Vullnet Mato
TRYEZA E MADHE E TALENTEVE LETRARE
Që në kohët e hershme, krijuesit letrarë janë quajtur pasuri e madhe kombëtare. Nuk imagjinohet, si do të ishte një vend pa ligjërimin pasionant të shpirtrave njerëzor. Vetë liria e fjalës, që fitoi vendi ynë postdiktatorial, bëri që krijuesit e Shqipërisë të shtohen çuditërisht shumë. Nga disa poetë dhe prozatorë që numëroheshin me gishta në të kaluarën, sot, vendi ka një kor të madh bilbilash, që këndojnë simfoninë e përditshme shqiptare, në internet e në shtypin e shkruar. Kjo ka bërë që një organ dinjitoz shtypi, si gazeta “Telegraf” i inspiruar nga drejtori i nderuar Engjëll Musai, një njeri me kulturë të gjerë dhe dashamirësi të veçantë për letërsinë dhe shkrimtarët, të ndjejë të nevojshme, se zëri melodioz i bilbilave të Shqipërisë, nuk mund të përhapej anekënd atdheut, vetëm me kafazet e librave të botuar, por edhe me një dritare të madhe, ku këta zëra të shpërthejnë jehonën e freskët, për t’u dëgjuar deri në skajet më të largëta.
Suplementi letrar javor, “Pena Shqiptare”, prej tetë faqesh, që u ka vënë ai në dispozicion krijuesve të talentuar prej disa vjetësh, është bërë një tryezë e madhe, që jo vetëm afron talentet e spikatur, duke nxitur krijimtarinë cilësore të tyre, por dhe gazeta “Telegraf” të shitet shpejt dhe të bëhet mjaft e dashur për lexuesit. Kjo duket qartë nëpër kioskat e shtypit, ku shpesh kjo gazetë është mbaruar që në orët e para të mëngjesit, pasi zëdhënësit e disa televizioneve kanë lexuar titujt kryesor të shtypit të përditshëm. Madje, duke mos mundur ta siguroj në kohë, te kioskat pranë shtëpisë, mua personalisht, më është dashur ta shfletoj, ose printoj nga interneti, tek publikimi që i bën drejtori virtuoz Engjëll Musai, me kujdesin e tij shpirtëror dhe redaktorja i këtij suplementi, zonja e nderuar Esmeralda Pirra. Duhet thënë shkoqur, se kjo gazetare i pasionuar pas letërsisë, me guston dhe shijen e spikatur, selekton nga prurjet e shumta, nektarin e zgjedhur që i shijon vetë lexuesit.
Së fundi njerëzit, por sidomos krijuesit letrarë, të velur së tepërmi nga ushqimi shpesh bajat i politikës, që mbush disa qindra faqe të shtypit shqiptar, kanë fatin të shijojnë artin e tyre dhe të përfitojnë nga përvojat krijuese të njëri-tjetrit. Sepse në këtë suplement, ata gjejnë të publikuar disa dhjetëra emra me krijimtari origjinale, që përfaqësojnë lirikën dhe epikën e sotme letrare shqiptare.
Gazeta prestigjioze “Telegraf” me këtë Suplement, ka zëvendësuar tashmë plotësisht gazetën e dikurshme javore “Drita” të ish Lidhjes së Shkrimtarë dhe Artistëve, të shuar prej kohësh, bashkë me atë “Lidhje” partiake të ish partisë në pushtet.
Madje, mund të themi, se ka ardhur koha dhe shansi, që kjo gazetë serioze e afruar ngrohtësisht pranë lexuesve të saj, ta nxjerrë këtë Suplement edhe si botim më vete. Si një dritare të hapur në të dy kanatat, nga ku të shpërthejë drita e vezulluese e artit shqiptar deri në hapësirat mbarëshqiptare përtej kufijve, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi e Itali, nga ku vijnë prurjet, me mjaft emra të dëgjuar poetësh e prozatorësh, të këtyre vendeve dhe krijues emigrantë.
Ne shqiptarët jemi një popull që dimë të këndojmë bukur, si me ison e Jugut edhe me solon e çiftelisë së Veriut. Këngët e shumta që burojnë nga gurrat e artit shqiptar, kanë nevojë për publikimin e rregullt të krijimtarisë letrare, ku mund të vjelin tekste të kohës, që i këndojnë dashurisë dhe njeriut të lirë, për të zëvendësuar tekstet e vjetra me partinë, çelikun dhe traktorin, që dëgjohen ende në disa këngë të hershme. Pikërisht, nga publikimi i gjerë e krijimtarisë së mirëfilltë letrare në vijimësi, do të marrin hov të mëtejshëm edhe tingujt e këngës e të valles së re shqiptare, nëpër skenat dhe podiumet e veprimtarive kombëtare.
Comentarios