës së tij në selinë e OKB - së pak kohë më parë, në fillim të vjeshtës, mund të ishte lëkundur nga akrobatllëqet dhe politika "futja t'ia futim", pa princip e moral, që në fund të fundit e kanë paraqitur dhe prezantuar si njeri me karakter të dyshimtë dhe mjeshtër të prapaskenave. "Të tjera bën e të tjera thotë..." Aktualisht në këto ditë fundnëntori është një situatë që mund t'i dalë shpejt a vonë nga duart dhe kjo në fund të fundit mundet të ketë dhe një çmim kapital, që nuk do ta pranonte kurrën e kurrës. Ramiz Alia, i mbyllur në dhomën e tij në presidencë, larg byrosë e byroistëve, që nuk e kalojnë tashmë as edhe pragun e bllokut, të harruar në injorancën e mendjen shterpë të tyre, me sa duket po harton plane e strategji në vilën e tij në cepin e bllokut, ku jeton tashmë nën shoqërinë e vajzës së tij pas vdekjes së gruas, vajzë e një gjuhëtari tepër të njohur edhe në qarqet europiane. Tirana është mbështjellë këtë nëntor të 90 -ës me masa të mëdha mjegulle që lundrojnë mbi Dajt. Një shi i ftohtë që nis gati papandehur në seancat e paradites e ato të mbasdites për të vazhduar pastaj gjithë natën pa pushim, duke sjellë mbi Tiranë edhe një erë të ftohtë nëntori, do të sjellë disa ditë më vonë edhe borën e parë. Njerëzit përsëri qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpi me mendime të zymta, pa e ditur se ç'do të sjellë e nesërmja. Ndërkaq në një kohë të papërcaktuar kryeministri shqiptar, ai që në popull emërtohej "Tao- Tao", me nofkën e ariut kinez, një specie kjo e rrallë që po asfiksohej dita-ditës nga seleksionimi jo natyral në Azi, priti pak ditë më parë në kabinetin e tij dy bisnesmenë me origjinë shqiptare, që vinin nga qendra e Europës. Mashtrues kalibri që premtonin "bahçen me lule" për Shqipërinë e drobitur e të sfilitur, pa asnjë perspektivë. Cilën zgjidhje do të vendosë Alia ?

Brizhita nuk po u besonte syve. Ky reportazh e kishte tronditur. Ishte tepër dramatik. I kishte thënë të vërtetën për herë të parë. Shqipëria në përfytyrimin e saj në atë çast iu duk si në skenat e një dokumentari për planetin Afërdita, që e kishte parë tek “ARTE” pak ditë më parë dhe ku vorbuj erërash silleshin e shfrynin mbi vullkanet që ishin në shpërthim. Ndjeu t'i dridheshin duart përsëri. Tentoi t'i fiksonte, por kuptoi shumë shpejt se nuk mundej që në këtë çast t'i komandonte më ato.

46 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page