top of page

TURP I TURPEVE


Vullnet Mato


Turp i turpeve të kësaj shoqërie, 

të kësaj kohe, me papunësi mjerane,

poetesha e shquar, profesore letërsie, 

lihet në rrugë, të shesë banane!...

Vendin e saj e ka zënë një laraskë,

që tund bishtin me ngjyra laramane,

duke bërë sfilita, nga klasa në klasë,

me pendë të ngushta të jetës mondane.

Kjo zgjedhje e të paaftëve, mes të aftëve,

bën degët arsimore për t’u sharruar,

se flenë foleve, pa bërë vezën e vakteve, 

mikeshat  e skifterëve të korruptuar.

Si do blerojë kjo pemë, me të tilla fole,

që s’i lënë gjethet e blerta të vegjetojnë?

Sapo çelin sythat, të pjekin kokrrën e re,

zogjtë e pangopur të skifterëve i gllabërojnë.

Kësisoj bilbila dhe kanarina, pas durimit,

për të mos jetuar në boshllëkun e uritur,

fluturojnë në qiejt e largët të shtegtimit,

por si do bëjnë ata që kanë flatrat lidhur? 

Turp i turpeve të kësaj shoqërie, 

të kësaj kohe, me papunësi mjerane,

poeteshë e shquar, profesore letërsie,

lihet të dalë në rrugë, të shesë banane!...   

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page