top of page

Tërbaçi im dhe Tërbaçi yt



Nga Noke Abilekaj


O Tërbaç i lashtë nën Trënajua, Ç’bën kjo zemra ime në gërxhet e tua, Tre breza njerëzor prej teje larguar, Të mbarta në shpinë, në shpirt shtrënguar. **** Tërbaçi im dhe Tërbaçi yt

Atdheu është ai që njohim kur thithim grimën e parë të ajrit, është ai që gjejmë në rrembat e gjakut të nënës, është ai që mbjell në shpirtin tonë ninulla, përralla, kënga, e qeshura, e qara.

Si nuk këpute dot një rrënjë a rrënjëz, o zemra ime?! **** Atje ku u pre kërthiza, ku u shkarkuan lëngjet mëmësore të krijimit të jetës, mbiu pema e dashurisë dhe e mallit të patjetërsueshëm. Atje ishte dhe është vendlindja ime, mëmëdheu im. Atje do të jetë (si tregon sinoptika analitike e ADN-ës) edhe për brezat që u vjen gjaku nga këto rrënjë. Uni im lëndor, mbështjellë nga jashtë e mbushur nga brenda prej aureolës së shpirtit, baret mbi tokë, në Hënë, në Mars, më tej. Gjithsesi fijet e dashurisë dhe të mallit, të lidhura nyjë në pikën e lindjes, tendosen dhe e mbajnë varur si ballon fëmije tërë qenien time. Iki rrëmbyshëm dhe, sakaq, përmbysem në këmbët e foshnjërisë së largët.

Sa kohë që jam jashtë mbretërisë së gjumit më komandojnë gjeneralët ambiciozë të lakmisë prandaj largohem, largohem. Nga sytë këmbët largohem. Sikur ta kem hedhur pas kurrizit ngjizjen e materies dhe të shpirtit. Sikur t’i kem fshirë nga faqja e dheut konakun, pragun, vathën, avllinë, arëzën, zikzaket e udhëve opingagrirëse, honet e thella, pyjet me dushk e përrallë, rrëpirat e maleve, hijen autoritare të lartësive së Çikës, të Qores e Trënajoit.

Ndërsa në mbretërinë e gjumit ka të tjerë komandantë, të tjerë perandorë, të tjerë zotër. Fijet tkurren dhe krenaria e qenies sime kruspulloset e mallëngjyer dhe e lumturuar. I tëri kruspullosem rreth gurit ku u fsheh ena që më gatoi në universin e barkut mëmësor, rreth vatrës ku fjeta me macen në gji, rreth livadhit ku u grica me moshatarët e mi, rreth trungut të pemës ku pikoi dhe u tha rruaza e kuqe e gjakut. Kruspullosem i mallëngjyer e i lumturuar brenda asaj tollombace qielli ku fillimisht frymëmora. Atje qenka parajsa e ëndrrës. Atje do të jetë në përjetësi. Sepse; si, në ç’mënyrë tjetër mund të ekzistojë Mëmëdheu a Atdheu në se mungojnë dritat, plagët, figurat dhe tingujt e vendlindjes?! Atdheu është ai që njohim kur thithim grimën e parë të ajrit, është ai që gjejmë në rrembat e gjakut të nënës, është ai që mbjell në shpirtin tonë ninulla, përralla, kënga, e qeshura, e qara. Paçka se mëma ime dhe jote ishte e varfër, dheu i thatë, malet kërcënuese, Atdheu sofërkruar. Paçka se shpirti im imiton botën njerëzore; lakmon rrugët e gjata, qytetet, detet, rruzullin, Diellin, yjet, qiellin, gjithësinë. Paçka se është e pashmangshme dita e kapërcimit përfundimtar në të përjetshmen e dëshirzar parajsë a në të merituarin ferr. Duket se me të vërtetë atëherë sosemi pakthyeshëm në vendlindje. Ndoshta. Kush mund të thotë “jo”? As “po” nuk mund të thotë ndokush. Eh! Si nuk dobësove dot një rrënjë a rrënjëz, o zemra ime?! *** Tërbaçi, i njësuar me fjalorthin toponimik: Çika, Trënajoji, Maja e Qores, Paliska, Boçka, Shëngjergji, Marmuri, Mblera, Vali, Dushku, Arapa, Somai, Dërstila, Lumi i Kaurit, Përroi i Spahiut, Vozdoli, Rrethkroi, Kartha, Grykat, Bramyshnja, Smajthi, Buzujku, Hora, Koshtrat, Doloniku, Lis i Zi, Fëngu, Ambulli, Ura e Vaut, burime si Kalibajth, Koligj, Kroi. Rigonisht edhe Kostrator., si në Shëngergj, Shënkollë, Shaho dhe plot toponime të tjera që të çojnë në lashtësi, të kujtojnë këpucën sllave, çallmën turke, qëndresën labe dhe gjithnjë ndriçojnë origjinën ilire.

Emrat dhe mbiemrat e njerëzve janë kode për zbërthimin e historisë. Brenda një emri me atësi dhe llagap gjenden kristiani, myslimani, bektashiu. Leka i quajti djemtë Ali, Çelo, Memo, Habil. Djemtë nuk u shmangën nga pagëzimi i fëmijëve me emrat kristianë; Thanas, Sotir, Lefter apo bektashinj si Bektash, Novruz ... Duket sikur kështu është edhe në Tërbaçin tënd. Tërbaçi im, ashtu si Tërbaçi yt, si Tërbaçi i atij; lind fëmijë, u forcon këmbët, u jep zemër burri dhe i nis nëpër galaktikat e jetës, atje ku emrat mund të ndërrohen. Jo zemrat. Megjithatë, kush u kthye prapë? Kush iku nga Tërbaçi yt dhe u ngul në Tërbaçin tim? Thuajse askush.

Të gjithë ikin tutje, më tutje (Tërbaç të mos jetë!), duke tendosur vështrimin, duke tendosur fijet lidhëse të zemrës e shpirtit që janë pleksur dhe mbërthyer në rrënjët e lëna mbrapa. Këtë ngjyrë ka jeta. Gjithësia u krijua për të tërë. Mbarësi paçin bijtë e Tërbaçit! ***

Tërbaçi i lartësive deri 2050 metra dhe i kanioneve të thella mbi 30 metra, i gjelbërimit të shumëllojshëm me bimë të ulëta dhe pyje të larta. Tërbaçi që rrit rrapin, përrallin, dushkun, bredhin, pishën me trungje të trasha dhe lartësi sa të bie kësula nga koka. Dëndur rrit mbreten, koçimaren, lofatën, dëllinjën, shqopen, ilqen, bushin, frashërin, kulumbrinë, selvinë, thanën, bezgën (ç’nuk rrit nga bimët e egra?!) dhe më pak; fikun, mollën, kumbullën, qershinë, pjeshkën, zerdelinë, ftoin, dardhën (doemos më shumë goricën), hardhinë, arrën ...

Tërbaçi i faunës së pasur në llojet e kafshëve të buta; dhia, delja, lopa, mushka, kali, gomari, derri ... Dhe të egra; dhelpra, kunadhja, ketri, lepuri, derri, ujku, çakalli, vidra. Në shpatet e maleve dhe mbi lartësinë e maleve sajojnë simfoninë e tingujve thëllëzat, pëllumbat, turtujt, laraskat, mëllenjat, grifshat, trumcakët, bilbilat, gjelat e egër. Nuk mungojnë shqiponjat ... Ndërsa në oborret e shtëpive pulat (me sa duket vetëm pulat me kryetrimin e tyre). *** Në pesëqind mënyra të tjera të kishte ardhur fati i qeverisjes, Tërbaçi duhet të ishte sot një qendër më shumë nga ç’është blegtorale dhe patjetër qendër shumë e kërkuar turistike. Por ja që mbi të kanë kaluar hordhi sllave, turke dhe ndonjëherë edhe greke. Ja që qeverisjet ishin me pamje aq të ngushtë sa që nuk mundi t’i përkiste asnjë nga pesëqind fatet e mundshëm. I pesëqind e njëjti, po: Shtegëtimi, mërgimi apo shitja e pasurive mendore dhe fizike në toka të tjera, në dhera të tjera, në radhët e çetave, taborreve, ushtrive. Dhjetëra e qindra djem e deshën lirinë, luftuan për lirinë, dhanë jetën për lirinë. Sidoqoftë, deri në Tërbaç pak, fare pak, ose aspak lulëzuan frute të jetës me horizonte lirie të hapura. Rraskapitja, bile edhe varfëria pas rraskapitjes, ishte fati i tij i gjithëkohshëm.

Vetëm 15-20 kilometra për të dalë në Llogara. Thuajse, po aq për të njomur këmbët në Qeparo a Borsh. Vetëm 15-20 kilometra për të hyrë era e detit, për të hyrë turizmi me të tëra gjymtyrët. Vetëm 15-20 kilometra distancë midis mirëqenies dhe varfërisë. Tërbaçasi i ka kapërcyer këto kilometra nëpër qafat e maleve në këmbë e me mushkë, ka dalë në Palasë, Dhërmi, Vuno a Himarë, ka prurë plaçkë e laçkë. Ka prurë jetë. Aq sa mbante samari i mushkës!! Aq qe e thënë. Kështu dhjetëra vjet, qindra vjet deri sa, disa vite pas çlirimit, hapi derën dyqani i fshatit për pak artikuj të domosdoshëm.

Kush tha që janë vetëm pas maleve shtigjet për të hyrë turizmi? Turistët perëndimorë kanë filluar të shkojnë me makinat e rastit, edhe me këmbë kanë filluar të shkojnë, se i tërheq rryma e ajrit të pastër, relievi i thyer në mënyrë të papërsëritshme, ujrat fllad-dëbore që burojnë nga guvat rrëzë maleve. Janë befasuese e të pafundme këto mrekulli në Grykën e Shushicës. Vetëm një vijë rrugë duhet, një vijë rrugë që të sjellë turistin dhe të ndihmojë prodhuesin të çojë mallin e tij në treg. E meriton Tërbaçi. E meritojnë fshatrat buzë lumit zgjidhjen e vështirësive të rrugës, elektrikut dhe ujit sepse kështu do jetojnë më mirë dhe mund t’i kthejnë vendit pasuri kolosale. Njeriu i këtyre anëve është vital jo vetëm për të sjellë liri, por edhe për të kultivuar begati. Pushtetet edhe pse e dinë këtë, nuk kanë gjetur kohë ta vlerësojnë. ***

Erdhi fjala të themi se kur bashkëbisedon me krahinorët do të të thonë: “Tërbaçasit janë luftëtarë të panënshtruar ndaj shtypjes”. Kjo është e vërtetë shumëshekullore. E njohur mbetet trimëria e Miro Tërbaçes, veçse jo e vetmja. Thotë kënga: Djemtë e Tërbaçit furtunë / me kobure nën gunë ...

Miros i këndohet kënga: “Premi çepetë si djalë / se do vë dyfek e kamë, / do marrë hakë për vëllanë”. Këngë të tjera dhe për të tjerë trima ka në luftën mitologjike me turkun, në 20-tën ndaj Italisë, në Luftën Antifashiste Nacional-ëlirimtare. 30 luftëtarë Tërbaças ishin përkrah Rrapo Hekalit. 226 emra ka lista e pjesëmarrësve në luftën e Vlorës. 24 burra kanë qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924.

Në brigadat partizane u rreshtuan 250 djem të Tërbaçit. Mbi 50 janë dëshmorët e kësaj lufte. Katër haronj. Qindra janë kuadrot, të cilët dolën nga lufta fitimtarë dhe i shërbyen idealisht rindërtimit të Shqipërisë së pas luftës, begatimit të jetës së re që u dhanë. Ata, shumica dërrmuese, luftuan dhe punuan për vendin e tyre, tjetër në se shumë drita orientuese i çuan në përfundime zhgënjyese. *** Përgjithësisht, kur ke një mik nga Tërbaçi, i ke shpatullat të mbrojtura. Kjo cilësi tradicionale, kanunore, i prezanton Tërbaçasit me karakter të mirë dhe si miq të dëshiruar nga shumëkush. Shpresoj se lexuesit të informuar i fluturoi menjëherë mendimi te legjenda e bilbilejve. Gjurmë e ndritshme në historinë e fshatit do të jetë përjetë mbajtja në besë e bilbilejve për t’i shpëtuar nga thonjtë e të huajit. Tërbaçi i strehoi, i ushqeu dhe nuk u përkul nga asnjë presion a dhunë, as nga rreshtimi para vdekjes i djemve dhe vajzave të fshatit. Atëherë, “bilbilejtë vanë në litare vetë” duke vulosur në përjetësi lavdinë e tyre dhe nderin e Tërbaçasve. Mikpritja dhe ndjenja vëllazërore janë cilësi të shndërruara në virtyte për çdo degë të gjakut Tërbaças. Bujtësi në fshat mund të trokasë në çdo derë, në çdo orë dhe do të pritet me të gjitha nderet që përmban tradita e fshatit apo e krahinës. Ai konsiderohet si mik i fshatit.

I linduri në Tërbaç (ose në degëzime gjaku me Tërbaçasit) ka vëllezër e motra kudo që banojnë e punojnë bijtë e këtij fshati në botë. Kjo është cilësi karakteristike e pëlqyer dhe e lakmuar prej fqinjëve, shokëve, miqve. *** Në asnjë mbarim lufte Tërbaçasit nuk kanë cilësuar njëri-tjetrin si armik. Vetëm kanë shkallëzuar meritat. Vëllazërinë e kanë ruajtur mbi çdo pushtet. Për të ruajtur vëllazërinë brenda fshatit Tërbaçasit kanë sfiduar edhe vendime të prera të gjyqeve partizane. Për të mos shtyrë fshatin në vëllavrasje, ata kanë shmangur të paktën dy dënime me vdekje në momentet e tytave të nxehta gjatë luftës. Shumë e rrezikshme qe kjo, por ja që erdhën kohët në qafa të tilla që i bekuan veprimet e bijve tëtij, kryer me guxim, me sakrificë sublime, në kohë tepër të vështira.

Figura më komplekse dhe më e rrezikuar për të pranuar rrugën e shkallmimit të harmonisë midis Tërbaçasve ka qenë dhe është akoma Hysni Kapo, më i shquari në krahinë gjatë Luftës Nacional-çlirimtare dhe kuadër krye të piramidës i viteve 1941-1979. Duke qenë fare afër Enver Hoxhës e duke u quajtur “Besniku i Partisë”, njëherazi ka merituar mirënjohjen e dhjetëra e qindra të tjerëve të cilët kanë patur momente rebelimi ose pikëpamje jo të njëjta. Me mirënjohje shkruan P. Nelaj, 28 vjet i burgosur por me jetë të shtuar nga Hysniu. Kështu dëshmon i shquari Petro Marko për tri-katër situata mjaft të vështira të jetës së vet. Ndoshta rastësisht, ndoshta për ndarje pune, por i Hysni Kapos është shënimi për të lënë të qetë Ismail Kadarenë, pas vargjeve mbi pashallarët e kuq. Një poet i njohur (Xh.S.) e ka formuluar mirënjohjen për ndërhyrjet deçizive të Hysniut me këto fjalë ngjethëse: “Kur shumëkush priste koka, Hysni Kapo shpëtonte koka”. Shënimet e tij kanë qetësuar dhjetëra rrethe familjare e miqësore. E Hysni Kapos është shprehja: “Në Tërbaç nuk ka patur njeri kundër partisë e Luftës çlirimtare. Ka patur nga ata që e kuptuan më shpejt dhe të tjerë që e kuptuan më vonë partinë.” Ky konceptim, ndoshta i shprehur me sintaksë tjetër, qe drita jeshile e paqes në fshat nga ’44 e këtej. Kaq u desh që për çdo familje të Tërbaçit të mbetej e hapur perspektiva e fëmijëve. Në kushtet e drejtuesit të partisë dhe të flakadanit të luftës së klasave ai u përpoq dhe ia arriti të mos ngrinte kokë armiqsia në fshat. Me ç’them nuk dua të lëvdoj Hysni Kapon, sepse ai e ka marrë vulën e historisë sipas veprës, por dua të shënoj mirë se Tërbaçi mbjell, kultivon e rrit të tillë ndjenjë mirëkuptimi e vëllazërie. E përsëris se këtë ndjenjë e lakmojnë të gjithë, veçse, fatëkeqësisht dhe mjerisht, nuk e zotërojnë të gjithë.

*** Dëshira për arsimim dhe kulturë fillon me Murat Myftarin-Tërbaçi, Halim Xhelon, Muço Delon, Nuro Hoxhën, Rakip Rrokon, Gani Ilazin, Brahim Aliun, Musa Muhon të cilët mbollën mësimin e shqipes në dhjetëra fshatra. Prandaj Tërbaçi sot i sheh djemtë e tij, kudo që i ka, të krijojnë familje të arsimuara, me kulturë të konsoliduar. Duke shmangur ata që me kulturën e tyre, me prefesionalizmin e vet u shërbyen devotshmërisht pushteteve, qoftë edhe duke menduar se i sillnin të mira popullit, mjaftohem të përmend Kastriot Gjinin, kompozitorin jetëshkurtër por vepër madh, pionierin e muzikës POP në Shqipëri të cilësuar nga Sherif Merdani si “Migjeni i muzikës shqiptare”.

Grupi i këngës labe të Tërbaçit ka veçoritë burrërore të papërsëritshme aq sa u bë i njohur deri në perëndimin e largët të Evropës. Hallet e jetës, luftërat, dashuritë, buzëqeshjet, gërxhet e maleve, lulet e livadheve, janë futur e mbështjellë në shpërgenjtë e vargjeve të bejtexhinjëve që nuk mungojnë në asnjë derë të fshatit. Me qilimet e bejteve janë shtruar e asfaltuar edhe udhët e stërrallta që të çajnë mëdysh opingën. Çdo Tërbaças është, në një farë mënyre, bejtexhi.

Vazhdimësia i ka mbledhur këto vajza të demonstrojnë traditën e këngës tërbaçase.

Çdo sofër është enciklobedi filozofie, morali, politike, pedagogjie, ama, mbi gjithëçka, zotëron humori (ka ca tone therëse ky humor i Tërbaçasit “të prapë” që të shkund shpirtin dhe të filtron gjakun). Do t’ju kujtoj se kur vizitoi Nikita Hrushovi Shqipërinë shakaxhinjtë (burrat më seriozë të fshatit) e sajuan situatën e humorit për të ngrënë një qengj të pjekur. I hëngrën qengjin dhe i pinë rakinë nënë Beles “se i kishte bujtur krushku nga Rusia!!!” Djali i saj kishte prurë nuse, pas studimeve në Rusi. Nuk iu duhej atyre në se nusja ishte nga Kazakistani a Uzbekistani. Qengjin e hëngrën, rakinë e pinë, humorin e gëzuan. Në vitet ’60, ato ditë kur Izraeli hapi luftë me Egjyptin, Tërbaçasi ngriti mirësinë e Izraelit në një kokteil me zyrtarë të rëndësishëm(!!). Të gjithë u habitën, u stepën, disa u zëmëruan, u egërsuan dhe së fundi asnjeri nuk e fshehu dot të qeshurën. Mirësia u pi. Sebepçiu i mirësisë kishte të drejtë, kur sqaroi se lufta që nisi Izraeli i rihoqi gunën, e rizbriti nga mali, e riveshi në ushtri. Këto ishin të bukura edhe për nga rreziku që mbartin. Por ka shaka akoma më të mprehta e me gudulisje të përjetshme. Nuk harrohet kur i vdiq gruaja gjashtëdhjetë e pesë vjeçarit ... Ndërsa miqtë e ngushëllonin dhe i jepnin kurajë, ashtu si i japim kurajë tjetrit, ai lëshoi shpatën e humorit: “Pse, kështu ngushëllohem unë në këtë moshë? Mblidhuni e vendosni të më dërgoni me radhë gratë tuaja të më shërbejnë”. Në pikë të zisë, kjo shaka ishte ngushëllimi më i efektshëm për të duke çliruar edhe bisedën nga kallëpet tradicionale. Ama, shaka të tilla që mund t’i kalosh me të qeshura në Tërbaç, jo gjithkund përtypen. Nuk do të zgjatem më tej se të tepërtat mund t’i hidhni mënjanë pa i lexuar.

*** Unë shkruaj për Tërbaçin tim, por edhe ti ke Tërbaçin tënd, lexues i nderuar. Këto e të tjera vlera që nxitoj të nxjerrë në dritë për vatrën ku më ra koka mua, secili i përkthen lehtësisht për vendlindjen e vet. Mjaft që Çikën ta zëvendësojë me Veleçik, Moravë, Trebeshinë, livadhet t’i shtrojë me gjelbërimin e mallit të tij. Emrat e njerëzve nuk ka nevojë t’i ndërrojë sepse Lekë, Dedë, Thanas, Gjokë, Gjon, Gjin, Sotir, Lefter, Shëngjergj, Shëngjin, Shënkollë, Bragjin të cilët janë ngjitur në njerëz a troje të Tërbaçit, me siguri janë në vendlindjen e çdo shqiptari, apo 500 metra rrotull vendlindjes.

*** Kështu është Shqipëria, prandaj na mbërthehet për shpirti dhe e mbartim me vete nëpër botë. E mbartim andej nga zvarritemi për të mbajtur gjallë qenien tonë lëndore të papërfillur dhe të panumëruar mirë nga asnjë qeveri a mbretëri.

***

Në qoftë se u zgjata apo shkakëtova çoroditje me rreshtat e mësipërm, fajtore është zemra dhe jo mendja. Dashuria e mbirë në dhomat e zemrës ndez gjakun, drithëron shpirtin e njeriut dhe e mund arsyen. Aq më tepër që mendja ime tashmë nuk ka nge të tjerrë të holla. E mjera dhe e uruara më thërret të shkulem menjëherë, të vërsulem duke u shtytur nëpër turmat e dëndura të hallemëdhenjëve për të mbledhur evro (qoftë edhe 1 cent) sa të mbush me monedha jastëkët e zemrës dhe xhepat e shpirtit. Kur t’i kem monedhat (ah, monedhat!) nuk e di a do mundem të ndiej përsëri kështu???!!! Vjeshtë, 2007




43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page