top of page

Bujar Qesja: Heshtje dhe mall para varrit të “xhaxhait” tonë Skënder Hasko

  • 1 hour ago
  • 3 min read

... . Pikërisht në kohën kur po shkruaj këto radhë, ndahet nga jeta edhe vëllai i tij, aktori i njohur Birçe Hasko, i cili gjithashtu do të prehet në Dukat, në tokën e origjinës së tyre. Një familje që i dha shumë artit shqiptar, një familje që mbolli buzëqeshje në zemrat e njerëzve...

Nga BUJAR QESJA

Këto ditë pata fatin dhe detyrimin shpirtëror të shkoja në Dukat. Nuk ishte udhëtim i zakonshëm. Ishte thirrje e brendshme, zë kujtese dhe mirënjohjeje, që më çoi drejt vendit, ku prehet përjetësisht një njeri i dashur, një mik, një koleg, një krijues i rrallë i botës së fëmijëve dhe humorit Skënder Hasko.

U ndala para varrit të tij dhe për disa çaste heshta. Heshtja aty kishte kuptim tjetër. Ishte heshtje respekti, mallëngjimi dhe kujtimesh. Skënderi prehet pranë bashkëshortes së tij të dashur, Shanes dhe mbi pllakën e bardhë të varrit, lexohet një mbishkrim që të prek deri në shpirt:

“QAMË KËNDUAM E QESHËM

ME LOT AS VDEKJA FUQIPLOT

S’NA NDAU DOT”

Sa shumë jetë, sa shumë dashuri dhe sa shumë dhimbje mbartin këto pak rreshta! Aty kupton se dashuria njerëzore, nuk mbaron me ikjen nga kjo botë. Ajo vazhdon të jetojë në kujtime, në mall dhe në gjurmët që lë njeriu pas.

Skënder Hasko, lindi më 2 mars 1936 në Dukat të Vlorës dhe mbylli sytë më 4 shkurt 2013. Ishte biri i atij fshati të bukur e krenar, që nxori shumë njerëz të artit dhe kulturës shqiptare. Jeta e tij ishte e mbushur me përpjekje, me punë dhe me dashuri për krijimtarinë. 

Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” për aktor, punoi mësues në vendlindje, mekanik në Kuçovë, aktor në estradën e Beratit, e më pas u diplomua për gazetari në Universitetin e Tiranës. Punoi në “Hosteni”, në botimet “Teatër-Estradë”, në revistën “Pionieri” dhe drejtoi Teatrin Kombëtar të Fëmijëve. Por mbi të gjitha, Skënder Hasko mbeti në kujtesën tonë, si një shkrimtar i dashur për fëmijët, një njeri i humorit dhe i shpirtit të bardhë.

Me Skënderin jemi njohur në vitet 1971-1974, kur studionim në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në degën e gazetarisë. Ishte pesëmbëdhjetë vite më i madh se ne dhe kjo diferencë moshe, bëhej shkak për humorin e tij të pandarë. Me atë buzëqeshjen karakteristike dhe me sytë plot mirësi na drejtohej:

-Ju keqen xhaxhai ju!

Në pamje: Para varrit të shokut dhe mikut të shtrenjtë Skënder Hasko në Dukat.
Në pamje: Para varrit të shokut dhe mikut të shtrenjtë Skënder Hasko në Dukat.

Dhe ne qeshnim. Qeshnim jo vetëm nga shakaja, por sepse tek ai ndjeje menjëherë ngrohtësinë njerëzore. Ishte nga ata njerëz, që nuk lodheshin duke sjellë atmosferë, duke hequr mërzinë, duke krijuar miqësi të sinqerta. Kishte humor të lindur, një humor të mençur e pa ligësi, që të bënte për vete menjëherë.

Kanë kaluar dekada nga ato vite studentore. Jeta na shpërndau secilin në udhën e vet, por kujtimet me Skënderin mbetën të freskëta. Ka njerëz që largohen fizikisht, por nuk ikin kurrë nga kujtesa jonë. Skënder Hasko është kësisoj.

Ndërsa qëndroja para varrit të tij në Dukat, më erdhën në mendje shumë fytyra të kursit tonë të gazetarisë së viteve 1973-1974. M’u duk sikur ishim të gjithë aty, në heshtje, përpara “xhaxhait” tonë që aq shumë e respektonim. Dhe ndjeva se ajo vizitë, nuk ishte vetëm personale. Ishte një nderim në emër të brezit tonë studentor, në emër të shokëve e miqve, që e njohën dhe e deshën.

Një përkim i dhimbshëm, e bëri edhe më prekës këtë moment. Pikërisht në kohën kur po shkruaj këto radhë, ndahet nga jeta edhe vëllai i tij, aktori i njohur Birçe Hasko, i cili gjithashtu do të prehet në Dukat, në tokën e origjinës së tyre. Një familje që i dha shumë artit shqiptar, një familje që mbolli buzëqeshje në zemrat e njerëzve.

Skënderi kishte një natyrë të rrallë njerëzore. Nuk mburrej kurrë me veten. Nuk kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes. E fitonte respektin natyrshëm, me thjeshtësi dhe mirësi. Ishte nga ata njerëz, që të lënë pas një ndjenjë drite. Edhe tani, pas kaq vitesh, kur kujton zërin e tij, batutat, të qeshurën dhe sjelljen prej njeriu fisnik, ndien një mall të ëmbël.

Para varrit të tij, nuk bëra shumë fjalë. Në ato çaste, flet zemra më shumë se goja. Vendosa dorën mbi pllakën e ftohtë të mermerit dhe mendova, për kohën që ikën pa kuptuar. Për miqtë, që largohen njëri pas tjetrit. Për kujtimet, që mbeten si pasuri e shpirtit.

Dhe aty, në heshtje, m’u duk sikur dëgjova përsëri zërin e tij:

-Ju keqen xhaxhai ju!

Ndoshta kjo është pavdekësia e vërtetë e njeriut, të jetojë në kujtesën dhe dashurinë e të tjerëve.

Gjithnjë në kujtimet tona do të mbetet Skënder Hasko, njeriu i mirë, shoku i dashur, gazetari hokatar dhe shkrimtari i paharruar i fëmijëve shqiptarë.

Heshtje, mall dhe nderim para varrit të tij.


Durrës: 24 maj 2026 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page