top of page

VAJTIMIN U FALI REVE


KRISTO ÇIPA “Mjeshër i Madh”


VAJTIMIN U FALI REVE

( Baladë)


Thonë u zbardhë penda e korbit

Nga vaji i Nënës për djalin

U nis katarakti i lotit

Vajti të vithiste varrin


Në Mote tek thyet hëna

Përballë Vanovës së ve

Të varroset vete Nëna

Se mbase djalin e ngre


E mbërthen baltën me grushte

Ta bëj lëmshe për velënxa

E hap dheun e hedh tutje

-Ngrehu bir se do vijë Nëna!


Dil tek cip e dritës, jetë!

Siç del dielli nga deti

Le të vijë Nëna e shkretë

Se në dhe fle darameti


Ngrehu të takosh babanë!

Syrëke, leshra gëlqere

Brënda gjoksit si gërhamë

I lëviz një gurë me helme


Dil o bir e bëhu lis!

Në mes të brinjës me gurë

Se boshti i tokës lëviz

S’ka më nuse e dhëndurë


Pse më je lidhur me varrin

Me një kryq të bardhë mbi krye

Unë litar do ta bëj xhanin

Që në shtëpi të të shpie


Mos duhet dritën ta mpiks?

Yjet ti mbledh në shami

Pastaj qiellin ta qëndis

Natën ta mbledh në kuvli?


Më thuaj një fjalë dheu

Nga bota që pret t’i vijmë

Ngrehu o bir i Nënls, ngrehu!

Të të shoh buzët me frymë


Ngrehu se syri mu ndryshk

Nata brënda më ka marrë

Atë shpirtin tënd me myshk

Da ta laj me dritë të bardhë


I heshtur s’përgjigjej varri

Nëna merrte në gji baltën

Ta thante në vatër zjarri

Ti bënte djalit flokatën


Varrezat dhe qeparizat

Tirnin kohë në gjumë të thellë

Nëna merr baltën dhe shtizat

E bënte shpirtin fanellë


Një mëngjez u ngrit e vajti

Gjunjë thyer, jo më këmbë

Dheun e djali e hapi

E mbajti, s’ju duk i rëndë


Vajtimin u fali reve

Shpirtin derdhur në Vanovë

Dhe plakut leshra gëlqere

I flet çdo mëngjez me kollë.

69 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page