top of page

Valbona Kolaveri: Flamingo 

  • 1 day ago
  • 4 min read

Valbona Kolaveri: UNË JAM                 

Unë jam,

Dhe nuk kam nevojë për vërtetim,

Urë lidhëse ndërmjet të dukshmes dhe të padukshmes,

Asfiksuese e territ në vallëzim mes hijesh,

Pa projoksione drite ,

E brishtë,

E egër,

E plotë në të gjithë pranimet e vetvetes,

Triumfatore heshtjes që lufton me sy,

Unë jam,

Dhe nuk lyp pranim

Aty ku autenciteti prishet ekuilibrash,

Unë jam,

Dhe vazhdoj të jem në kupola energjish

Që të stepin,

Por që asnjeherë s’të gënjejnë.


FUNDI I FUNDEVE

Kalova mbi një udhë dështimesh të humbura,

Si mbi një hienë që ulëret dhe kafshon me forcë

Ku dhembja të kalon tejpërtej syrit

Ia pashë të gjitha rrënjët e mashtrimit,

Prita gjatë ,

Deri ti shkuleshin thatësirës së mosbesimit

Të shihja ringritjen prej hirit,

Aty ,ku fundi I fundeve

Të mëson të ecësh ,

E të mos ndalesh më prej hiçit.


ULKONJË E VETMUAR

Flakëroj nën sy

Një zjarr

Unë,

Ulkonjë e vetmuar

Ulëras nën zë

Gjithë heshtjet

Dhe marr frymë lirisht

Kur  vetes i betohem mbi një psalm.


PSE TË DESHA

E zbrita mallin tënd

Mbi qerpikun e fatit tim

Lot më rrodhën

Ngashërimesh të pafajshme

Dhe qau fëmija brënda meje,

Të shërohej pse të desh.


MOS HESHT

Mos hesht nën zë o i mbytur

Dhe pse je robin i fatit tënd,

Rrudhjesh, kohësh mos rri  strukur

Gjej një shkak për të bërtitur ,

Dhe fol kur duhet mos u tremb

Mos hesht nën drojë

Në të kan shtypur,

Mos qaj pë fatin që s’të priu,

Dil, çlirohu nga zinxhirët e shpirtit

Lirinë puthe, mos hezito.


JAP NGA VETJA

Aty ku Venusi

Takon Afërditën

Aty ,

Rrumbullakoj dashninë

Harkimet e trishta

I vesh me diell

Zgjoj fëmijën brënda vetes

Të jap nga vetja

Çiltërsinë e shpirtit

Të gugas hareshëm

Prekjet e mëngjeseve

Ku majë gishtash,

Të prek qiejt.


NUANCË YLBERESH

Ti ,bijë e shiut ,

Që mes nuancash loz ylberesh,

Në cilën ngjyrë i  falesh vetes?

Ti ,bijë e diellit,

Që mes ylberesh i falesh shpirtit,

Në cilië rreze krijon orbitat e tua planetare?

Ta sfidosh gjithë botën.


NJË MIJË E NJË

Një mijë e një heshtje

Do të mbyteshin dhembjesh

Nëse s’u lexohen sytë

Një mijë e një zëra do të çirreshin

Nëse nuk dëgjohen larg

Një mijë e një arsye

Nuk kanë pse të jepen

Kur zemrat  s’kanë pse tremben

Një mijë e një rrëfime,

Kanë se ku të shkruhen

Kur shpirtrat shkruajnë njē mbishkrim të vetëm

Një mijë e një të thëna

Do shkruhen historisë

Kur tokës i përkulen bijtë me krenari.


KËRKIME TË PËRKORA

Kërkime të përkora po buçasin udhët

Shpirtra nën zjarr po kërkojnē lirinë,

E etshme ëndrra kur buçet nga turmat

Një ndryshore e re nën një shpirt të ri.


FLAMINGO

Ti, bir i ndryshimit

Ngjyrë rozë e purpurt,

E një zemre të butë

Flamingo e shtegëtimit

Fluturo ndër shtigje të reja

E puth gushë qiejsh plot dritë

Edhe vetëm gëzohu,

Gëzohu për veten,

Hënës blu ti lutesh bukur

Për një ardhmëri që të përket

Vetëm ty


PRAGJE TË GURTA

Ti kurrë s’ma lexove shkëlqimin e syve

Se fjalët u mbytën me heshtjet,

Dhe heshtjet ,

Po dergjen ndër vargje në letër

E u bënë pragje të gurta

Të një zemre që vuan.


MĒ MUND , S’MË MUND

Mbyllur në një cikël hezitimi

Heshtjesh përballë vihemi,

Më mund s’më  mund

Ky hall i madh na vu përfund

Fitove ti?

Se unë kurrë s’fitova  mes egosh,

Në luftë nuk ka zgjidhje

Prej paqes shpëtova

Më mund s’më mund

Kapur peng prej krenarisë,

Unë prej vetes shpëtofsha

Gjithashtu ti  prej vetes mos humb.


ËNDRRA

Çdo natë kopsis nga një ëndërr

Në këmishën e bardhë të natës

Që furfuliset nga erë ndryshimesh

Marr dhe jap me shpirt

Në dihatje të mbytura,

Të arrij atje

Ku yjet shkëlqimet si kanë të rreme

Vrapoj në shtigje ku zanat këndojnë këngë të pakëndueme,

Mbaj për krahësh babain edhe pse i vdekur

Më duket si atëherë kur ish i sëmurë

I bindem dhembjes dhe pse rrejshëm e takoj në gjumë

Ai s’më flet si zakonisht,

Por shoh që malli ia qep gojën të mos flasë

E më pas kalëroj

E hyp mbi kuaj të kuq drejt instiktesh fluturuese.


PERASH

Është një udhë në qytetin ku linda fëmijët e mi

Që natën fle ndër shpirtra gjethesh

E zgjimet I ka në ditët mes buzëqeshjesh që të japin dritë

Quhet  Perash

Në të bukurēn  Shkodër  që flet me hyjnitë

Një udhë që fillimet I ka në ngjizje ëngējsh

E në pranverë bleron ndër lule bliri.


EMOCION

Mes gjëndjesh amorfe të shpirtit

Emocionet luajnë kukamshehti lojën e çmendur të  frikës

Qiejt të shëmben brënda vetes

Në terri të egos

Dhe zëri brënda teje shuhet

Të sëmbon përtej të prekshmes

Të rrëmbejnë ngadalē pëllumbat e heshtjes.


MISTER

Misteri i ftohtë i heshtjes

Të ka vēnë pritë

Çarmatosëse zemra

Tek gulfon nën zjarr

Të ndjej për së largu

Dhe bëhem shēndetligë

Kur  dita i druhet dhembjes

Për ty t’më më sjell njē fjalë..


NJË FIBONAÇ

Kam zgjedhur të veçoj

Gjithë të panjohurat  e çdo dite

Edhe kur shumfish më trazojnë gjëndjet më absurde

Trajtës së pathjeshtuar kohëve

Guaskës si një Fibonaç

Thyej konturet e të pamundurës

Barazimet ,

Shpirtit mos t’më marrin vlerë

Shumatoreve të turmës.


ËNDËRR

O ëndërr  pranvere

E një nate të sëmurë

Gjykofsh veç për mirë

Se shpirti ka nevojë për zgjim

Këtij agu pa mbarim.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page