top of page

Të qoftë Dhéu i lehtë Sherif Bllaca!

  • Sep 6, 2025
  • 5 min read

 

 

Nuk dua ta besoj. Nuk dua. Por ja që Zoti me Ligjet e Natyrës ka bërë detyrën. Ka shkuar në duart e arta të Perëndisë një mik, një Njeri, një poet, një aktivist, një vlerë, një komunitar, një Shqiptar i rallë, Sherif Bllaca. Dhe këtu ndalet e gjitha, por jo rruga që ai piketoi, ideoi, ajo që na bën të ndihemi krenar e ndërsa Ai tashmë na shikon andej nga Lart…

„Shkoni, njerëz të rilindur, shkoni drejt një të ardhmeje të ndritur!“ Çdo vit më ngacmon kjo fjali, dikur i përsërisim këto fjalë bashkë i dashur miku im i paharruar Sherif Blaca. Diku thellë brenda nesh kishte zënë rrënjë tradita përmes së cilës i përulemi gjuhës sonë amtare, atij bartësi të padukshëm kulturor që na ka ruajtur si shqiptarë përmes trazirave të tmerrshme historike në rrugën tonë shekullore.

Tashmë ndërsa ti i dashur miku im, nip dhe bir i një Porte të Madhe patriotike, sikurse ishin rrënjët që hodhi Ramë Bllaca, e babai yt Hasan Bllaca, nuk e di pse e gjithë qenia ime është e mbushur me një ndjesi mistike dhe të ndritshme ama nga ajo që ke trashëguar dhe ke lënë pas në librat e tu poetikë, po aq dhe në gjuhën tënde të thjeshtë e të bukur shqipe. Është sikur fjala e paraardhësve, e vetmja pavdekësi e mundshme në jetën tonë të shkurtër, dhe të tensionuar, pushton vetëdijen time me gjithë bukurinë e fjalëve të gjuhës së bukur shqipe dhe më mbështjell si një magji për përjetësi me ritmin melodioz të spiritualitetit tonë të papërkthyeshëm:

Bashkë, miqësi, vëllazëri, familiaritet, LIBRA, LIRIKË, EMRA, FOLJE...Identitet…respekt, sinqeritet… Sa popuj festojnë identitetin e tyre si ne? Sepse çfarë është gjuha, nëse jo një shprehje e shpirtit të një populli, e gjallë në shkronja, në tingujt e shenjtë të fjalës? Është aty ku ruhen mesazhet e së kaluarës dhe ato besëlidhje të përjetshme të spiritualitetit që shpesh i harrojmë, të mbytura në bisedën e komunikimit global, në ditët tona me halle të tjera, me dhimbje të thella, me dashuri të shtrenjta, por që kur vjen një ditë ne gjendemi me dhimbjen tjetër. Në fillim ishte fjala... Sa janë të Ndriçuarit, të zgjedhur për të na e kujtuar atë?

Sot e gjithë jetën time mendja dhe lutjet e mia janë atje Lart. Janë pranë librave të tu, pranë veprës dhe vlerës tënde i dashur miku im. Ti ke krijuar një respekt të tillë dhe e meriton çdo gjë.

Të krijosh një botë të tillë respekti për rrjedhat e bashkatdhetarëve të tu në territor të huaj është një mision hyjnor dhe po aq dhe apostolik. Të flasësh dhe të mësosh në gjuhën amtare në vorbullën gjithëpërfshirëse të Gjuhës Botërore, në të cilën mijëra thekse nga identitetet e mëparshme kombëtare kërcasin si rrënoja anijesh të fundosura, është një guxim jo i natyrshëm tek burrat. Vetëm një Njeri i denjë si ty meritoi respektin dhe e fitoi atë, me durim dhe vendosmëri, butësi dhe mirëkuptim, largpamësi dhe besim në punën e përkushtuar, dhe që mbeti si një preambullë e pastërtisë shpirtërore në gjendje të kundërshtojë dhe të rezistojë. Ndaj kohës, rrethanave, paragjykimeve dhe hezitimeve, të huajve dhe madje edhe të vetëve. Në emër të miqësisë dhe vëllazërisë sonë familjare fjalët e mia sot janë në pamundësi, janë pak dhe shumë pak për të shkruar për një Njeri të veçantë. Por le të të përcjell atje në Lartësi, lartësinë tënde të vargut. Atë që e nisëm bashkë kohë e kohë më parë, ashtu , ashtu si atëherë, pa shumë fjalë…

 

Varg pa bujë, modest dhe i sinqertë

 

Dua të them që në fillim se modestia dhe sinqeriteti i njeriut shihet qartë në thënien e hapur të Sherif Bllacës. “Unë nuk jam as poet, as shkrimtar, por një dashamirës që dua me vargje të shprehë dhimbjen, dashurinë dhe mallin nga këto pozicione ku jam”, - shprehet ai. Kështu është shumë lehtë të udhëtosh në këtë modesti mes vargjeve të tij, që sjedhin po atë sinqeritet dhe domethënie në gjuhën shqipe të ruajtur pastër në sepetat e shtrenjta të traditës dhe kulturës së familjes së tij Pejane. Duke lexuar e njohur mirë këtë traditë dhe përkushtim të hershëm të Bllacajve, natyrshëm lehtësohesh dyfish. Njëherazi prej karakterit të Sherif Bllacës dhe për së dyti nga krenaria që shijon në këtë oxhak të pasur qytetar, kulturor dhe patriotik shqiptar. Kjo gjendet edhe në strofat e tentuara poetike të Sherifit, shihet edhe në mesazhin e vëmendshëm e domethënës shpirtëror të njeriut që gjendet i gatshëm në mes ndjenjës, lotit, pikës së djersës dhe rrudhjes mendore për të përcjedhur dashamirësinë e ndjenjën njerëzore tek tjetri, tek brezat. Kjo lloj krijimtarie synon një marëveshje të heshtur dhe shtjellon deri në detaj forcën e karakterit të njeriut në imigrim që pushtohet nga mijëra probleme të jetës që e rrethon. E këtu është pikërisht ky varg që vjen në ndihmë ashtu duke sfidur tërësinë rrethuese.

Në mjaft poezi të Sherif Bllacës, zë vend e tashmja dhe shqetësimi i saj, e shkuara lakohet dhe latohet në stilin popullor dhe e ardhmja është një sfidë në mesazhin e tij të dobishëm. Poezitë e tij “Ajo është bujare”, “Në pranverë”, “Dielli dashuron”, etj kanë një lidhje tepër të ndjeshme me këtë harmoni kohore dhe me stilin e traditën popullore të vargut. Sherif Bllaca ka një arsye të qartë që e gjen forcën e mesazhit tek vetja, tek personalja dhe jetikja. Ai është një ndërlidhje historike që kapërcen emocione dhe dhimbje, një dëshmitar i shumë rrjedhave politike dhe Kombëtare dhe për të flamuri, Skënderbeu, Kombi, Peja dhe tërë Kombi janë simbole zemrash, jo thjesht zgjedhje simbolike për të shprehur dashurinë, dhimbjen dhe ndërtuar mesazhin e tij.

Në leximin kronologjik të vargut të Bllacës shihet një grumbullim vitesh, një magazinim idesh dhe njohurish që shpërthejnë në kohë, vend dhe hapësirë të gjetur. Ai di të fiksojë të mirën, të dënojë regresiven dhe të urdhërojë një ndjenjë për progresiven. Në këtë hapësirë vargu i tij kapërcen disa barriera, që shpesh duken në trajtëformim, gjuhë, strukturë e ligjësinë poetike. Edhe pse ndodh dhe shihet qartë se deridiku është një modesti krijuese jashtë ligjësive, vlerat e krijimtarisë së Bllacës, janë në nivel, pasi ai krijon për të vlerësuar ndjenjën dhe jo për të krijuar të veçantën. Bllaca sjell në mesin e lexuesit atë që ndjen dhe atë që mendon, ndaj edhe pse diku shfaqen mangësi ai ka vlera mesazhi, vlera që duhen parë e vlerësuar mirë.

Unë nuk do të nxitohesha të lartësoja krijimtarinë e Bllacës, por as t’a nënvlerësoja atë. E thënë troç, në këtë sfidë autori ka fytyrën e vet, ka fjalën e thjeshtë, ka një hapësirë që mund të lexohet nën pushtetin e vargut të lirë, nënn ndjenjën e fjalës shqipe të shprehur nga zemra dhe autorësia e lotit dhe dhimbjes në imigrim.

Krahas kësaj poezitë “Nënës”, “Ibrahim Rrugovës” apo mjaft figurave të tjera historike dhe patriotike dhe po aq ato familiare kanë një stil tipik që flet shumë, dhe me pak punë kapin nivele të lexueshme.

Kështu poezia e Sherif Bllacës të bën të ndjehesh mirë, të bën të ndjesh frutin e një njeriu që përkushtohet dhe shkruan pa bujë. Por ajo udhëtoi edhe më tej. Edhe në libra të tjerë, në libra që nuk do të vdesin asnjëherë…

Të qoftë Dheu i lehtë Sherif Bllaca!

Ngushëllime Familjes tënde të respektuar, miqve, të gjithëve që të deshën me zemër.


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page