top of page

TË PRITA, KU SHUSHURINTE LUMI

  • Mar 1, 2024
  • 1 min read

Vullnet Mato

 

 

 


TË PRITA, KU SHUSHURINTE LUMI

 

Të prita, atje ku shushurinte lumi,

ku kokën në gjoks, ma mbështete,

ku pas puthjeve, na turbulloi gjumi,

ku the, se më deshe, për shok jete.

 

Atje ku me puthje, ndezëm natën,

ku ti u betove, për besnikëri përjetë,

ku nëpër shelgje, zogjtë pendëkaltër,

vejevinin, për të thurur foletë.

 

Atje ku lumi, na njohu, si dashnorë,

ku zalli qeshi, me dhëmbët e bardhë,

ku bregu, na shtroi barin e njomë,

ku kënduan për ne, dy bilbila gjizar.

 

Shkova përsëri te breglumi, vetëm,

valët hungëronin si derrkucë gjumash.

Sytë e ngrirë, nga shtegu më mbeten,

por ti s’po vije, askund nuk të pashë...

 

Brigjet e lumit, heshtnin të menduar,

sikur prisnin të bënin, pyetjen e madhe,

vërshimit që shtynte valët, me zemërim:

Mos vallë ajo vajzë, më ka lënë për fare?

 

Zogjtë pendëkaltër, ngrita në fluturim,

kërkuan në tokë e në qiell, s’të gjetën.

Shelgjet kishin përkulur kryet në vajtim.

Ah, ti më kishe lënë, ta kaloj vetëm jetën...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page